Fitnete Rexha : “Mbretëresha e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme”
Një rikujtim në 22 vjetorin e ndarjes nga jeta të Fitnete Rexhës
Intervista e Fitnete Rexhës , e realizuar përpara vdekjes së saj më 14 gusht 2003, fokusohet në karrierën dhe jetën e artistes së madhe të këngës popullore shqiptare.
Fitnete Rexha, e lindur në Tiranë më 3 prill 1933, njihet si “Mbretëresha e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme”.
Në intervistën e vetme nga SHBA, ku ajo ishte pranë djalit të saj, Arbenit, nuses së tij dhe dy mbesave ajo rrëfeu për lidhjen e saj me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase, e cila u kultivua në familjen Rexha, veçanërisht përmes babait të saj, Bab Rexh Delisë i shpallur, “Hero i Popullit” në atë kohë.
Fitnetja Rexha filloi të këndojë qysh në moshën 15-vjeçare, duke regjistruar këngët e para në Radio-Tirana me grupin orkestral të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka. Ajo punoi si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore deri në pensionimin e saj në 1981.
Gjatë karrierës, ajo regjistroi rreth 200 këngë, përfshirë perla si “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat” dhe “Dy të bukurat në nji derë”. Këngët e saj, të ruajtura kryesisht në arkivat e Radio-Tiranës, janë vlerësuar për pastërtinë dhe origjinalitetin e tyre.
Në intervistë, Rexha shprehu lidhjen e saj të veçantë me Kosovën, duke thënë: “Kur shkoj në Kosovë, marr forcë të re”.
Ajo u vlerësua nga kolegë si Xhevdet Hafizi, i cili e quajti “Artiste e Popullit” për ndikimin e saj, dhe Naile Hoxha, e cila theksoi aftësinë e Rexhës për të ngritur zemrat e publikut.
Duke e rikujtuar në këtë 22 vjetor të ndarjes nga ne intervista me Fitnete Rexhën në Brooklyn NY nxjerr në pah jo vetëm talentin e saj, por edhe modestinë dhe dashurinë për kulturën shqiptare, duke e bërë atë një simbol të trashëgimisë muzikore shqiptare.
Intervista e plot dhe origjinale e publikuara në “Bota Sot” Qershor 2000, Bruklin – Nju Jork.
Intervistë me Fitnete Rexhën nga Beqir Sina: 15-vjetori i një bisede të paharrueshme
Me rastin e 15-vjetorit të kësaj interviste, realizuar në Nju Jork gjatë vizitës së saj të fundit private për të takuar djalin e saj, Fitnete Rexha, “Mbretëresha e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme”, ndau me ne mendime rreth karrierës dhe dashurisë së saj për muzikën popullore shqiptare.
Asgjë nuk është e papritur.
Zonja Fitnete Rexha shprehu një kënaqësi të veçantë për intervistën me gazetën tonë, “Bota Sot”, për të cilën ajo kishte një respekt të madh.
Ajo tha se: “Pas shumë intervistave dhe kontakteve me median, më në fund më erdhi rasti të ishte pjesë e faqeve të gazetës kombëtare ‘Bota Sot’, e cila është më e madhja dhe më prestigjiozja nga Kosova.”
Fitnetja gjatë bisedës vlerësoi gazetën si një ndër më të lexuarat në hapësirën shqiptare, një fakt që ajo e kishte vënë re gjatë vizitave të saj në Kosovë, Zvicër, Gjermani dhe më gjerë.
“Shumë lexues mbanin në duar një kopje të kësaj gazete,” tha ajo. “Për një këngëtare, të flasësh për ‘Bota Sot’ është si të japësh një koncert para 100 mijë spektatorëve. Është e njëjta emocion dhe privilegj i madh.”
Bota Sot: Zonja Fitnete, meqë përmendët Kosovën, të cilën e keni vizituar disa herë dhe gazetari Kojufca ju ka cilësuar si “kosovare”, çfarë mendimi keni për Kosovën?
Fitnete Rexha: Kur shkoj në Kosovë, ndiej një forcë të re. Sa herë shkel atë tokë, kujtoj koncertet e para të vitit 1971, emocionet dhe dashurinë e madhe të publikut për Shqipërinë. Të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, brohorisnin me aq mall dhe dashuri. Edhe sot, kur planifikoj të vizitoj Prishtinën apo Gjakovën, e di që duhet të shkoj më herët se sa e kam planifikuar, sepse adhuruesit, miqtë dhe dashamirësit më presin kudo. Kosova për mua është një mrekulli e veçantë shqiptare.
Bota Sot: Po për këngët tuaja, çfarë mund të na thoni?
Fitnete Rexha: Oh, kjo pyetje më sjell një ndjenjë që s’mund ta shpjegoj. Këngët më shoqërojnë kudo që shkoj dhe më kthejnë gjithmonë aty ku fillova. Gjithçka nisi në vitin 1951, kur dhashë koncertin tim të parë. Isha vetëm 15 vjeçe kur mora pjesë në një festival në Tiranë me këngë të Shqipërisë së Mesme dhe u nderova me çmimin e parë. Ky çmim më bëri të dashurohem marrëzisht me këngën popullore, një pasion që e ruaj të freskët edhe sot. Atëherë krijova repertorin tim me këngë si “Po knon gjeli pika-pika”, “Kënga e Unazës”, “Po shkon goca me korr në arë” dhe “Qënke veshur me të bardha”.
Bota Sot: Mund të na thoni përafërsisht sa këngë keni regjistruar dhe sa koncerte keni dhënë gjatë karrierës suaj?
Fitnete Rexha: Natyrisht! Gjatë karrierës sime kam regjistruar mbi 200 këngë të miat, pa përfshirë ato nga repertori i të tjerëve. Sa për koncerte, kam dhënë rreth 10,800 paraqitje zyrtare, pa llogaritur ato ku kam qenë mysafire apo në ahengje. Për më shumë se 45 vjet, i kam qëndruar besnike këngës shqiptare, pa e ndalur asnjë çast dhe pa e kompromentuar atë.
Bota Sot: Në sa shtete të botës keni kënduar?
Fitnete Rexha: Kam dhënë koncerte të shumta në kuadër të ansambleve kombëtare dhe grupeve të ndryshme, në 44 shtete. Koncertin e parë jashtë vendit e dhashë në Moskë, në vitin 1957. Kam marrë pjesë në festivale të rëndësishme në Vjenë, Helsinki, Greqi, Turqi, Rusi dhe në festivalin “Dijon” në Francë, ku këndova “Ç’u dëshrum me të pa”, një këngë shumë e dashur edhe në Kosovë.
Bota Sot: Çfarë mund të na thoni për këngën popullore shqiptare sot dhe çfarë porosie keni për të?
Fitnete Rexha: E dua shumë këngën popullore shqiptare të të gjitha trevave dhe të gjithë këngëtarët, veçanërisht të rinjtë, më dhimbsen. Më vjen keq kur shoh që askush nuk i udhëzon siç na udhëzuan ne, brezin e parë të kësaj muzike. Ka pak tendenca për “huazime” në veshje dhe stilizimin e këngëve, por këto janë të vogla dhe nuk duhen të ekzistojnë fare. Ne, artistët e njohur, ruajtëm traditën e pastër të këngës popullore shqiptare me ndihmën e të tjerëve dhe me pasionin që na karakterizoi. I këshilloj të rinjtë të nisen nga talenti dhe të interpretojnë në skena, ku publiku ynë muzikëdashës dhe i respektuar është vlerësuesi më i madh. Është ai që të mëson si të këndosh dhe si të kesh sukses.
Bota Sot: Si e kaloni ditën në Tiranë? Përveç muzikës dhe artit, a ju pëlqen politika, siç ndodh me shumë shqiptarë?
Fitnete Rexha: Kohët e fundit ndiej shumë kënaqësi, por edhe një lloj lodhjeje. Njerëzit më takojnë vazhdimisht, më pyesin dhe kërkojnë të takohemi. Janë kaq shumë gjëra që nuk mund t’i bëj të gjitha. Në radhë të parë, jam e përkushtuar ndaj familjes sime, dy djemve të mi, Arbenit, që jeton këtu në Amerikë, dhe Shpëtimit në Tiranë. Këngën popullore e kam të lidhur ngushtë me ta; ajo më freskon dhe më bën të ndihem çdo ditë më e re. Mundohem të plotësoj ftesat nga dashamirës, miq dhe kolegë anembanë Shqipërisë, Kosovës, Kosovës Lindore, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kam qenë dy herë në Prishtinë dhe Gjakovë, ku ruaj mbresa të jashtëzakonshme, veçanërisht nga Radio Gjakova. Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë atje, më befasoi kur dëgjova se edhe të burgosur shqiptarë nga burgu i Nishit kërkonin të dëgjonin këngët e mia. Më vonë, u dërgova disa këngë si dhuratë, pasi arkiva e radios nuk i kishte.
Sa për politikën, di shumë, por preferoj të them se jam këngëtare dhe një shqiptare që e dua vendin tim të lirë, demokratik dhe të begatë.

