Gazeta Nacional Albania

Bardhyl Maliqi: BRENGË E SHPALLUR E POETËVE, ese

Është e çuditshme! Sa më shumë njeriu shtyhet në moshë aq më nostalgjik bëhet. Dëshiron të kthehet pas, të pijë ujë e të freskohet në krojet e femijërisë së hershme, në vitet e arta të rinisë. A thua se ai është në kërkim të rrënjëve të veta të origjinës dhe indetitetit, në kërkim të asaj ç’ka nuk e realizoi dot përsosmërisht në kohën e vet, në pjerrësitë e mundimshme të daljes nga vetmia apo harresa kolektive, në labirinthet e kohës së mbetur apo në kërkim të kohës së humbur. Mbase ka të drejtë Marsel Prusti, njeriu është në kërkim të kohës së humbur, në përpjekje për të sendërtuar ide iracionale dhe mishëruar ideale humane, veç harron një detaj të vogël: pamundësinë fizike për të qenë ai që dëshiron të bëhet, ndaj dhe mendimet e tij vijnë si ujrat e përrenjve në çaste vërshimesh: papërmbajtshëm, turbullt, duke humbur konturet e brigjeve, duke thyer normat sintaksore të ligjërimeve dhe duke u zhvendosur në mënyrë kaotike nëpër regjistra gjuhësorë. Mbase kjo është një ngutje që spjegohet jo vetëm me akrepat e orës që nxitojnë drejt momentit të mbetjes, nëse për to nuk ka një kurdisje të re, por edhe me përpjekjen për të zhvilluar tre-katër indetitetet më të qenësishme të personalitetit njerëzor.
Mbase shumë prej nesh nuk e dinë se në doktrinën para kristiane ka qenë e ligjëruar ideja se njeriu ka mundësinë të ndërrojë lëkurë, formë, shfaqje dhe indetitet, pra të ritrupëzohet, se jeta njerëzore e tij nuk është pragu i fundit. Teoria e Reinkarnacionit ka qenë Abc-ja e procesit tonë të zhvillimit potencial dhe realisht mbetet e tillë, por ne kemi hapsira të ngushta për të, pasi ajo konsiderohet sot një tabu, të paktën qysh nga 553-shi, koha kur Perandori Justinian urdhëroi heqjen e saj nga Librat e Shenjtë. Megjithatë kanë mbetur shenja të ekzistencës së saj. Ato janë shenjime vlerësimi për veten dhe për të tjerët. Njerëz që bëjnë dy apo më tepër jetë krej të ndryshme në të njejtin çast kohor, që të dalin befaz para sysh atëherë kur nuk i pret, mjafton t’iu përmendësh emrin sipas moralit: “zer në gojë mikun, bëj gati petanikun”apo antipodin e tij në vlera: “zure fill qenin, bëj gati shkopin”. Njerëz që jetojnë botën e aluçinacioneve të veta, që për ta është një botë krej racionale dhe për ne tërësisht iracionale. Poetë, shkrimtarë, piktorë, artistë, veçanërisht aktorë, politikanë, pijetarë, frekuentues të rregullt të substancave abuzive, tipa delirantë, ëndërrimtarë apo të dalë mendsh, por dhe njerëz krejt të zakonshëm që kanë pasur përvoja të gjera jetësore me gjendje të ndryshuara të ndërgjegjes, pohojnë ekzistencën e vet në disa forma trupore dhe për më tepër në disa lloj formash që nuk përputhen me njera- tjetrën, që kanë dukje, përmbajtje dhe paraqitje të ndryshme ekzistenciale, që në këtë shtëpi ku tashti banojnë si njerëz, si prindër, etër dhe bij, pohojnë se kanë qenë dhe më parë si dru ulliri, si qokth, si gjarpër mbrojtës, si kafshë shtëpiake etj. Dhe nuk mërziten se do të ikin një ditë pasi janë të sigurtë se do të kthehen përsëri, por pa pasur mundësinë të bisedojnë me ne, megjithëse kontakti i pavetëdijshëm i syve nuk do të na mungojë. Mbase dhe ato dëshmi dhe përvoja aviatorësh, astronautësh, usharakësh apo qytetarësh të zakonshëm që flasin për kontakte me jashtëtokësorët, për udhëtime reale apo imagjinare me Aljenë dhe Ufo, kanë në thelb një eksperiencë të tillë shndërrimesh të qenies njerëzore. Është një kredhje në fund të botës së pavetëdijshme, një nxjerrje thesaresh nga paravetëdija, një pasvetëdijë intuitive apo një vetëdijë absolute e ekzistencës së tyre? E parë në këtë kamer vëzhgimi psikologjik, figura flokëpërgjakur e Bankos, që ka zenë vend në karrigen e gostisë festive të urdhërvrasësit të vet Makbeth, është krejt e besueshme. Për t’u bindur kujtoni mitet dhe epet e vjetra sumero-arkadiane, babilonase, hinduse dhe egjyptiane, pellazgjike dhe greko-ilire etj; kujtoni pse jo përmbajtjen e disa prej përrallave popullore, ku vajza bëhet zog e djali bëhet gjon, për të shkuar tek metamorfoza e nëpunësit të përunjur të Kafkës, Gregor Zamzës, në një insekt të neveritshëm apo qytetarit të Joneskos në rinoceront. Dhe vite para tyre a nuk shëndrrohet në qen Mefistofeli tek vepra gjeniale ‘‘Fausti” e Gëtes. Është një klimë e tërë e tillë në romanet e letërsisë së realizmit magjik të Buxatit, Aljentes, Markezit etj. Kujtoni psh. “Njëqind vjet vetmi” të këtij të fundit. Po ashtu disa personazhe të Kadaresë, Qoses, Mustafait, Hysës, Kongolit etj janë të tillë. Tek “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të R. Qoses kujtoni Lanetin. Nga libri me tregime “Rrëfimet e një hajduti” të Sh.Hysës po përmend një personazh me emrin Didin, një ish nacionalist i pushkatuar në Pandalejmon që kthehet në hije apo shpirt në gërmadhat e shtëpisë së vet në Konispol duke jetuar kështu një ritrupëzim, një jetë të dytë në botën e përtej varrit. Dhjetra filma netëve të gjata abuzojnë me këto shëndrrime, shpesh të përbindshme, duke krijuar tek teleshikuesit një gjendje neverie, ankthi dhe lemerie, që vështirë se e beson se burim të parë shkakësor si stresor të drejtpërdrejtë kanë ekranin e vogël blu.
Në këtë botë ka shumë gjallesa që ritrupëzohen, veç ky akt ka veçori. P.sh: shumica e drurëve, shkurreve dhe bimësisë tjetër, natyra në përgjithësi në pranverë vishet me blerim e lule, në fund verë me ar e fruta dhe në vjeshtë me argjend e bronx, për t’ia lënë radhën dimrit me krahët e hapur e të zhveshur të drurëve si antena lutjesh drejtuar qiellit. Një jetë tjetër ata e kanë si trarë, dru zjarri, letër apo mobilje. Kamaleoni dhe disa papagaj ndrrojnë ngjyrën e lëkurës për t’iu përshtatur mjedisit, për ekzistencë dhe mbrojtje, të tilla gjallesa ka shumë, në tokë dhe në det. Gjarpri e ndrron përvit lëkurën, e kur kjo është e pamundur, ai ngordh. Disa ritrupëzime kanë një specifikë tjetër, ato vijnë si ndryshime themelore të qenies: vemja që bëhet flutur, peshku dallëndyshe që tenton të fluturojë, krimbi i manit që në barkun e vet end mëndafsh, delfini që komunikon me fëmijët, etj. Dhe vjen një çast që edhe njeriu ndryshon rrenjësisht. Ashtu si ndodh me klyshin e tigrit që mund ta mbash në gji e ta mëkosh me biberon, por me të pas një viti nuk përballesh dot, mund të ndodhë që Muji 7 vjeçar të jetë një çoban keqot, e një ditë të mëkohet me qumështin e zanave dhe të vërtisë tej një shkëmb një mijë okësh. Mund të të shitojnë zanat e të të kthejnë në gur në bëzafsh a këndofsh në Lugjet e Verdha. Vallë kampionët e sotëm të ngritjes së peshave, boksit apo xhudos, këta gjigandë prej mishi, kockash e nervash, dje s’kanë qenë fëmijë, qenie të brishta e të buta? Sigurisht që po. Po në momentet e egërsisë a nuk duket se në shpirtin e tyre kanë hyrë tigrat apo djajt e skëterrës? Vallë ç’ka ndodhur me ata që vrasin me gjakftohtësi, e për më tepër se kaq në krye të shteteve programojnë shfarosje masive, genocide etnike kundër popujve të tjerë apo popullit të vet?
Një shfaqje tjetër interesante e shumëfytyrësisë njerëzore, e shëndrrimeve biofizike, kognjitive dhe emocionale është ajo çka ndodh me të gjithë ne, dhe që paraqitet në tregime, romane e libra me vjersha në dilemat morale dhe psikosociale të krijuesit të vet. Njeriut i ndodh që të kalojë nëpër një hark kohor psh. prej 75 vjetësh në të gjitha ligjësitë e shndërrimeve njerëzore, të jetë një ditë fëmijë i bukur i lindur në një fshat malor të Shqipërisë si Muzina, çirak adolishent në një restorant në një qytet bregdetar si Saranda, partizan 15-të vjeçar në Konispol a Delvinë, student i Akademisë Detare në Split dhe Baku, ushtarak në shërbimin e marinës në Sazan, aksionist në rrugën e Malsisë së Madhe, burrë i martuar dhe me fëmijë, ish qytetar aktiv i dalë në pension, veteran, pra një njeri që është i gatshëm të luaj me dinjitet apo duke u çapitur role të ndryshme sociale; të bjerë pre dhe të bëhet produkt i paragjykimeve dhe mendësive të së shkuarës, i traditave etnokulturore dhe e i përvojave jetësore të femijërisë, të puberitetit dhe moshës së rritur, ta zhvillojë unin e vet në përpjekje për të kënaqur apo shtypur idin e vet, ose në luftë me dominancat e mbiunit social. Të shfletojë natyrshëm faqet e kujtesës dhe të ketë ende kurajën e refleksioneve, a thua se jetën e ka para e jo pas. Të jetojë ende me impresionet e të dashurës ruso-azerbaxhanase Valja, të qajë apo mallëngjehet për të, të mendojë se në luftën vdekatare sot dhe ai vet mund të prehej në varreza si shokët e tij të luftës, të ndjejë keqardhje për rininë e humbur të Lejla Malos, Urani Barit dhe Fato Berberit, të ndihet krenar për rënien heroike të Thoma Lulës, Qemal Kuçukut dhe Lefter Talos, të mallëngjehet prej emrave të Bido Sejkos, Qazim Palit dhe Adem Shemes në dyert e shkollave ku gëlojnë zërat e qindra fëmijëve; të çapitet për të shkuar tek lapidarët e shokëve të rënë, të shkojë në çdo Festë Kombëtare në varrezat e dëshmorëve për të venë një tufë me lule, pse jo të ndjej edhe pak zili pse ata kanë mbetur 20 vjeçarë, të rinj dhe të bukur në kujtesën e të gjithëve, ndërsa ai është plakur, fishkur e rrudhur. Të zgjedhë me kurajo intimitetin e jo izolimin, aktivitetin në vend të dëshpërimit; të ndijehet i tradhëtuar në ideale, kur sheh plantacionet e agrumeve të djegura, djersën e derdhur në aksionet e rinisë, ku i bukur ka mbetur vetëm emri, të tallet me delenxhinjtë e politikës, me zakonet e pakëndshme të së shkuarës apo me prurjet e mbrapshta që e sotmja i servir si shpirt të kohës: emigracionin, makutërinë, pornografinë apo shkrehjen morale, zvetnimin shpirtëror, që të kall plagë djegëse dhe sërish të gjejë kurajon të ndjehet gjallë, t’u buzëqeshë djelmoshave e pse jo dhe grave të bukura si për t’u thënë:-Ej, jam edhe unë, kam qenë dikur si ju, i ri dhe i bukur, mos shikoni rrudhat në faqe, por gugatjen e pëllumbave në shpirt! Mos u dëshpëroni se unë një ditë mund të vdes. Vdekje s’ka, ka vetëm transformim të qenies, shpirti im do të vazhdojë të jetë i lirë, asnjë burg-arkivol s’më mban dot brenda. Nuk më besoni mua?! Atëherë ktheni sytë nga vetja, a nuk do t’u pëlqente të ndodhte kështu?
• Kjo ese filloi si një parathënie e vëllimit të dytë poetik të Vasil Çikos, një libër modest për nga vlerat artistike, por me mjaft impresione jetësore, ndaj dhe ruan disa të dhëna nga poezia dhe Ci-Vi-a e tij, si për të na kujtuar se shkas për të zhbiruar në psikologjinë e njeriut mund të bëhet edhe një ngjarje e rastit, një libër çfarëdo apo një emër i zakonshëm.
• Por ka dhe një arsye të dytë pse kam marrë biografinë e tij jetësore dhe artistike si pike reference. Është vjershëtori që ka këngëzuar më shumë për të renët e të gjitha kohrave, veçanërisht ata të Luftë Antifashiste.

Sarandë, më 18 prill 2003