Dokumente të deklasifikuara nga arkivat amerikane mbi Mbretin Zog dhe diplomacinë shqiptare të viteve ’30
KUR OBORRI MBRETËROR SHQIPTAR KËRKONTE NJË NUSE AMERIKANE PËR MBRETIN ZOG
“Një raport sekret i diplomatit amerikan Herman Bernstein zbulon përpjekjet e njerëzve më të afërt të Mbretit Zog , si Abduraman Krosit, për ta lidhur fatin e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara përmes një martese mbretërore me një grua amerikane.”
Përgatiti per botim Bejtullah Destani
Nga anglishtja Enik Pogaçe
DEKLASIFIKUAR: E.O. 12065, Sek. 3-402; udhëzimet e Departamentit të Shtetit, 2/6/79
Nga [nënshkrimi], NARS, Data 28-1-80
LEGATA E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Nr. 130.
Tiranë, Shqipëri, Nëntor [data], 1930.
Rreptësisht Konfidenciale.
Vulat: DIVIZIONI I KONFERENCAVE DHE PROTOKOLLIT NDËRKOMBËTAR — 19 DHJ. 1930 — DEPARTAMENTI I SHTETIT
19 DHJ. 1930 — Z. CASTLE
I Nderuari
Sekretari i Shtetit,
Uashington.
Trupi i shkresës
Zotëri:
Kam nderin t’ju raportoj një bisedë të pazakontë me Abduraman Krosin, atin birësues të Mbretit Zog, i cili erdhi në Legatë me takim të caktuar, i shoqëruar nga Faslli Frashëri, ish-deputet parlamentar, i cili shërbeu si përkthyesi i tij. Krosi e nisi bisedën me sigurime se Legata Amerikane ishte e vetmja vend ku ai vinte gjithmonë për këshilla dhe ndihmë, se Amerika ishte i vetmi vend ku Shqipëria kishte besim, se vetëm Amerika mund ta ndihmonte Shqipërinë, se Amerika tashmë e kishte ndihmuar Shqipërinë, dhe se Amerika tani duhej ta ndihmonte sërish Shqipërinë. Ai shtoi se kishte vizituar z. Hart kur ky ishte Ministër, dhe tani vinte të më takonte për një çështje me rëndësi.
Më pas ai tha se Shqipëria ishte e rrethuar nga armiq, se Jugosllavia, Greqia dhe madje edhe aleati i Shqipërisë, Italia, ishin fshehurazi armiq të Shqipërisë. Ai tha se Shqipëria ishte shumë e varfër dhe e vogël dhe nuk mund ta ndihmonte vetveten. Ai donte të dinte nëse kapitalistët amerikanë mund të ishin të interesuar t’i jepnin një hua Shqipërisë.
Ai foli pa ndërprerje, përmes përkthyesit të tij, dhe vura re se gjithë kjo ishte vetëm një hyrje për atë që ai vërtet dëshironte të më thoshte.
Abduraman Krosi është një burrë i gjatë, me supe të gjera, për të cilin thuhet se është jashtëzakonisht i pandershëm dhe i pamëshirshëm, i korruptuar dhe analfabet, megjithatë zotëri i Parlamentit, i frikësuar nga fshatarët e varfër ashtu edhe nga anëtarët e Kabinetit, një lloj Rasputini shqiptar, i përkushtuar me intensitet ndaj Mbretit, të cilin e kishte rritur e mbrojtur dhe të cilin duket se e do si djalin e tij.
Krosi më në fund pa doreza:
“Unë jam fshatar, jo diplomat. Nuk kuptoj asgjë nga politika apo diplomacia. Prandaj do t’ju flas hapur. Kam kohë që shqetësohem për Mbretin. Ka ardhur koha që ai të martohet. Disa princesha janë marrë në konsideratë. Mes tyre princesha italiane Giovanna, e cila tani është martuar me Mbretin Boris. Por unë mendoj se do të ishte e rrezikshme që Mbreti Zog të martohej me një princeshë evropiane. Një princeshë italiane do të ishte më e rrezikshmja nga të gjitha. Çdo princeshë e huaj do të sillte me vete intriga të reja dhe rreziqe të reja për Shqipërinë. Prandaj kemi arritur në përfundimin se gjëja më e mirë për Shqipërinë do të ishte sikur Mbreti Zog të merrte një grua amerikane. Një grua amerikane e hijshme dhe energjike do të ishte një shembull i shkëlqyer për popullin tonë. Populli shqiptar do ta urrente martesën e Mbretit me një princeshë të huaj, por do të gëzohej nëse ai do të martohej me një grua amerikane. Vendi do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga një martesë e tillë, sepse ne e dimë se një grua amerikane si Mbretëreshë e Shqipërisë do t’i sillte vendit tonë jo vetëm kapital amerikan, por edhe siguri se pavarësia jonë do të ruhej.”
Kur më pyeti nëse mund ta ndihmoja në këtë çështje, i thashë se ishte një pyetje aq delikate sa nuk shihja në çfarë mënyre mund të jepja ndonjë ndihmesë. Atëherë ai tha se ish-Ministri Amerikan, z. Hart, ishte shumë i interesuar për këtë çështje dhe kishte premtuar të ndihmonte.
I pyetur nëse Mbreti ishte në dijeni të planit, Krosi u përgjigj se kishte folur shpesh me Mbretin për të, se ky dukej shumë i interesuar, se e kuptonte rrezikun e martesës me një princeshë evropiane, se nuk kishte aspak nevojë për familjet e degjeneruara mbretërore të Evropës, se do të preferonte një grua amerikane demokratike si mbretëreshë të Shqipërisë, dhe tha se nëse një lidhje e tillë nuk mund të rregullohej, Zogu do të preferonte të mbetej beqar.
Duke iu referuar tipit të gruas amerikane me të cilën Mbreti do të dëshironte të martohej, Krosi tha se një grua e pasur që do të ishte e shëmtuar nuk do ta tërhiqte; as nuk do të martohej me një grua të bukur por të varfër. Më pas tha se çështja e fesë nuk do të ishte aspak pengesë, se në fakt martesa e Mbretit me një grua të krishterë do të ishte një shembull i shkëlqyer i lirisë fetare në Shqipëri, dhe se populli shqiptar do të gëzohej nga një martesë e tillë.
Krosi më pyeti përsëri se çfarë mund të bëja për ta ndihmuar në këtë çështje. I shpjegova sa më delikatisht që munda se nuk mund të merrja pjesë në këtë çështje shkuesie.
Disa ditë para vizitës së Abduraman Krosit, Dr. Terec Toçi, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Zogut, tashmë një avokat i shquar në Tiranë, erdhi të më takonte dhe gjatë bisedës sonë më tregoi për një vizitë të kohëve të fundit te Mbreti Zog, me të cilin kishte diskutuar çështjen e gjetjes së një gruaje amerikane për Mbretin. Toçi tha:
“I fola Mbretit shumë hapur. I thashë: ‘Ahmet Bej, çfarë po bën për gruan? Duhet të martohesh. Dinastia e kërkon këtë. Duhet të kesh një trashëgimtar. Kjo është e vetmja mënyrë për të përjetësuar dinastinë tënde. Kjo situatë për trashëgimtarin duhet zgjidhur, sepse qetësia e vendit varet prej saj. Po të vdesësh, çfarë do t’i ndodhë vendit? Unë do të isha i pari që nuk do të pranoja asnjë burrë tjetër në fronin e Shqipërisë. Të pranoj ty sepse je i denjë për të. Ke luftuar për këtë vend, ke siguruar pavarësinë e tij dhe kështu e ke fituar të drejtën të jesh Mbreti i tij. Por po të vdesësh dhe ta lësh fronin pa një trashëgimtar të gjakut tënd, nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë.’
“Mbreti m’u përgjigj: ‘Toçi, të kuptoj, por nuk dua të martohem me një vajzë myslimane. Dua të martohem me një të krishterë. Por cili nga kombet evropiane do të më lejojë të martohem me një të krishterë? Jam shumë i penguar.’
“‘Nuk duhet të martohesh me një të krishterë evropiane,’ tha Toçi se e këshilloi Mbretin. ‘Mendimi im është se duhet të martohesh me një vajzë amerikane. Kjo do të ishte një gjë e shkëlqyer që do të të bënte popullor në mbarë botën. Do të ndihmonte edhe vendin. Veç mendojeni! Një mbretëreshë amerikane për Mbretin e Shqiptarëve! I thashë se disa vajza amerikane janë martuar me sundimtarë lindorë, por kjo do të ishte një mbretëreshë e vërtetë. Ato që ishin martuar me mbretër lindorë u konvertuan në fenë e burrave të tyre, ndërsa këtu Mbreti shqiptar do të përqafonte fenë e mbretëreshës së tij.’ Mbreti iu përgjigj: ‘Është një çështje shumë e vështirë, dhe kam frikë gati e pamundur, sepse ka pasur kaq shumë propagandë të pakëndshme dhe çorientuese në Evropë dhe në Amerikë për këtë vend dhe për veten time. Kam frikë se do të duhej një shekull për të hedhur poshtë të gjitha gjërat e rreme që janë shkruar për ne.'”
Skema për të gjetur një grua amerikane për Mbretin Zog me sa duket nuk është e re, por më është sjellë në vëmendje vetëm tani. Rëndësia e bisedave pikante të cituara në këtë shkresë qëndron në faktin se Mbreti Zog dhe miqtë e tij po kapen pas çdo kashte për të shpëtuar Shqipërinë nga rënia plotësisht nën ndikimin politik të cilitdo nga fqinjët e saj.
Me respekt,
[nënshkrimi]
Herman Bernstein.
Nga anglishtja Enik Pogaçe

