Site icon Gazeta Nacional Albania

DR. ARDIAN ELEZI: NGUSHËLLIM PËR NDARJEN NGA JETA TË SKËNDER HALUCIT, BASHKËVUAJTËSIT TE XHAXHIT TIM RAIF ELEZI, NË BURGUN E BURRELIT

 

Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, gjyqtarit të njohur, ish-të dënuarit politik dhe bashkëvuajtësit të xhaxhait tim, Raif Elezi, në burgjet e diktaturës komuniste. Për familjen tonë, kujtimi i tij merr një kuptim të veçantë, sepse ai ruajti me respekt dhe dinjitet kujtimin e Raifit dhe të bashkëvuajtësve të tij, duke dëshmuar se vuajtjet e atyre viteve nuk duhet të harrohen kurrë. Me largimin e Skënder Halucit humbet një dëshmitar i një epoke të dhimbshme të historisë sonë, por kujtimet, dëshmitë dhe fjala e tij mbeten pjesë e kujtesës sonë familjare dhe kombëtare. I shpreh familjes Haluci ngushëllimet e mia më të ndjera dhe ndaj me të afërmit e tij dhimbjen për këtë humbje të paharrueshme. U prehtë në paqe!

Dr. Ardian Elezi

 

 

 

Intervista Skender Halucit per xhaxhain tim Raif Elezi..si e kujton ai ate…

 

-Zoti Haluci, kur jeni arrestuar?

 

-Unë jam arrestuar më 24 nëntor të vitit 1983, në moshën 22 vjeç dhe mbas dy vjetë e më shumë hetuesi, në Hetuesinë Speciale në Tiranë, jam dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, se akuzoheshim për akuza shumë të rënda, dhe u gjykuam në Gjykatën e Lartë, në juridiksion fillestar, në të njëjtën juridiksion, që u gjykuan Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e kompani, kto funksionarët e lartë.

 

-Dhe fillimisht, bashkë me çunin e xhajës, Isuf Haluca, u dënuam me vdekje me pushkatim, por ligji i asaj kohe ishte që asnjë i dënuar me vdekje, nuk ekzekutohej, pa kaluar nëpër Presidiumin e Kuvendit Popullor, dhe në atë kohë ai drejtohej nga Ramiz Alia. Pavarsisht se në atë kohë ne nuk bëmë ankim kundra vendimit, sepse nuk donim të rrinim të lidhur me muaj kambësh e duarsh, siç kishim ndejt deri atëherë.

 

-Dhe Ramiz Alia, kryetari i Presidiumit, me dekret, e shëndrroi dënimin tonë, nga me vdekje, me pushkatim, në 25 vjet heqje lirie. Në fund të vitit 1985, mbas një muaj e ca, na kanë shpërndarë nëpër burgje. Mua më dërguan për të vuajtur dënimin në burgun e Spaçit dhe kushëririn tim, Isufin, e çuan në burgun e Qafës së Barit, se nuk dëshironin që të na lënin të dyve në një burg.

U bë amnistia e 1986-ës, e kampet e punës ku punojshin të burgosurit ordiner dhe politik, mbetën pa krahë punë dhe me këtë rast, në janar të vitit 1986, na morën n, 50 – 60 të dënuar politik, nga burgu i Spaçit dhe na çuan në Burgun e Batërr – Martaneshit, një burg ordiner dhe aty na bënë një miniburg, në mënyrë që të na shfrytëzonin në galeritë e kromit.

Pas një muaj, më 18 shkurt, për arsye që as sot nuk i kam të qarta dhe as i kam shkruar, më morën nga aty dhe më çuan në burgun e Burrelit.

Domethënë më 18 shkurt 1986, unë kam vazhdu dënimin në Burgun e Burrelit. Në atë kohë isha i burgosuri më i ri i burgut të Burrelit, në atë burg kishte vujt edhe baba im, kishte humbur jetën në burgun e Burrelit, në vitin 1975.

 

Në burgun e Burrelit kanë qenë ata që quheshin nga regjimi i asaj kohe, si armiqtë e betuar të sistemit, dhe në burg ka qenë një tabelë ku shkruhej: “Kush hyn në Burrel, nuk del”. Diçka e tillë se nuk e mbaj mënd fjalë për fjalë këtë parrullë që ka qenë në muret e burgut.

Në këtë burg kam njoft shumë personalitete dhe personalitetet më të mëdha të këtij burgu, kanë qenë priftërinjtë katolik, të cilët ishin kundërshtarët kryesorë dhe më të egër të regjimit. Veçoj nga këta priftërinjtë, të madhin Dom Simon Jubanin, i cili mbajti edhe meshën e parë në Shkodër në nëntor 1990, pas rifillimit të besimit fetar ..

Por në këtë burg vuanin dënimin edhe bijtë e familjeve më të njohura të Shqipërisë, sidomos të Veriut të Shqipërisë. Dhe vlen të përmënd këtu, një kuksuan, lumjan, që quhej Raif Elezi.

Raif Elezi ishte një pinjoll nga një familje shumë e njohur, nacionaliste patriotike shqiptare, në krahinën e Lumës, të cilët, të cilët historikisht kishiun luftuar për të mbrojtur trojet e atdheut dhe për çlirimin e atdheut nga të gjithë pushtuesit, nga Turqia e deri tek pushtuesit e fundit që ishin komunistët.

 

-Raifi ishte burim frymëzimi për ne të burgosurit e rinj.

 

-Unë pata fatin se e fillova dënimin në burgun e Burrelit, në moshën 22 – 23 vjeçare. Dhe Raifi na mbante me kurajo, se thoshte se; “janë vitet e fundit, janë muajt e fundit, se nuk zgjat më shumë ky regjimi i Enver Hoxhës” dhe faktikisht ato fjalët e Raifit u bënë realitet, se mbas katër pesë vjetësh që ndenja unë në burgun e Burrelit, regjimi Stalinist i Enver Hoxhës u shpërbë.

 

-Me kë shoqërohesh më shumë Raifi në burg?

 

-Raifi ka pasur disa njerëz dhe bashkëvuajtës që është shoqëruar më shumë, kanë qenë nga familjet e persekutuara antikomuniste, kishte nga Shkodra, nga Mirdita etj. Mbante një qëndrim pak më të distancuar nga këta që nëpër burgje quheshin “revizionistë”, dhe thoshte; “ne jemi viktima të politikës suaj, të luftës tuaj që sollët në pushtet komunizmin dhe përfunduam të gjithë burgjeve dhe internimeve”.

 

Mbaj mënd se shoqërohesh më shumë me një shkodran që quhesh Muho Bala. Bënte muhabet shumë dhe diskutime të vazhdueshme me Dom Simon Jubanin, edhe me priftërinj të tjerë që ishin aty në atë burg.

 

Ishte një gjë e bukur, se nuk kishte dallime në mes besimeve, katolikëve apo myslymanëve, aty çdonjani quhesh një bashkëvuajtës, quhesh vëlla, quhesh mik dhe ndanin kafshatën e bukës me njëri tjetrin, pa pas paragjykime. Bile ka pas familje që janë maskaruar nga Mehmet Shehu, dhe aty ishin fëmijët e Mehmet Shehut dhe të burgosurit politik, armiqtë e Mehmet Shehut, i kanë dasht dhe i kanë respektu, sikur të ishin të familjeve të tyre.

 

A fliste Raifi në burg kundër regjimit?

 

Raifi nuk pushonte së foluri kundër regjimit, fliste po fliste me teza të qarta, qoftë për politikën, qoftë dhe për ekonominë. Dhe si pasojë, se mbasi kam shkuar unë në burg, Raifi nuk është ridënuar më, se në ’86-ën e mbrapa, ra një çik dhe nuk kishte më ridënime mbrenda burgut. Dhe mesa di unë, Raifi u ridënua disa herë për agjitacion e propaganda, mbrenda në burg.

 

Domethënë Aranit Çela me kolegët e tij, kishin shpik një një gjë të re juridike, duke thënë se; Raifi me shokë, nuk lanë riedukimin e armiqve të tjerë, prandaj duhet të ridënohet dhe janë ridënuar disa here.

 

E kujtoni akt-akëzën që i kishin bërë Raif Elezit?

 

Po, Raifi fillimisht, mesa e mbaj mënd unë, akuzën, se ka qenë i dënuar për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, ..që quhej atëhere, “biseda për arratisje, tradhëti të lartë ndaj atdheut në formën e tentativës së arratisjes”, ..se ka qenë një vepër shumë e rëndë arratisja nga atdheu dhe jepej dënim kapital.

 

Si e kujton ndarjen me Raif Elezin?

 

Në burg, se ka qenë i organizum burgu mbas viteve ‘80-të, kanë qenë mbi 20 persona në një dhomë, se kur kam shku unë, kam qenë disa herë në një dhomë me Raifin. Kjo e fundit që kam qenë nda nga Raifi, ka qenë se e kishin heq nga dhoma jonë dhe e kanë kalu në një dhomë tjetër. Këto bëheshin në mënyrë që mos t’i lënë të burgosurit që të familjarizoheshin me njëri tjetrin, se llogarisnin se familjarizmi do çonte në revoltë, apo ndonjë kundërshtim.

Dhe jemi ndaj kur ka kalua Raifi, se është liru Raifi përpara nesh.

 

A mendon se Raifi duhet të vlersohet, p.sh., me ndonjë titull?

 

Unë mendoj që Qarku i Kukësit, Bashkia e Kukësit, ose qytetaria e Kukësit, duhet ta vlersojnë me titull Raif Elezin. Domethënë jam shumë i bindur se populli i Kukësit, qytetarët kuksianë meritojnë, se i ka bë krenarë dhe duhet të jenë krenarë që kan pas një pinjoll, një burrë siç ishte Raif Elezi nga Kukësi. Dhe duhet të ketë patjetër një vend ku të përkujtohet dhe të mos harrohet emri i tij.

Exit mobile version