Gazeta Nacional Albania

Boris Johnson del nga spitali, drejt shërimit nga Covid-19

 

Kryeministri britanik Boris Johnson ka dalë nga spitali, por nuk do të kthehet menjëherë në krye të detyrës. Lajmi është konfirmuar nga zyra e kryeministrisë.

Downing Street konfirmoi pasditen e së dielës se Johnson ka dalë nga spitali Shën Thomas, Londra qendrore, një javë pasi u shtrua të dielën e kaluar.

Një zëdhënës për qeverinë u shpreh:

“Kryeministri është nxjerrë nga spitali dhe do të vazhdojë rikuperimin në Chequers. Me këshillë të skuadrës së tij mjekësore, KM nuk do të kthehet menjëherë në punë. Ai dëshiron që të falenderojë të gjithë tek Spitali Shën Thomas për kujdesin brilant që i ofruan. Mendimet e tij janë për personat që janë të prekur nga kjo sëmundje.”

Kryeministri britanik u shtrua në spital të dielën e kaluar pasi simptomat e virusit nuk po i largoheshin. Pas përkeqësimit të simptomave, Johnson kaloi edhe tre ditë në njësinë e kujdesit intensiv.

Johnson njoftoi se rezultoi pozitiv për koronavirusin në 27 Mars. Ai tha se po përjetonte “simptoma të buta” dhe se do të vazhdonte të udhëheqë vendin, ndërsa qëndronte i izoluar në banesën e tij në Downing Street.