Gazeta Nacional Albania

Bardhyl Maliqi: ZËRI YT TULAT STUHINË… Poemë kushtuar aktorit Anastas Nika

Kushtuar aktorit Anastas Nika

Të jesh aktor si ti,
do të thotë të lindësh me një uragan emocionesh,
që nuk i mban dot të strukura në gji,
ato me furi shpërthejnë kur ti blasfemon,
shtillen nëpër ajër si re të ngarkuara me shi,
e ti godet me zërin tënd të lartë;
si Jupiteri me rrufe vesin e shkallmon,
pastaj kthjellohet zëri dhe si qielli hapet,
retë e vogla qetohen dhe fluturojnë si pulëbardha,
ngarendin dhe ulen në brigjet e Sarandës si mjegulla të kaltra,
ndërsa ti, me “Në mundsh”, me zërin e mençur të Kiplingut
na kumton urtësi.
Anastas, e di, që të jesh aktor do të thotë
të edukohesh me të bukurat ndjesi:
Me aromën e çyrekut të bukës së ngrohtë të porsaprerë,
nën hijen e manit atje në Sopik,
me erën e rigonit, kur ngjyen vezën e zierë,
me kundërmimin e lules së blirit në oborr,
me zërin e nënës që ajrin përkëdhel,
kur emrin tënd shqipton te pragu i portës:
Erdhe bir? Anastas, o i miri i shtëpisë,
mbete në skena, si mbret, si lolo,
kudo e kurdo si kumt i urtësisë.
Të flesh e të zgjohesh në skenë,
mbi libra, me shokët në kantjer,
në sallën e studimit, në barakat karakatina,
mbi dallgë, në një triremë.
Anastas, trurin tënd e popullojnë,
fjalë arti plot çudira,
stil, figura, aforizma,
plot ide, filozofira.
Pishtarndezësit nuk mungojnë
nga mësuesi Vasil Kromidha,
te i madhi Prokop Mima!
Tullë pas tulle është bërë
gjigand i Sopikut i tërë,
me një shqipe të kulluar,
vetullharqet kreshpëruar
syri shigjetë e praruar.
Godet vesin, padrejtësinë,
për ta bërë Shqipërinë
më të bukur, më të mirë;
se rrënjët na mbajnë fort,
nuk na derdhin nëpër botë,
vulëhumbur në Evropë,
për një tas mbushur me çorbë…
“Kafeneja e ideve” të motivon ty si aktor,
“Aleksandri i Madh” – çmim merite i përkorë,
ndërsa tej vrapon “Pegasi”,
të shpall yll të një klasi;
me ty luan Margarita
dhe Kubatis plot merita,
në Sarandë, në Salaminë
zëri yt tulat stuhinë…
Zëri yt vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
dhe tre idhuj bashkë më thonë:
Ali Asllanin dëgjon?
Dëgjon Konicën dhe Fan Nolin,
dëgjon Kuksin, Konispolin,
dëgjon Korçën trëndelinë,
a Vlorën, që shkund stuhinë:
“ edhe kujtoni tash e tutje
në të tilla dallavera
kukuvajka do ‘përtypë
zog e zoga si përhera;
por jo… grushti do të bjerë
përmbi krye të zuzarve
koha është e maskarenjve,
por ATDHEU I SHQIPTARËVE!”
Kryelartë si Kastrioti,
i hijshëm si Vrana Konti,
flokët e hapur nëpër erë,
fjalëëmbël si pranverë.
Si shqiponja syri i zi,
na magjeps, zëri i tij,
kur valëzon plot hijeshi
kur gjëmon nëpër stuhi.
Ajo mjekër e praruar,
që i shkon fjalës tënde,
se je burrë nga mosha e mendjes,
djalë i ri nga erë e ëndjes!