Gazeta Nacional Albania

“DHORA LEKA KOMPOZITORJA E PARË”, VEPËR DINJITOZE E AKADEMIK VASO S.TOLE. Nga Halil RAMA- Mjeshtër i Madh

100 VJETORI I LINDJES

Njëqint vjet më parë, (më 23 shkurt 1925) lindi në Korçë kompozitorja e parë shqiptare Dhora Leka. Në këtë kuadër, në mjediset e Muzeut të Forcave të Armatosura u promovua libri i Prof. dr. Vaso S.Tole (akademik) “Dhora Leka, kompozitorja e parë”, botuar nga Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, si si pjesë e veprimtarive të 80 vjetorit të çlirimit të atdheut.
Në këtë event mbresëlënës qindra pjesëmarrësit i përshëndeti Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili vlerësoi këtë vepër dinjitoze të akademik Vaso S. Tole, në të cilën jepen detaje njerëzore dhe profesionale të kompozitores së parë shqiptare Dhora Leka, autore në vitet ‘’40 e këngëve të njohura partizane “Ato maja rripa-rripa, seç gjëmojnë”, “Rini-rini” etj, por që me gjithë meritat provoi barrën e rëndë të dënimit me 25 vjet burg dhe vetëm në vitin 1992 do t’i jepej titulli “Artiste e Popullit”.
Vlerat e kësaj vepre i evidentoi më së miri profesore Zana Shuteriqi.
Vetë autori, akademik Tole – Nënkryetar i Akademisë së Shkencave të RSH, përtej falenderimeve më të ngrohta për Ministrin Pirro Vengu dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për familjen Leka, që i vuri në dispozicion materialet autentike të jetës dhe veprës së znj. Dhora etj, shprehu mirënjohje të thellë për qendrimet vlerësuese për librin të bëra nga dy personalitete të muzikës sonë, profesore Zana Shuteriqi dhe dirigjenti dhe muzikologu i shquar Eno Koco “Nderi i Kombit”.

KOMPOZITORJA E PARË NË HAPËSIRËN MBARËSHQIPTARE

Akademik Vaso Tole, pasi përshënëdeti dhe falenderoi pjesëmarrësit, në fjalën e tij u ndal në disa të vërteta që lidhen me Dhora Lekën dhe krijimtarinë e saj. Së pari ai evidentoi faktin që Dhora Leka është kompozitorja e parë në hapësirën mbarëshqiptare, e në një lloj kuptimi kompozitore që e bëri historia. “Në mënyrë të veçantë, këngët e krijuara prej saj, gjatë viteve të pushtimit fashist e nazist, konsiderohen si një kulminacion i krijimtarisë së saj e po ashtu etapa e fundit e repertorit muzikor patriotik shqiptar, ku përfshihen këngët për liri dhe pavarësi (1878 – 1912), ato të luftërave çlirimtare si të Vlorës më 1920-n dhe, më së fundi, këngët e Luftës Antifashiste (1939 – 1944)”, tha prof. Tole. Parë nga ky këndvështrim ai pohoi se koha i dha të drejtë shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli kur shprehej për Dhora Lekën se: “… sa herë të bëhet përvjetori i Luftës Nacionalçlirimtare, sa herë të bëhen përvjetorë të tjerë të heronjve, të pjesëmarrësve të luftës, gjithmonë do të këndojnë këngët e Dhorës”. Kjo pasi, lëngët e kësaj periudhe, çmohen dhe janë tashmë një nga format unikale të trashëgimisë sonë artistike, bartëse të këtij shpirti të lirë shqiptar, të denja për të qenë në fondin më të mirë të kësaj muzike në nivel ndërkombëtar.

E PARA KOMPOZITORE E PERSEKUTUAR GJATË KOMUNIZMIT
NË TË GJITHË EUROPËN LINDORE

Në librin e akademik V. S. Tole evidentohet fakti se Dhora Leka nuk është vetëm kompozitorja e parë në hapësirën mbarëshqiptare, por është edhe e para kompozitore e persekutuar gjatë komunizmit në të gjitha vendet e Europës Lindore. “Nuk ka një rast të dytë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën ish – komuniste që të gjesh kompozitore të persekutuar. E kundërta ka ndodhur, që krijuese ose studiuese të muzikës kanë qenë të shkrira me sistemin ideologjik”, tha prof. Tole. Ai solli në vëmendjen e pjesëmarrësve në këtë veprimtari promovuese kolege të Dhora Lekës, si polaken Zofia Lissa (1908-1980), e cila ishte autorja e atyre që njihen si gjashtë konkluzionet praktike që lidhnin muzikën me teorinë marksiste. Më konkretisht ai bëri të ditur këto konkluzione që konsistojnë në faktin që: Muzika vokale dhe programatike ishte më e rëndësishme se muzika instrumentale, që Muzika të trajtojë tema të përshtatshme me epokën e saj; Ajo duhet të jetë melodike; Tonale; E lidhur me temat popullore, si dhe e lidhur me traditat e mëdha muzikore kombëtare dhe evropiane, pa rënë në regresin e stilit të shekullit XIX.
Nëse kompozitorja ruse Aleksanda Pakhmutova, shoqe e saj e konservatorit CAJKOVSKI u shpall deri në Heroinë e Punës Socialiste në ish Bashkimin Sovjetik për krijimtarinë e saj, akademik Tole tha se te Dhora Leka, persekutimi la gjurmë të thellë në jetën e saj, pasi jo vetëm e shkëputi nga krijimtaria por edhe i nëpërkëmbi personalitetin. Për të qenëe sa më bindës, prof. Tole perifrazoi vetë të Madhen Dhora Leka se: “… të gjithë më trajtonin si armik, kish raste që më kanë përplasur dhe derën në fytyrë, të atillë që më kanë shtrënguar fort dorën, të atillë që më kanë thënë je e marrë, krijimtaria jote nuk na duhet ti je armike”. Në anak,izëzn e tij prof. Toles,konkludon se ishte koha kur sipas Leonid Hellerit, “krijuesit duhet të udhëhiqeshin nga tri konceptet bazë të lidhura me realizmin socialist: nga angazhimi ideologjik ose ideinost, fryma kombëtare ose narodnost, dhe koncepti i partisë ose partiinost (party-ness), përmes të cilës vepra e artit të mbështeste në mënyrë agresive partinë dhe të ndihmonte në ngritjen e socializmit”.

KOMPOZITORJA QË SHKROI DY OPERA,
NJËRËN GJATË PERSEKUCIONIT DHE TJETRËN NË LIRI PAS VITEVE ‘’90

Nga libri i akademik Vaso S. Tole që bart vlera shumëdimensionale, veç të tjerësh mësojmë se Dhora Leka, përveçse kompozitorja e parë në hapësirën mbarëshqiptare, kompozitorja e parë e persektuar, është edhe e para kompozitore që ka shkruar dy opera, njërën gjatë persekucionit dhe tjetrën në liri, pas viteve 1990. Për fat të mirë, të dy këto vepra që lidhen me kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare janë vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit duke plotësuar edhe dëshirat e saj. Dhora ishte shumë e lidhur me to, biles ajo u nda nga jeta më 29 dhjetor 2007, pak muaj pas premieres së operas së dytë “Një jetë në stuhi”!
Si mik i zonjës Dhora dhe si autor i librit, prof. Tole ndjehet i nderuar që e dokumentoi jetën dhe veprën e saj artistike, si një dëshmi për të gjithë ata që duan të njihen me figurën e saj. Kjo për faktin se “Dhora Leka do të mbetet në muzikën e gjysmës së parë të shek. XX si kompozitorja më e njohur e këngëve patriotike, që me fuqinë e artit të saj do të pohonte vlerat që mbart lufta e drejtë e një populli për liri dhe dinjitet”. Për këtë arsye, në 100-vjetorin e lindjes së kompozitores dhe 80-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, akademik Vaso S.Tole i përcjell ato përmes këtij botimi në nderim dhe vlerësim të kësaj trashëgimie muzikore unikale.