Gazeta Nacional Albania

BEDRI MYFTARI – JETOI PËR NJË ËNDËRR, IKU PA TË* – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Jetoi për një ëndërr dhe u largua nga jeta pa e parë të realizohej! Kjo është fjalia e parë që të vjen në mendje kur merr vesh lajmin e hidhur për mikun dhe kolegun çam, shkrimtarin Bedri Myftari. Edhe ky një largim tjetër i pangushëllueshëm!
Me Bedri Myftarin jemi njohur diku në verën e vitit 1973. Nga ndërmarrja në Tiranë, ku ishte punëtor, dërgohej me shërbim për një periudhë të shkurtër në kantjerin e hidrocentralit të Fierzës dhe përfitonte nga kjo për t’u njohur me kolegët tropojanë të penës. Ashtu si të gjitha njohjet e kësaj natyre, unë e kam të gjallë këto 40 vjet edhe njohjen me Bedriun, një nga premtimet më të mëdha të letërsisë shqipe të kohës, një nga ndërprerjet më të dhimbshme e më të dëmshme që i janë bërë kësaj letërsie. I kam të gjalla mbresat nga shtrëgimi i duarve me duart e tij të ashpra, plot kallo.
Dashamirësia dhe çiltërsia ndaj kolegëve, lirizmi dhe tejpashmëria e krijimtarisë së Bedri Myftarit në prozë e poezi mbeten të pandryshuara asnjëherë pavarësisht burgut politik, përndjekjes politike, ndalimit të botimit për rreth njëzet vjet. Në këto vite të ndalimit të komunikimit me lexuesin, goditje edhe më e rëndë për një krijues se edhe vetë burgu politik dhe përndjekja prej regjimit dhe kalecëve e spiunëve të tij, Bedri Myftari mbeti, pra, njeriu i njëjtë dhe shkrimtari i njëjtë. Dhe mbeti një nga ata krijues të paktë të kohës së diktaturës, ndoshta edhe të kohëve të diktaturave, prej të cilëve miqtë dhe kolegët nuk patën asnjë të keqe, ndanë me të vetëm gëzimin krijues dhe dashamirësinë e tij të pashoqe krijuese. (Sepse rrallëkush nga krijuesit mund të gëzohej aq çiltërsisht për sukseset e kolegëve sa gëzohej Bedri Myftari!). Të mos harrojmë kurrë – diktaturat janë kohët kur me lehtësinë më të madhe në botë mund të bësh keq, pavarësisht se kush je ti në jetë.
Talenti i ndaluar i Bedri Myftarit në diktaturë ishte letërsia. Ëndrra e ndaluar e Bedri Myftarit në diktaturë ishte Çamëria. Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe hapjen e Shqipërisë ndaj botës, tek Bedri Myftari shpërthyen fuqishëm, kush më shumë se tjetra, të dyja, letërsia dhe Çamëria. Ishte pikërisht kjo kohë kur Bedriu vinte tek unë në gazetën “Drita” jo vetëm me krjimet e tij dhe me shqetësimet e tij për vendlindjen, por edhe rikthente mikun dhe kolegun e tij çam Namik Mane dhe, nëpërmjet tij, ringjallte tek shqiptarët Bilal Xhaferrin, kur ne botonim poezitë e martirit çam nga fletoret e varrosura rreth një çerek shekulli më parë.
Fati do e sillte që me Bedri Myftarin të punonim së bashku në gazetën “Kosova”, ku unë do të isha kryeredaktori i parë, pra themeluesi i gazetës. Bedriu do t’i kushtohej tërësisht temës çame. Por do të kishte edhe një rubrikë të rregullt grotesku për jetën e Bllokut. Gazeta do të thyente një varg tabush. Dhe Bedriut nuk i luante qerpiku i syrit ndaj reagimeve, sidomos në qarqet tradicionale letrare. Sado një periudhë e shkurtër kjo në gazetën “Kosova” do të shërbente shumë për të forcuar njohjen dhe miqësinë tonë. Më vonë Bedriu do të punonte në shtypin e Partisë Demokratike, me shtypin çam, me shtypin e emigracionit, do të provonte edhe jetën në mërgim, do të merrej me mbarëvajtjen e jetës familjare, me plot e plot sfida të panumërta të jetës. Por kryefjalë e kryefjalëve të jetës së tij dhe të krjimtarisë së tij do të mbetej Çamëria.
Një episod i vogël sa dhe domethënës për këtë: Viti 1992. Në Tiranë vinte kryeministri grek Konstandin Micotaqis. Do të takohej me homologun Aleksandër Meksi. Do të ishte hera e parë pas më së gjysmë shekulli që hapej zyrtarisht çështja çame. Pas takimit mes kryeministrave, do të mbahej konferenca e tyre e shtypit në Pallatin e Kongreseve. Punonjësit e protokollit shtetëror kishin bërë çmos për të shmangur ardhjen e Bedri Myftarit, i cili, në çdo konferencë shtypi me zyrtarë të lartë perëndimorë, bënte pyetje rreth çështjes çame. Bedriu, absolutisht pa rënë në sy, kishte arritur të depërtonte dhe vetëm kur, për befasinë më të madhe, u ngrit dhe kërkoi mikrofonin për të drejtuar pyetjet e tij për Çamërinë.
Të thuash se Bedri Myftari është çam, është shkrimtar çam, gazetar çam, intelektual çam është gjëja më e pakët, gjëja më e vogël, konstatimi më i thjeshtëzuar në botë. Ndoshta më tepër se shumëkush prej çamëve, në histori dhe në bashkëkohësi Bedri Myftari është një vizion i Çamërisë së tij, Bedri Myftari është Çamëria vetë. Prandaj është e rëndë, tejet e rëndë të mendosh se Bedri Myftari është ndarë nga jeta. Është tejet e pamundur të mendosh se një jetë e jetuar për një ëndërr, për Çamërinë e tij, të mbyllet pa e parë të realizohet kjo ëndërr e tij.
Miku dhe kolegu Lazër Stani, duke dhënë në facebook lajmin për ndarjen e Bedri Myftarit nga jeta, postonte edhe poezinë e tij “Sonte”, të shkruar plot 50 vjet më parë, ku veten Bedriu e identifikon me një lot malli çam, që pas shumë metamorfozave, secila më lirike dhe tragjike se tjetra, ai shpreh dëshirën e tij të jetës, tashmë të pasjetës: “Të qëndroja mbi qiellin e Çamërisë,/ Yll shprese…” Le të jetë për njerëzit e tij, për ne miqtë dhe kolegët e tij, për bashkëndrrimtarët e tij, për bashidealistët e tij, sadopak ngushëlluese kjo dëshirë e përtërirë e Bedri Myftarit, që ai të shndërrohet në një Yll shprese për Çamërinë e tij, për Çamërinë tonë.
Një nga tregimet e Bedriut mban titullin “Vjeshtat qajnë”. Dhe mbyllet me fjalinë: “Ja pse vjeshtat qajnë”. Ja pse qan, pra, kjo vjeshtë e fundit e mikut tonë dhe kolegut tonë Bedri Myftari. Ja pse qajnë vjeshtat për ata që ikin pa i realizuar ëndrrat e tyre, aq më tepër pa realizuar ëndrrën e tyre të ëndrrave, si për këtë ikje të Bedri Myftarit, duke lënë prapa pikërisht ëndrrën e tij të jetës: Çamërinë e çamëve të saj!
Realizimi sa më i shpejtë i kësaj ëndrre do të ishte pikërisht sot i vetmi ngushëllim për mikun tonë, kolegun tonë Bedri Myftari, në ditën e parë të pasjetës së tij.

SONTE

Poezi nga BEDRI MYFTARI

Sonte doja të isha lot malli
Në sytë e çamëve,
Të rridhja
Në mjekrrat e ashpra të burrave,
Në faqet e kuqe të nuseve,
Në gushat e bardha të vajzave,
Dhe pastaj të avulloja,
Të ngrihesha si re hapsirave,
Erërat e veriut të më shtynin drejt jugut,
Të ndalesha mbi Çamëri,
Toka dhe qielli të elektrizoheshin nga malli.
Të kulloja nga lart si shi,
Lotët e nënave,
Lotët e motrave,
Lotët e nuseve.
Të shuaja mallin e zhuritur,
Të trojeve tona të lashta.
Të laja eshtrat e të rënëve,
Që i shkel këmba e zervistave,
Të qëndroja mbi qiellin e Çamërisë,
Yll shprese…
1963

*9 nëntor 2013