Gazeta Nacional Albania

Dr. Behar Arllati : Këngët korçare, Kori i Burrave të Gjakovës dhe Mihal Ciko

Këngët korçare, Kori i Burrave të Gjakovës dhe Mihal Ciko
(Në kujtim të 120 vjetorit të lindjes së Mihal Cikos 1902-1986)
I

Kremtimi i Ditës-Festës së Flamurit, 28 Nëntorit në Gjakovë, ishte mjaft i veçantë. Mezi pritej të vinte kjo Festë, më e madhja e shqiptarëve. Për këtë shkak, shumica e familjeve gjakovare, për Festën e Flamurit, kishin një ‘ritual’ pothuaj të njëjtë, mbase më të veçantë të përgatitjes për kremtimin sa më solemn të 28 Nëntorit. Kjo gjë ndodhte për çdo vit dhe në këtë ritual përfshiheshin:
1. Përgatitja e drekës tepër solemne të festës,
2. Veshja solemne e gjithë anëtarëve të familjes
3. (Paradite) Përgatitja për ta ndjekur në TVSH koncertin 30 minutësh të Korit “Lira” me këngë patriotike si dhe filmin “Nëntori i dytë”-Dreka, (Në mbrëmje) Darka me shoqëri shoqëruar me këngë, instrumente, pije, gëzim e hare.
Më 29 Nëntor flihej gjumë dhe bëhej pushim total pas Festës së gjatë dhe të bukur të 28 Nëntorit.
Pika e parë bëhej me kujdes, në mëngjes e hershëm të 28 Nëntorit. Mezi prisnim që të shfaqej në TVSH Grupi Karakteristik i Pleqve të Korçës “Lira”, e të fillonte koncerti i tyre me këngët e bukura korçare. Qysh në fillimvitet ’70-ta, shumë familje tashmë kishin të regjistruara në Kaseta Manjetofoni pothuajse të gjitha këngët korçare të këtij Grupi. Regjistrimet bëheshin nga Radio Tirana që, për hir të realitetit, nuk i transmetonte shpesh këto këngë ndaj, duheshe pritur, me kasetë në manjetofon që, sapo të emetohej ndonjë këngë e “Lirës”, të aktivizohej regjistrimi në shirit kasete.
Në fillimvitet ’80-ta dolën Video Recorderët dhe tashmë, nga audio Kasetat u kalua në Video Kaseta ku nisën regjistrimet e Korit drejtpërdrejt nga Televizioni. Tashmë Niko Ilo, Tole Adhami e të tjerë nga ky Kor i famshëm, ishin bërë të njohur për gjakovarët poaq sa këngëtarët e tjerë të njohur, si: Tefta Tashko-Koço, Marije Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgji Filçe-Truja etj. Kjo bëri që në shumë shtëpi, në gazmende të ndryshme, njiheshin dhe këndoheshin këngë të Loni Llogorit (“Dashuria është djallush”, “Çelu, çelu”, “Drenovarja”, “Vemë, ah vemë”). Spiridon Tase Ilos (“E bukur era”, “Të gjithë ne o djema”, “Sa bukur rronimë”), Kol Tromarës (“Sa të rrojë gjithësia”), Parashqevi Qiriazit (“Alfabeti shqip”), Thanas Floqit (“O trima luftëtarë”), Spiro Garos (“Që më një të kulloxhekut”-Kënga e shoqërisë “Dëshira” në Sofje), Hil Mosit, Sakolit (“Hymni i Bandës së Lirisë”), Andon Zako Çajupit (“Ku kemi lerë”), Mihal Gramenos (“Për mëmëdhenë”, “Uratë për liri”, “Muaj’ i Majit”), Thoma Avramit që, në botimin e Spiro Ilos më 1 Mars të vitit 1919 në New York, nënshkruhej Thoma Abrami (“Dëshërim i Mëmëdheut”, “Syçkat e kalterta”), Kolë Rodhes (“Nën hien t’hënës rrinje”), Murad Toptanit (“Prendvera-Çilni lule se erdh prëndvera”), Ali Asllanit-Vlonjati (“Jam vlonjat”), Mihal Cikos (“Një zë popullit”, “Shpatari Skendërbe”), Ramiz Harxhit (“Marsh ushtriak-Dha betim kjo ushtëri”) dhe shumë këngë të ngjashme patriotike popullore që s’u njihej autori ndaj cilësoheshin si “e popullit”. Natyrisht, tek këto këngë, teksti nuk njihej i tëri por pjesërisht apo dhe me më pak strofa e pos kësaj, s’ishte aspak e lehtë t’u njihje melodinë dhe tekstin kaq shumë këngëve korçare e t’i këndoje ato.

II

Kur në vitin 1965 qe formuar Kori i Burrave të qytetit të Gjakovës nga profesori e kompozitori i njohur gjakovar, Akademik Rauf Dhomi, pakkush e kishte menduar se do të jetë kaq jetëgjatë. Edhe më pak nga ta, do ta kishin menduar se pikërisht ky Kor do të interpretonte këngë nga të gjitha trevat shqiptare. Kori kishte disa faza të veprimit të tij. Në fillim u konceptua si Oktet. Shumë pak vite më vonë, u bë Double Oktet dhe pak muaj më pas, Kor i Burrave. Si i vetmi i këtij lloji në gjithë hapësirën shqiptare, ndikuar nga situate aspak e mirë politike në Kosovë, Kori funksionoi me disa ndërprerje. “Rifillimin” e fundit e kishte në vitet 1989-1990. Nga atëherë e deri më sot, ky Kor ka bërë disa qindra paraqitje koncertale gjithandej nga ka shqiptarë.
Poashtu janë të panumërta qytetet, fshatrat e vendbanimet shqiptare që ky Kor u ka dhënë kënaqësinë e madhe të të dëgjuarit të këngëve korçare, gjakovare, dibrane, tiranase, elbasanase, vlonjate, përmetare etj. të interpretuara në Kor, të stilizuara nga Prof. Rauf Dhomi në katër zëra: Tenor I dhe II, Bariton dhe Bas. Veçohet Koncerti për nder të 28 Nëntorit 1990 në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë ku, për herë të parë në Kosovën e pas L II B, u intonua Himni Kombëtar.
Këngët që janë interpretuar më së shpeshti janë kënga e Ila Muçit “Lamtumirë” që mban rekordin pasi, meqë në Kosovë kishte të bënte me shumë raste të rivarrosjeve të trupave të gjetur pas luftës së vitit 1999 gjithandej në Kosovë e Serbi, Profesori Rauf Dhomi e kishte përshtatur si këngë lamtumirëse që i bëhej atij apo atyre që rivarroseshin apo dhe varroseshin siç kishte poashtu shumë raste duke nisur nga ish-presidenti Rugova, Anton Çetta, Zekeria Cana e shumë intelektualë të tjerë. Pastaj vinin Himni i Flamurit, “Shpatari Skenderbe” dhe “Një zë popullit” të Mihal Cikos dhe “Dragojtë e Shqipërisë”.
Kori kishte një sukses të jashtëzakonshëm, aq sa, në periudhën e viteve ’90-të, koncertet e Korit ndërpriteshin nga policia serbe. Maltretimet fizike e psikike të anëtarëve të Korit ishin pothuajse të zakonshme. Në udhëtimet thuaja të përditshme, policia e kuptonte sapo t’na shinin veshjen uniforme. Shpesh, sapo kuptonin se do ndalohesim nga policia serbe, ndalonim dhe fshihnim partet e tekstet e këngëve në ndonjë shkurre në rrugë në mënyrë që ata të mos kishin arsye për të na torturuar dhe humbur kohë. Një nga arsyet përse ky Kor nga Gjakova ishte kaq i suksesshëm është dhe qëndrimi dhe interpretimi besnik i këngëve pavarësisht që ishin korçare etj. dhe se Korça ishte larg gjeografikisht nga qyteti i Gjakovës. Kjo gjë u vërtetua në Koncertin e muajit Prill të vitit 1993 kur Kori i Burrave të Gjakovës këndoi para koristëve të Grupit “Lira” në Korçë, në Teatrin Andon Zako Çajupi dhe ku, të pranishmit ngelën të habitur me saktësinë që këndoi ky Kor, madje A Capella-pa shoqërim instrumental siç ndodhte me Korin “Lira”.
Në anën tjetër, sikurse Kol Tromara, Ramiz Harxhi, Spiro Garo, Kolë Rodhe, Spiridon Tase Ilo, Loni Llogori, Ila Muçi etj., edhe Mihal Ciko si krijues këngësh dhe këngëtar operistik njihej fare pak pasi emri i tij nuk kishte arritur të depërtonte në çdo shtëpi. Atë e njihnin vetëm qarqet muzikore që kishin studiuar muzikë, por jo qytetarët e gjakovës në përgjithësi. Dihej se Cikos ishte regjistruar në vitin 1921 në Konservatorin e “Giuseppe Verdi” të Milanos pas një të drejte studimi të fituar nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Në bazë të literaturës që kishim për Aleksandër Moisiun, dinim se ishte pikërisht ndihma e aktorit me famë botërore, që kishte ndikuar e ndihmuar në regjistrimin e tij në Milano, ku, pas diplomimit në vitin 1926, ai qëndroi edhe për shumë kohë në Itali, së pari për të Magjistruar në vitin 1928, e pastaj, krahas punës si pedagog i Kantos që nisi të bënte në Konservatorin “Klaudio Monteverdi”-Bolzano, ai interpretoi me sukses si solist i operas në disa prej skenave dhe teatrove më në zë të qyteteve italiane të asaj kohe, por edhe për të shkuar herë pas here në Rumani si solist në koncerte të ndryshme pranë Operas të Klujit. Madje, konsiderohej si sukses tejet të madh qëndrimi gati 20 vjeçar i Mihal cikos në Itali. Kjo, për arsyen e thjeshtë se jo çdo muzikant, këngëtar lirik, pedagog a kompozitor mundet t’i bëjë vend vetes në shtetin djep të muzikës.

Pothuajse të gjitha këngët e tija, “Shpatari Skenderbe”, “Një zë popullit”, “Shi ku ndrit”, “Himn’ i natës”, Mihal Ciko i ka shkruar në moshë të re, mbase gjatë studimeve të tija në Konservatorin Giuseppe Verdi apo edhe më përpara gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht të Rumanisë, që pa shkuar në Itali. Kjo vërtetohet dhe nga botimi i tyre në përmbledhjen me këngë të Nazif O. Mamaqit me titull “Tufë lulesh” në shtypshkronjën Tirana, në vitin 1925. Nga këtu mësojmë se Mihal Ciko i kishte shkruar këngët që përpara vitit 1925 por jo para vitit 1920 pasi këto këngë nuk gjenden në botimin me titull “Dëshirat e zemrës” të Spiridon T. Ilos të botuar më 01 Mars të vitit 1919 në Neë York. Këngët e tija, Mihal Ciko nuk i shkroi në stilin e këngëve të tjera Strofë + Refren. Në to ai futi solistin që tingëllonte mrekullisht bukur duke “u bashkuar” në TUTTI me Korin. Kjo i pasuroi këngët, bëri që, në to, të mos ketë vend monotonia dhe përsëritjet e zakonshme. Ndërtimi formal i këtyre këngëve flet qartë për një pjekuri artistike muzikore, pa përmendur pastaj planin harmonik që përsëri vjen natyrshëm, tejet i veçantë. Kjo vihet re sidomos në “Këngën e mullirit” dhe në këngën “Shpatari Skenderbe”. Krahasuar me këngët e ngjashme të autorëve të tjerë, Mihal Ciko del shumë më i formuar muzikalisht dhe shumë më i qëndrueshëm interpretativisht duke pasur madje dhe kërkesa të larta teknike që nevojiten për interpretimin e këtyre këngëve.
Të kompozosh këngë si këto që u përmendën më sipër, në një moshë kaq të re, domosdo se nuk ishte aspak e lehtë, por, invencioni i tij si krijues e bashkuar me ndjenjën shumë të fuqishme të atdhedashurisë, që Mihal Ciko duket se e kishte të lindur, sollën perla që detyrimisht u pëlqyen, u adhuruan dhe u kënduan me ëndje.
Pos kësaj, kjo lë të kuptohet se, kur Mihal Ciko, në moshë shumë të re, shfaq një pjekuri për lakmi artistike-muzikore, domosdo se dhe kërkesat e tij të mëvonshme gjatë kërrierëssë tij prej këngëtari operistik, profesori e pedagogu, do të jenë shumë të pjekura, tepër të larta artistikisht dhe madje edhe jotoleranca e tij në këtë aspekt, do të jetë e natyrshme. Këto kërkesa të tij do të jenë si një “pasaportë” që do ta shfaq e pasqyrojë gjatë gjithë jetës së tij (më pak në fushën e kompozicionit) më tepër në fushën e Bukur Këndimit (Ballcanto) me rolet e tij në Opera të shumta e të ndryshme të kompozitorëve të njohur botërorë, si: Verdi, Pietro Mascagni, Rugero Leoncavallo, Gaetano Donixetti, Aleksandar Dargomizhskij etj., pastaj në fushën e Pedagogjisë si profesor në Konservatorin Claudio Monteverdi në Bolzano-Itali, në Konservatorin e Bukureshtit por dhe në, dikur, Institutin e Lartë të Arteve ku nxori emra të mëdhenj të skenës operistike shqiptare dhe duke u bërë njëkohësisht i pari këngëtar lirik shqiptar.
Si Magjistër i Pedagogjisë së Këndimit Operistik, titull ky që e fitoi në vitin 1928 po në Konservatorin e Milanos kërkesat e tij gjatë punës me student-këngëtarë të ardhshëm lirikë shqiptarë, përsëri, si bazë do të jenë kërkesat e tij profesionale si i pari këngëtar lirik me Magjistraturë që ishte një titull shumë i lartë dhe i lakmuar nga shumëkush.
Janë të pakta fushat ku bën pjesë muzika si art ku Mihal Ciko nuk ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm qoftë dhe si drejtues në Radio Tirana, si themelues i Liceut Artistik e Institutit të Lartë të Arteve, Filharmonisë shqiptare apo dhe si Pedagog dhe një nga themeluesit e Korit Lira por dhe koreve në qytete të tjera të Shqipërisë, si: në Krujë, Kuçovë etj. Pa harruar me këtë rast edhe qëndrimin e tij prej atdhetari të vërtetë që e bëri publikisht në dy raste: kur iu ofrua shtetësia rumune që të hiqte dorë nga shtetësia shqiptare – të cilën e refuzoi si dhe me pjesëmarrjen e tij në luftën e Vlorës bashkë me anëtarë të tjerë të Bandës “Vatra” që kishin ardhur nga Boston-Massachusestts USA të prirë nga Thoma Nassi.
Me aktivitetin e tij të bollshëm, të gjatë e të shumanshëm, mund të thuhet pa frikë se Mihal Ciko meriton dhe një shtatore në Tiranë apo Korçë, që emrin e tij ta mbart një nga institucionet më prestigjioze muzikore, një boulevard, pse jo në Tiranë dhe një në Korçë poashtu. Kjo, edhe për arsyen tjetër se, vështirë të gjendet njëi dytë si ai që dha e kontribuoi aq shumë për Shqipërinë, sa edhe qe i gatshëm të flijohej për të gjë që e bën një nga patriotët e atdhetarët më të mirëfilltë shqiptarë.