Site icon Gazeta Nacional Albania

Departamenti Amerikan i Shtetit: Ja pse u dekretua gjenerali Eric Wendt si ambasador në Shqipëri

 

 

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin për Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ku shpjegohen arsyet e nominimit të Eric Wendt si ambasador në Shqipëri.

Sipas dokumentit, Wendt, gjeneral-lejtnant në pension, vlerësohet si një kandidat me përvojë të gjerë në drejtimin e strukturave komplekse ushtarake dhe ndërinstitucionale, si dhe me njohje të drejtpërdrejtë të rajonit evropian dhe Shqipërisë.

Ai aktualisht shërben si profesor në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey, ku jep mësim për komandë dhe lidership, ndërsa gjatë karrierës së tij ushtarake mbi 34-vjeçare ka mbajtur një sërë rolesh të larta drejtuese.

Një nga elementët kryesorë që theksohet në raport është roli i tij në NATO, ku si komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale ka drejtuar të gjitha forcat speciale të Aleancës, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me drejtues dhe trupa në Shqipëri.

Gjithashtu, Wendt ka shërbyer në Afganistan si zëvendës komandant rajonal, duke mbikëqyrur operacione që përfshinin edhe trupa shqiptare, si dhe ka pasur një rol të rëndësishëm pranë DASH-it, ku për dy vite ka qenë pjesë e Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe ka drejtuar një koalicion prej tetë vendesh si koordinator i sigurisë mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.

Raporti nënvizon se aftësia e tij për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe eksperienca në operacione ndërkombëtare dhe diplomaci sigurie, e bëjnë atë të përshtatshëm për postin në Tiranë.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey, ndërsa zotëron gjuhët arabe dhe koreane.

Ai është gjithashtu përfitues i një sërë dekoratash të larta, përfshirë Medaljen për Shërbim të Dalluar në Mbrojtje dhe çmime të tjera të rëndësishme nga institucionet amerikane.

Sipas DASH-it, kombinimi i përvojës ushtarake, ekspertizës rajonale dhe aftësive drejtuese e pozicionon Wendt si një kandidat të fortë për të përfaqësuar interesat amerikane në Shqipëri.

 

Exit mobile version