SHËNIMI I
Do ta them emrin tënd me mijëra herë.
Do të fle me ty natë e ditë
Natë e ditë me ty.
Do të ndotem duke bërë dashuri me hijen tënde.
Do të të tregoj mllefin e zemrës sime.
Do të të shkel me këmbë i marrosur nga zemërimi.
Do t’i vras copëzat e tua.
Do të të vras një herë me Paco-n.
Do të të vras një herë tjetër me Rodolfo-n.
Me Haroldo-n do të ta vras edhe një copë.
Do të të vras me tim bir në dorë
Dhe me birin e tim biri.
Do të vij me Dianën dhe do të të vras.
Do të vij me Jote-n dhe do të të vras.
Unë do të të vras ty / disfatë.
Kurrë nuk do të më mungojë një fytyrë e dashur
Për të të vrarë edhe një herë tjetër.
E gjallë dhe vdekur / një fytyrë e dashur.
Derisa ti të vdesësh
E plagosur siç je / unë e di mirë.
Unë do të të vras, unë
Do të të vras.
SHËNIMI IV
A mplaket vallë frika nga pleqëria ?
A na bën të vdesim frika nga vdekja?
Çfarë bëj unë me mijëra unet
E bashkëluftëtarëve të mi të vdekur ?
A mos jam duke u vdekësuar?
A mos vallë i kam frikë të gjithë të dashurit?
A mos ndoshta ta kam frikën ty Paco
Me një fytyrë si një agim njerëzor?
Apo ndoshta unë i kam zili?
Apo ndoshta unë i kam zili?
Së bashku siç do të ishim atëherë
Pa ndier vuajtje për veten për të tjerët
Po përse të qaj vetëm përmes jush
Copëza të tjera të jetës sime?
A mos ndoshta se më në fund unë mund të qaj?
A mos ndoshta se më në fund unë mund të qaj?
SHËNIMI XII
Manuel Scorza-s
Ëndrrat e thyera nga realiteti
Bashkëluftëtarët e thyer nga realiteti
Ëndrrat e bashkëluftëtarëve të thyer
A janë vërtet të thyera / të humbura / asgjë
A mos kalben nën tokë? Shkëlqimi i tyre i thyer
A mos është shpërndarë nën tokë? Vallë
A do të bashkohen një ditë copëzat e thyera?
A do të vijë festa e copëzave që bashkohen sërish?
Dhe copëzat e bashkëluftëtarëve a do të ribashkohen njëherë?
A do të ecin nën tokë për t’u ribashkuar një ditë
siç thoshte Manueli? A do të ribashkohen një ditë?
Nga këto copëza të dashura përbëhet vetmia jonë konkrete
Ne kemi humbur butësinë e Paco-s / trishtimin e Haroldo-s/
mendjekthjelltësinë e Rodolfo-s / kurajën e kaq të tjerëve
Tashti ata janë copëza të shpërndara nën tokën e gjithë vendit
Gjethëza të rëna nga pasioni / nga shpresa / nga besimi
Copëza që qenë gëzim / luftë / mirëbesim
Tek ëndrrat / ëndrrat / ëndrrat / ëndrrat
Dhe copëzat e ëndrrës a do të ribashkohen njëherë?
A do të ribashkohen një ditë copat e vogla?
A na thonë t’i ngallmojmë në thurimën e ëndrës së gjithmbarshme ?
A na thonë të ëndërrojmë më mirë?
SHËNIM XIV
Julio Cortazar-it
A je gjallë? A ke vdekur? O biri im?
A rron a vdes përsëri? Një ditë tjetër
Siç vdiqerrojte ato vite
Në një kamp përqendrimi ? Çfarë bënë
Me ty / o biri im ngrohtësi e butë që nganjëherë
E lindje botën / baba i dhembshurisë sime / Biri im
Që nuk ka reshtur së rrojturi? Nuk ka reshtur së vdekuri?
Pyes a ka mbaruar së vdekuri ai që lindi vdiq
Në çdo çast / Fëmijë
Që shumë herët hyri te hija / zë
Që ata e gjymtuan / sy
Që panë / pinjoll i shkulur nga etja ime
Nga copëzat e tij / nga etja e tij / nga etjet
Që ishin strehë e zemrës së tij
Dhe po ashtu i bënin dritë
Tërë natën duke çokanisur në derën time
AKTE
Unë do ta djeg këtë trishtim në mbrëmje
Si një tog me kashtë për të llahtarisur shekujt
E ëmbël ishte
Dashuria e gjallë që bashkonte shpirtrat dhe tashti
Ajo kërkëllin nën diktaturën ushtarake ajo nuk do
Të jetë trishtim / të më ndjekë pas si një qen
Ajo udhëton plot vuajtje
Dhimbja e shputave të këmbëve nuk e lë të flejë
Kur i heq zvarrë këmbët e mia / ato thërrasin
si kraharorë të plagosur
Gjinjtë e Claudia-s përkëdhelnin si shekuj
Tashti ata po kalben si shekuj
Si trishtime të shkelura
Claudia ti qëndroje si një zog i vogël
Ti hapje sytë dhe fillonte bukuria e ditës
E ëmbël siç ishe ti zije të luftoje
Me plumbat e tu prej përjetësie
TË ZGJOHESH
Carmelo-s
Këto poema që i shkrova dje
Vërtiten nëpër dhomë/ ato nuk shkëlqejnë
Siç shkëlqenin natën
Tek qëndronin para teje lakuriq, si jermime të ardhshme
Më kot kanë ecur ato nuk do të mbërrijnë në vendin tënd
Vendi yt është kjo dhomë e mbushur plot me vendin tënd
Një hartë e vendit tënd është ngjitur në mur
Tungjatjeta të thotë ajo çdo ditë / i vjetër
Është guri ku e ulur pret shpresa / të trishta
Poemat e mia të djeshme / ti vështron hartën
Që është fillikate dhe e rreh oqeani / ndërsa
Poema e manjolies ka gjethe që thahen
Poema e trumcakut nuk fluturon më
Yjet kanë ikur nga poema e qiellit
Poema e dashurisë ka të ftohtë
Dhe
Ti do të dridhesh në dhomën e mbushur me mbrëmje
Dhe më vonë ajo do të mbushet me natë
Dhe ti do të kthehesh si një zog i vogël
Me fluturimin e tij nën sqetull
SHAMI
“Lamtumirëlamtumirë” thoshte ai dhe e tundte zemrën si një shami
“Lamtumirëlamtumirë” thoshte ai
Në mirësinë e orëve të mbrëmjes që shkëputeshin si gjethe
Pothuaj po aq ngadalë sa gjethet e një peme në trotuarin përballë
Tek ai mbërrinin dëshira / mynxyra / zëra
Që koha i kishte ndryshuar sepse ka edhe diej e hëna
Në një zë / dhe një zë mund të bjerë si nata
Të shtrihet të vdesë duke u dridhur nga yjet të agojë
Plot diell dhe fëmijët e trotuarit përballë
Kishin një mbrëmje në zë
Mbrëmjen kur ai i thoshte „lamtumirëlamtumirë“ gjithkujt
Trenave që mbërrinin dhe trenave që niseshin
Lamtumirë zemrës që fluturon dhe fluturimit të zemrës
Lamtumirë pemës së mbrëmjes
Kohës gjetherënë
Lamtumirë fëmijës që kaloi.
BATICA
Në ijën time të majtë këtë mëngjes gjeta një kërmill
Të lënë nga një grua me batica që shkojnë e vijnë
Sipas ligjeve që askush nuk i zbulon
Këto batica do ta kishin marrosur Einstein-in
Galileu do t’i kishte thirrur hënës
Çfarë mendon ti? Ai i thërriste/ ti mendon
Se unë mund ta kuptoj universin pa kuptuar baticat e kësaj gruaje ?
Ato nuk kanë të bëjnë fare me diellin fizik / ai murmuriste / ai përsiaste
Ato ecin këmbëzbathur përmes dhimbjeve / djersëve / brengave
pa e humbur ngrohtësinë e tyre ëmbëlsinë e tyre
Ato u ngjajnë kafshëve të lumenjve dhe të pyjeve kur poeti Martinez Rivas
Hap gojën dhe prej saj nxjerr një diell
Dhe pas diellit Nikaraguan
E kam parë jugun sesi i ngjante asaj gruaje
Kur ajo tërhiqej mbi rërë vezullonin fosforeshente vetëdije shumë të përvujta
Ato zinin të tirrnin / të mbrunin / ato bënin zjarre të vogla që strehonin atdheun
Ato shpërndanin lajme për dashurinë e tyre
Kohë që do të vish / ti do të jesh e drejtë / pas dhjetë milionë dhimbjesh
Në të vërtetë unë flas për baticat e kësaj gruaje
Në njërën prej tyre ajo mbërriti me një fustan me emra shkëlqimtarë
Ajo kishte qepur emrat e bashkëluftëtarëve në fustanin e saj
me pëlhura të vogla shpirti
Dhe shkonte e vinte / e përsosur nga dhembshuria
Është e drejtë që populli ynë të jetë kështu
Që ai të ketë një sy për të zgjatur dorën
Një sy tjetër që lundron në syrin e botës
Dhe që ai të lindë / që ai të lindë / që gjithmonë ai të lindë
Sepse të vdesësh është e lehtë, të lindësh jo
Fëmijët dridhen nga kozmosi
Duke klithur kundër vdekjes
Siç klith unë vetë kundër hënës thoshte luani i galileut në turrën e druve
Ti je e ftohtë / i klithte ai hënës
Një baticë gruaje e mori me vete
Dhe ai kishte një zemër që qëndronte në këmbë.
DORA
Mos e vër dorën në ujë
Sepse ajo do të bëhet peshk dhe do të ikë
Mos vër ujë në dorën tënde
Sepse oqeani do të vijë
Dhe pastaj do të vijë bregdeti
Lëre dorën tënde ashtu
Në ajrin e saj
Te vetja
Pa fillim
As fund