Gazeta Nacional Albania

Bashkim Kadiu, Gjermani : Bashkëpunimi im 32 vjeçar me gazetën “Rilindja Demokratike”

Megjithëse kanë kaluar tre dekada nga rrëzimi i regjimit totalitar dhe i lindjes së pluralizmit politik dhe medias së lirë, për mua si pjesëmarrës në ato ngjarje që u dhanë drejtim viteve që pasuan, kanë po ato emocione edhe tani pas 32 vjetësh.
Si një njeri i lirë, i pasionuar ndaj demokracisë dhe mendimit të lirë, u përfshiva në ato rredha të jashtëzakonshme prej fillimit në qytetin e Durrësit ku banoja, por edhe në Tiranë ku shkonim me tren për të marrë pjesë në mitingjet popullore në Qytetin Studenti. Aty kam takuar për herë të parë Azem Hajdarin, por edhe Sali Berishën dhe drejtues të tjerë të opozitës së sapolindur, me të cilët do të bëhesha miq për gjithnjë.
Në Durrës hyja në radhë për të marrë i pari gazetën Rilindja Demokratike e cila në pak orë shitej e tëra.Ishte e qartë, pas gati 50 vjetësh diktaturë ku e verteta mbytej, ku çdo lajm censurohej nga Partia Komuniste, tani kishte dalë një gazetë e cila merrte përsipër të thoshte të vertetën jo më sipas zyrës së censurës së Komitetit Qendror, por siç kishte ndodhur në jetën e shqiptarëve.
Unë kam patur privilegjin të kem bashkëpunuar me “Rilindjen demokratike”, qysh në numrat e saj të parë në vitin 1991. Pas lindjes së PD-së, njerëzit filluan të tregonin vuajtjet e tyre nën diktaturë, të vrarët, të zhdukurit dhe të burgosurit, vetëm për bindje politike, vetëm si kundërshtarë politik të regjimit.Unë disa nga këto ngjarje i mora dhe i bëra shkrime për të denoncuar diktaturën për krimet e rënda dhe siç thuhej atëherë për t’u nxjerrë frikën njerëzve nga regjimi që po jepte shpirt, por që vijojne të bënte presione ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Shkrimi që unë botova në RD e ruaj edhe sot. Artikulli mban titullin “Rënkimi i tokës” dhe bënte fjale per dy djem te pushkatuar pa gjygj në Kodra Vilë në Durres. Në vijim botova shkrimin “Toka e djegur”, e kështu vijova si korrespondent i rregullt i gazetës “RD” për Durrësin, prej vitit 1992 e në vazhdim si një gazetar i Rilindjes Demokratike.
Kam bashkëpunuar me kryeredaktorët Frrok, Cupi, Napoleon Roshi, Mitro Cela, Bashkim Trenova, Lorenc Ligori, Lazër Stani, Xhevat Mustafa, Astrit Patosi dhe Bledi Kasmi. Po kështu kam patur fatin të jem kolegë me gazetarët e shquar të “RD”-së si Mujë Buçpapaj, Edi Paloka, Filip Çakulli, Xhevat Mustafa, Zef Lleshi, Halil Rama etj, të cilët u bënë frymëzues për qindra gazetarë dhe publicist të rinj.
Të punosh kaq gjatë në një gazetë politike, ka shumë kënaqësi që nuk mund t’i marrësh aksund në jetë sepse ndjek direkt ngjarjet më të rëndësishme të jetës së vendit, por ka edhe shumë sfida dhe kërcënime të mëdha të cilat duhet t’i përballosh me dinjitet si gazetar por edhe si njeri.
Peridudhat më të vështira për gazetarëinë e djathtë kanë qënë vitet 1991-1992, por sidomos vitet 1997-1998, kur në pushtet u rikthyen me kryengritje ish-komunistët dhe bandat e komiteteve të jugut, që dogjën selitë e degëve të PD në gjithë zonën e jugut por dhe më gjërë.
Unë vetë jam kërcënuar me jetë në këtë periudhë për shkumë shkrime të guximshme, sido që tërësisht të verteta, por mbaj mend si ngjarje të rëndë sulmin me kallashnikov ndaj gazetarit të politikës në gazetën “RD” Mujë Buçpapaj, por edhe shumë kërcënime ndaj kolegëve të tjerë.
Muja mori disa plagë, por u mbijetoi plumbave të bandave komuniste të cilat ishin rikthyer në fuqi, duke shkruar edhe ma fuqishëm kundër krimeve komuniste dhe politikave të tyre antikombëtare, ashtu siç përballuan edhe kolegët tjerë të RD-së, sulmet fizike, gjygjet me gjoba të rënda por edhe kërcënimet.

Gjatë këtyre viteve kam botuar me qindra shkrime të rëndësishme, duke lëvruar të gjithë zhanret e gazetarisë duke filluar me opinionet, analizat, komentet, lajmet, reportazhet, portretet, fejtonet, intervistat, dossierët etj. Kjo punë e gjatë profesionale më ka dhënë kënaqësitë më të mëdha, emocionet më të papërseritshme dhe një jetë të lidhur me jetën e qytarëve të Durrësit dhe të Shqiëprisë.
Edhe pse sot jam 85 vjeçar vazhdoj të shkruaj për gazeten kombëtare “Nacional”, një gazetë që prodhohet në Tiranë dhe shpërndahet në letër edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Puna tek gazeta elitare “Nacional”, më ka lidhur me gazetarët shqiptarë nga i gjithë rajoni, por sidomos me lexuesit shqiptar në Ballkan dhe në Botë. Kjo më ka dhënë një motivim më të madh për të vijuar me shkrime të tjera, me analiza, komente intervista dhe lajme kulturore. Shpesh kur takohem me publicistën e njohur Dr. Mujë Buçpapaj, njëkohësisht botues dhe drejtues i gazetës Nacional prej 15 vjetësh prej kur kjo gazetë është çdo javë në treg, dhe e përditshme online (ëëë.gazeta-nacional.com), diskutojmë për rrugën e shtypit të lirë shqiptar, për vështirësitë e këtij shtypi, krizën që ka përfshirë shtypin e printuar dhe sidomos për krizën profesionale që e ka kapluar atë. Gjatë këtyre viteve të fundit kanë falimentuar gati dhjetë gazeta të përditshme, ndërsa gazetat tjera kanë ulur tirazhet, kanë reduktuar stafin dhe janë në prag të mbylljes.
Shumë gazeta janë khtyer në proqeveritare duke humbur rolin e një media publike që mbron interesin publik, duke u shndërruar në megafone të qeverisë.
Këtë regres të rëndë të mediave e kam përjetuar me shumë dhimbje.

32 vjetori i daljes së gazetës së parë opozitare “Rilindja demokratike”, pas rreth 50 vjetësh të diktaturës moniste dhe shtypjes së çdo mendimi kundër, ishte një ngjarje kuptimplotë për pluralizmin polilitik dhe lirinë e medias në veçanti.
Miliona shqiptarë e kanë pritur me padurim, të shikonin në faqet e kësaj gazete të lirë, ngjarje, ide, qendrime politike dhe filozofi që përfaqësonin shumicën e shqiptarëve dhe jo vetëm ato të kastës sunduese komuniste.Kjo gazetë prej gati shtatë vjetësh nuk del e printuar, por vetëm online, duke pasqyruar krizën financiare që po përjeton shtypi i djathtë, apo shtypi jo qeveritar në vend.
Në këtë përvjetor i uroj gazetës RD dhe gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë gazetë dhe shtypin e lirë në përgjithësi vit të mbare për ta dhe familjet e tyre!