Gazeta Nacional Albania

BOKSIERI FLORIAN MARKU ËSHTË VLERËSUAR ME YLLIN E MADH TË MIRËNJOHJES

Boksieri Florian Marku është vlerësuar me Yllin e Madh të Mirënjohjes. Medalja iu dha nga Kryeministri Edi Rama gjatë një ceremonie të veçantë pritje për të pas fitores në ndeshjen me boksierin meksikan Miguel Parra.
Kryeministri Edi Rama e konsideron Florian Markun ambasador të suksesit kuqezi.
“Ne sot jemi këtu për të celebruar një histori jetësore të ngjashme me të mijëra shqiptarëve, të cilët si fëmijët janë marrë përdore nga prindërit në rrugën e emigracionit dhe bëjnë sukses. Po bëjnë sukses që nuk bëjnë lajm. Ndërkohë që suksesi i Florianit bën lajm. Dhe lajmi i mirë është që suksesi i Florianit është kuqezi.
Në aspektin ceremonial ne e kemi bërë dallimin, kemi ndërtuar Luizën me Kordonin e Madh që është më i larti në shkallën e vlerësimeve dhe ju takon krerëve të shteteve, qeverive. Pas kordonit vjen Ylli i Madh i cili është vlerësim i lartë që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, përfshirë dhe dy ambasadorë shumë të rëndësishëm kur ju kemi dhënë lamtumirën. Dhe sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të Shqipërisë, i cili prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe në Myzeqe nga gjyshja. Gjyshi i përket komunitetit të shqiptarëve të Kosovës që sot jeton e banon si komunitet në zonën e Myzeqesë. Ka qenë aty jo për zgjedhjen e tij, por sepse u internua. Më pas Floriani me prindërit ka shkuar në emigracion në Greqi, më pas në Austri e më pas shpërthimin e tij e ka patur në Britaninë e Madhe.
Edhe ata që rrudhin buzët për këtë ceremoni, do duhet të buzëqeshin se bëhet fjalë për të nderuar një sportist sepse realisht i ka arritur të gjitha dhe na nderon të gjithëve pasi shpalos flamurin kuqezi si fitues në ekranet më të mëdha të televizioneve sportive. Është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza. Unë dhe ne jemi të nderuar që të ndajmë disa momente në këtë godinë me të tillë shqiptarë. Kështu ne përmirësohemi”.
Rama tha se dy rastet e fundit, ai i Luiza Gegës dhe i Florian Markut, do të shërbejnë në të ardhmen që me ceremoni të tillë të priten në Kryeministri të gjithë sportistët shqiptarë që ngrenë lart flamurin kuqezi në arenën botërore.
“Ka pasur dhe të tjerë kampionë jo aq të rëndësishëm ndoshta sa Luiza për shkak të asaj zone sportive ku arriti të jetë kampione, dhe ne nuk i kemi celebruar kështu. Por me celebrimin e Luizës ne e hapim këtë fazë dhe do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë ata që do t’i sjellin Shqipërisë medalje. Sot ndryshe nga çfarë u tha, nuk ka më në Shqipëri protagonistë të braktisur të sportit. Sot ka një sistem mbështetje dhe një sistem shpërblimesh për protagonistët miratuar me vendim qeverie kohë më parë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.