Gazeta Nacional Albania

 CORONAVIRUSI DHE “STANI I BOBOS…” Satirë nga Kozma GJINI

 

…Ajo lidhi shaminë e bardhë në kokë, mblodhi flokët e shpupurisura si të mblidhte ikjen e trurit dhe më tundi e më shkundi me tërë fuqinë e krahut, duke tërhequr batanijen, gati të më rrëzonte nga krevati.

-Çfarë djallin ke, moj grua? dhe u ktheva në anën tjetër.-Harrove që sot është e diel?

Gruaja vinte vërdallë, sa te bufeja, sa te libraria.Mbante një lapës në vesh si manjakët duhanpirës si dhe një bllok në dorë.Por diçka kërkonte dhe bënte gërr-vërr.

-Ku e ke atë? Ku e ke atë?-thërriste si e çoroditur nëpër dhomë.

-Çfarë atë… atë?-iu përvesha i përgjumur.

-Atë, more, atëëë…! dhe hap, e mbyll sa i bëri copa sirtarët.-Lapsin more, lapsin, se ma more mendjen.

-Në vesh e ke, moj grua. Merri shtruar gjërat, se nuk plasi lufta!

-Hëëë…të keqen e luftës.Atë kohë… e dija unë se nga vinte armiku…ai de… rreziku angloamerikan … Thoshte komandanti: “Armiku majtas!” Unë ktheja pushkën majtas. Thoshte: “Armiku djathtas!” Unë tytën djathtas. “Armiku prapa!”  Unw shënjestrën prapa.Po këtij çfarë t’i bëjë unë që të vjen ngadalë-ngadalë dhe të futet në krevat.

Brofa në këmbë. Zot na ruaj!Do t’i ketë rënë ndonjë kopuk më qafë gruas, e ka vënë në gjumë me hashash dhe i ka hyrë në krevat… E pyeta me duart te gërmazi dhe i bërtita sa më hante fyti:

-Kush është ai maskara që të qënka futur në krevat dhe unë burrëziu s’ditkam gjë?Fol, kush është?Si e ka emrin? Ajo zgjati paksa buzët si të bënte çiiizzz, sa për një foto.

-Virus Korona e ka emrin.Ëh! surrati jot! Ai po sjell vërdallë një qeveri të tërë, do ta vrasësh koka jote.Atë nuk e di askush se nga cili krah i vjen!  I ula duart i çarmatosur dhe u qetësova disi.

Ajo prap sa  hyr në një derë e dil në tjetrën. Me bllokun në dorë e lapsin në vesh seç llomotiste prej zemërimit:

Një hyn, një del.

Një Spiro, një Vangjel.

Ikën gripi i pulës

Vjen i këndezit.

Pa ikur i derrit

Vjen i kinezit…

-Ha ha haaaa! qesha për ta qetësuar e ta sillja në vete.-Qënke bërë edhe poete!

-Tallu ti, tallu. Do të të lidh pas këmbës së karriges.Mos dil, more vesh! Maskën!Dorezat!

Ajo u rehatua në cepin e divanit dhe  vazhdonte të shkruante e të fliste me zë:

5 kile oriz,10 kile makarona. Jo jo, makarona 15 se s’dihet sa zgjat flama, 5 kile sheqer, 1 thes miell, 1 thes patate, 1 thes me qepë,1 koli  vaj olim, 10 topa letër higjenike, 10 qeska fara liri se na duhen për kapsllëk… –Ja lista!-tha ajo më në fund dhe ma ndeu fletëporosinë në dorë. S’ më mbetej veçse të dilja në treg, por si vajta, erdha.Vura duart në kokë, se çmimet ishin trefishuar.U ktheva në shtëpi. Më priti te pragu:

-Ku i ke ushqimet për karantinën?

-Ishin ngritur çmimet në qiell.Të presim sa të ulen, pastaj…

-Po mbreti tha që të mos lozin tregtarët me çmimet.

-Kush e pyet mbretin, moj grua. Ligjin e tregut e bëjnë bosët.

I hodha sërish një vështrim listës.  Si do t’i mbaja në kurriz?

-Po unë dua një furgon për gjithë këto. Ç’bën kështu, moj grua? Virusi në Kinë, ti më thua vrap në supermarket!

-Ti e di, apo ata lart? Qeveria thotë, ujku, ti thua gjurmët. Ajo qëndroi me duart në mes dhe tha:

-More s’të pyeta, fluturon gjë ai, fluturon?! dhe hapi krahët.

-Kush, moj?

-Gomari!Po ai ore, coronavirusi kinez?

-Ëhëëë…! Ku ta di unë i shkreti, kur nuk e di mjekësia! Ca mjekë nëpër televizora thonë fluturon, ca thonë s’fluturon se ka peshë specifike të madhe.Ca thonë, ngjitet me spërkla, ca thonë me zvarritje. Ca thonë vini maskë, ca thonë s’është nevoja për maska…Kujt t’i besojmë? I dhashë karar detyrës së gruas, se, pasi të kthesha nga “Stani i Bobos” do të merresha me furnizimet. Hodha sytë te ora në mur.

Vura kollaren, futa listën e  ushqimeve në xhep dhe dola në rrugë të prisja ekipin e  studiuesve të Instituti i “Leksikoqejfllisw” që nga Tirana, pasi kishim marrë detyrën: të gjenim etimologjinë e fshatit “Stani i Bobos”.

Stani i Bobos ishte një fshat në fundbishtin e Shpiragut, as ku takohen e as ku ndahen Osumi me Devollin.Ishte, po nuk është më…

E kishte shuar kolera e atij viti të mbrapshtë, në kohën e Luftës së Parë Botërore.Gjithsesi, ai territor, thirret me emrin “Stani i Bobos”. Fshati kishte pasur rreth 200 banorë. Megjithëse i kishte vënë përpara kolera, si bariu pulat e detit, njerëzit nuk besonin se do të binin një nga një, si fiqtë rrekëz.Edhe pse mbreti kishte dhënë urdhër për mbylljen e lokaleve, të shkollave, të klubeve, të kimemave e diskove, njerëzit e mbanin kokën lart. Secili thoshte:  “Mua s’ më kap!”.’ Kështu: “S’mw kap mua njwri, s’mw kap mua tjetri” dhe njerëzit këputeshin çdo ditë si mbupat e fikut. Duke parë se populli nuk po i trembej kolerës, mbreti kishte çuar policinë që t’i mbyllte me forcë nëpër shtëpitë, por kur u kujtua ai, ëhëëë, e kishte marrë ferra uratën…se kolera ishte ulur këmbëkryq në oborrin e tij. Kështu, ai fshat u shua.

Detyra jonë si studiues ishte të gjenim se nga e kishte origjinën ky fshat? Pasi brodhëm pilë më pilë gërxheve e monopateve, u mblodhëm në darkë tek klubi që të bënin konkluzionet… me ndonjë teke e qofte përpara… Por, kishim ngecur si peshku në rrjetë, për origjinën e fjalëformimit “Stani i Bobos”. Tre veta ishim, tre hipoteza kishim mbi prejardhjen e  fshatit. Unë mbroja teorinë se në fshat duhej të kishte qënë një burrë me mbiemrin “Bobozar”, por, meqë tashmë, ai ka ikur në atë botë,  për keqardhje, e kanë zbutur dhe kanë lënë vetëm “Bobo”,  duke ia hequr prapashtesën “zar”. Studiuesi i dytë, sipas gojëdhënave, mbronte tezën se burri i parë i fshatit duhet ta kishte pasur origjinën nga Boboshtica. Kurse studiuesja, ishte zhytur thellë në etimologjinë e fjalës “Bobo” duke i parangjitur e pasngjitur fjalës mballoma të tjera që në të vërtetë përbënin një qasje të besueshme, por jo bindëse. E vërteta ishte se tani, “Stani i Bobos” nuk kishte as njerëz,  as dele, as qen e as  mace. Gjithsesi, nuk mund të ktheheshim në institut me tre hipoteza: Bobo! Bobozar! Boboshtar!Ndërkohë, në oborrin e klubit u dëgjua e lehura e një qeni dhe e qara e një fëmije që e kishte kafshuar qeni:

-O bobo-ooo! O lele-eee! Më hëngri qeni, moj nëneee! O bobo-ooo! O lele-eee!Studiuesja, në çast, si ta kishte pickuar njeri në prapanicë,  kërceu përpjetë, sikur të kishte shpikur raketën. Bërtiti:

-E gjeta! E gjeta!

-Çfarë gjete, moj, gjeç belanë?

Gruaja nuk përmbahej nga gëzimi. Dhe nisi arsyetimin, duke e marrë shkas nga e qara e fëmijës, tamam si Njutonit që, kur i ra molla në kokë, zbuloi ligjin e gravitacionit universal. Ajo u krekos:

-A ka patur këtu një fshat?

-Po, ka patur!- pohuam me një gojë ne.

-Dhe fshatin, a e shoi kolera?

-Po, e shoi.

-Tani, a këndon qyqja në fshat?

-Po, qyqja këndon.

Pra, njeriu i fundit që ka mbetur gjallë në fshat, ka ikur me vrap që këtu dhe ka vënë kujën duke psherëtirë: “O bobo-ooo! ç’ na gjeti!”. Më rezulton, se çudia e tij, e shprehur  me pasthirrmë “o bobo-ooo!”, me kalimin e kohës, ka pësuar bjerrjet gjuhësore. O-ja e parë dhe ooo-t e fundit kanë rënë dhe ka mbetur vetëm rrënja e fjalës  “Bobo”. Kjo është origjina e fjalës “Bobo”. Urra! Urra! Urra! –u dëgjua tri herë aprovimi i grupit. Më në fund, u zbulua dhe origjina e “Stanit të Bobos”.

Në kulmin e gëzimit tonë, në derë trokiti me grusht qoftexhiu me ngjyrë i fshatit:

-Moj putanë?-iu drejtua ai studiueses që ndonjehërë fliste italisht. -Ti, mos ke ardhur këtu që të na ngjitësh mender…atë..virusin me korona? Kësaj, ne vendasit, i themi: “fshati digjet, kurva krihet”. Ju na i paskeni sjellë ata viruset që janë ftohur në tajaret e i zuri kolla tërë fshatarët tanë.

-Ec, more xhaxha, hape xhadenë, se boll ke jetuar ti! Juve pleqtë do t’u vërë përpara virusi, se kinse për ju e hodhi kinezi(!) Qoftexhiut plak iu ngritën nervat:

-Hë më lërofsh nënën! dhe rroku cfurkun e barit duke e vërtitur në ajër siç tundte shpatën Skënderbeu në ikje të turqve: -Pëëëërrrrr! Pëëërrrr! Më marshi të keqen!

Ne u larguan nga sytë këmbët duke lënë pas melodinë  e  njohur të zonës…kurse plaku mori dajren, u ngjit në ballkonin e katit të shtatë dhe e ngriti në kupë të qiellit zërin: S’kemi frikë nga bora /S’kemi frikë nga shiu ?Jemi rracë e fortë /Rracë ari….!