Deklaratë solidariteti e Klubit të Krijuesve Jonianë – Sarandë
KUNDËR PËRJASHTIMIT TË POEZISË, TREGIMIT DHE LETËRSISË PËR FËMIJË NGA VLERËSIMET KOMBËTARE TË QENDRËS KOMBËTARE TË LIBRIT DHE LEXIMIT
Klubi i Krijuesve Jonianë i Sarandës shpreh solidaritetin e plotë dhe të pakushtëzuar me Peticionin e komunitetit të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë si dhe me protestën e tyre kundër vendimeve të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, që cenojnë rëndë parimet e barazisë, ligjshmërisë dhe përfaqësimit të drejtë të letërsisë shqipe. Përjashtimi i poezisë, tregimit dhe letërsisë për fëmijë nga lista e çmimeve vjetore kombëtare, si dhe mënyra e dhënies së titullit “Poet Laureat”, përbëjnë një akt arbitrar dhe diskriminues ndaj zhanreve themelore të krijimtarisë letrare shqiptare, duke dëmtuar seriozisht ekuilibrin estetik, traditën letrare dhe misionin publik të institucioneve kulturore shtetërore. Klubi i Krijuesve Jonianë vlerëson se këto praktika bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin në fuqi dhe me detyrimin e shtetit për të mbrojtur, zhvilluar dhe promovuar kulturën kombëtare në të gjithë larminë e saj zhanrore dhe krijuese. Klubi i Krijuesve Jonianë të Sarandës riafirmon angazhimin e tij në mbrojtje të dinjitetit të shkrimtarit shqiptar, autonomisë profesionale të krijuesve dhe interesit publik kulturor, duke qëndruar përkrah çdo nisme që synon drejtësi, transparencë dhe respekt për letërsinë shqipe.
Për Klubin e Krijuesve Jonianë – Sarandë
Kryetari Hekuran Halili poet dhe shkrimtar
Sarandë, 22. 01. 2026

