Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, por të dy janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në ditët e ardhshme.
“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët që po vijnë. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”, tha zoti Borrell.
Bisedimet e sotme pasuan tensionet e 31 korrikut në veriun e Kosovës ku grupe protetsuesish bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Diplomatët perëndimorë shpresonin që takimi i sotëm të sigurojë shmangien e tensioneve më 1 shtator për kur është shtyrë zbatimi i vendimeve të qeverisë.
Zoti Borrell tha se “ky nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë. U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim në formën e menaxhimit të krizës, nuk ishte një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha ai.
Ai shprehu bindjen se kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiç e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.
“Padyshim ka dallime të qarta ndërmjet tyre në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ata u pajtuan për të vazhduar diskutimet në baza të rregullta në periudhën kohore në vazhdim për ta shtyrë procesin e normalizimit më shpejt”.
Ky është takimi i tretë Kurti-Vuçiç në Bruksel brenda një viti dhe u thirr në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Përgjatë tërë ditës palët janë takuar ndarazi dhe së bashku me zyrtarët evropianë.
Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë se kryeministri Kurti theksoi përgjatë takimeve se marrëveshja me Serbinë “duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.
Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se presidenti serb do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut serb të premten, më 19 gusht, në Beograd.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për qëndrueshmëri, për zgjidhje kompromisi”, tha ai.
Mediat serbe thanë se presidenti serb Vuçiç, ka ftuar një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën në Beograd.
Zeri i Amerikes