: Natën e 15 majit 2026 u gjenda në teatrin kombëtar për të parë Otellon, tragjedinë e përbotshme të Shekspiri-t, e cila ngërthen sot e në çdo kohë, sa me mitin, aq edhe me fantazmën, sa me personazhet, aq edhe me lojën e mbivendosur ndaj realitetit. Regjizori Qëndrim Rijani kishte konceptuar një shfaqje të lidhur organikisht, përjashto rastin kur në skenë u dëgjua muzika rrock, e cila për mendimin tim nuk duhej të bënte pjesë në anatominë e veprës. Pjesa tjetër e Otellos ishte një lojë klasike, e rrjedhshme, me karaktere qëndrore dhe me fasada karakteresh të cilat i shkojnë për shtat fantastikës, përrallores aq të njohur tek Shekspiri. Arben Derhemi solli një Otello jo aq tragjik se sa poetik, jo aq romantik se sa mizor, dukej si një kalorës i lashtësisë që fati e kishte sjellë në ditët tona, të bëhej gjeneral i dashurisë, më tepër se i luftës. Desdemona ishte një vajzë e re, intime, dhe që nuk mundi t’i bënte ballë fatit të vet. Emilia e luajtur nga Luli Bitri ishte një arritje, por do ta preferoja më tepër si Desdemonë Lulin, se e njoh mirë prirjen e saj për të qenë lidere në shfaqjet që luan. Do ta këshilloja që të mundohet edhe më tej ta largojë vehten nga simulimi i interpretimit, dhe ta lerë atë në dorë të aktrimit, të cilin kur e ushtron, e kap me kthetra. Më pëlqeu Jago i luajtur nga Lulzim Zeqja, dhe mendoj se ky rol do të mbetet në më të mirën e tij si aktor. Mendoj se është një aktor me një pigment interesant, vetëm se duhet të thellohet më tej në planin dramatiko-tragjik, nëse do të arrijë lartësi të reja. Donald Shehu më pëlqeu si aktor i ri në këtë shfaqje. Më ka mbresuar edhe tek shfaqja e Nurenbergut, dhe mendoj se e ka kuptuar në të vërtetë se çfarë kërkon arti sublim i aktrimit, dhe them se është në rrugë të mbarë. Otello si figurë qëndrore kishte një frenetizëm të herë pas hershëm, ndoshta edhe i shkon, sepse gjeneral hesapi, dhe i shkon gjithashtu natyrës pak prepotente të Arben Derhemit, i cili më ka lënë mbresa me rolin e Florit aq të njohur, por edhe në këtë shfaqje ai nuk nguroi të shpaloste shpirtërisht atë që e mundon si aktor. Më pëlqen tek Arbeni një lloj poetizmi, zëri imponues, shpesh edhe shpërthimet që mundohen të depërtojnë psikologjinë e publikut, dhe që shpesh e bëjnë të humbasë tek ai. Ky duhet të jetë artisti i vërtetë në fakt. Viktor Zhusti s’ka nevojë për komente, përveç nervit të brendshëm që ka dhe që e ndesh në çdo skenë ku luan. Vitet nuk i kanë bërë kurgjë mjeshtrit, përveçse e kanë pjekur dhe skena e ka robëruar, ndoshta për gjithmonë për të lënë kudo gjurmën e vet të merituar. Ati i tij i shqetësuar tek Otello, ishte më tepër një skllav shqetësimesh, se sa një baba klasik, të cilin mjeshtri e gdhend po iu dha rasti. Një zbulim karakteri ishte roli i luajtur nga Linda Jerani, e cila dha një pjesë të vogël nga arti i rrugës të cilin është meritë ta luash në skenë. Muzika e Endri Sinës kishte padyshim rolin e saj qëndror. Mendoj se rroku nuk kishte vend në një shfaqje kaq klasike si Otello, ndoshta as kënga për përcielljen e Desdemonës. Kitara, kori kishtar i vlenin veprës po aq sa përkthimi i Nolit. Sigurisht që një hoxhë që u ndje në sfond, nuk ma dha simbolikën se përse ishte bërë pjesë e kolonës sonore. Padyshim që në çastet e mbrame të ikjes, të gjithë aktorët kishin arritjet e tyre profesionale. “Vdisnin” si artistë të vërtetë. Mendoj se në teatrin klasik kursesi nuk duhet të ndërhyjnë mjetet e teknikës si dj box apo mikrofona, me përjashtim të rasteve kur përdoren për efekte. Otello mbetet gjithmonë një shfaqje e dëshiruar nga të gjithë, dhe të cilën teatri kombëtar shqiptar, me trupën e tij të shkëlqyer, e kthyen në eveniment që do të vazhdojë gjatë. Urime dhe suksese të gjithëve. Teatri ynë kombëtar: Mos ju ndaj teatrit të madh. Mos ju ndaj Shekspirit, Molierit, Çehovit me shokë, që s’të le të biesh në tokë…
Blerina Shalari: Otello për gjithë kohërat

