Gazeta Nacional Albania

DIELLNAJA  POETIKE E POETIT GJAKOVAR  TAHIR BEZHANI. Nga Skënder Bucpapaj, Zvicër

 

“Foljet e prejfoljet, veprimet dhe gjendjet përftohen në këtë libër më shumë se kurrë nëpërmjet një përshkallëzimi tejet dramatik. Ky përshkallëzim, sapo e arrin kulmin, kur fare nuk pritet, bie në fashë, në prehje, në qetësi.“

E vë në krye të këtij shënimi foljen “shungulloj”, e bërë aq e dashur dhe familjare për ne nga një poet aq i dashur si Ndre Mjeda në poezinë aq të dashur dhe të mësuar përmendsh nga çdo shqiptar “Gjuha shqype”: “Përmbi zâ që lshon bylbyli/Gjuha shqype m’shungullon”. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përfshin mjaftueshëm këtë folje dhe njërin nga emrat e ardhur prej saj – shungullimë- , veprimi i të cilave, duke qenë pavetore, sikurse vetëton, bubullon, veson e tjerë, mbetet pa cak të nisjes dhe të mbarimit. Por nuk e jep dot saktë thelbin e kuptimor as tërësinë e kuptimore.

Shungulluese, pra, që, pa u diktuar nga dikush dhe pa iu diktuar dikujt, vërtiten e vërtiten thellësive të shpirtit të poetit dhe që gjëmimet e tyre mbeten brenda  hapësirave të tij, janë më shumë se në të gjithë librat e tjerë poetikë, foljet dhe prefoljet (emrat dhe mbiemrat prejfolojorë) e poetit Tahir Bezhani në librin e tij më të ri “Diellnaja ime”. Pothuajse të gjitha janë metafora dhe pothuajse gjithçka ndodh dhe përftohet në një atmosferë të dendur metaforike. Koha gramatikore e parapëlqyer nga poeti është e tashmja. Jo një e tashmë e vazhdimësisë, jo një e tashme e cila priret drejt së ardhmes, si rëndom në të folurit dhe të shkruarit figurativ, por një e tashmë që shkon gjithnjë e më larg në të shkuarën, që e merr me vete edhe të tashmen e sotme sa më larg në të shkuarën.

Foljet e prejfoljet, veprimet dhe gjendjet përftohen në këtë libër më shumë se kurrë nëpërmjet një përshkallëzimi tejet dramatik. Ky përshkallëzim, sapo e arrin kulmin, kur fare nuk pritet, bie në fashë, në prehje, në qetësi. Ashtu si flladi përshkallëzohet nga gjethja, nga pema tek pema, nga pylli tek pylli derisa trand gjithë natyrën dhe bash kur ai është shndërruar në stuhi të pandalshme gjithçka bie në prehje. Ashtu si sërkala shtyn stërkalën, vala shtyn valën, dallga shtyn dallgën derisa i hakërrohen vetë qiellit dhe, bash kur hakërrimi duket i pandalshëm, gjithçka bie në prehje, në qetësi, deti fashitet sa duket se kurrë nuk ka qenë ai i pakmëparshmi. Një poezi prej 18 vargjesh (“Një foto në këndin e dhomës”) ndodh që të ketë më shumë se 30 folje dhe prejfolje, pra, më shumës e gjysma e fjalëve emërtuese të poezisë. Mbas një kapërthimi gati të papërmbajtshëm kujtimesh, përplasje përjetimesh, vlime ndjenjash që vrullojnë nga vargu në varg, vjen një gjendje të cilën e jep vargu “Ushtima mbetet brenda”, pra poeti nuk i ndan me askënd shungullimat e përjetimeve dhe meditimeve të tij, pastaj vjen vargu “Flladita veten me zjarrminë e zemrës”, pra zjarri shuan zjarrin, flaka qetëson flakën, një formulë kimike të cilën e pranojnë vetëm ligjësitë poetike: “Vetmia struket në shtëpinë e durimit/ Frikësohet e pret, e pret…/ Fjalët pëlcasin të zjarta,/ Piskama merr malin/, Ushtima mbetet brenda/Më bëhet se e dëgjojnë shtatë mëhalla/ Trembem nga vetvetja…”

Me dramacitetin e tyre të skajshëm, këto shungullime të kujtojnë vrullet poetike migjeniane. Më e dukshme se akund kjo bëhet tek poezia “Rrobat e skamnorit”, ku foljet dhe prejfoljet marrin rrokullimën tronditëse, derisa gjejnë prehjen me shuarjen e jetës së skamnorit, ngjashëm me poezinë “Fragment” të Migjenit, e cila ka këtë mbyllje: “si ahmarrës i vjetër/ një fjalë te randë mendonte,/ botës t’ia diktonte/ fytin e gërrdhishte, fjalën për me nxjerrun/ që mnia e kish ndezun e që në gjuhë vdiste./ Por ulun mbet ne kryqzimin e udheve,/ Rrotat e autove shpejt mbi te kaluen/ dhe … e qetsuen.” Së njëjtës logjikë i përmbahet, gati në përpikshmëri, Bezhani në “Sonte dikush do të vdesë…”, ku, pas shtjellash të trazuar të emocioneve, ku titulli i  poezisë është refreni rreth të cilit shtjellohen trazime emocionesh e ndjenjash, shtensionimi poetik vjen pikërisht në përfundim të poezisë, atje ku lexuesi pothuajse nuk e pret dhe ky përfundim është amaneti i gjetur në xhepin e skamnorit:  “Mos qani për vuajtjen e zezë,/ Mos u trishtoni nga pamje e bardhë!….”; “Harresë e djegur në kujtesë”; “Acarin vetëm dashuria e shkrin/ Zjarrin e ngrin ftohtësia”; “Sonte mërdhij nga zhurmë dënesash”; “Piskamat e heshtura shtrydhin palcën/ Kur gacat lahen prrockave të natës”; “Stërpikë të nxehta në fletë të bardhë/ Një ditë e ftohtë në shpirtin tim”; “Dimër veror po i thonë”.

Kjo bën që veprimet të jenë njëkohësisht gjendje dhe gjendjet të jenë njëkohësisht veprime. Kjo bën që të mos ketë kufi të qartë midis veprimeve e gjendjeve, të mos ketë kufi midis kuptimeve dhe antonimeve të tyre, të cilët, në papajtueshmërinë e tyre, krejt natyrshëm pajtohen mes tyre, krejt natyrshëm pasojnë njëra-tjetrën e shndërrohen në njëra tjetrën.  Kjo bën që të mos ketë kufij midis konkretes dhe abstraktes, sepse njëra është tjera dhe anasjelltas. Kjo bën që ndjenjat të jenë mendime dhe mendimet të jenë ndjenja, ashtu që ndjenjat të mendojnë dhe mendimet të ndjejnë. Vrazhdësitë e tejskajshme bashkëjetojnë me hijeshitë e tejshkajshme dhe anasjelltas. Imazhet reale përjetohen rrjeshëm dhe imazhet e rreme përjetohen si reale. Paralelizmat figurativë pohues bashkëjetojnë përkryer me paralelizmat figurativë mohues dhe shndërrohen në njëri tjetrin e shkëmbehen e ndërthuren mes tyre. Metamorfoza të panumërta të kundërtash. Shembull i zbatimit të parimit estetik krijues të pajtimit të koncepteve përjashtuese, ndërsjelltas mohuese ndaj njëra tjetrës është poezia që ka për “Zjarrmi e mërdhirë” dhe si konkluzion poetik “Nuk ka mbarim pa fillim…”. (Kjo poezi është edhe shembull i dendësisë më të madhe foljore e prejfoljore për varg si “Mërdhihet pritjeve të lodhura, /përgjon heshtjen e natës memece,/ Lëngon skutave së mërdhezuri,/ Përgjon heshtjen e natës memece/ si lot, si dënesje, pa pushim,E unë rënkoj, duroj, luftoj m të keqen…”, ku vetëm fjalët skuta, natë, memece, e keqe nuk janë folje ose prejfolje. Këtij parimi i përkasin edhe pranëvënie të tilla midis koncepteve rreptësisht përjashtuese si “Flladita veten me zjarminë e zemrës”; “Në zemër të shkëmbit qetësia hesht”; “Ishte zjarr nate apo hi dite”; “Prapë mbete/ gacë e hi kujtimeve”; “A të kujtohet mos harresë e shkretë?”… Një parim i shndërruar në konstante të poezisë i jep asaj një dramacitet të skajshëm deri në rebelim. Ky është gjithsesi një rebelim metafizik, siç do të thoshte Albert Kamyja, i adhuruari i poetit Tahir Bezhani (librin e tij “I huaji” nuk do ta ndajë nga duart gjatë karantinës së pandemisë). Është një rebelim në emër të vetin, në emër të kohës dhe bashkëkohësve të poetit, në emër të së shkuarës me të tashme, por pa të ardhme. Duke qenë një rebelim i tillë, gjendjesh të thella shpirtërore, ai do të ketë gjithnjë trajtën e shpërthimeve të vrullshme, dallgëzuese, por gjithnjë të përmbajtshme, gjithnjë të fashitshme, konkluzionet e tyre poetike do të jenë prehja, qetësia, çlodhja, për ta marrë përkohësisht veten e për të shpërthyer sërish e sërish, gjithnjë pa shënuar triumfet e synuara, por pa u takuar kurrë me disfatat, qoftë edhe kur kemi të bëjmë me mbifuqi të tilla të rebeluara siç janë poetët apo siç mund të jenë filozofët.

Në dukje titulli i librit ngjan i panatyrshëm. Në tetëdhjetë e tri poezi të përfshira këtu, ka shumë qiell, ka shumë natë, shumë muzg, ka hëna që vijnë pa ftuar dhe i gjen befas në mes të dhomës, për t’i përzënë andej nga kanë ardhur, të mëdha si fundbuke, ka edhe ditë, ka edhe re, ka edhe mjegull, edhe errësirë, edhe hije, por ka shumë pak diell. Dielli edhe kur përmendet, ose është thjesht antitezë e territ, ose është diell që ik për t’ia lënë vendin territ, ose është në të dyja funksionet. Tek poezia “Pa titull”: Dielli kur ik/Po rikthyeka natën e gjumosur. Tek “Kohë absurde hajku)”: Shikon bukurinë gjatë/ Të verbon si dielli/Pret prapë natën. Një diell që ik për t’ia lëshuar vendin natës është edhe ai tek poezitë “Në perëndim dielli” apo “Kur perëndon dielli”. Herët e tjera – nja dhjetë të tilla – dielli është thjesht fjalë e varur në togfjalëshin “rreze dielli”.

Diellnaja, emërvend i përveçëm poetik që prin vëllimin e ri poetik të Tahir Bezhanit a mund të jetë thjesht Smolica, fshati me kujtime të çmendura malli, kulla e djegur, fëmijëria së cilës guralecat e rrugëve ia shponin shputat e këmbëve të zbathura, livadhe, dëllinjat, ku luante me bashkëmoshatarët, aroma e bukës së çerepit në trastat e barinjve të vegjël, shushurima e bletëve që kullotin luleve të blinave, lëndinat, bunari tashmë i rrënuar te xhamia, bilat e tharë ku dikur varnin setrat pleqtë e fshatit dhe dertonin e pleqëronin e plot kujtime të tjera, “lotim i paluar në shpirtin e tretur”, të cilat nuk ua ndajnë sytë flokëve të bardha të poetit?

Mund të jetë ndoshta Diellnaja qyteti i Gjakovës ku shumëçka të zgjon kujtimet për poetin e madh Din Mehmeti, Baclokun, të cilit i kushtohen poezi tejet të përmallshme, (Nuk e kuptoj rrugëtimin e heshtur/ pa adresë, pa fanar të Din Mhemetit/ Furtunave… /Rrugëtimi natën tmerron); qyteti i Gjakovës ku gjithçka, çdo rrugë, çdo derë, çdo pijetore, të zgjon kujtimet për poetin bohem të paharrueshëm të qytetit, Ali Musajn, ose Gungaçin, i cili falë statusit të pijetarit sfidonte dhe përqeshte eksponentët politikë të kohës, pavarësisht sa të fuqishëm e të pushtetshëm të ishin ata.

Metafora “Diellnaja ime”  përdoret në libër vetëm dy herë: në poezinë “Dilemë në vargun në udhëtim” (Ishte zjarr nate apo hi dite/Diellnaja ime) dhe në poezinë “Në ikje” (Deri kur ikja e pasosur/Diellnaja ime). Në poezinë e parë Diellnaja e poetit është e papërcaktuar, e dhënë, siç mund të vërehet lehtë, nëpërmjet një antiteze dyshuese. Vetëm në poezinë e dytë, ku poeti proteston ndaj zbrazjes së Kosovës dhe të trojeve shqiptarëve nga rinia shqiptare që po ik masivisht në mërgim, përcaktohet qartë emërvendi metaforik i poetit. Ndërsa tek poezia “Ngricë në zemër” poeti e përkufizon më gjerë, më plot dhe më qartë Diellnajën e tij: “Në Valbonë më përqafuan pishat/ Shuaja etjen e ditës me rreze dielli/ Atdheu im i pangopur”.

Në poezinë “Këshillat e mikut poet”, autori sjell qortimin e një kolegu: sa shumë natë, sa shumë muzgje ka në poezinë tënde! Duket, pra, se Diellnaja në titullin e librit është reflektim i mirëfilltë e i thellë ndaj këshillës së mikut poet. Emërvendi metaforik shërben kështu si kundërpeshë ndaj natës dhe ndaj muzgjeve, ndaj trishtimit dhe pashpresës, përdoret edhe si fener për lexuesin që ai të depërtojë qerthullnajave të relieveve të pafundme të poezisë së tij. Veç kësaj, Diellnajë vjen nga një familje fjalësh të dashura për poetin, si floknajë, pluhnajë, qiellnajë, pishnajë, tymnajë, rrafshnajë, kërpnajë, akullnajë.

Poezia e Tahir Bezhanit është poezi e frymëzimeve të vetvetishme, e arsenalit të pashterrshëm e të larmishëm figurativ, e kërkimeve të suksesshme estetike, e meditimeve, persiatjeve dhe ndjesive dramatike, e përfytyrimeve tejet të freskëta dhe e ritmeve plot nerv e gjallëri.

“Diellnaja ime”, libri i njëmbëdhjetë me radhë i poetit Tahir Bezhani, gjithnjë e më të vlerësuar nga kritika dhe gjithnjë e më të dashur për lexuesin e gjerë, përbën padyshim një pikë të re kulmore në krijimtarinë e autorit dhe e pasuron ndjeshëm veprën e tij origjinale, cilësore e solide poetike.