Gazeta Nacional Albania

BAJRAM BEGAJ, ZGJIDHET PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Bajram Begaj, ish- shef i Shtabit të përgjithshëm iteUshtrisë së Republikës së Shqipërisë është zgjedhur sot në parlament, si President i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Begaj pason në këtë post, Presidentin në detyrë Ilir Meta, i cili e lë detyrën e kreut të shtetit me 24 korrik 2022, ditë kur edhe zoti Begaj betohet zyrtarisht si kreu i shtetit shqiptar.
Begaj u zgjodh me 78 vota të mazhorancës së majtë të Partisë Socialiste në Kuvend, ndërkohë që Partia Demokratike e opozitës së djathtë në vend, bojkotoi procesin e votimit të kreut të ri të shtetit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha u tha gazetarve se Begaj ishte një figurë jo konsesnsuale dhe propozimi i tij duke qënë ushtarak i lartë në funksion, ishte në shkelje të kushtetutës.
KUSH ESHTE GJENERALMAJOR BAJRAM BEGAJ
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 Mars 1967, në Rrogozhinë.
Begaj, veç karrierës ushtarake ka dhe një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë, ku dhe ka mbaruar studime universitare, për mjekësi të përgjithshme.
Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë 3-vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.
Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.
Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.
55-vjeçari Bajram Begaj është i martuar dhe ka dy fëmijë.