Gazeta Nacional Albania

    DITË TË HIDHURA. POEZI NGA ELMIRA RAMA

Elmira Rama,  lindur  në Frashër të Fierit, ka studiuar në Universitetin e Camerinos (Itali)  në  degën e Biologjisë së Nutricionit dhe në Universitetin e Gjirokastrës, në degën e Kimi- Biologjisë. Është autore e 5 botimeve. Dy jane vëllime poetike dhe tre janë hulumtime gjatë përvojës së punës.  Poezi të saj gjenden të botuara në dy antologji të festivalit  poetik  “Gjurmët Naimiane” (Përmet), në  disa numra të revistës letrare  italiane  “UT” dhe në faqe letrare on-line. Në aktivitetin e zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve  Shqiptar në Shkup, (15-17 Nëntor 2018)  është vlerësuar me një nga çmimet e këtij aktiviteti.
Dy prej studimeve të botuara janë prezantuar në konferenca shkencore:
1- Prezantim poster : “Diabetes as a risk factor in cardiovascular diseases”, në Konferencën e dytë Internacionale (ICPHSP) Vlorë
2- Prezantim verbal: : “Proçesi i gjithëpërfshirjes në arsim dhe fëmijët me kufizime të rënda”, në konferencën e XVI  Evropiane e Shkencës Sociale dhe të Sjelljes, Prizren.
Të dyja prezantimet janë të botuara  në librat e konferencave përkatëse.
Botimi i fundit titullohet “Të ushqyerit në jetën e Myzeqesë” dhe është i vlerësuar nga Prof. Dr. Spase Shumka, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit , Universiteti Bujqësor i Tiranës.

 

    DITË TË HIDHURA

(nënës sime)

 

Të gjitha ditët,

pas ikjes tënde

kanë shije të hidhur.

Pse ike nëna ime??

Trëndafilat që ke mbjellë anë gardhit kanë çelur.

Dje të solla trëndafila.

Ti i doje shumë trëndafilat!

Babai sot thirri emrin tënd

kur pa njerëz tek porta.

Me kokën ulur hyn e del nëpër shtëpi.

Nuk di çfarë të bëj me humbjen tënde nëna ime.

Po ti, pse nuk ndenje edhe ca?

Në oborrin e shtëpisë

ende duken gjurmët tuaja,

ku rrëzohen lotët e mi.

Qysh prej ikjes tënde

ditët tona kanë shije të hidhur.

Mbrëmë të kam parë në ëndërr.

Pse ike kaq shpejt

nëna ime?

 

 

 

    PA TITULL

 

Nuk e fajësoj errësirën
pse nxin deri në thonjtë
e saj të paprerë kurrë.
As diellin,
pse nuk e zbardh dot,
sepse toka rrotullohet.

Nuk u mbaj mëri ditëve
që vijnë e shkojnë
duke gërryer
të voglën
jetën time.
As stinëve,
që kanë humbur
fytyrën e tyre.

Nuk pretendoj
asgjë nga kjo botë e madhe,
nga kjo botë shumëngjyrëshe
shumëklimëshe
shumëgjuhëshe.

Nuk më vjen keq
pse çelin lule në dimër,
e ka lule
që vyshken pa çelur fare.
Unë kam parasysh,
se nuk vyshket asgjë
që çel
nga dashuria.

 

 

 

 

    KOHA E FJALËVE

 

Fjalë,

fjalë,

kudo vetëm fjalë

dhe njerëz të pafaj.

Fjalëshumtit

kanë ndërtuar fabrika

te prodhimit të fjalëve.

Edhe për të vdekurit

po  thonë,

se ringjallen me fjalë.

O njerëz,

duhet një përmendore

për durimin

dhe dhimbjen

e kohës sonë.

 

 

   MOS TË ANKOHEMI

 

Është  deklaruar lufta.

Ne rrimë mbyllur.

Nuk kemi gjë,

as  për  të  thënë,

as për të humbur.

 

Bari rritet,

pemët çelin,

rriten thonjtë…

pastaj ne hamë gjethe,

përtypim fjalë.

 

Pse  të ankohemi !?

 

Ne s’kemi gjë,

as për të thënë,

as për të humbur.

 

 

 

 

    FËMIJËRISË

Eja fëmijëria ime,
vetëm për një çast
të ndjej aromën tënde,
të harroj gjithçka tjetër,
të belbëzoj,
të këndoj me zërin tënd,
të vrapoj e të pengohem,
dhe përsëri të vrapoj
në fushën tënde të gjelbër.

Eja fëmijëria ime,
se më ka marrë malli
për sytë e tu të qeshur,
për këngët,
për  përrallat e gjyshes.

Eja fëmijëria ime,
të luajmë me litarë
në rrugicën e mëhallës sonë.
Thirri të gjitha shoqet,
se ka vite që nuk i kam parë.

Eja fëmijëria ime,
eja të vrapojmë pas xixëllonjave
që shkuan,
siç vitet tona ikën …
…………………..
dhe unë u rrita,
ndërsa për ty fëmijëria ime,
sot  paskam mall.

 

 

 

 

 

   NATË

 

Është natë.
Unë po dremis.
Vetëm sytë e tu,
nuk mbyllën sy.
Ç’është me ty
o terr i zi?
Është natë.
Të gjithë flenë.
Fli edhe ti ëndrra ime,
e në u zgjofsh
udhëhumbur,
a valëz deti,
brenda teje,
dije:
është një Perëndi

 

  

PRANVERË  PANDEMIE

 

 

Ditët,
as flasin,
as qeshin.
Në honin e tyre
rrëzohen frymëmarrje,
lot,
ankthe.
Pranvera pa ditur gjë,
troket,
buzëqesh,
cicërin përditë.
Ditët heshtin,
ëndrrat zverdhin me frymën

në krahët e erës.
Ç’mesazhe u thonë
kolonitë e mbretërve
që i kanë pushtuar !?
Pranvera, paditur gjë ,
mbulon degët e mjegullës,
me diell e dritë.
Ne, sërish do të përqafohemi.

 

 

 

 

      VJESHTA

 

Kjo stinë

me ngjyra të vakëta,

me re të plogëta.

Era përkundet

në fill të horizontit,

ditët,

të heshtura përkundin

nje melankoli të ëmbël.

Kjo stinë

është vjeshta e artë

që me zor e kam pritur.

Pas saj do të vij dimri,

pastaj pranvera,

e sërish  vera.

Çdo stinë

me shtatoret e ditëve të mia.

 

 

    FUNDVIT

 

Netë të akullta
me rrënjë të shkulura,
as qajnë,
as qeshin.
Zgavra të ngrira sysh
përtypin hidhërimet e ditëve,
që  nuk dihet
ku shkuan.
Rreth e qark vetëtijnë drita,
qiellin kanë zbritur në tokë.                                                                                                                           A e di kush
se dhe unë ekzistoj ?

 

 

 

 

ARITMETIKË SOCIALE

 

Statistika është shkenca

që llogarit të dhëna numerike

nga fenomene sociale,

sa lindin,

sa sëmuren,

sa punojne,

sa vdesin …

edhe moshën mesatare

të njeriut,

por jo copëzat e dhimbjeve,

trishtimet,

brengat e secilit.

Statistikat e konsumit tregojnë

edhe se, p.sh.

një banor konsumon

1 qengj në vit,

por nëse aty ka ujqër

që hanë nga dy,

apo dhe më keq,

gjithë kopenë,

nuk thotë asgjë.

Për llogarinë sociale,

të gjithë kanë çfarë të hanë,

të gjithë janë të lumtur.

 

     MOS HARRONI

 

 

Gjithmonë kam qenë

në raporte të mira me të lexuarit.

Kështu, nuk e kam të vështirë

të lexoj nëntekste,

imazhe,

ngjyra,

lojëra,

i njoh trokitjet e errëta

edhe kur dora shfaqet e bardhë.

Unë kam lexuar kodin

e duarve të punësuara

për të larë duart,

edhe ligjin,

kur në kembim të jetës,

duhet të japësh jetë.

E di si është kushtetuta

e të mëdhenjve

dhe kanuni i të vegjëlve.

Po ju, e dini se

forca e lumenjve të mëdhenj,

varet nga prurjet e rrëkeve të vogla !?

Mos e harroni kurrë.