Gazeta Nacional Albania

AVDI REXHA  I BUJANIT MISIONAR I FAMSHEM I PAJTIMIT TË GJAQEVE NE VERI

 

 

 

 

“AVDI REXHA u dha shumë brezave të ardhshëm dhe nuk mori asgje me vete përveçse banesës së tij të përjetëshme, la emër, la pasuri fjalën dhe veprën e tij dhe jemi shumë krenarë për një baba të tillë që patëm dhe do ta kemi gjithmonë duke trashëguar amanetin e tij në breza, humanizmin që e ka karakterizuar gjatë jetës dhe unë si bija e tij sa të kem jetën do të punoj në humanizmin komunitar të çdo lloj sekti pa dallim.”

 

 

 

 

 

 

 

 

Avdi Rexha (babai im) i lindur në Ahmagjokaj të Bujanit të Tropojes me 13 Mars 1925. Fëmijë i një familje shumë atdhetare, e thjeshtë dhe me shumë vuajtje si gjitha Familjet Shqipë-tare Malësore.

Avdi Rexha që i vogël tre vjeçar mbetet jetim me vdekjen e nanës së tij shumë të re sa kishte filluar jetën e saj me Rexh Mehmetin e ardhur nga një familje Butyçase të një fisi të dëgjuar (Gjediaj) të Pacit te Tropojës, rreth në 27 vitet e saj të lindjes, një vajzë shumë e re dhe e bukur, lidh jetën me gjyshin tim të ndjerë, Rexh Mehmetin në Ahmagjokaj të Bujanit, djalë i pashëm dhe i fuqishëm i rritur me traditat tipike të malësoreve të Tropojës. Në lindjen e djalit të dytë të vëllait të babait tim i cili ishte vetëm 3 vjeç, ajo nuse e re 27 vjeçare humb jetën e saj rinore bashkë me foshnjen e saj dhe Avdi Rexha mbetet jetim pa nanë që në atë moshë të vogël duke mos ditur kurrë se çfarë është përkëdhelja e nanës, dashuria e saj, aroma e nanës. Kështuqë në atë moshë fillojnë kalvarët e vuajtjeve të tij, duke e rritur babai me njerken dhe tre vëllezër e një motër të ardhur në jetë nga martesa e dytë e babait të tij, gjyshit tim të ndjerë Rexh Mehmeti.

Avdi Rexha u rrit dhe u burrërua para kohe në odat tradicionale tipike te Malësisë së Gjakovës duke ju përshtatur më së miri vendit dhe kuvendeve të asaj zone.

Me rritjen e moshës dhe  kalimit të viteve bashkë me vëllezërit dhe motrën e tyre filluan ndryshimet e jetës duke ndërtuar secili familjet e tyre.

Avdi Rexha martohet dhe ndërton një familje të madhe prej dhjetë fëmijësh duke lidh jetën me një vajzë të rritur në fashtin e bukur të Valbones (nana ime e ndjerë) e cila ishte e bukur si një zanë mali e rritur në ato bjeshkë të larta me freskinë edhe bukurinë e tyre, nga një fis shumë patriot, fisi i Selimajve të Valbonës. Sëbashku ndërtuan jetën, një familje të madhe ku ajo lindi dhe rriti dhjetë fëmijë të bukur dhe plot shëndet ndonëse në kushte të vështira të kohës duke qënë heroina jonë, mbretëresha jonë e ndritur deri në moshën 62 vjeçare e cila ndërron jetë në mënyrë të papritur dhe të parakohëshme.

Gjatë jetës së tyre si gjitha familjet malësore me ngritjet dhe uljet e jetës babai ynë shumë punëtor filloj duke marrë emër humanizmi, duke punuar në tregti në një Dyqan (Dugaje) që quhej atëherë në fshatin Droshlan të Rosujes në Bujan, duke ju ardhur në ndihmë gjithë komunitetit të fshatrave të afërta dhe të largëta të Tropojës dhe emri i tij u bë shumë i njohur anë e mbanë Tropojës.

Humanizmi i tij ishte i pashoq që në atë kohë deri sa ai u pushua nga ajo punë e nderuar jo vetëm për ne por për të gjithë komunitetin, me rastin e burgosjes së djalit tij të madh i cili që në moshën 20 vjecare Hasan Avdi Malaj mendoj të arratisej jashtë kufijve të Shqipërisë për një jetë demokratike më të mirë dhe u burgos me dhjetë vite burg politik të asaj kohe në burgun famëkeq të Spaçit.

Hasan Avdia (vëllai im) ishte bylbili i këngës popullore që në moshën e adoleshencës së tij duke marrë pjesë në festivale të ndryshme, në oda, dasma dhe konaqe gëzimesh të traditës Tropojane me çifteli dhe sharki në dorë bashkë me këngëtaren e madhe Fatime Sokoli të cilën e kishim dhe lidhje gjaku. Me burgosjen e tij shteti i diktaturës i zhduki plotësisht të gjitha këngët dhe zërin e tij melodioz dhe nuk u dëgjua më kurrë zëri i tij në radio apo television, kështu filloj një jetë tepër e vështirë për të gjithë familjen tonë të madhe të cilën e mbajti përseri me nder dhe lavdi dhe nuk u mposht kurrë Avdi Rexha, Ai dha një shembull pozitiv përsëri për t’u mbajtur mend gjatë në breza.

Me kalimin e kohës dhe viteve ai u pushua nga puna, punoj në ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës dhe Komanit herë si magazinier herë si punëtor duke ndërtuar dhe një shtëpi të bukur, të bardhë, madhështore për atë kohë në mes të Bujanit e cila ua verboj sytë pushterarëve të asaj kohe duke e propozuar atë kullë të ndërtuar me gjak dhe djersën e tij për ta shndërruar në spital shtetëror të kohës ose në shkollë. Rezistenca dhe drejtësia e tij nuk lejoj kurrë të ndodhë një gjë e tillë, por ajo mbeti një Kullë e Bardhë, nje kala në mes të Bujanit të Madh si simbol në mes diktaturës dhe demokracisë, një urë e hekurt e ndërtuar e asaj kohe por që vlejti dhe do të vleje në vite dhe breza me radhë e shndërruar nga vetë dora e Avdi Rexhes të cilën e përdori me dinjitet për 30-të vite me radhe në dispozicionin e misionit të madh te tij si Misionar i Pajtimit të Gjaqeve, të vulosura me vulën dhe dorën e tij të artë duke kthyer në jetë reale me qindra njerëz dhe familje të ngujuara në jetën e lirë duke përdor fjalët e urta, të buta, të mençura dhe plot jetë duke thënë: “NUK DIGJET PYLLI PËR NJË LIS, PËR NJË GJAK NUK SHUHET NJË FIS“.

Kështu që Avdi Rexha duke mos mundur që të shkruhen as në faqe të tëra e gjithë jeta e tij një shekullore, ashtu siç e kanë shprehur dhe në këngën e tij:

“MISIONAR PAJTIM E GJAQE, LIBRI I TIJ          MEQINDRAFAQE“ VEPRA JOTE NËPËR  BREZA

TU KËNDOFTË KANGA SA TË JËTË JETA

MIDIS NESH JE AVDI REXHA“

 

AVDI REXHA u dha shumë brezave të ardhshëm dhe nuk mori asgje me vete përveçse banesës së tij të përjetëshme, la emër, la pasuri fjalën dhe veprën e tij dhe jemi shumë krenarë për një baba të tillë që patëm dhe do ta kemi gjithmonë duke trashëguar amanetin e tij në breza, humanizmin që e ka karakterizuar gjatë jetës dhe unë si bija e tij sa të kem jetën do të punoj në humanizmin komunitar të çdo lloj sekti pa dallim. Nëse unë kam ndjekur rrugën e tij bashkë me të sa ai jetoj në jetë e kam bërë për veten time, që atë ditë kur Babai im u largua nga jeta e deri sa të jem gjallë çdo vepër humanizmi që do të bëj brenda mundësive për kumunitetin do ta bëj në emrin e lartë të tij dhe për shpirtin humanitar që ka patur me qëllim që edhe atje në jetën e përjetëteshme të ndjehet ashtu siç është ndjerë në jetën realiste që jetoj 95 vjet në shërbim të njerëzve në nevojë, duke percjellur amanetin e tij dhe duke ndjerë  krenarinë time si vajzë Malesore Tropojane e Avdi Rexhës.

 

I PËRJETSHËM KUJTIMI, FJALA, VEPRA, MISIONI JUAJ HUMANITAR BABAI YNË I NDERUAR AVDI REXHA

 

Veprimtaria e tij Misionare e Pajtimit të Gjaqave qëndron akoma një fenomen shumë i dukshëm në Trojet Shqiptare e sidomos në veri, për fjalën dhe kontributin njerëzor që ka dhanë Avdi Rexha në Rrethin e Tropojes dhe Malësinë e Gjakovës, në Diasporë, Kosovë dhe gjithkund.

Bashkia e Tropojës në bashkëpunim me organet e tjera kopetente me datën 13 mars të vitit 2015-të, ditën kur ai kishte 90-të vjetorin e lindjes në një festë të madhe organizuar nga fëmijet e tij, si surprizë të bukur dhe dhuratë të çmuar dhe të merituar, kishin vendosur ti japin titullin e madh, “QYTETAR NDERI” për Qytetin e Bajram Currit, të shoqëruar me larmi aktivitetesh të tjera artistike në nder dhe mirënjohje tashmë të zyrtarizuar nëpërmjet “Çertifikatës“ së dhënë nga Kryetari i Bashkisë së asaj kohe Z.Besnik Dusha dhe autoriteteve të shumtë të pushtetit lokal të shoqëruar dhe me deputetë të kuvendit dhe parlamentit Shqiptar. Këtë “TITULL TË LARTË“ të merituar e ruajti duke e shpërndarë edhe për pesë vite të tjera nëpërmjet punës dhe kontributit të tij të ndershëm dhe aspak të lodhur nga ana e tij, por shumë të dashur dhe fisnik deri në ditën e fundit të jetës duke dhënë pafundësisht gjithçka çfarë i duhej një komuniteti të tillë në këto anë mes të njohurës dhe të pa njohurës, mes të keqes dhe të mirës, mes çdo aspekti njerëzor që i duhej komunitetit që të ecte përpara dhe jeta e tyre të merrte kuptime jetike për të jetuar dhe jo për të mbetur të ngujuar për gjithë jetën.

Kështu që jeta e tij u mbyll  me datën 25 Dhjetor 2019 duke parë dhe menduar që ana shëndetësore po përkeqësohej muajt e fundit të jetës dhe duke parë që nuk kishte më mundësi për ti dhenë këtij komuniteti nga ana shëndetësore që po i krijohej dita-ditës kishte menduar ti jepte fund jetës së tij duke lënë mbrapa një emër bashkëngjitur veprës dhe punës së tij afër një-shekullore, ku gjithë jeta e tij do të përshkruhet dhe thuret në vargje dhe këngë lavdie.

 

MIDIS NESH JE AVDI REXHA

DO T’KUJTOHESH NEPËR BREZA

TU KËNDOFTË KENGA SA TË JETË JETA…

 

Bujana Malaj

Tiranë 2020

Të flasësh për Avdi Rexhën është mision i vështirë. Ndodh shpesh që për njerëz të mëdhenj, flasin dhe vlerësojnë njerëz të vegjël, kultura, njohuritë, fjalori dhe vepra e të cilëve është shumë më e  vogël nga mënçuria, largëpamësia dhe vepra e atij për të cilin duhet të flasësh dhe duhet të vlerësosh. Këtu qëndron vështirësia e parë dhe kryesore për të folur dhe vlerësuar Avdi Rexhën e Bujanit të Malësisë së Gjakovës.

Avdi Rexha ishte simboli që solli deri në ditët tona të shekullit të 21 mënçurinë, trimërinë, atdhedashurinë, burrërinë, fisnikërinë, humanizmin, liridashësinë, paqen dhe mirkuptimin që kishin mbajtur gjallë dhe përcollën të parët e tij si Binak Aliu, Musli e Bajram Mulosmani etj etj para dhe pas tyre.

Avdi Rexha ishte njohës i madh i  rregullatorit të jetës njerëzore, në mungesë të shtetit, i Kanunit të Lek Dukagjinit, ishte njohës i mirë i dokeve dhe zakoneve, i shtetit dhe i institucioneve të tij, i fuqisë së tyre.

Ai ishte një kapacitet mënçuror që kishte kuptuar në kohë ndikimin ndër malësorët të shtetit dhe të institucioneve të tij, të ligjit dhe të forcës së tij, si dhe të Kanunit, të moralit dhe të zakoneve në Malësi, nga ana tjetër.

Veprat e tij njerëzore, humane, jetësore, mirëkuptuese dhe vëllazëruese, duke përdorur normat e Kanunit, të zakonit dhe të moralit të mirë, pajtimi i shumë gjyqeve në Malësinë Gjakovës dhe më gjerë, buzëqeshja dhe jeta normale, duke i kthyer te dija dhe arsimimi dhjetra e dhjetra fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja, janë vërtet një gjerdan i artpër këtë burr të shquar të Bujanit, të cilit mëndja, trupi, shpirti i lindi si Misionar i mirësisë, fisnikërisë dhe humanizmit të pashoq njerëzor dhe i mbeti i till, i pa cënuar aspak dhe në çdo pikpamje, deri në moshën 95 vjeçare, kur u nda prej nesh, për të mos vdekur kurrë…