Vrasja e pjesëtarit të policisë së Kosovës në veri, nxiti reagime në shkalë të gjerë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila ndodhet në Nju Jork, tha se i ka ndërprerë të gjitha takimet dhe do të niset për në Kosovë. “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”.
Ajo tha se sulmet e organizuara kundër forcave të rendit janë sulme kundër sovranitetit të Kosovës.
“Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidentes Osmani.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier në reagimin e tij përmes një komunikate tha se Shtetet e Bashkuara i dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj policisë së Kosovës.
“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier.
Ambasadori amerikan tha se policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. “Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reaguesi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë bashkërendimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe KFOR-it”, shkroi ai.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dënoi siç tha: “me fjalët më të ashpra të mundshme sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës”.
Në një komunikatë ai tha se, “të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik nga armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”.
Zoti Borrell tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. “BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca e dënoi ashpër, siç u shpreh ai, sulmin terrorist të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
“Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit tone”, tha zoti Konjufca duke i kërkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kunër Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh i tronditur nga lajmi për vrasjen e policit duke e cilësuar atë, sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës.
“Sot, në këtë moment të dhimbjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë”, shkroi ai duke bërë thirrje që partnerët ndërkombëtarë të Kosovës të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës dhe vrasja e një polici në detyrë, janë sulme ndaj Republikës së Kosovës dhe vet rendit Kushtetues.
“Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë e vet sovranitetit. Institucionet e rendit e drejtësisë të sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë”, shkroi ai duke nënvizuar se në këto momente të vështira, Kosovës i duhen miq e aleatë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe qëndrueshmërinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
“Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, shkroi ai.
Shqipëria dënon vrasjen
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, dënoi me forcë vrasjen duke theksuar se, “ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Në një postim në rrjetet sociale Presidenti Begaj i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, “të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Duke i shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, presidenti Begaj tha se “në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, shkroi ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se “tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.
Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Rama shkroi se “komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”.
Duke e dënuar sulmin me armë ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës, ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani tha se “akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”.
Vrasja e pjesëtarit të policisë ndodhi në një periudhë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë të cilat dështuan javën e kaluar të shënojnë ndonjë përparim në procesin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Marre nga Zeri i Amerikes