Gazeta Nacional Albania

Beqir SINA – New York: “Prek rrushin, shijo verën” Hardh Fest 2023 Rahovec, Kosovë

Smajli Latifi kryetari i Komunës Rahovec, mikëpritës I Hardhfest “Ky ishte edhe një edicion i suksesshëm i Festës së Vjeljes së Rrushit, festivalit “Hardh Fest”, I cili u përmbyll me sukses”

RAHOVEC : Festa e vjeljes së rrushit, në Kosovë edhe këtë vitë ka nisur javën e parë të shtatorit, me festivalin kombëtar HardhFest, i cili është një festival që mbahet në Rahovec, Kosovë. I njohur si festivali i verës dhe rrushit, ky festival pret me më shumë se 50.000 frekuentues, Ky është edicion ka pasur disa nga interpretuesit më të njohur të muzikës si: Joe Lynn Turner Deep Purble dhe Rainbow.

Simbas rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të HardhFest, dhe asaj të komunës Rahovec, thuhet se “fjalë për fjalë” e thënë pak më shqip, ky është Festivali i të korrave – vjelurave, i cili organizohet çdo vit në vjeshtë në Rahovec afër Shtëpisë së Verës. Hapja e festivalit, nisi rreth mesditës, në praninë e personaliteve më të larta të Kosovës, përfshirë presidenten, Osmani, ish- kryeministrin Haradinaj, ministren Hajdari, Kryetarin Latifi, të cilët me gërshër bën edhe prerjen “kalaveshit” të parë të rrushit, e cila simbolikisht shënon duke e zyrtarizuar hapjen e vjeljes së rrushit.

HardhFest 2023, gjatë gjithë fundjavës është plot me aktivitete festime, shfaqje dhe ekspozita të artistëve vendas.

Festivali HardhFest, përkrahet nga: Komuna e Rahovecit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,me Partner vreshtarinë e verërave” Stone Castle- Vineyards and Winery”, me pronar Rrustem Gecaj, I cili njëhereshit është dhe një nga Sponsoret Gjeneral së bashku me “BPB”.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se këtë vit komuna e ka përkrahur më shumë “Hard Fest”. Ai tha se ky festival ka vizitorë nga e gjithë bota. Qyteti i Rahovecit bashkon shumë vlera dhe ato vlera na bëjnë krenarë si shqiptarë, citohet të ketë thënë kryetar I Komunës së Rahovecit, mikëpritësit të Festivali “HardhFest”.

“Në kohën e përpjekjeve për liri, Rahoveci, ka kryer provimin më të vështirë të asaj kohe, angazhimin, sakrificën e luftën për liri. Ky qytet atdhehtar i dha shumë dëshmorë e martirë. Po ashtu, në periudhën e shtetndërtimit, me kontributin në zhvillim ekonomik ka dhënë mjaft dëshmi se sa i rëndësishëm është ky qytet dhe njerëzit e tij për Kosovën.”

Me këtë rast, simbas njoftimeve në rrjetet sociale u organizua edhe aktiviteti “Hardh Ora Poetike Xhevdet Bajraj” në bashkëpunim me Klubin Letrar Xhevdet Bajraj

Ky aktivitet u organizua në oborrin e shtëpisë së poetit ku ka jetuar, ku edhe u bë promovimi i librit ‘Eja në ëndërr’ i poetes Drita Popaj.

Artistë dhe poet lexuan edhe poezi te poetit tonë me famë botërore, i cili më nuk është në mesin tonë. Gjithashtu, u lexuan/recituan edhe poezi të poetëve tjerë pjesëmarrës.

Edicioni i radhës i festivalit të njohur tashmë ‘’Hardh Fest’’ e ka sjellë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në qytetin e Rahovecit, thanë të njëjtat burime nga festa.

Kurti, së bashku me ekipin e tij, fillimisht ka marrë pjesë në aktivitetin e orës poetike, e njohur si “Hardh ora poetike Xhevdet Bajra”.

Pas këtij aktiviteti, Kurti i ka vizituar prodhuesit vendorë, të cilët kanë ekspozuar produktet e tyre.

“Hardh Fest”, ngjarje kjo që për tri ditë me radhë ka sjellur aktivitete të ndryshme për vizitorët si dhe ka promovuar rrushin dhe produktet e tjera vendore.

Osmani: “Presidenca, do të marrë rolin e saj në mbështetjen e “Hardh Fest”

Me sloganin “Preke rrushin, shijoje”, në Rahovec filloi edicioni i 22-të i festivalit të vjeljes së rrushit “Grape Fest”. Në ndërkohë që Presidentja Vjosa Osmani premtoi mbështetje për festivalin që tashmë është bërë traditë.

Në ceremoninë e hapjes, Osmani tha se gjatë gjithë viteve Presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahjen e kësaj feste.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për vreshtarët rahovecias të cilët, siç tha, me këtë traditë po arrijnë ta mbajnë gjallë Kosovën ekonomikisht.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrjeve dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se “Vine Fest” ndikon në zhvillimin e turizmit.

Ajo tha se : Sot, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani dhe Ministrin Faton Peci, morëm pjesë në hapjen zyrtare të Festës së Vjeljes së Rrushit – Hardh Fest 2023, në Rahovec.

Festa e “Vjeljes së Rrushit”- Hardh Fest, kjo ngjarje e veçantë, tashmë festival tradicional, ku vjelja e rrushit shndërrohet në festë e festa shndërrohet në bashkim e promovim të kulturës, trashëgimisë dhe potencialit tonë të pashtershëm.
Vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari disa mijëravjeçare në trojet tona ilire. Prandaj, kjo ngjarje e veçantë, është trashëgimia jonë e lashtë dhe shembull i suksesit të vreshtarëve e prodhuesve të verës e rakisë, si prodhime të veçanta me vlerë, me të cilat krenohemi brenda dhe jashtë vendit.

Kjo ngjarje njëkohësisht na tregon se, sa shumë kapacitete, talente dhe mundësi kemi në Kosovë dhe sa shumë mund të arrijmë kur kemi në prioritet zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe rritjen e industrisë vendore me produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkruajti në faqen e tij zyrtare në Tweeter se thithja e investimeve e çon vendin përpara. Megjithatë, ai u ndal më shumë në synimet që sipas tij i ka Kosova.

“Qyteti i Rahovecit bashkon shumë vlera dhe ato vlera na bëjnë krenarë si shqiptarë. Në kohën e perpjekjeve per liri, Rahoveci ka kryer provimin më të vështirë të asaj kohe, angazhimin, sakrificën e luftën për liri. Ky qytet atdheht i dha shumë dëshmorë e martirë. Po ashtu, në periudhën e shtetndërtimit, me kontributin në zhvillim ekonomik ka dhënë mjaft dëshmi se sa i rëndësishëm është ky qytet dhe njerëzit e tij për Kosovën.

Gjatë fjalës sime, shkruan Haradinaj, në ceremoninë hapëse të festivalit tradicional të vjeljes së rrushit “Hardh Fest” falënderim të posaçëm i shpreha vreshtarëve e veçanërisht afaristit të suksesshëm shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, i cili gjithë mundin e jetës së tij e të familjes gjatë e ka investuar në Kosovë. Kjo është një dëshmi që bashkëpunimi e investimet e përbashkëta janë storje suksesi që çojnë vendin përpara.

Gjatë fjalës sime, po ashtu theksova që si Kosovë, i kemi disa synime pa të cilat do te kemi vështire ta zhvillojmë çdo sektor të vendit. Synim e kemi anëtarësimin në institucionet euro-atlantike, veçanërisht më NATO. Për të arritur këtë qellim nuk guxojmë të largohemi nga aleatët tanë, por duhet të afrohemi me ta që ta kenë besimin tek ne që bashkërisht t’i arrijmë objektivat.

Vreshtarëve, fermerëve dhe afaristëve të Rahovecit, i urova suksese në punën e tyre!, citon vetveten kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo ka thënë se kanë qenë gjashtë kantina nga Shqipëria, që marrin pjesë në festivalin e vjeljes së rrushit sivjet në Rahovec.

Rrjetet sociale shkruajn se edhe kreu i Shoqatës së Murgjve, Haziz Tafaj, kërkoi nga institucionet që të ofrojnë ndihmë për murgjit në mënyrë që, siç tha ai, këta të fundit ta bëjnë edhe më mirë punën e tyre në vitet në vijim.

Ndërsa, simbas fares zyrtare të Komunës së Rahovecit, kryetari i saj Smajl Latifi, ndau gjashtë çmime për vreshtarët më të mirë. Një ndër çmimet e mirënjohjes për vreshtarinë dhe verën më të mirë ju dha “Stone Castle” -.

Tre personalitete të njohura nga Kosova, Pal Shtufi , Halil Matoshi dhe Ismet Kryeziu, të cilët morën pjesë edhe në banketin që shtron pronari i Stone Castel, Rrustem Gecaj, lanë një shënim të përbashkët në llogarinë e tyre në rrjetin social Facebook, duke shkruar :

Mbrëmë ishim në HardhFest, në këtë festë kuptimplote e tashmë tradicionale.

Begati e vërtetë.

Prodhues vendorë të mrekullueshëm.

Në kështjellën më të madhe të venës, StoneCastle, takuam njeriun e kohërave të paharruara, zotninë nga Amerika, Rrustë Gecajn dhe birin e tij, Avdiun – pronarë të StoneCastle.

Rrusta, i cili nga viti 1989 hapte dritare për ta mundur errësirën në Kosovë. Rrusta, i cili u bëri konak halleve tona në Amerikë. Rrusta, krahu më i fortë i Rugovës dhe i UÇK -së, derisa Kosova pa dritën e diellit e të lirisë. Rrusta që investoi në Kosovë dhe na bëri me dije se vetëm me kapital ndërtohet mirëqenia dhe ruhet liria.

Në “sofrën” tonë erdhën edhe shumë të tjerë. Erdhi edhe Ministrja Albulena Haxhiu, e cila na nderoi me prezencë dhe me biseda tërësisht të hapura. Një takim kundërshtarësh për lakmi!

Erdhi Nait Hasani, njeriu që kurrë nuk ra pre e lakmisë dhe korrupsionit.

Ndërkaq, takimi me Fadil Bajraj ishte kurora e shijes të kësaj nate me hanë!

Rahovec, të duam pa masë! shkruajn tre personalitet të njohura nga Kosova, Pal Shtufi , Halil Matoshi dhe Ismet Kryeziu.

“Prek rrushin, shijo verën” festivali me një program mjaft të pasur u mbyll duke sjellë për tre ditë në radhë me aktivitete të ndryshme për vizitorët dhe ka promovuar rrushin dhe prodhimet e tjera vendase.

Krahas aktiviteteve të shumta, Festa e Rrushit solli edhe këtë vit në Rahovec edhe disa artistë me famë botërore.

Në fund të këtij aktiviteti kryetari I Komunës Rahovec, mikëpritës i Hardhfest simbas fares zyrtare në Facebook, tha se ky ishte edhe një edicion i suksesshëm i Festës së Vjeljes së Rrushit, festivalit “Hardh Fest”, I cili u përmbyll me sukses

Për tri ditë rresht, me 1, 2 dhe 3 shtator, qytetarë nga mbarë Kosova dhe jashtë saj, u kënaqën me aktivitetet e shumta ditore dhe koncertet e tri netëve që kishin përgatitur për sivjet organizuesit e festivalit “Hardh Fest”.

Festa e rrushit që dikur shënohej në mënyrë simbolike nga vreshtarët lokalë të Rahovecit, tashmë është shndërruar në një festival madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e pëfaqëson festa e jonë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit.

Falënderoj këshillin organizues të edicionit të sivjetmë, në krye me drejtorin ekzekutiv të festivalit, Agron Sokoli, për performancë të shkëlqyer, përkushtimin e madh në punë dhe planifikimin e mirë e të menduar deri në detajet më të imëta. Po ashtu, falënderoj edhe organet e rendit dhe ligjit, policinë, sigurimin dhe ekipin e QKMF-së, njësinë e zjarrfikësve si dhe ekipe e individë që kryen detyrat e veta me përgjegjësi të lartë dhe me vigjilencën e treguar mirëpritën dhjetëramijëra pjesëmarrës, vizitorë e turistë të shumtë, pa u shënuar as edhe incidenti më i vogël.

Një falënderim shkon edhe për të gjithë donatorët që mundësuan realizimin me sukses të edicionit të 22-të, po ashtu edhe për mediat që i dhanë jehonën e duhur, duke paraqitur e promovuar para opinionit të gjerë brenda dhe jashtë, posaçërisht vlerat e mëdha të kësaj ngjarjeje të mrekullueshme si dhe të Rahovecit me rrethinë.

“Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër. Mbështetja e Komunës së Rahovecit për “Hardh Fest”-in, vetëm se do të rritet viteve në vijim.
Download all attachments as a zip file