Gazeta Nacional Albania

Deklarata e Ramës për heqjen e kufirit me Kosovën, Serbia i kundërpërgjigjet me notë proteste

 

Serbia i ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Beograd lidhur me “deklaratat gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës”.

Mësohet se Ministria e Jashtme serbe ka ftuar sot ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçkën.

 

Deklaratat që nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe paraqesin arsye për shqetësim, si të Serbisë, ashtu edhe shteteve të tjera të rajonit, të vendosura për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Gjatë fjalës së tij në atë mbledhje, kryeministri Edi Rama do të shprehej se synimi është heqja e kufijve në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij, kjo do të arrihet përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve, njëra ndër të cilat është edhe puna e përbashkët mes Ministrive të Brendshme të dy vendeve.

Nota e protestës që Serbia i dërgon Tiranës pason një të ngjashme që iu dorëzua pak ditë më parë ambasadorit serb në Tiranë, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, lidhur me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive: asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës.