Formësimi i karaktereve në veprën e Luixhi Pirandelos në përmbledhjen me tregime dhe novela “Jeta Lakuriq”.
Nobelist në vitin 1934 Luixhi Pirandelo guxoi të rinovojë shkrimin letrar duke u bërë një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë botërore
Autori i 225 novelave dhe tregimeve, i gjashtë romaneve dhe suksesit më të madh në dramaturgji Luixhi Pirandelo është një zë unik në letërsinë italiane dhe botërore. Pirandelo është një nga fuqitë autoriale më të diskutuara para dhe pas vdekjes, shkrimtar me individualitet të theksuar gjë të cilë n e ka përcejllë edhe tek personazhet e tij duke sjellë karaktere unike. Pirandelo mbetet një krijues kontradiktor plot dritëhije shpirtërore të karaktereve që solli, ashtu si koha kur ai jetoi.
Tek tregimet dhe novelat e Piarndelos vendin kryesor e zë njeriu që e sheh botën në këndshikimin e tij unik, krejt ndryshe nga tjetri në një realitet që është njëkohësisht i rremë dhe i vërtetë, e Pirandelo këtë ia lë personazhit të vet ta zgjedhë. Pirandelo ka aftësinë që në morinë e popullatës njerëzore ai nuk zgjedh por i merr ata me rradhë që nga fshatarët e varfër deri tek banorët e thjeshtë sepse edhe vetë paraqitja e karakterit në përditshmëri është e sa e natyrshme aq e zakonshme. E në mes tipave fshatarë ai ravijëzon sa ato energjikë, të rrëmbyer si Don Loloja tek “Qypi” aq edhe plaku Siroli tek “Bjeri shatit” një burrë i matur, i trishtuar , i zymtë. Tabloja e vetë realitetit njerëzor vjen e plotë me dy anët e tij të domosdoshme si në paraqitjen e veprimeve, në ravijëzimin e natyrës së tyre, ashtu edhe në kundërvëniet apo zgjidhjet e situatave që i bëjnë vështirësive të jetës njerëzit personazhe të paraqitura nga Pirandelo. Don Loloja duket një karakter dashamirës për Pirandelon, saqë tek ai vë një pjesë të vetes. Ai është energjia njerëzore që e jeton vrullshëm realitetin e tij me të gjitha përpjekjet që mund të shfrytëzojë njeriu, që nga mundësitë ligjore e deri tek të pamundurat njerëzore. Një tip grinjar, i xhindosur gjithë kohën pasi kërkon maksimumin sipas realizimeve të tij, nuk nguron të zihet me të gjithë por asnjëherë nuk e heq kapelen e tij të bardhë si shenjë e një njeriu këmbëngulës dhe aktiv. Ai bën marrëveshje, mashtron dhe mashtrohet, pranon cdo lloj zgjidhje për arritjen e qëllimit. E kundërta e tij vjen plaku Siriol, një burrë i moshuar por edhe ky i fuqishëm, ai nuk bën kompromis me asgjë përballë mëkatit fetar dhe njerëzor. Nuk pranon asnjë manipulim apo mashtrim, karakteri i tij burrëror, parimet e tij që gjithcka e kishte ndërtuar drejt dhe me djersë nuk pranojnë asnjë zgjidhje tjetër. Ai ishte një fshatar por që gjithmonë kishte punuar në gjysmëtari tek pronarët e mëdhenj me nder për të rritur fëmijë të devotshëm, me parime të cilat nuk i fal as kur djali i tij i veshur prift i shkeli. Ndaj ai e konsideron edhe atë një të vdekur të gjallë pas mëkatit të cilin kryeprifti e fali ndërsa ai jo. E ndërsa i pari është një karakter i pranueshëm i dyti është një karakter i domosdoshëm. Në të dy rastet kemi përballë dy karaktere të fortë por që e jetojnë realitetin në mënyra të ndryshme. Prandaj Pirandelo është një vëzhgues i hollë i mënyrës se si personazhet e tij e jetojnë jetën.
Një vecanti e trajtimit të personazheve dhe e zgjidhjes së problemeve të tyre është më realja për Pirandelon, ai ndjek të zakonshmen më shumë se intrigën duke nxjerrë në sipërfaqe thellësinë e shëmtuar ose jo të njeriut. Në tregimin “Dëshmia” arti i Pirandelos shkëlqen në përshkrimin prej shëmtaraqi dhe gjuhën frazeologjike, tipike pirandeljane, të “ndjellakëqit” Kjarkjaro. Kaq mjafton për të zbërthyer atë si karakter dhe si moral. Duke u vetëshëmtuar për të ushtruar “profesionin e ndjellakeqit” Kjakrkjaro renditet ndër karakteret përshkruese më emblematike të Pirandelos. Këtu nuk ka nevojë për dialog dhe rrëfim pasi përshkrimi dhe koncepti japin direkt një thellësi tipologjike njerëzore. Dhe si gjithmonë tisi i humorit pikturon saktë dhe këndshëm edhe këtë karakter. Duke besuar pak tek bota, duke u zhgënjyer gjithmonë nga njerëzit Kjarkjaro gjen zgjidhjen më të pazgjidhshme duke kërkuar dëshmi për shëmtinë e tij për ta ushtruar si profesion. Ky është Pirandelo i paparashikueshëm me Kjarkjaron këmbëngulës dhe penetrues. I jashtëzakonshmëm në zgjedhjen e vazhdimit të rrëfimit me gjetje që nuk do t’I zgjidhte askush.
Pikërisht titulli galopant që përzgjodhi Pirandelo për 225 tregimet dhe novelat e tij “Jeta Lakuriq “ e simbolizon më saktë lakuriqësinë e personazheve të tij të cilët vetëzhvishen vetë para lexuesit. Duket sikur Pirandelo nuk lodhet fare. Kështu ndodh edhe tek novela emblemë me të njejtin titull “Jeta lakuriq”. Të katër personazhet, dy artistë dhe dy zonjat fisnike në fillim të novelës janë të veshur bukur dhe me sqimë, kanë kulturë dhe shije artistike por duke u përpjekur të gjejnë shijen e jetës të katër vetëzhvishen lakuriq duke kuptuar se maska nuk mund të mbahet gjithë jetën. Pikërisht faktori bazë që ata i zhvesh është paraja. Ciro Koli, fatkeq por i talentuar në skulpturë, i pa shkolluar, i braktisur, kryenec, gjithmonë i trishtuar, përtac, të gjitha këto dalin nga goja e mikut të tij Polianit. Ndërsa Polianin Pirandelo e ravijëzon si një pseudo piktor, vetëm me dy vjet universitet, zotni me cullufe të verdha, “kavardisej me vajin e vet” thotë Pirandelo. Mes tyre qëndron Julia, vejusha që porosit një skulpturë te vejanit të vet të pasur të cilën e kërkon të veshur për të mbuluar lakuriqësinë e falsitetit të saj. Ndërkohë që zonja nënë vishej më me sqimë se ajo, më bukur se ajo duke ruajtur fresikë dhe bukurinë nëpërmjet pasurisë që i siguronte martesa e vajzës së saj Julias. Pra Pirandelo lodron në mes të morisë së personazheve të tij ku të gjithë mashtrojnë dhe mashtrohen për të fshehur lakuriqësinë e tyre. Egoizmi, parazitizmi, përtacia, përfitimi formësojnë karakteret e të katër personazheve të cilët në fund e shohin veten lakuriq. Është një akuzë e fortë për shoqërinë meskine të kohës së Pirandelos ndaj ai këtë titull e universalizon në karaktere njerëzore. Vetëmashtrimi është daljë jashtë vetes dhe krijimi i maskës të cilën këto personazhe e shndërrojnë në fytyrë të vërtetë.
Disa personazhe të Pirandelos arrijnë të lirojnë egon e tyre të vërtetë ose te risillen sipas natyrës njerëzore të harruar nga izolimi dhe tërheqja. Ndaj jo rrallë rezultati i fatit njerëzor në tregimet e Pirandelos merr epilog tragjik në fund duke kuptuar vlerën e jetës. Kështu ndodh me novelën “Udhëtimi” ku Adriana Braxhi , 18 vjet e izoluar si vejane, shijon botën në udhëtimin e saj të fundit para vdekjes, aty ajo gjen vërtetësinë e ndjenjave të ndrydhura për 18 vite. Këtu elementet moderniste të Pirandelos paralajmërojnë fuqinë e letërsisë moderne që po zhvillohej e cila po zhvendosej tashmë brenda psikikës së personazhit. Karakteri tashmë ravijëzohej më së shumti nga faktorët e brendshëm, nga ajo sesi vetë këto karaktere po e konceptojnë botën. Por figura e gruas për Pirandelon shikohet si një qënie e brishtë, e shtypur e zymtë dhe mund të themi se këto personazhe femërore janë më afër realitetit të zymtë që kanë veprat e Pirandelos. Modernizmi i Pirandelos do të shpërthejë pikërisht nga tiparet më të forta që po ravijëzoheshin tek personazhet e tij ku shembulli më i mirë vjen në tregimin “Shalli I zi”. Vetmia , tjetërsimi, martesa absurde japin portretin e Eleonor e cila përballë situatave që e vendos jeta ndrydh shpirtin e saj ose nuk gjen forcë dhe përshtatshmëri për ta përballuar absurdin , ndaj kjo pafuqi bëhet shkak i vetëvrasjes. Shohim se Pirandelo sic e pohon edhe vetë bën shëtije në mes të popullatës së tij të personazheve duke hedhur në arenën e lexuesve të gjithë karakteret njerëzore, të dukshme dhe të padukshme. Ndaj ai në marrjen e cmimit Nobel do të shprehej se “Jeta është një cmenduri e pikëllueshme”.
Për të përballuar këtë zymtësi apo cmenduri Pirandelo zgjedh një armë të fuqishme artistike që ia vesh personazheve të tij, humorin, ironinë. Le të citojmë vetëm një etiketim të shkurtër nga tregimi “Shpirtndrituri”, Bartolini Fiorenci, rrumbullak, verdhacuk, kalama i ngjallur, tullac i sajuar,kimist shumë i vlefshëm. Që këtu Pirandelo e ka portretizuar pozicionin qesharak dhe shpërfillës të Lina Sarulit karshi tij. Ironia të con drejt tragjikes së realitetit, mospërputhjes së karaktereve të cilët bashkohen për t’u ndarë. Kaq i duhet Pirandelos për të na dhënë një njeri të vogël, zvarranik përpara të vdekurit të gjallë që rri në një portert madhor në sallonin e Linës. I vdekuri dhe i gjalli konkurojnë njëri-tjetrin për të zënë vend në shpirtin e Linës, por fuqia e parasë vendos gjithcka, Bartolini mbetet vec një plotës ironik me të cilin qeshim, të cilit shoqëria i ka vënë një vend përvuajtës përballë bablokut të vdekur. Këtu na vjen një paralele më Gogolin tek “Frymë të Vdekura”. Të jetosh përmes të vdekurve. Ironia e Pirandelos është e kudo gjendur, ajo jo vetëm shijohet por është bashkëshoqëruese e paralajmërimit të tragjikes.
Dhimbja më e madhe e Pirandelos dhe njëkohësiht akuza më e fortë e tij është ndaj pozicionit të femrës. Por ai mbetet një shkrimtar me shumë sqimë si kur jep femrën si qënie të brishtë edhe në zymtësi po aq i rebelon ato kur reliteti bëhet i papërballueshëm deri në vetëvrsaje si akuzë ndaj tij sesa si zgjidhje. Është gracka ku shpirtin femëror e vendos bota në gjithëkohësi. Tregimi “ Veshja e gjatë” risjell dramën e Didit, një gjashtëmbëdhjetë vjecare e cila nuk dëshiron të rritet kurrë, dhe ky një realitet i trishtë ndaj të cilit Pirandelo është i pamëshirshëm duke na dhënë një shpirt të bukur të parritur ëndrrat e së cilës bëhen pis nga ekzistenca përfituese maskiliste. I ati i siguron udhëtimin vdekjeprurës për ta martuar me markezin 45 vjecar. Ja si kryqëzohen udhëtimet e vdekjes femërore tek Pirandelo, një femër që në udhëtimin e fundit kërkon vdekjen, Didi, dhe një femër që në udhëtimin e fundit gjen dashurinë, Adriana Braxhi. Nuk ka rëndësi mosha ekstreme e të dyjave, rëndësi ka fati i njëjtë. Tashme shpirti femëror nuk është më delikati, por më i fuqishmi për të reaguar ndaj sprovës. A do ta bënte një mashkull? Sipas Pirandelo, vështirë. Karakteri sakrifikues, qëndrestar, sfidues femëror shpërthen edhe tek “Në shenjë”. Është femra ajo që nuk pranon t’i diktojnë pasojat pasi e abuzojnë por si hakmarrje ndaj maskilizmit vetëvritet, kështu ndodhi me Rafaela Ozimo. Kaloi kalvarin e sfidës me baronin Barn, të birin Rikardo, petagogun e mjekësisë, të dashurën e Rikardos ,Orlian dhe si protestë ndaj shpërfytyrimit dhe abuzimit me të ia nguli thikën vetes, e në këtë rast shoqërisë, botës. Pirandelo zbulon një fuqi të frikshme femërore, mbase e vjetër sa antikiteti me Klitemnestrën e më tej me anë të së cilës ai vërteton se sfida e përdhunimit të shpirtit femëror vazhdon. Pirandelo vërteton me dhjetra herë se brenda botës shpirtërore të femrës dhe psikologjisë së saj ka burime reziztence të paparshikueshme, që kalojnë ato mashkullore.
Njerëzit në veprat e Pirandelos janë të mbingarkuar nga maskat të cilët kondensohen brenda vetes në një seri relitetesh psiqike, ndjesish, dëshirash apo fiksimesh. Pirandelo brenda këtij qerthulli ruan një realizëm të tmerrshëm të paraqitjes së jetës së thjeshtë në të cilën vihen në pah thellësi karakteresh ose anë të rëndomta në dukje por të papranueshme nga vetja e vetes. Një koncept i dukshëm është maska që veshin këto personazhe ose maska që përdorin, edhe pa e vënë, njerëzit e kohës së Pirandelos. Më së shumti ai e vë re këtë tek simbolet e pushteti, klerikëve apo nëpunësve të lartë, të cilët zhvishen para jetës së vërtetë. Këtë na e jep deputeti tek “Teveqeli”, Guido Macarini që si cdo figurë gjithëkohore blen pushtetin dhe kërcënon nën maskën e bamirësisë. Po kështu e kemi tek figura e prifit Xhovanit në “Bjeri shatit” , figurë degraduese nën petkun e veladonit. Mario Tuci, anëtari i Këshillit Bashkiak tek “Befasitë e shkencës”, i korruptuar dhe mashtrues me fondet dhe financimet përballë së vërtetës së shkrimtarit. Ndaj Pirandelo është i pamëshirshëm në guximin e tij ironik me pushtetin, por këtu i kushton vëmendje një diagnostikimi të karakterit të tyre thelbi i të cilit është vesi njerëzor që formësohet nën rrobat e postit. E në këtë ves ka një shumësi nuancash shkatërruese për njeriun.
Si përfundim konkludojmë se Luixhi Pirandelo vërtet shëtit me personazhet e tij duke interpretuar një dashuri të pamatë për gjendjen psikologjike, të personazheve, fuqinë e nënvetëdijes së paparshikueshme për shoqerinë universale në cdo kohë, ku iluzionet dhe opsionet e tyre bëhen hi. Ndjesitë, pasioni, bindja, jetueshmëria i bëjnë të vegjël njerëzit kur kuptojnë se në këtë mjedis janë të sigurtë me maskën e tyre. Pirandelo veshi këpucët e qindra personazheve dhe si e kishte zakon në studion e tij shëtiste pasditeve në imagjinatën e tij duke përjetuar dhjetra portrete dhe forma përfaqësimi. Dhe unikalja tek Pirandelo është se ai e shikon veten si fryt të një marrëdhënieje nga kjo imagjinatë.
Dhurata Kasa, kritike letrare.