Gazeta Nacional Albania

BISEDA NE FACEBOOK. TREGIM SATIRIK ILIAZ BOBAJ

Arlinda u ngrit nga gjumi i pasdites dhe nuk dinte me se ta kalonte kohën. Gatiti kafen  dhe u ul në kompiuter.

– Pa dale të shoh, me se po merret kjo shoqëria ime këtu, – tha dhe hapi kompiuterin.

Hodhi një sy në faqen e saj në facebook. Qetësi. Kishin hedhur poezitë e tyre disa nga ata që i hedhin dhjetë herë në ditë dhe të bezdisin aq shumë, sa të bëjnë të mos i lexosh më. Kishte hedhur nja dhjetë – dymbëdhjetë fotografi edhe Vanesa, si përherë.  Nën njërën prej tyre, dikush nga ata që e kanë fjalën më të lirë se uji, kishte shkruar:’’Nuk e dija që kishte yje edhe në tokë. Tani që pashë fotografinë tënde, u binda’’. Kishte edhe disa fotografi të grupit të quajtur ‘’Shoqet e mira’’, të cilat ndërronin fustanet e njëra – tjetrës dhe nxirrnin sa më shumë foto me rroba të ndryshme. Asgjë tjetër.

Por ajo dinte t’i vinte në lëvizje si askush tjetër. Ndërhyrjet e saj qenë gjithnjë të befta dhe bëheshin shkak për diskutime të pafundme, të cilat vazhdonin me orë të tëra.

Para një jave ajo kishte shkaktuar një debat të madh, kur kishte hedhur  në faqen e saj një foto me dy palë sutjena dhe miqtë e saj të shumtë kishin debatuar gati tri orë dhe ishin vështirësuar shumë për të gjetur numrin, nuancat e ngjyrës së tyre të vërtetë dhe kur mund të visheshin ato nga një femër moderne.

– Do t’ju zgjoj unë nga gjumi, – tha ajo dhe shkroi:

– Miqtë e mi, ju përshëndes ! Kush e gjen këtë gjëegjëzë:

‘’Hipa aty sipër,

sipër e më sipër,

gjeta një thëllëzë,

pëndërat ia hëngra,

mishtë ia hodha poshtë ?‘’.

I pari ndërhyri Velua:

– Mendoj se ke bërë një gabim në të shkruar, mikja ime. Duhet të jetë: ‘’…mishtë ia hëngra, pëndërat ia hodha poshtë’’.

– Jo, or jo, është ashtu siç e kam shkruar unë, – ia ktheu në çast Arlinda.

Velua u mblodh para kompiuterit si një pikëpyetje.

Ndërhyri një vajzë me emrin Asimina:

– Thëllëza përfaqëson një vajzë të bukur. Sipas kësaj gjëegjëze, vajza, domethënë thëllëza, ka hipur sipër e më sipër. Ndoshta në ndonjë ballkon, që të dukej më mirë. Ai që e ka parë nga poshtë, nuk ka pritur asnjë çast, por ka hipur menjëherë sipër e më sipër, aty ku ishte thëllëza.

– …Edhe i hëngri pëndërat ?!, – e lëshoi ironinë Eduarti. – O zot, sa analizë e dobët !

-…Dhe mishtë ia hodhi poshtë ?!, – e plotësoi ironinë Ardi, i cili sqaronte se ishte nxënës i shkollës së mesme dhe e kishte lënë studimin, se po e tërheqte shumë biseda në facebook.

Në bisedë u futën në çast dhjetra vetë.

Një poete e re, Ornela, e cila emrin e saj e shënonte: ‘’ Poete Ornela’’, shkroi:

– Gjëegjëza ka kuptim alegorik. Poeti popullor e ka ngritur vajzën sipër e më sipër, që objekti të bëhet më i dukshëm. Të bëhet më i largët, më i paarritshëm, domethënë më i lakmuar nga poshtë. Ashtu siç bëhet i lakmuar ylli i qiellit nga toka.

– Nëse objekti, domethënë thëllëza apo vajza, – e kundërshtoi një burrë tjetër me emrin Luan, – bëhet më i dukshëm dhe më i lakmuar nga poshtë, siç shkruan ti, kjo gjë nuk del e qartë nga vetë gjëegjëza. Këtu nuk na jepen shumë të dhëna. Së pari ne nuk e dimë nëqoftëse kjo thëllëza, domethënë vajza ishte e veshur me fustan apo me pantallona. Të gjithë e dimë që thëllëza e veshur me fustan, është më e lakmuar se ajo me pantallona. Sidomos kur thëllëza është mbi sytë e atij që e vështron.

U kthyen menjëherë tridhjetë e dy përgjigje.

Përgjigjja që ia vlen ta citojmë, ishte ajo e një femre me pseudonimin Aki – Caki:

– Ju zonja Ornela, mendoj se jeni tepër e përciptë në përgjigjen tuaj. Ju thoni që objekti të bëhet më i largët, i paarritshëm. Nëse kjo vajzë, domethënë kjo thëllëzë do të ishte e paarritshme, atëhere ai që u ngjit sipër e më sipër, si e arriti atë dhe i hëngri pëndërat ? Kur themi e paarritëshme, domethënë se nuk arrihet. Ju bini në kundërshtim me vetë gjëegjëzën.

Pasi e mbaroi përgjigjen, tha me vete: ‘’Le ta ulë pak hundën, se ka marrë shumë vrrull me ato poezitë e saj. Vendos edhe disa fotografi provokuese femrash në to dhe njerëzit mendojnë se është ajo dhe i bëjnë qindra pëlqime. Sidomos burrat, të cilët nuk lexojnë asgjë fjalë prej poezive të saj, po shohin vetëm fotografitë e femrave’’.

– Si në dreq më shkau kjo pakujdesi ! – shfryu Ornela me vete.

Në diskutim kishin hyrë edhe shumë të tjerë. Tani numri i diskutantëve të kësaj gjëegjëze, kishte arritur rreth gjashtëqind e dyzetë vetë dhe po shtohej me shpejtësi.

Por edhe pse kishte kaluar një orë e gjysmë, jo vetëm që nuk ishte gjetur përgjigjja e gjëegjëzës, por gjërat ishin ndërlikuar si peri kur mblidhet në makinën qepëse dhe nuk ka burrë nëne t’ia gjejë fillin.

Nga të gjitha përgjigjet që u kthyen nga ata që hynë rishtas në bisedë, më interesantja u gjykua ajo e një burri me emrin Hasan:

– Ne nga fshatrat tona këtë e themi me një këngë:

‘’Ti ishe mbi mua,

unë isha nga poshtë,

më kishe nën vete,

të kisha mbi kokë’’.

Po edhe fshatarin Hasan, e bllokuan në çast. Plot tridhjetë e shtatë vetë, pothuajse njëherësh, i shkruan se kjo ishte këngë dhe, mbi të gjitha, nuk kishte fare të bënte me ngrënien e pëndërave dhe hedhjen e mishit poshtë, siç thoshte gjëegjëza’’.

– Je jashtë loje, miku im, – i shkroi njëri me emrin Titi i Xhekos, i cili thoshte se ishte student dhe shkruante direkt nga salla e leksionit.

Hasani nuk shkroi më asnjë fjalë. Por bisedën e ndiqte me shumë vëmëndje. Se, natyrshëm, diçka do të dilte në fund të këtij diskutimi të madh popullor në facebook. Madje në një çast i foli e shoqja. Po kur e pa që ai nuk iu përgjigj, ajo i erdhi pranë dhe e shkundi:

– Ngreu, Hasan dhe fut lopën në kasolle, se u bë vonë !

Por ai nuk u tund nga vendi. Dhe kishte të drejtë. Biseda nuk mund të lihej në këtë pikë kaq delikate. Dhe përse ? Për të futur lopën në kasolle ?!

– Moj, pa hajde edhe ti këtu, se kam rënë në siklet dhe nuk e gjej dot !

E shoqja u afrua pranë kompiuterit dhe Hasani i lexoi gjë e gjëzën. E tërhoqi biseda edhe atë dhe filloi të vriste mendjen. Po pas pak u dëgjua një zhurmë, e cila vinte nga kuzhina. Shkoi me vrap.

– Uuuu, të rëntë pika në shesh të kokës, mor burrë ! Na u derdh qumështi dhe nuk mbeti asnjë pikë…, – thirri me zë të lartë. Hasani bëri sikur nuk e dëgjoi.

Ermiri, i cili ndërhynte përherë në çastet më delikate, mendoi ta drejtonte pakëz më mirë bisedën:

– Ore, e kuptoni që deri tani ne kemi mbetur tek pëndërat, pa e ditur se pse i hëngri ato dhe nuk dimë se pse e hodhi mishtë poshtë. Ky është thelbi i kësaj gjëegjëze. Le të hyjmë tek thelbi i çështjes.

Diskutimin e ndiqnin rreth njëmijë vetë. Por kishte edhe të tjerë për të hyrë në bisedë, se shoqëria e Arlindës ishte gati katërmijë vetë.

Në bisedë hyri një zonjë me emrin “Ylli i Tironës”, e cila i shkruante pothuajse të gjitha fjalët me gabime drejtshkrimore, (p.sh. fjalën mirë e shkruante përherë pa ‘’ë’’ në fund, kurse fjalën bukur nuk e linte kurrë pa shkronjën ‘’ë’’ në fund të saj):

– Mendoj se ngrënia e pëndërave dhe hedhja e mishit poshtë, ka kuptim tjetër. Thëllëza, domethënë vajza, ka qenë yll i bukur si unë dhe ai që u ngjit sipër e më sipër, ia puthi pëndërat, domethënë rrobat me afsh të paparë, sa dukej sikur i hëngri ato. Le të jemi të sinqerta në bisedën tonë: ju femrave nuk jua kanë puthur ndonjëherë rrobat të dashurit tuaj ?

Por “Yllin e Tironës”, e bllokoi në çast një grua tjetër me emrin “Zonja e parë e Durrësit”:

– Po mirë që pëndërat, domethënë rrobat, dukej sikur ia hëngri ose ia hëngri, siç thoni ju, po mishin pse ia hodhi poshtë ?

– Ça po thu, moj zonjë, – shkroi një tjetër femër me emrin Nazemadhja. – Rrobat janë vetëm sa me e tërhek gjahun, mishi asht për ta ngrënë.

Pjesëmarrësit e shumtë në këtë bisedë, të cilët tani kishin arritur aty tek njëmijë e tetëqind vetë, e kuptuan që “Ylli i Tironës” kishte dalë huq. Kjo do të thoshte se edhe të tjerët duhet të mateshin mirë në përgjigjet e tyre dhe të mos flisnin si Tana e Zëres para grave të fshatit. Në fund të fundit secili tregonte nivelin e tij.

Arlinda tërhoqi vëmëndjen e grupit të saj të facebook-ut:

– Le të bëhemi pakëz më seriozë, ashtu siç i takon një teme të tillë. Vë re që biseda jonë ka marrë përmasa të mëdha. Ajo është botuar edhe në pesë grupe të tjerë dhe në të marrin pjesë mijra vetë. Por ndërsa koha ecën dhe kanë kaluar pothuajse dy orë, ne po mbetemi në vend. Vazhdojmë, miqtë e mi !

Piu një gllënkë kafe dhe u rehatua më mirë në karrige.

Pasoi një heshtje e shkurtër. Para ekraneve te kompiuterave sikush nga pjesëmarrësit vriste mendjen për të gjetur gjëegjëzën.

Në bisedë kishin hyrë edhe treqind të tjerë. Aq shumë po e vrisnin mendjen për të gjetur përgjigjen e kësaj gjë e gjëze, sa erdhën në çast pesëdhjetë përgjigje të reja, njëra më e veçantë se tjetra. Kjo do të thoshte se anëtarët e grupit, por edhe të tjerët, po përpiqeshin seriozisht dhe ishin mobilizuar në maksimum.

Në këtë pikë të diskutimit, pati një përgjigje që e tallaziti mjaft bisedën. Ishte një burrë me emrin Henry Li.

– Të nderuar miq ! Desha të theksoj se, nëqoftëse ai që u ngjit sipër e më sipër, ka ngrënë pëndërat, siç thuhet dhe ka hedhur mishtë poshtë, kjo do të thotë se mishi ka qenë nga ai mishi që nuk ia vlen të hahet.

Ndërhynë njëherësh njëqind e tre vetë. Ja përgjigjja e parë. Vinte nga një zonjë:

– Zotëri i nderuar ! Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që të hidhet poshtë mishi i thëllëzës…?!

– Dhe të hahen pëndërat, – plotësoi në çast një tjetër, që ia mbylli më mirë shtegun mendimit të zotit Henry Li, i cili, siç shkruante në faqen e tij, ishte nga Berati.

Henry Li i Beratit, nuk ktheu asnjë përgjigje.

Kishin kaluar dy orë e dyzet e dy minuta, që nga çasti që kishte filluar biseda.

Por, sidoqoftë, niveli i kësaj bisede ishte ngritur edhe më. Tani kishin arritur rreth tremijë e njëqind vetë dhe numri vazhdonte të shtohej. Edhe përgjigjet ishin më të pjekura. Ja njëra prej tyre:

– Unë mendoj se kjo thëllëzë, domethënë vajza në fjalë, është një femër e bukur yll, e cila është ngjitur aty, sipër e më sipër dhe i ka hequr të gjitha rrobat. Duke qenë pa asnjë rrobë mbi shtat, ai që ka shkuar aty, i ka ngrënë trupin. Në këtë rast pëndërat janë vetë trupi i saj.

Kaq u desh që ky diskutim i madh të merrte flakë.

Këtë herë përgjigjet nuk numëroheshin. Arlinda lexoi dy – tri prej tyre.

I pari, me emrin “I pafati në dashuri”, shkruante:

– Nëqoftëse e pranojmë për një çast mendimin tuaj, se pëndërat janë vetë trupi i zhveshur, atëhere çfarë i ka hedhur poshtë ?

Një tjetër me emrin “Lushnjarja e bukur”, kundërshtoi “Të pafatin në dashuri’’:

– Mund t’i ketë hedhur poshtë ndonjë rrobë që e pengonte për ta ngrënë thëllëzën.

Por edhe ‘’Lushnjaren e bukur’’ e zuri mat një tjetër, me emrin Ladi:

– Po ne thamë që thëllëza nuk ka asnjë rrobë të vetme në trup. Atëhere si u gjend ajo rroba, që e pengonte atë që u ngjit aty për ta ngrënë thëllëzën ?

Ra një heshtje e thellë.

Tashmë numri i pjesëmarrësve në diskutim kishte arritur mbi tremijë e gjashtëqind vetë. Dhe prapë nuk po gjendej përgjigjja e duhur.

Fundi i këtij diskutimi të madh dukej i paarritshëm.

Ishte vërtet një natë e madhe diskutimi në facebook, natë e cila mund të hynte në historinë e facebook-ut. Dhe këtë natë të madhe, kishin fatin ta jetonin anëtarët e shoqërisë së Arlindës.

Ndërkohë Arlinës i telefonoi shoqja e saj e ngushtë, Albana.

– Hajde, bëhu gati se do dalim. Ka një koncert të bukur në sheshin qendror të qytetit. Do kalojmë dy orë të këndshme.

– Po këta ku t’i lë ? – ia ktheu Arlinda me të qeshur.

– Cilët këta, moj ?

– Miqtë e mi të facebook-ut.

– Leri budallallëqet dhe hajde ! – ia preu shkurt shoqja.

– Ja sa ta mbyll, – ia përgjigj Arlinda dhe shkroi aty ku zienin diskutimet:

– Miqtë e mi të dashur ! Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj të gjerë në këtë diskutim të rëndësishëm. Kanë kaluar rreth tri orë dhe gjëegjëza ende nuk është gjetur. Prandaj jam e detyruar t’jua tregoj. Është veshi i rrushit. Ma ka treguar gjyshja kur isha e vogël. Kur themi:’’hipa aty sipër, sipër e më sipër’’, do të thotë që ngjitemi në një hardhi në një pemë ose në një gardh dhe thëllëza që gjejmë është veshi i rrushit, të cilit i hamë kokrrat, domethënë pëndërat dhe i hedhim poshtë mishin, domethënë pjesën e tij të brendëshme, që mban kokrrat e rrushit. Natën e mirë, miqtë e mi të dashur !

Diskutimi i madh kishte marrë fund.

 

E hënë, martë, 23-24 prill 2018