- Shqipëria gjatë 45 viteve pas çlirimit nga nazistët, përjetoi një prej prej diktaturave komuniste më të egëra në Europe. Gjatë kësaj periudhe u ekzekutuan për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Janë dënuar me burg, ose dërguar në kampet e punës së detyruar 19250 persona dhe kaluan në kampet e internimit 48217 burra dhe 10792 gra.
Libri “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist” (1945-1990) i dr.Fehmi Sufaj është një vlerë e shtuar në fondin e letërsisë sonë dokumentare. Burimet e shumta dokumentare dhe bibliografia e pasur flasin për një vepër studimore-shkencore të llojit dhe rëndësisë së veçantë. Kjo parasëgjithash konsiston në shfrytëzimin e më shumë se njëqint dokumentave arkivore të pabotuara të Arkivit Qëndror të Shtetit sidhe 167 dosjeve të kampeve e burgjeve 1945-1974,
nga të cilat autori ka nxjerrë esencën e evolucionit gati shekullor të sistemit të burgjeve në vendin tonë.
Dhe ndonëse në titullin e librit ai duket se flet për një periudhë kohore 45-vjeçare, jo pak por 46 faqet e para të librit janë një vështrim i vëmendshëm historik mbi dënimet 1912-1944.
Që në parathënie Dr.Femi Sufaj shprehet se portat e burgjeve janë një rrugë e brendshme, ku mund të kalohet për të kuptuar më mirë historinë e shoqërisë në përgjithësi. Parë nga ky këndvështrim ai argumenton më së miri se “Shkalla e demokratizimit të një shoqërie, hapësirat e lirisë që ekzistojnë dhe respektimi i të drejtave njerëzore, do të kuptohen më mirë duke parë se si shteti i trajton personat e dënuar me heqje të lirisë dhe si e bën drejtësinë”. Për këtë ai sjell referenca bindëse nga literatura historiografike, jo vetëm ajo shqiptare por edhe e personaliteve botërore. Kështu, në këtë libër, krahas referencave nga personalitete të jurisprudencës e publicistikës shqiptare, si “Zhviillimi historik i Legjislacionit Penal në Shqipëri” (Ismet Elezi); “Politika kriminale” (Ismet Elezi&Vasilika Hysi); “Historia e Shqipnis” (Tajar Zavalani); “Stalinizmi shqiptar” (Arshi Pipa) etj, autori perifrazon dhe komenton edhe Bernard Fischer (“Përpjekjet e Mbretit Zog për Stabilitet në Shqipëri”; Nelson Madela (“Rruga e gjatë drejt lirisë”), Pol Xhonson (“Kohët moderne”), Edëin Jacques (“Shqiptarët”), Roberto Moroco dela Roka (“Kombi dhe feja në Shqipëri”), Hannan Arenddt (“Origjina e Totalitarizmit”) etj.
Sistemi i burgjeve, nga Qeveria e Vlorës deri tek Monarkia
Në pjesën e parë të librit “Vështrim historik mbi dënimet 1912-1944”, autori ndër të tjera na njeh me faktin se për funksionimin normal të drejtësisë, Qeveria e Vlorës, deri në krijimin e kodeve dhe ligjeve shqiptare vendosi të zbatojë Kodin Penal Otoman të vitit 1878. Nën këtë optikë Dr.Femi Sufaj argumenton se si nga sundimi i gjatë otoman, Shqipëria trashëgoi një sistem të ashpër burgjesh, të cilët kishin shërbyer për izolimin jo vetëm të shkelësve të ligjit, por edhe të shumë patriotëve, të cilët luftonin për pavarësi politike dhe për gjuhën e shkollën shqipe.
Burgjet kryesore, sipas autorit, ishin ngritur në qytetet më të mëdha si në Janinë, Manastir, Prizren, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan. Me tej autori na njeh me faktin se “Forcat austro-hungareze dhe franceze që u vendosën në Shqipëri gjatë Luftës së Parë, kaluan nën varësinë e tyre administratën e vendit dhe filluan të adoptojnë kodet dhe ligjet e tyre edhe në administrimin e burgjeve”.
Nga shqyrtimi i dokumentave arkivore të kësaj periudhe, konstatohen disa urdhëresa të komandës austriake në të cilat përcaktohet dieta ditore për çdo të dënuar, si dhe e drejta e të dënuarve për të blerë me mjetet e tyre financiare.
Plotësimi i kuadrit ligjor për të dënuarit ka vijuar me ligjin e Këshillit të Naltë të datës 31.01.1923 “Për përdorimin e të burgosurve për punë”. Referuar fakteve arkivore autori Sufaj pohon se pas shpalljes së Shqipërisë Republikë dhe më 1928 Monarki, kompletohet kuadri ligjor i institucioneve të shtetit shqiptar. Krahas Statutit Themelor (Kushtetutës), më 3 qershor 1927 ishin miratuar Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kodi Civil, Kodi Penal Ushtarak, u bë organizimi i drejtësisë me përcaktimin e kompetencave të Gjykatës Paqtuese, Fillore, të Diktimit si dhe organizimi i avokatisë. Në Kodin Penal ishin parashikuar disa alternativa dënimi, si dhe lirimi me kusht.
Më 18 gusht 1933 hyri në fuqi Rregullorja e re e Burgjeve e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Në Kodin penal ishte parashikuar edhe dënimi me heqje të lirisë për femrat. Në nenin 24 të këtij kodi thuhej: “Gratë, ndëshkimet me burgim të përjetshëm, me burgim të rëndë, me burgim dhe me burgim të lehtë i vuajnë në stabilimenta (godina) të destinuara për to”.
PAK HISTORI NGA DR.FEMI SUFAJ
Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë të sistemit të burgjeve, Kolonel Stirling më 1924 propozon ngritjen e dy burgjeve të përgjithshëm, ku të vendosen nga 450 të burgosur të dënimeve të gjata dhe një personel i mjaftueshëm për sigurimin dhe trajtimin e të dënuarve. Kavaja dhe fortesa e Gjirokastrës, mendoheshin si vendet më të përshtatshme. Sipas ketij propozimi, projektet duhet të përmbanin ambjente për punë ku të dënuarit të mësojnë mjeshtëri të ndryshme, ambjente mësimi, dhe mjekimi. Konstruksioni i burgjeve ka ndryshuar vazhdimisht në varësi të nivelit ekonomik e politik dhe të kushteve që duhet të përmbushin. Pavarësisht modeleve të ndryshme që paraqiten në këtë drejtim, tre janë kushtet kryesore që duhet të plotësojë konstruksioni i burgjeve: Sigurimin e të dënuarve, higjenën dhe rehabilitimin e tyre. Për ndërtimin e burgut të Kavajës ishte hartuar një projekt austriak në vitin 1924. Ndërtimi i këtij burgu nuk u realizua, ndoshta u pa më i favorshëm ndërtimi i burgut të Tiranës më 1930. Në qytetin e Tiranës kanë funksionuar dy burgje, një për të dënuarit politik dhe tjetri për të dënuarit e zakonshëm. Si burg politik deri në vitin 1930 ka shërbyer një shtëpi private në pronat e Toptanësve dhe më vonë në lagjen “Sulejman Pasha”. Në dokumentat arkivore përmenden edhe banesa të tjera. Në një raport që Ministria e Drejtësisë i bën Ministrisë së Brendshme me 17.09.1921 mbi burgun e Tiranës midis të tjerave shkrueht: “… Në tri dhoma që ka burgu me shtërngim të madh, ishin 67 vetë.70 të burgosur flenin përjashtë në oborr e disa nën strehë. Në këtë mënyrë rrojtje i duket njeriut si me qenë dënuar me vdekje me mundim. …Kjo është despotizëm, një sjellje kundër jetës njerzore”.
Në vitin 1926 nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme llogariteshin rreth 500 persona të cilët kishin kryer vepra të rënda penale. Nga këta 128 ishin duke vuajtur dënimin në burgje dhe të tjerët ndodheshin në kërkim. Për mbajtjen e tyre Qeveria kishte planifikuar adaptimin e kalasë së Porto Palermos dhe të Gjirokastrës si më të sigurta për ruajtjen e të dënuarve. Rikonstruksioni dhe adaptimi i kalasë së Gjirokastrës u bë më 1928, ku u përfituan 50 dhoma të vogla në formë qelish që merrnin 3-4 veta secila, një sallë e madhe, një dhomë për spital, ambjente për drejtorinë, takimet me familjarët, gardianët etj. Burgu kishte disa qeli të sigurisë së lartë për elementë problematikë, siç emërtohen në projekt “dhomat për katilat”. Kapaciteti i burgut ishte deri në 330 vetë, ndërkohë ku nga informacioni i drejtorit të burgut të datës 29.02.1932 mësojmë se në këtë burg ishin 224 të dënuar. Kushtet e jetesës në këtë burg ishin shumë të vështira. Për ta kuptuar më mirë këtë ferr po japim në fundshënimet pjesë nga raporti i Kryeinspektorit të Oborrit Mbretëror të datës 07.03.1932 që inspektonte Burgun e Gjirokastrës.
Në qytetin e Shkodrës ndodhej një nga burgjet më të mëdhenj, i cili kishte funksionuar edhe gjatë sundimit turk. Nga të dhënat e vitit 1929 mësojmë se Burgu i Shkodrës kishte 7 dhoma me 151 të dënuar meshkuj, një dhomë për të dënuara femra një dhomë për punë, një për shkollë dhe një për spital. Nga një relacion i Prokurorisë së Shkodrës më 16.01.1935 bëhet e ditur se në këtë burg ndodheshin 338 të burgosur nga të cilët 146 të dënuar me vendim të formës së prerë, 182 të paraburgosur, 9 të burgosur për borxhe dhe një për politikë. Kapaciteti i burgut ishte për 270 të dënuar. Në çdo dhomë qëndronin 60-70 vetë. Në këtë gjendje ishte edhe burgu i Kukësit, në të cilin mbaheshin 77 të burgosur në 4 dhoma. Në vitin 1930 u ndërtua Burgu i Tiranës, në rrugën e Shkodrës, sot rruga “Mine Peza”. Kapaciteti i tij ishte deri në 300 të dënuar, por kjo shifër duhet të konsiderohet relative, duke parë standartet e jetesës dhe kushtet higjeno-sanitare. Ish i burgosuri politik Haki Stërmilli i cili vuante dënimin në këtë burg e përshkruan në këtë mënyrë “…nuk është i përshtatshëm për burg pasi nuk është ndërtuar sipas dispozitave ligjore, këtu rrinë fajtorët politik bashkë me ata ordiner, vrasësi me hajdutin, debitori me falsifikatorin, plaku me të riun etj. Për këtë shkak, burgu është bërë si një farë shkolle ku mësohet kriminaliteti e jo një institucion ku shtypet e zhduket ky ves i ligë”. 26 Në vitin 1939 përfundon ndërtimi i Burgut të Burrelit, i cili kishte një kapacitet prej 150 të burgosur. Burgu ishte ndërtuar në periferi të qytetit dhe zinte një sipërfaqe prej 1.3 hektarë. Në konstruksion ishin parashikuar pak a shumë të gjithë kërkesat që duhet të përmbushen në lidhje me sigurine dhe trajtimin e të dënuarve. Për kurimin e të dënuarve të sëmurë u ngrit një spital në Tiranë, i cili do të shërbente edhe për observimin e të dënuarve që dërgoheshin nga gjykata. Në Voskopojë dhe në Porto Palermo ndodheshin dy qendra kurative për të dënuarit e sëmurë.
BURGJET SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË II BOTËRORE
Si njohës perfekt i Të Drejtës penale, Dr.Femi Sufaj pohon se Dispozitat ligjore penale të krijuara në kohën e Republikës dhe të Monarkisë shqiptare mbetën në fuqi edhe gjatë periudhës së pushtimit fashist, me disa ndryshime të vogla në përshtatje të kushteve të reja.
Referuar burimeve të sakta arkivore ai bën të ditur se për drejtimin e sistemit të burgjeve më 17.12.1942 krijohet Drejtoria Qendrore Penitenciare. U krijua kartoteka ku do të mbaheshin të gjithë fashikujt e të dënuarve. Më 27.12.1942 doli dekreti i Mëkëmbësisë së Përgjithshme që bën një modifikim të rregullores së vitit 1933 për trajtimin e të dënuarve. Kompetencat e këshillit vrojtues do të pakësoheshin. Ruajtja e të dënuarve do të bëhej nga repartet e milicisë.
Referuar të dhënave arkivore, Dr.Sufaj pohon se Drejtoria Qendrore Penitenciare në vitin 1943 kishte në administrim të gjitha burgjet shqiptare që ishin brenda dhe jashtë kufive të caktuar më 1913. Burgjet kryesore shqiptare, sipas një raporti të kësaj drejtorie ishin: Tirana 2, Vlora 1, Peja 1, Durrës 1, Gjirokastra 1, Prishtina 1, Shkodra 1, Korça 1, Prizëreni 1, Elbasani 1, Burreli 1, Tetova 1, Peshkopia 1, Berati 1, Dibra 1 dhe Kukësi 1.
“Gjatë luftës çlirimtare antifashiste, krahas dispozitave ligjore penale të strukturave shtetërore dhe të pushtuesve kemi disa akte që janë nxjerrë nga strukturat e lëvizjes antifashiste. Rezoluta e Konferencës së Pezës në detyrat e këshillave çlirimtare përfshinte edhe luftën kundër kriminalitetit dhe mbajtjen e qetësisë në zonat e çliruara. Në Rregulloren e Këshillave Nacionalçlirimtare të vitit 1943, 22 në vendime të ndryshme dhe urdhëra të Shtabit të Përgjithshëm janë parashikuar dënime të ashpëra për prishje të rendit dhe thyerje të rregullave të luftës”, shkruan dr.Sufaj. Ai sjell fakte për dënimet që janë dhënë nga strukturat e lëvizjes antifashiste të cilat kanë qenë të rrepta dhe kryesisht dënime me vdekje.
Në burgjet dhe kampet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe kanë qenë 8117 persona.
Ndërkohë, në burgjet dhe kampet e Italisë ishin 5297 shqiptarë; në Gjermani (në 20 kampe përqëndrimi) 2581 shqiptarë; në Austri (Mathauzen) 440 shqiptarë; në Poloni (Austvic) 39 shqiptarë; në burgjet e Greqisë 500 shqiptarë; në burgjet e e Jugosllavisë 295 shqiptarë, në burgun e Prishtinës 629 shqiptarë dhe në Maqedoni (Bitol) 144 shqiptarë. Nga 18042 të burgosur dhe të internuar gjithsej, 879 vetë u ekzekutuan me mënyra të ndryshme.
AMNISTITË
“Në harkun kohor 1912-1944 janë bërë disa amnisti, të cilat lidhen me ngjarje të rëndësishme dhe ndryshime të situatës politike. Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i Naltë me 01.11.1921 aprovoi amnisti për të gjitha krimet e kryera gjatë pushtimit turk dhe grek. Kjo amnisti motivohej nga fakti, se ishte prishur dokumentacioni i procedimit penal gjatë luftës dhe drejtësia e kishte të vështirë të siguronte provat e nevojshme. Amnistia e dytë e madhe u bë me rastin e shpalljes së Republikës shqiptare, e cila falte të gjitha krimet ordinere dhe krimet për çështje nderi që ishin kryer deri më 21.01.1925. Më 19.09.1928 u bë një amnisti tjetër e madhe me rastin e shpalljes së Monarkisë. Me vendosjen në vend të trupave të pushtimit më 1939 dhe në shtator 1943 përfituan lirinë një pjesë e të dënuarve ordinerë dhe politikë, në sajë të amnistive politike që u dhanë nga pushtuesit. Nuk jemi në gjendje të japim të dhëna të sakta në lidhje me numrin e personave që kanë fituar lirinë në saj të faljeve apo amnistive, për mungesë të dhënash si dhe për faktin se amnistitë dhe faljet ishin praktika të zakonshme që përsëriteshin vazhdimisht. Këtë e nënvizon dhe studiuesi i historisë së Shqipërisë B.Fischer, sipas të cilit, ashtu si në të kaluarën, të paktë ishin ata të dënuar që dënoheshin me 101 vjet burgim dhe që bënin më shumë se disa vjet burg”,-shkruan Dr.Femi Sufaj.
Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist (1945-1990)
Në kapitullin “NGRITJA E SISTEMIT TË DREJTËSISË PENALE GJATË VITEVE 1945-1952 autori evidenton dhe kumton katër periudha kohore: Instalimin e shtetit komunist; Ngritjen e Institucioneve të sistemit të drejtësisë penalee; organizimin e Gjyqeve politike specialë si dhe në krijmin e bazës ligjore të sistemit të drejtësisë . Tronditës fakti që sjell autori se “Në ligjin e datës 15.12.1944 mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit popullor parashikoheshin dënime deri në 30 vjet burg, dënim të përjetshëm dhe me vdekje. Përveç arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve, u bë edhe sekuestrimi i pasurisë së të gjithë personave që shpalleshin kriminel lufte. Numri i personave të kësaj kategorie të dokumentuar arrin deri në 2048 persona, të cilët i përkasin periudhës brenda vitit 1945.
Autori sjell gjithashtu një Statistikë mbi kapacitetin e burgjeve më 1 janar 1951 shifrat e së cilës janë vërtetë tronditëse. Kështu në burgin e Tiranës ndodheshin 902 të burgosur politikë, ose 615 mbi kapacitetin e tij; në burgun e Elbasanit 216 të burgosur politikë (53 mbi kapacitetin e tij) dhe në burgun e Korcës 353 të burgosur politikë ose 132 mbi kapacitetin e tij.
Ndërsa në kapitillin e dytë: “SISTEMI I DREJTËSISË GJATË PERIUDHËS 1952-1966”, Dr.dmi Sufaj përqëndrohet tek Forcimi i luftës së klasave; Intensifikimi i përpjekjeve për rrëzimin e regjimit komunist (1949-1953), Dënimet politike pas Konferencës së Tiranës (1956) si dhe tek Forcimi i karakterit represiv te burgjeve dhe kampeve.
Më tej, në kreun e III-të “POLITIZIMI I ORGANEVE TË DREJTËSISË” autori, duke iu referuar zhvillimeve politike të harkut kohor 1966-1976 jep fakte dhe komente për ashpersimin e situates politike te vendit, eleminimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore, ndërkohë që iu kushton vëmendje të vecantë gjyqeve kundër fesë dhe shkaterrimi i struktures se besimit, si dhe Internimeve dhe dëbimeve.
Për lexuesin, të një rëndësie të vecantë janë artikujt e kapitullit të katërt “ZHVILLIMET NË SISTEMIN E DREJTËSISË NËN NDIKIMIN E KUSHTETUTËS SË VITIT 1976, ku autori me kompetencë profesionale konsideron Kushtetutën e vitit 1976 si dëshmi të shkaterrimit te shtetit ligjor; Kodin Penal të vitit 1977 si- instrument i luftës se klasave, ndërkohë që trajton me fakte dhe argumente krizën e sistemit të drejtësisë në vitet 1970-1980.
Disa fakte rrëqethëse
- Me 3 korrik 1946 Gjykata e Lartë Ushtarake dënoi me vdekje me pushkatim përfaqësuesit dhe drejtuesit kryesor të organizatës Bashkimi Demokrat. U arrestuan 37 shtetas dhe u d ë nuan me vdekje 9, të tjerët me dënime të rënda.
- Në shtator të vitit 1947 u zhvillua gjyqi i deputetëve i cili dënoi me vdekje varje në litar tre intelektualë: Shefqet Beja, Riza Alizoti, dhe Sulo Klosi. U dënuan me pushkatim 13 intelektualë .
- Shqipëria gjatë 45 viteve pas çlirimit nga nazistët, përjetoi një prej prej diktaturave komuniste më të egëra në Europe. Gjatë kësaj periudhe u ekzekutuan për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Janë dënuar me burg, ose dërguar në kampet e punës së detyruar 19250 persona dhe kaluan në kampet e internimit 48217 burra dhe 10792 gra.
REFERENCA PËR RISHKRIMIN E HISTORISË
Libri i Dr.Femi Sufaj “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist” (1945-1990) duhet konsideruar nga Komisioni i krijuar nga Akademia e Shkencave për rishkrimin e historisë. Kjo për faktin se në të ka fakte dhe dokumenta arkivore që dëshmojnë për një nga aspektet më të errëta të historisë sonë kombëtare.
Në harkun kohor të dy dekadave të fundit Dr.Femi Sufaj ka shkruar dhe botuar monografi: “Historia e burgjeve te Shqiperise gjate sh.xx” botuar viti 2000, dhe Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist (1945-1990). Përvoja e gjatë në strukturat drejtuese të DPB për gati 30 vite dhe si lektor në UT, fakulteti shkencave sociale për shume vite është reflektuar edhe në disa artikuj dhe manuale trajnimi profesional.
Në kuadrin e rishikimt të historisë së sotme të Shqipërisë dhe veçanërisht të periudhës komuniste, në këto dy monografi ai hedh dritë në një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë së vendit tone. Informacioni dhe të dhënat që ofrohen nga kjo vepër me vlera të rralla shkencore, janë burim për analiza të mëtejshme të studjuesve dhe kërkuesve të rinj të cilët do të kontribojnë për pasqyrimin sa më të plotë të aspekteve te dënimeve penale gjatë diktaturës komuniste. Brezat të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë dhe ata që do të vinë, do të kuptojnë më mirë rolin e diktaturave në manipulimin dhe përdorimin e qenjes njerzore në shërbim të një interesi, i quajtur i përgjithshëm, por në fakt ishte i një kaste sunduese te përhershme.