Gazeta Nacional Albania

Bie qeveria e Kosovës. Nga Leonat Shehu

Parlamenti i Kosovës miratoi me 82 vota mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e saj, Agim Veliu nga ana kryeministrit Albin Kurti javën e kaluar, për shkak të mospajtimeve rreth deklarimit apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme.

Lidhja Demokratike, akuzoi kryeministrin Kurti se ishte ai i cili vendosi t’i jap fund koalicionit qeverisës.

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeministri Kurti për më pak se 50 ditë pune përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më Shtetet Bashkuara ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”, thuhej në mocionin që u lexua nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Kryeministri Albin Kurti, tha gjatë debatit se “qeveria nuk rrëzohet kurrë për një ministër, përveç kur ai ministër është më shumë, kur ai ministri është plan”.

“Po e theksoj që në kohën kur po e menaxhojmë mirë koronavirusin, ende mirë, se këto dy javë janë vendimtare, në kohën kur populli e ka pritur shumë gjatë një qeveri të tillë, tash të bëhet mocioni i mosbesimit ta keni parasysh që nuk ka të bëjë as me tërheqjen e trupave, as me 200 milionë që nuk i ka parë ende askush, as me një ministër për të cilin unë nuk kam vendosur një ministër të partisë sime por e kam lënë vendin e zbrazët për një emër tjetër. Por thjeshtë në prapavijë të kësaj, e për këtë do të bindeni, qëndron shkëmbimi territorial i cili ka dështuar si projekt po nuk ka vdekur si ide”, tha kryeministri Kurti.

Ai u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme. Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha kryeministri Kurti.

 

Gjatë debatit në parlament ai theksoi që beson “se në këtë rrethanë me trysni të madhe e politika afatshkurtra ku ne jemi më shumë mënyrë se sa qëllim, po e theksoj, është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidentëve e nëse t’i nuk pajtohesh duhet të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen raportet Kosovë-SHBA, kështu nuk dëmtohen. Dhe nëse kanë mundur ta nënshkruajnë pse nuk e bëjnë? Ama ata nuk mund të nënshkruajnë marrëveshjen pa më thyer mua njëherë, e kuptoni, sepse unë jam në dy palë zgjedhjesh njeriu më i votuar, nuk bëhet marrëveshja pa më thyer mua, duhet të më thyejnë diqysh mua njëherë, prandaj nuk u bë marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, sepse ata e kanë pasur gati”, tha ai.

 

Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe u gjet nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 

Mospajtimet rreth tarifave kulmuan me shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe kësisoj mori fund qeveria më jetëshkurtër në historinë e re të Kosovës.

Kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë votuan edhe tre deputetë të Lidhjes Demokratike përfshitë kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani, e cila tha se “ka bërë çdo gjë që vendi të mos vinte në këtë situatë, sidomos jo në kohë pandemie. Tash, kur jemi këtu, unë do të votoj kundër mocionit, do të votoj për të ardhmen e vendit tim, ngase jam thellësisht e bindur se vendit i duhet solidaritet politik e moral, i duhet qeveri që është e zonja të përballet me pandeminë dhe jo me betejën për egot personale”.

E kritikuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike për qëndrimet e saj ajo tha se në “politikë sikurse edhe në jetë ndonjëherë duhet ta paguash çmimin a parimësisë. Unë këtë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë por parimësia tregon udhën e vërtetë edhe kur ajo është e mbushur përplot me gjemba, e unë nuk përtoj t’u rrekëm atyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën edhe nëse sikur kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër, nga disa mendjeshkurtër që më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja. Ma tregojnë mua derën, por është një derë e një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vite që jam në LDK, është ajo rrugë që ta shtron besimin në qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend me iu nda kurrë as me braktisë. Pra unë u akuzova për tradhti por nëse mbrojtja e çdo pike të LDK-së që e kemi prezantuar si kontratë me qytetarët më bënë tradhtare, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj çdo bashkëpunimi me krimin më bën tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë që unë ua kam dhënë votuesve të mi derisa disa frikësoheshin të dilnin dhe të mateshin para tyre, nëse kjo më bën tradhtare atëherë me krenari më të madhe do ta mbaj këtë”, tha ajo.

Rrëzimi i qeverisë ndodhi në një periudhë kur Kosova po përballet me pasojat e koronavirusit. Deri të mërkurën mbrëma 71 veta janë konfirmuar si të infektuar, ndërsa është regjistruar edhe viktima e parë.

Tani është e paqartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar me rrëzimin e qeverisë.

Gjatë paraqitjes së mocionit, Lidhja Demokratike theksoi se votimi i tij “krijon mundësinë e një qeverie të stabilitetit me kohëzgjatje të kufizuar që do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi si në pozicionet e politikës së jashtme si në dinamikat e brendshme”.

 Kushtetutën e Kosovës shkruan që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se votimi “është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, shkroi ai.