Gazeta Nacional Albania

Berisha: Sot në orën 16:00 protesta antivuçiç përballë kryeministrisë

Për të kundërshtuar vizitën dyditore në vendin tonë të presidentit serb Vuçiç, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë pasditen e së hënës, në orën 16.00 përballë kryeministrisë të nxitur nga politikat antikombëtare të projektit Open Balkan.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të jetë në Tiranë sot dhe nesër, në datat 20 dhe 21 dhjetor për një takim të nismës rajonale të “Ballkanit të Hapur.”
Në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi i mëparshëm në kuadër të nismës Ballkani i Hapur u mbajt në fillim të nëntorit në Beograd.

Ndërkaq thirrja e Berishës për protestë nuk përkrahet nga demokratët e udhëhequr nga Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se kjo protestë është anti-Blinken.
Takimi i radhës i Open Balkan do të mbahet sot dhe nesër në Tiranë, ku pritet të bëhet nënshkrimi i 5 marrëveshjeve shtesë në kuadër të iniciativës për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Në lidhje me protestës popullore në Tiranë, kanë reaguar dhe mediat serbe të cilat shkruajnë se “ekstremistët shqiptarë” me ndihmën e politikanëve do të përgatisin protestë.