Site icon Gazeta Nacional Albania

Dr. Behar Gjoka : MAGJIA E POEZISË SË NATYRËS

 

Në trashëgiminë poetike të Martin Camajt bën pjesë edhe poezia « Shi mbi lumë », një poezi antologjike dhe krejt e përsosur e shkrimit poetik modern, që përvijon qartësisht artin magjik dhe mjeshtërinë e poetit, derdhur bujarisht në këtë situatë ku i thuret himn dhe lavdi natyrës. Një poezi antologjike, në përmbajtjen e shpaluar dhe sidomos në esencën letrare, sendërtuar me bukurinë e frazës dhe shprehësinë e qartë, riformulimin e konceptit përmbi poezinë e natyrës, që kumton emocione dhe artin e magjishëm, përmes një thadrimi vetanak dhe krejt të një poetike personale. Kjo poezi, veçmas të tjerave shënon njërin prej kulmeve të autorit në shkrimin poetik, njëherit përbën edhe një kurorë të mrekullueshme kushtuar natyrës, ku si rrallëkund në poezinë shqipe bashkëkohore, shpalosen ndjesitë më të holla dhe më të fuqishme poetike. Në këtë rast poezia e natyrës mbart dy shenjëzime të thukta dhe të njëmendta letrare:

– Natyrën e vendlindjes së autorit, si gjurmë dhe prekël, si frymë dhe atmosferë, e cila e ndjek pas kudo që i shklet kamba, madje edhe si një rast i përveçuar në ndjesi dhe formësimin estetik.

– Natyrën në përgjithësi, natyrën me prëmasat më përfaqësuese të saj, natyra e vendlindjes dhe atdheut të munguar, natyrën si përgjëratë e krenarisë së poetit, me tërësinë e dinamikës së saj, aq të plotë dhe të larmishme, madje edhe si prani e pashmangshme e jetës së njeriut.

Poezia « Shi mbi lumë », poezia emblemë dhe me tipologjinë e shprehjes së një gjurme antologjike, si me raste të rralla të shkrimit poetik të letrave shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, shpërfaq shenjat dhe esencën e artit të Camajt, në të gjithë dëshminë e vetë, në ahet dhe ohet personale, aq të përmallshme, të ngjizur si metaforikë e vendlindjes dhe e natyrës, derdhur me një sharm poetik të habitshëm, që të mahnit dhe ta zbukuron shpirtin. Aty, në materien e vargjeve, derdhur më ngjyresa klasike dhe moderne, sidomos në esencën letrare lakonike dhe të ngjeshur në figurime të papritura, përmblidhen në një të vetme bukuria e natyrës së ashpër shqiptare, që i a përzgjon dhe fanit vendlindjen e lënë pas krahësh, si një përjetim i thekur dhe unik, lëshur në një çast pikant, të zgjedhur mrekullisht nga shkrimtari, teksa ashpërsia e maleve përkulet dhe përthyhet përpara pikërrave të shiut, e pikërisht në këtë rrokopujë të lagështitur dhe farfuritëse shpërfaqet edhe magjia e saj, çka shkakton mrekullimin e heroit lirik përpara kësaj thyerje të beftë dhe bukuroshe, si dhe në sintoni të plotë me të, jepet edhe harmonia e përsosur, me këtë shprazje shkokëlohet simfonia magjike e natyrës së larme.

Kodet estetike, thënëse dhe artthënëse, shprehëse dhe afirmuese, përgjithësisht të shenjuara si metaforikë e zgjeruar dhe tejet shprehëse, me pikësynim të qartë letrar, që të prekë dhe shenjojë të gjitha hapësirat tekstologjike të kësaj situate të vetvetishme dhe të vetmajftueshme, madje si realitet letrar imediat, i prekshëm dhe krejt i çatrafillosur, megjithëse edhe të ngrira si një përfytyrim përthekues dhe i papërsëritshëm letërsishkrimor, të cilat mbeten pothuajse të skicuara në shkëlqimin e vetë të beftë dhe dritëhedhës, në shkëlqimin lëbyrës dhe ndriçimtar të magjisë së natyrës dhe të artit të Camajt…

POETI I LUMIT

Vargjet e poezisë “Shiu Mbi Lum”, njërës prej krijesave poetike më të magjishme të autorit, në kuptimn e vjershërimit dhe përftesave stilistikore, veçmas për artin e sendërgjuar me tharm artistik, shprehësinë poetike aq të larme, mirazhet dhe vegimet e shumta, madje edhe me farfullima dritash që të kapërthejnë dhe shlirësojnë prej makthit e tmerrit, e sidomos për spektrin e imazheve të shumëngjyrta, i vënë natyrshëm Martin Camajt breroren e poetit të lumit në letrat shqipe, kryesisht si një cak i fundëm dhe i pambërritshmë, i shënuar dhe i dëshmuar dukshëm në vargjet e poezisë lapidar për nga forca e përjetimit, kushtuar lumit dhe rrjedhsë së tij në një ditë me shi dhe rrebesh. Ky dimension i fuqishëm dhe atribut i poetit më me za të lumit si vendlindje dhe simbol, si sinor dhe lundër shpëtimtare e mallit të përvëlimit, buron prej faktit të thjeshtë dhe domethënës se askush sa Camaj, para dhe pas tij, nuk ka mund me mbërri ta shpërfaq të plotë ndjesinë e vetë mbi lumin nën rrebeshin e shiut, kaq shkurt dhe kaq bukur artistikisht. Shumëkush, përpara tij dhe njëkohshëm me të, ka aspiruar dhe është strapacuar që t’i këndojë lumit, madje t’ia qesë kangët e përmallimit dhe krenarisë, aq ma tepër edhe me cikle të plota dhe libra poetikë të veçantë, duke e shndërruar kështu lumin realisht në njërin prej toposëve më të dashura të poetikës së shkrimit të poezisë shqipe, por askush gjer më tani, në një poezi të vetme, në një vargëzim aq të përsosur, të një toposi të vetëmjaftueshëm dhe dëshmi ekzistenciale, siç edhe është lumi, të një shenjë antologjike dhe me tharm letrar jo vetëm nga lloji, por kryesisht nga niveli realizues shprehës – emocional, figurues dhe letrar, nuk ia ka mbërritur që ta shpalos bukurinë e lumit kaq mrekullisht sa Camaj. Në një pamje rrezëllitëse dhe përplot përmbysje dhe rifomulime poetike, përgjithësisht të pakundshoqshme, ku përzihen dhe ngjizen në një njësi të vetme poetike malli dhe përgjërata, krenaria dhe brenga, adhurimi dhe frika prej harrese dhe fhsirjes së kujtesës, përjetimi dhe arti magjik i sendërgjimit të poezisë së natyrës, është gdhendur dhe mishëruar magjika e poezisë së lumit, natyrisht e lumit si simbol dhe përgjithësim i parrokshmërisë. Lumi i tij, pra lumi i poetit të magjishëm me emrin Martin Camaj, tashmë lumi si simbol dhe monument natyre, i lëvizje dhe frymim, me bukurinë e përftuar, farfurinë e pranishme si reliev dhe shenjë e natyrës dinamike, melodinë tronditëse që e përcjell, teknikën shkrimore muzikale, vetiu dhe natyrshëm shpërndërrohet në një lum mitik, në një lum të paprekshëm dhe të përjetshëm, në një lum që i theyn dhe kapërcen sinoret përndarëse kohore dhe hapësinore dhe krejt vetiu komunikon me universin si gjallëri dhe lëvizje e pandërprerë, me universin si frymë dhe shenjë letrare. Format rrezatuese dhe përndritëse të lumit, në këtë rast të mbytur nën rrebeshin e shiut, por edhe të gjallëruar po prej tij, si shenjë dhe frymë, dëshmi dhe qëmtim, janë të larmishme dhe të pafundme, janë edhe ca më shumë gjurmë të kërkimit poetik, sidomos të mjeshtërisë për ta derdhur në formësime të reja mallin dhe përmallimin për atdhe, janë edhe shenjëzime se si mund të sendërtohet poetika e lumit, pra poetika e madhnueshme e lëvizjes së pandërprerë. Kryen e vendit, në këtë poezi të pashoqe në letrat shqipe dhe më gjerë, së paku në letrat shqipe bashkëkohore, e zë lumi nën pushtetin e shiut, i cili me pikërrat e pandërprera e mbështjellë dhe rretheqarkon natyrën me një vello shiritash dritëzuese dhe makthndjellëse. Ky çast i frymëzimit të plotë poetik, i ngacmimit dhe valës së tharmit kreativ, e pështjellëzon lumin me një veshtull të habitshëm përrallor, si me thënë me një tis prarimi, të derdhur në mirazhet e pikërrave të shiut, që lëvaren në pambarimësi, të lara gjithashtu edhe nën ethet e ftohta të vjeshtës. Padyshim, mirazhet e shiut, aq vezullitës dhe zhurmues, përndezin në shpirtin e poetit, patjetër edhe të lexuesit të kësaj poezie, adhurimin për natyrën e sidomos për natyrën e vendlindjes. Prej shiut, që bie me vërtik dhe zhurma të fuqishme, i urti lum, i cili zakonisht lëviz nën paqëtimin e vetë, në kërkim të një fati që mbytet në dete dhe oqeane, jo shumë kohë më parë, tashmë fryhet dhe rrëmben gjithçka, e sall:

“në qiellin e vrantë lëviz nji kalë”,

siç ligjëron magjishëm vetë poeti tashmë, pra gjithsesi shkretimi nuk e ka fshirë botën anekandes, gjithshkafi nuk është tretur dhe bërë fir, duke ta rrëmbushur sërish shpirtin me drithërima dhe pezulli. Ngjashmëria e mjedisit përqark me lumin, në shi dhe vezullime, në rrebesh dhe të ftohmë, madje si një simbolikë e fshehtë dhe me adresim letrar, në zgripin e tmerrit, veçmas zbulohet tek thirrma e poetit:

“Ujë a ba gjethi”,

thirrmë përkthekuese, e cila ta përpush shpirtin dhe mendjen ma tepër në grahmën e mbrame, që e përplotëson dhe skalit pamjen e shkatërrimit bukurosh që e ka pru shiu me rrebeshin e frikshëm. Qetima, lëvizëse dhe përplitëse, përplot zhurmë dhe ankth, ka pushtuar vatrat dhe qeniet njerëzore, ka pushtuar gjithçka dhe mbretërimi sundimtar i pikëlave të shiut, tanimë kthehet në makth dhe kënaqësi të veçantë. Në makthin e dëshiruar për ta prekur dhe kallëxuar tragjikën e shiut, mbase i detyruar prej rrethanave, të natyrës dhe mallit të vendlindjes, por edhe në kënaqësi të pa përshkrueshme me fjalë, përballë fjalës magjike të poetit, ai ndalet dhe përsjellë në kujtesë bukurinë e shiut. Këto forma ekzistenciale të natyrës, pvarësisht sitnës dhe relievit, përgjithësisht të natyrës së kudogjendshme, pra si shenjë konkrete dhe universale, e padyshim edhe të asaj natyrës së vendlindjes, të lënë mbas krahëve me padëshirën e tij, të lënë me buzën në vaji prej dhimbës krenare dhe tronditëse, të natyrës në anën e tmerrit dhe ashpërsisë, të natyrës së dashur dhe vrastare, mbase të jetës njerëzore dhe më gjerë, ravizojnë shiun dhe lumin si dy simbole jetëdhënëse, dy simbolika të fuqishme që e tonifikojnë poetikën e autorit gjer në mrekullim poetik, ndërmjet tyre si elemente parake të lëvizjes dhe dinamikës thelbore, si dhe botës rretherrotull, ku edhe lëviz qenia njerëzore, me dëshirën dhe në shumicën e rasteve pa dëshirën e tij. Shiu që me pikërrat e veta, të buta apo zhurmuese, në verë apo dimër, e përtrin dhe e rilind prej motesh dhe shekujsh lumin, madje i jep forcë dhe ekzistencë të prekshme atij, dhe ku i fundit, pra lumi si pasqyra e vetme ku shiu zbulon fytyrën dhe pushtetin e vetë të ashpër, mbase forcën e shkatërrimit dhe përtrimjes, njëherit, ia krijon mundësinë dhe shkasin për ta pushtuar dhe shpërqëndruar rrjedhën normale të gjarpërit me pikëla shiu, pa të cilin jeta dhe stinët do të dukeshin të shkrumbosura. Magjia e lumit të Camajt, vetëkuptohet e lumit real dhe poetik, pra kryesisht e magjisë letrare që na e përcjellin vargjet e kësaj poezie, e lumit të trazuar dhe paqedashës, e lumit të artë dhe përplot acar, e lumit që nuk resht kurrë së ecuri, duke e lënë kohën mbrapa në vërtitjen e vet shpërfillëse, në frymën e poezisë së natyrës, të natyrës si shenjë dhe frymë, atmosferë dhe shprehësi letrare, të përngjan dhe fanitet ndocaherë me magjiken e poezisë së liqerit, realizuar me art dhe madhështi nga poeti thinosh L. Poradeci, në vargjet e poezisë monumentale “Poradeci”. Poezia e natyrës, si perëndim i vagëlluar mu në sipërfaqen e rrafshët të liqenit, në çastin e mbramë kur dita dhe nata, dielli dhe hëna, perëndimi dhe errësira përplasen dhe puthen, pa dijeninë e tyne dhe çmendurisht, endur gjer në përsosje prej poetit të natyrës dhe dashurisë, siç edhe njihet dhe përcillet përgjithësisht, të cilës ia ndjejmë duhmën dhe përsosjen letrare sa herë ta lexojmë apo si gurgullimën heshtake të pikave të shiut dhe plot bubullima mbi lumin e dallgëzuar, me lumin vraparak dhe përplotë vrundullima, e derdhur mjeshtërisht nga Camaj, shpërfaqet në format më të gjetura dhe më të papritura letrare, por në të dyja rastet edhe ka gjetur mjeshtrat e lëvrimit të saj, mjeshtrat e fjalës letrare, në këtë rast më shumë poetike, duke përmbushur kështu realisht një boshëtirë dhe hapësirë të pashfrytëzuar në letrat shqipe në lëvrimin e poezisë së lumit (vetvetiu të natyrës), jo thjesht si topos poetik, por më tepër si një situatë e zakonshme ku edhe lëviz ekzistenca e jetës dhe natyrës, në hapësirat e veta ekzistenciale të frymës dhe qenies.

PIKËPËRKIME LETRARE AUTORËSH

Në rastin e dy poezive antologjike, si njësi dhe shprehësi letrare, kushtim natyrës së bukur shqiptare, të dy prej mjeshtërave të poezisë shqipe, pavarësisht kohës dhe hapësirës, pavarësisht variantit shkrimor, të përafërt dhe të dallueshëm, njëherit nga të paktat që meritojnë të quhen dhe formatohen të tilla në letrat shqipe, në kuptimin artistik të mirëfilltë, pra të poezisë “Poradeci” të Llazar Gushos dhe “Shi mbi Lum” të Martin Camajt, ku përveç shtratit të përbashkët të lëvrimit të temës së natyrës, madje edhe të adhurimit të vendlindjes gjer në marrëzi, të frymimit të njëjtësuar të raporteve të qenies me natyrën dhe mjedisin përqark, shprehësisë së kërkuar dhe të gjetur letrare, vihen re dhe preken edhe disa pikëpërkime të habitshme, të kumteve dhe kumbimeve poetike, të veçanta letrare:

A – Kënga e ujit, si bukuri përrallore që ta mbush, zbraz dhe përpush shpirtin në këngëtime të befta e plotë shkëlqim, e ku rrezatimet e përskuqura të perëndimit diellor, që përsëritet pareshtur çdo ditë dhe për çdo mot, madje deri në parrokshmëri kozmike, në përqasjen e teksteve dhe të frymës së përgjithshme të dy poezive, përzihen natyrshëm me zhurmërimat verbuese të rrebeshit të shiut, i cili përshkon stinët e vjeshtës dhe të pranverës, nganjëherë edhe të dimrit të egër, si një makth që ngacmon dhe nxit të dy poetët, të kohëve dhe hapësirave të ndryshme, që të këndojnë me venerim e përkushtim për natyrën dhe vendlindjen, për jetën dhe amshimin, e mbi të gjitha të thurin këngëtimin e ujit, rrezëllitës dhe jetëdhënës për çdo kohë dhe hapësirë.

B – Kënga e ujit të ëmbël, lëngut fyrmë e jetëdhënës, të liqerit dhe lumit, si një shenjë dhe dëshmi e pakontestueshme e përjetimeve reale dhe ideale të lidhjes së fortë me vendlindjen dhe me atdheun, mbase të lidhjes së pazgjidhshme të secilit poet dhe krijues, me tokën dhe truallin ku u pati rënë koka, pavarësisht se ku i kalojnë vitet, rinore apo pleqërishte, tokës amë ose lëngut të përshpirtjes pa të cilin jeta do të tretej dhe sosej menjëherë, madje do të kthehej në zhur dhe pluhur të zi dhe kaosi plot më mjerim dhe shkatërrim do të ishte parajsë krahasuar me këtë gjendje të larmisë së ekzistencës së natyrës së larmishme dhe të vetë universit poetik të secilit poet, të ngjashëm dhe fare të ndryshueshëm ndërmjet tyre.

C – Kënga e vallëzimit të piklave të ujit, natyrisht të ujit të njelmët që vezullitet papra, si dy gjeratore të bukuruara, të rrezëllimeve të perëndimeve diellore dhe të rrebeshit të shiut, dy grimat e qasjes së përveçuar të jetës së amshmit të natyrës, ku pipëlima e natës, që bashkohet dhe ndahet me perëndimin, kontraston me zhurmërimën dhe fëshfëritjejn e shiut të rrëmbyer, e shiut parverak, të cilat skicojnë tiparet e natyrës shqiptare, si konkretësi, por edhe si shenjëzim simbolik i natyrës në përgjithësi, në dy momente nga më të bukurit dhe më të veçantit, në çastin e perëndimit të diellit dhe të rrebeshit të shiut, nëpër të gjitha sitnët e moteve dhe shekujve që ikin dhe vijnë, pambarimisht. Janë këto dy çaste, pikante dhe të shndritshme, të cilët mundësojnë edhe shpërfaqjen e bukurisë natyrore dhe të adhurimit të poetëve më të fuqishëm të poezisë shqipe për kërcimtarinë dhe lodrimin e pikërrave të ujit. Padyshim, në bukurinë që përcjellin vargjet e secilës poezi, megjithë nuancat e ndryshme dhe dallimore, luan rol edhe arti dhe mjeshtëria artistike e dy poetëve, madje e dy mënyrave të dallueshme shkrimore. Paralelet, e prekshme dhe fondamentale, ndërmjet dy poetëve, madje më tepër midis dy teksteve poetikë, të kohëve dhe krahinave të ndryshme, teknikave dhe menataliteteve të dallueshme, të qëmtimit dhe shenjimit të përveçuar të letrares, më saktë midis dy materieve poetike, e sidomos përqasja e poetikave të tyre, pavarësisht diferencave që burojnë prej parapëlqimit të secilit për cakun e përveçuar të natyrës, e sidomos prej konceptimeve të dallueshme shkrimore, mundësohet nga fryma e përafërt dhe krejt e ngjashme, skicimi dhe vizatimi gjer në gdhendje i linjave të natyrës, madje përzgjedhja e çasteve të spikatura, prania e melodisë tingullore dhe zhurmuese, tek Camaj, dhe heshturake dhe përpëlitëse tek Poradeci, që përcjellin vargjet e dy poezive. Këto dy poezi, sa ç’janë të ngjashme si frymë dhe shprehësi, thënie dhe atmosferë, formulim dhe adresim, aq janë të largëta si teknikë shkrimore dhe shprehësi:

– Poezia “Poradeci” e Lasgushit, më e bukura e shkruar prej tij, që i kushtohet natyrës së vendlindjes së tij, Pogradecit, edhe pse me strukturë dhe teknikë klasike, është shkruar me vargje të thyera, të cilat i kanë dhënë poezisë një ritmikë të beftë, pra duke gërshetuar mënyrat e vjershërimit në ligjërimin e shqipes, ndërsa poezia “Shiu mbi lum” e Camajt, nga më të spikaturat e tij në gjithë pentagramin poetik, që trajton motivin e natyrës, tashmë të veriut dhe alpeve shqiptare, realizohet me strofa katërshe, tipikisht të sfondit klasik, por materia e saj, njëherit ajo sendërton dhe përcjellë një cak të poezisë moderne, si tipologji dhe mendësi shkrimore.

– Poezia “Poradeci” sendërtohet dhe matarohet poetikisht me anë të vargut me gjashtëmbëdhjetë rrokje, ose me tetërrokëshin e dyzuar, një varg që hasim në fillesat e shkrimit të poezisë shqipe, si gjurmë parake tek P. Budi dhe më vonë në periudhën e Rilindjes tek N. Frashëri. Pra, poezia « Poradeci » , me motiv të pastër natyrën e vendlindjes, është ndërtuar nga një varg i prejardhur nga vatra e tetërrokëshit, që mrekullisht përbën edhe vatrën kryesore të shqiptimit poetik të letrave shqipe, në krijimtarinë gojore kaq e kaq shekullore dhe po ashtu edhe në atë të kultivuar, kurse në poezinë “Shiu mbi lum” poeti operon dhe shprehet me vargun dhjetërrokësh, një varg i bardhë dhe i pranishëm në poetikën e shqipes gojore, por këtu vjen si një pasurim i teknikave shkrimore, por edhe i vetë potencialit shprehës të shqipes, natyrisht edhe të vetë poetit.

– Poezia “Poradeci” e Lazgushit, në thelb dhe në parashtrim, në sipërfaqe dhe në brendësi të vargjeve, ka vënë në qendër perëndimin e diellit, më gjurmët e hijedritave të përthyerjeve ditënatësore, një çast ky mjaft tërheqës për artistët, veçmas për piktorët dhe poetët, një moment krejt i parapëlqyer për artistët në përgjithësi, nga ana tjetër poezia “Shiu mbi Lum”, kretj ndryshe, vendos në epiqendër të universit poetik çastin e rrebeshit të shiut, pra një çast i ndryshëm dhe i përkundërtët më të parin, pra poetikës lasgushiane, dhe krejt situatë e re tek situata e dytë, me rrebeshin e shiut vraparak, të cilat i shkojnë për shtat natyrave lirike dhe dramatike. Camaj, jo rastësisht ka zgjedhur pikërisht këtë moment, që përsëritet pamabrimisht çdo mot dhe shekull, mbase këtë pamje të natyrës për të shprehur dhe mbuluar gjendjen personale, mallin e përvëlimit për vendlindjen dhe njerëzinë, që i mungojnë kaq shumë atje në dhe të huaj, në vetminë e thellë teksa e mban të ndezur kandilen e shkrimit letrar, natyrisht e shkrimit në variantin e gegnishtes, porse duke mbledhur dhe venduar në tekstet e tij edhe një pjesë të madhe të variantit të arbërishtes, duke u fanitur kështu edhe me kandilen shpëtimtare të shqipes së varianteve të hershëm të shkrimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Përafëritë e prekshme ndërmjet dy poetëve, të ndryshëm në kohë dhe hapësirë, madje edhe të dallueshëm në përzgjedhjen e çasteve dhe të poetikave, megjithatë mjaft të ngjashëm në magjinë letrare, që e sendërtojnë, pra sidomos të teksteve poetikë, të përafërt dhe krejt të ndryshëm, në frymën e përgjithshme apo në gdhendjen e fytyrës së natyrës së lagështitur, si shenjëzim ky i artit të pranishëm, si dhe ndryshueshmëria shkrimore mes dy poezive, e shpjegueshme si me teknikën shkrimore, e po ashtu edhe me frymën që ato përçojnë, ravizon artin dhe magjinë shkrimore të secilit poet, madje të kohëve dhe hapësirave të ndryshme, si një mister i veçantë, mbase i papërsëritshme në formatin shprehës dhe emocional. Nisur vetëm nga këto dy poezi, që kanë në qendër natyrën në dy çaste të ndryshme, natyrën e liqerit të vështjellë me rrezatimin e diellit që perëndon pambarimisht, po ashtu natyrën e lumit, e lumit të larë nën rrebeshin e shiut, vjeshtak apo i çdo stine qoftë, pra « Poradeci » e Lasgush Poradecit, si poet i shpallur liqerit, dhe « Shi mbi Lum » e Martin Camajt, si poet i lumit, jo e shqyrtuar plotësisht, mund të themi se kjo dyshe fatlume në arealin e poezisë shqipe, veçams të shekullit të njëzet, përfaqëson dy penat të ndritura të letrave shqipe, në lëvrimin e motivit të natyrës, padyshim të natyrës shqiptare, si pikë referenciale e dëshmisë së bukurive të saj, në sendërtimin e poetikave të skicimit të natyrës dhe përmallimit personal të heroit lirik për ato mjedise, që rrezaton më përtej caqeve të dheut amë, madje duke qarkëzuar universin e këngëtimit poetik mbi natyrën, nëpër rrathë të parrokshëm dhe të vetëmjaftueshëm për të shënuar vlera universale.

SIMFONIA E PAPËRSËRITSHME E GJUMIT

Atmosfera e veçantë artistike, që krijojnë dhe përçojnë vargjet e poezisë “Shiu mbi lum”, një poezie e fuqishme dhe antologjike e letrave shqipe dhe më gjerë se sa kaq, çka bën që veshët dhe shpirti të kridhet në shungullima, në zhurma të frikshme dhe tronditëse, me tërësinë e vetë si poezi, por edhe me oazet poetikë të pranishëm, të cilat mrekullisht sendërtojnë një simfoni të çuditshme dhe tepër rrënqethëse, një simfoni marroke të moteve dhe stinëve, që si kryetingull ka piklat e shiut, edhe si pikërrima të buta, edhe si rrebesh i frikshëm. Në këtë situatë poetike të kontrastimit të fortë, të butësisë dhe ashpërsisë, lakonizmit dhe përgjithësimit, vjen edhe këngëtimi i bukurisë së vrazhdë të natyrës në këtë pamje, pra i bukurisë së natyrës në larmi dhe ndryshim të pandërprerë. Melodia e simfonisë së mrekullishme dhe të kombinuar ndërmjet pauzave dhe zhurmërimës, heshtimit dhe bubullimave, vetëtimave dhe territ, pra duke u përftuar kështu prej rrokullimës së pandërprerë të shiut bredharak dhe lodërtar, i cili shkakton, si pa e kuptuar, në trup e shpirt një shkrehje, një përgjumje kapitëse, mbase një ikje në botën e përmallimit të natyrës së larme dhe të çuditshme, mbase një ikje në pakthim. Pra, në kuptimin real dhe ireal, letrar dhe piktoresk, siç edhe ndodh përgjithësisht me artin e madh dhe të vërtetë, poezia e Camajt më tepër sendërton simfoninë e gjumit të thellë, madje e gjumit kapëlues, që ta galdon dhe zbukuron trupin dhe shpirtin, ku gati fshihet dhe zhduket e gjithë bota përqark dhe ekziston vetëm tingëllima dhe melodika e shiut ritmik. Kjo simfoni, bukuroshe dhe tronditëse, e larme dhe me ritëm të përveçëm, e tingujve të përzierë, rrjedh shpejt dhe krejt natyrshëm, në kodrat dhe malet, rrëpirat dhe humnerat e shumta, mandej duke përçuar tek qenia njerëzore, pra tek njeriu si univers i pambërthyeshëm, më shumë paqëtimin harmonik, ndonëse shpesh janë të pranishme edhe shenjat e mungesës së harmonisë, pavarësisht uljengritjeve të tonalitetit.

A – Në vargun:

“e pikat e shiut po bijnë mbi lum”,

ku fare qartësisht nga poeti, në mënyrë lakonike vizatohet dhe shprehet një univers formal dhe funksional, i aktit të rënies së shiut, ku nuk merret vesh se në cilën stinë dhe në cilin mot po ngjet kjo gjëmë e dëshiruar, pavarësisht frikës dhe ankthit që shkakton, si një tregues konkret dhe i prekshëm ky i shprazjes së lirë të natyrës, por edhe i mrekullimit që i bie të provojë dhe shijojë njeriu, me dëshirë dhe pa dëshirë, përballë kësaj pamje të rrebeshit të pikave, e sidomos vlaga që lë në nënvetëdijen e poetit, të cilat mrekullisht krijojnë muzikën tingullore dhe ritmike të habitshme, që të shtagon trup e shpirt. Këtu, pra në substancën poetike, është thelbësore të vihet re ritmi i vargut, që të përafron dhe fanit një ritëm trumpete që po fashitet, madje i një trumpete me zhurmërima britmash dhe heshtimi, që gjithnjë e më shumë largohet prej aty drejt një mjegulle dhe reshë pa konture, pra në një largim të habitshëm. Në këtë ikje të pashpallur dhe të natyrshme, trokëllima e pikërrave të shiut, e ngjashme me ritmikën e trumpetës në largim të pashmangshëm, të pushton vetvetiu dëshiri për t’u shtrirë, madje hapllueshëm trup-e-shpirt, në kraharorin e gjumit të thellë.

B – Në këtë vështrim vargu tjetër, po kaq prekës i poetit, ndërsa shprehet:

“shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”,

që fiton krejt natyrshëm peshë specifike dhe gravitacionale të pazakontë, organizuese dhe shprehëse, ritmike dhe tingullore, letrare dhe ndjesore, që ta paqëton shpirtin dhe gjithçkafin, e realitetit natyror dhe shpirtëror, dhe ta zbretë pa zor dhe droje në shuplakë të dorës. Ky varg, nga më thelbësorit i poezisë për të prekur poetikën e shiut, në mënyrë të posaçme dhe natyrale vendos barazpeshën ndërmjet përgatitjes për t’u shtrirë dhe situatës së përgjumjes. Vargu i dytë, më tepër dëshmon dhe shenjon pasojën, pra prejardhjen e detyruar, çastin e pashmangshëm, kur tingujtë melodikë dhe ritmikë, ta zatetin shtatin dhe arsyen dhe krejt vetiu, e pa e kuptuar ia beh gjumi dhelatar dhe përtritës, i shtatit dhe shpirtit, të mbytur në melodinë e trokëllimave të pikërrave të shiut, me kurbën e lëvizshme të rrebeshit dhe gurgullimës. Kombinimi i të dy vargjeve, si rimë e alternuar (e këmbyer), në strofën e parë plazmon dhe sendërton parapërgatitjen e simfonisë së gjumit. Kurse, realisht dhe estetikisht, si prani e tekstit poetik, veçmas në strofën e dytë të poezisë së lumit, nga gërshetimi i tyre shpërfaqet kulmi i simfonisë, një melodi paqëtuese dhe shtriqëse, zhurmuese dhe heshtuese, si tonifikim i ritmit të pikave të shiut me ledhatimin e përgjumjes kapitëse. Në të tretën strofë të kësaj poezie të habitshme dhe me thram letrar, në struktura dhe shprehësi letrare, veçan për mënyrën e përjetimit dhe të sendërtimit poetik, për shumëçka e sidomos për ndjesinë tingullore që sendërton, që zbulon dhe vizaton kapitjen e plotë të njeriut dhe gjithçkaje përqark prej gjumit, lodërtar dhe dredharak, pra prej ndarjes së përkohshme nga jeta, ku fare bukur alternimi i rimuar, porse përngjitazi me të edhe aritmia e paalternuar, përforcon dhe realizon përgjumjen, tashmë krejt të shpërgjumur prej magjikës shkrimore. Kuptohet se rima e alternuar (e këmbyer), e pranishme në pjesën më të madhe të këtij teksti, është tregues dhe shenjë e tharmit poetik klasik, porse bashkëkohorja dhe për më tepër modernia në poezinë e Camajt, përgjithësisht, e patjetër edhe në këtë rast, gjendet më së pari në frymimin e ri, mbase edhe në formësimin e brendshëm të materies poetike, si një esenecë shkrimore dhe artistike e tjetërsojshme, e cila rrok dhe shpalos një univers të vetvetishëm dhe të vetëmjaftueshëm letrar. Një aspekt tjetër i prekshëm melodik, padyshim edhe i pranishëm në të trija strofat e kësaj poezie, me synimin e vetëm që të sendërtojë melodikën ritmike të këtyre vargjeve, ku skicohet dhe plazmohet lumi nën rrebeshin e shiut, vjeshtak dhe bredharak, madje duke u plasuar si një element formësues artistik, është edhe rima e alternuar (e këmbyer) ndërmjet vargut të parë dhe atij të tretë, e cila lëviz dhe ndryshon gati në të treja strofat e kësaj poezie, me një shrregulësi të beftë. Këshu që përftimi i simfonisë së gjumit, dukëshm dhe qartësisht, formalisht dhe estetikisht, kuptohet dhe preket fare mirë, mbase vetëm si përfytyrim melodik, me zhurmërima të ndryshme, si një simfoni e akorduar mirë, por që shpesh e më shpesh edhe çakordohet dhe shprishet, duke shpërfqur kështu një rast unik dhe autentik në poezinë shqipe bashkëkohore, që mundësohet të kapet dhe të kundrohet, vetëm e vetëm nga leximi shqiptimor i çdo tingulli të poezisë, duke e grimcuar, madje i çdo theksi ritmik të këtyre vargjeve, patjetër edhe i pauzave ndërmjet tyre. Leximi shqiptimor, një mënyrë e hershme dhe moderne e lexmit të letrares, si tekst poetik, në prozë a dramatikë, herë me bërtima, herë vetëm me ca psherëtima lebetie dhe tmerri, pra i tingujve të secilës fjalë dhe varg, i fjalëve dhe pauzave të secilit varg dhe strofë, natyrisht i shoqëruar edhe me tonalitet shprehës që e nxjerr më në pah shenjimin tingullor, të kërkuar dhe të shenjuar artistikisht nga poeti, i cili anon më së shumti nga simfonia, liriko-epike, posaçërisht nga simfonia e gjumit, një simfoni e vetvetishme dhe magjike, që përkund shpresat dhe ëndrrat njerëzore, derdhur kaq magjishëm në vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”.

SHKALLËZIMI ZBRITËS

Mjeti themelor, letrar dhe përçues i vlerave, formësues dhe estetik, madje i sendërgjimit të poezisë “Shiu mbi Lum”, një tekst i beftë dhe kulmor i shkrimit poetik të autorit, madje krejt i prekshëm në të gjithë situatën dhe materien poetike, është shkallëzimi i ndryshueshëm dhe i variueshëm, mbase edhe duke u shpëndërruar këtu në këtë substancë të habitshme letrare, në një mënyrë efikase dhe me vlerë të sendërtimit poetik. Vihet re, mbase fare lehtësisht, se tre strofat e poezisë së shiut dhe lumit, pra tre strofat e poezisë së lumit, strukturojnë dhe formatojnë një shkallëzim të qartë zbritës, ku edhe matarohet poetika e adhurimit të natyrës:

A – Poeti, i mallit dhe natyrës, i dheut dhe vendnlidjes, teksa shprehet në vargun e radhës:

“Mjegulla nga bjeshka ulet ngadalë”,

i cili jep kulmin dhe dëshminë e shkallëzimit poetik, natyrisht si një përvijim i udhës së zbritjes, që më së shumti të përkujton linjat e holla piktorike, hedhur krejt shkujdesur dhe me përkorje ngjyrimesh nga një mjeshtër i shngjyrimeve zhurmuese dhe heshtake, ngjizur përplot melodi harmonike dhe disharmonike, si dhe shkallëzimit që përputhet fare natyrshëm dhe vetiu edhe me shkakun e shiut, pra me mjegullën, që mrekullisht dhe artistikisht parapërgatit sjellë edhe pasojën, rrebeshin e mëpastajmë, duke ngjeshur kështu një pamje poetike të përsosur dhe krejt të papërsëritshme në letrat shqipe, sa i përket thadrimit poetik të një situata të dyfishtë, edhe të nartyrës së bukur dhe përplot bukuri, por edhe të vendlidjes së lënë mbas krahësh.

B – Strofa e dytë e kësaj poezie nga më të thekurat kushtuar natyrës dhe mallit për atdhe, ku përpos rimarrjes së procesit, pasohet fuqishëm me vargun:

“Ujë a ba gjethi e teshat e blegës”,

e sidomos ky varg i fundit, më tepër mesianik në frymë dhe shprehësi, një stilemë poetike nga më të papriturat që gjellin në materien poetike autoriale, i cili paraqet fare qartësisht kozmogoninë e shiut, si një univers i lagështitur, mbase edhe vetë parajsën e pikërrave të shiut, i cili ka pushtuar gjithçka, një kozmogoni kjo e plotë, e natyrës përqark në një ditë shiu me rrebesh. Këtu, siç e shënon dhe dëshmon ky varg, kemi edhe zbritjen në realitetin e prekshëm, natyrisht në realitetin e natyrës së ndryshueshme, tashmë të kapluar prej furtunës së shiut, e që ka depërtuar deri në palcën e gjasendeve të shumta, të pranishme edhe me papraninë e dukshme të tyre. Vetë pamja që të ofron poezia, e ndërrueshme dhe përplot finesë, që të ofrohet bujarisht dhe letrarisht nga poeti e përplotëson kuadrin e natyrës në ndryshim dhe përmbysje të vazhdueshme, mbase në një transformim të paparashikuar dhe tejet tronditës.

C – E treta strofë e poezisë përmbi natyrën, me shi që lëshohet mbi lumin e vendlindjes, që lëshohet në dimër a vjeshtë, me vërtik dhe rrapëllima, ku qysh në krye të saj shpaloset fare qartë vetë mjedisi ku edhe luhen këto vezullime natyrore dhe ndjesinash të përndezuna poetike:

“Në votër flaka po del krandeve”,

duke zbuluar, tashmë pamjen e plotë edhe nga brenda të shtëpisë, ku jeta gati po fiket, mbase si një përplotësim kreativ i jetës së atyre trevave sidomos pas shiut, rrebeshit dhe vezullitjeve të pikërrave të tij, kur bota jashtë vatrës më tepër fashitet dhe tulatet, madje gati në mosqenie, porse realisht, bota njerëzore ose ajo pasqyra ku edhe zbardhet realiteti natyror dhe njerëzor, ndonëse mbyllet brenda katër mureve, në fakt vetëm sa ndërron vend dhe pamje. Kjo është veçse një pasojë e qartë e shiut të rrëmbyer, e shiut që shkakton tmerr dhe frikë, e shiut me rrebesh e thëllimë, një pasojë kjo e imponuar në jetën e përditshme, madje një pasojë që projektohet në mënyrë të papritur dhe me kaq hare nga poeti. Shiu paskej qenë kaq i tmerrshëm sa i ka ndry ndër vatra njerëzinë, e megjithatë brenda vatrës së secilit rob dhe të mbarë njerëzisë dhe mjedisit përqark, shpërthen ekzistenca e qenies, një ekzistencë e përsosur, e plotë në përmasat e mbijetesës dhe të frymës, që nuk shuhet asnjëherë. Përjashta, aty ku jeta e natyrës ekziston gjithmonëejetës, madje ajo edhe shpërfaqet në plotëninë dhe shkëlqimin e vetë, veçse edhe nën thundrën e shiut dhe të vrundujve të dallgëve të lumit, tanimë në këtë mjedis të ndërrueshëm dhe vraparak, sundon shkretimi frikësjellës dhe kolovitet një makth i parrëfyeshëm. Sundon shkretimi i natyrës në vjeshtë a dimër, shkretimi dhe mardhja nga të ftohtit, që megjithatë ta trajston dhe zbukuron shpirtin në forma dhe kënde krejt të paimagjinueshme. Derdhur në një formë artistike të vetvetishme dhe të vetëmjaftueshme si art i fjalës, pra më tepër si një shkallëzim zbritës i prekshëm, aq i larmishëm dhe lodërtar në substancën letrare, mbase një gjetje stilistike dhe jo një shprehje rastësore, që zë fill në qiellin e lartë atje tek strofulla e mjegullës, aty ku fle dhe zgjohet trembshëm hambari i shiut, duke zbritur në tokë dhe mandej duke portretuar në mënyrë të shpejtë mjedisin përqark, natyrisht mjedisin natyror dhe njerëzor, nënshtruar dhe skicuar nën thundrën e rrebeshit të shiut të tmerrshëm, e pas pak bri zjarrit, duke shijuar melodinë ritmike të pikave të shiut, poezia “Shiu mbi Lum” vjen me gjetje poetike dhe mjeshtri përthyerjesh letrare, të fuqishme dhe të papërsëritshme, vargëzim të papritur dhe figurshmëri të ngjeshur letrare, të ngjashme dhe të përafërta me poetikën e Lasgushit tek poezia « Poradeci », por edhe me dallimet e shumta, që e shpërndërrojnë tekstin e saj në një dukuri poetike të mëvetësishme.

PRANIA E HEROIT LIRIK

Vargjet e kësaj poezie, nga më të veçantat e shkruara prej autorit, por gjithashtu edhe në poezinë shqipe bashkëkohore, përpos shenjave të fuqishme letrare, skicojnë fare bukur portretin e heroit lirik të integruar në tërësinë e tekstit si një prani e domosdoshme dhe e pashmangshme e figurimit të letrares. Është një hero lirik, i veçantë dhe krejt i tejdukshëm në poetikën e shqipes, me gjasë i papërsëritshëm, qoftë si frymë e po kaq edhe si shpërfaqje. Prania e tij spikatet fuqishëm në gjithçka të parashtruar në vargjet e kësaj poezie, por arti dhe mjeshtëria e tij duket sidomos në penelatat e shpejta me të cilat vizaton lumin, madje lumin e fryrë dhe zemërak, e veçan të portretuar nën perden e shiut dhe të rrebeshit të frikshëm, që lëshohet me kaq furi dhe tmerr. Përfytyrimet, e shumta dhe të larmishme, që të zgjojnë vargjet e poezisë përmbi natyrën e lumit, kapërthuren ndërmjetshëm në atë skicim dhe melodi të pakëputur dhe frinkëndjellëse të bubullimave dhe pikërrave të shiut. Nga njëra anë kemi natyrën me bukurinë e ashpër, ku edhe zbulohet relievi i përthyer i malit që rrëzohet vetiu në shtratin e lumit, pra natyra e larë në vezullimin e litarëve të shiut, që bien pa përtesë dhe me vërtik, si dhe zbulesa e një fytyre të re të gjithçkaje, të gjetheve, të lumit dhe natyrës në stinën e vjeshtës, mbase si një zgjatim i padukshëm edhe të dimrit të lagësht. Në anën tjetër heroi lirik, një tip i heroit përjetues dhe meditativ, që më tepër të avitet si një piktor mjeshtër ase si poet këngëtar, ku edhe brendashkruhet dhe skalitet mjeshtëria poetike, dhe që gdhend në të gjitha detajet linjat e rrebeshit nëpër pejzitë më të holluar, duke të ndërmendur aksiomin e Lesingut: … se piktura është një poezi që hesht, ndërsa poezia është një pikturë që flet…, mbase edhe si një rimarrje e pashmangshme e sinkretikës artistike, aq të dëshiruar, por edhe po kaq të munguar në letrat shqipe të formatit bashkëkohor. Heroi lirik i kësaj poezie, një natyrë e hapur dhe krejt e tejdukshme në hapësirën e tekstit, padyshim i shumëfishtë dhe mjaft i tonifikuar në shpalosjen e ndodhisë dhe të ngjyrave që e sundojnë skenën, ashtu si dhe tjetërkund në poetikën e Camajt, pavarësisht gjinive dhe llojeve letrarë të lëvruar prej tij, padyshim në të gjithë pentagramin shkrimor, shfaqet edhe si prani e pasojës, që do të thotë se ndjek vëmendshëm gjithë situatën dhe formaton fytyrën e vetë në shtegtimin ekzistencial të fatit të qenies dhe të vetin si poet, njehërit. Në këtë situatë kaq të ngjeshur dhe të shumëfishuar të shkrimit poetik, ku vetëm brenda një poezie kushtuar natyrës së vendlindjes, veçmas në ditën e rrebeshit të shiut është ndërshtënë edhe prania e heroit lirik me disa plane ekzistenciale. Për shkak të shiut, pra të shiut me rrebesh, të shiut që pushton dhe shaktërron gjithçka që gjen përpara, të shiut që megjithatë vezullitet dhe pilikundet si një gjeratore bukuroshe dhe plot drithërima jo vetëm që ndërron pamja e relievit, e maleve dhe kodrave, e lumit dhe pyllit, por vetiu shpërndërrohet edhe vetë qenia njerëzore, ndërron aq sa e ke të vështirë ta pranosh se është e njëjta qenie si edhe më parë, kur shiu ishte dhe përpëlitej ende në barkun e reve, atje në lartësinë qiellore. Nën trokun e pikërrave të shiut, mbase të lazhdashiut, që lëshon tinguj dhe melodi të këndshme dhe pa mabrim, melodi tronditëse dhe të pëlqyeshme, trupi dhe shpirti i qenies lëkundet në përgjumje dhe shpërgjumje, në përgjumjen dhe pagjumësinë e thellë të humbjes së peshës dhe arsyes, zhytet vetiu në ledhatimin e rrebeshit të shiut vjeshtak apo ta çfarëdo stine qoftë. Në përgjumjen ledhatare dhe fatlume të simfonisë së shiut, të simfonisë ku tingujtë dhe ngjyrat përzihen dhe përplasen kaq liksht, e natyrshëm përkundesh në krahët e gjumit paqesjellës dhe truplehtësues, i cili ta merr mendjen dhe shpirtin në krahët e fluturimit, njëherit të përtej jetës dhe të vetë pambarimësisë, ku zakonisht mbërrin arti i fuqishëm, arti i fjalës poetike të thekur, i cili nëse është poezi e liruar prej prangimeve të dobisë dhe shërbesës, tenton dhe rrok universin e qenies. Pikat e shiut, në atë vërtitje shungulluese dhe ndjellafrikëse, shpalosin furishëm dhe një e nga një, edhe petalet e shpirtit njerëzor, trimëror apo frikalac, nën farfullitjen e ftohmës dhe lagështimës së shiut të rrëmbyer. Një pamje e veçantë e heroit lirik na zbulohet veçan në fundin e poezisë, ku përfytyrimi i brendësisë së shtëpisë, pra i vatrës, që këtu sjellë në fokus edhe një kod apo një përftesë të mëvetësisë autoriale, shoqërohet edhe me vetmimin e tij, mu si në një terratisje dimrake e pastër. Heroi lirik, tashmë i ngurosur pranë zjarrit, bubulak dhe ndjellagjumës, mbase mbledhur kruspull nga frika dhe ftohma, bie në detin e prehjes, në kaplimin e thellë të gjumit paqëtues dhe sfilitës, kryesisht prej lodhjes dhe ëndrrash të fikshme. Një prehje e thellë dhe kaq shumë e dëshiruar, kaq e plotë dhe e fundosur në humbje, kaq lodërtare dhe bukuroshe, pas një tmerri dhe ankthi të natyrshëm, që shkakton vetvetiu rrebeshi i shiut, ka një shenjë dhe gjurmë se është paqëtimi i vendlindjes, paqëtimi që të ndjek hap pas hapi kudo që të vesh. Kjo prekël e shtrenjtë, e ngjashme me frymën dhe ëndrrën, hyjnoren dhe tokësoren e përjetësisë, pra vendlindja e dashur, atdheu i lënë diku larg, jo prej dëshire, po prej përzënies së përdhuntë, prej ndalimit të kthimit rishtas, sa për ta prekur dhe ndjerë pranë afshin e tokës, vlagën e dheut të truallit ku të ka rënë koka, vizatohet mu në cakun ekzistencial të mospranimit të saj, teksa qielli e zbrazi zemërimin dhe lëshoi rrebeshin e shiut, që e shkalafiti dhe shkretoi sërish gjithçka përqark. Prania e heroit lirik, kaq i ndërlikuar dhe i hapur, si dëshmi dhe frymë, në vargjet e poezisë kushtuar natyrës jepet si gjithprani, por edhe si prani fatlume e gjithëpushtetshme dhe zoteshë e kohës dhe hapësirës, krejt e shpengueshme në këtë arrati dhe vrundullimë të rrebeshit të shiut.

RITMIKA E HARMONISË POETIKE

Poezia e titulluar “Shiu mbi Lum” dëshmon dhe shenjëzon një harmoni të fuqishme poetike, krejt të beftë, por më tepër të shaplosur dhe shprehur artistikisht me mjete letrare të natyrës klasike:

– Harmoni e strukturuar qartësisht brenda të njëjtës strofë, krijuar nga rima e alternuar (e këmbyer), midis vargut të parë dhe të tretë, të cilët rimojnë veçmas në fjalët Kadalë e kalë, pra një rimim fundor, kryesisht në tre germat e mbrame, si dhe ndërmjet vargut të dytë dhe të katërtë, ku tashmë rimojnë fjalët lum dhe gjum, ku shihet qartë se rimojnë dy germat e fundit, madje duke sendërtuar këtu edhe melodinë e përkudjes së djepit, mbase edhe të ledhatimit të foshnjës së dëshirueshme për gjum që ia zbukuron dhe zgjat shtatin.

– Harmoni joharmonike në mes strofave të kësaj poezie, sepse ruhet rima e alternuar (e këmbyer), ndërmjet vargut të dytë dhe të katërtit, por këtu, krejt papritur ndryshon rima mu në mes të vargut të parë dhe atij të tretë, që kanë si fjalë që sendërtojnë rimën, blegës dhe degës, të cilat edhe pse në shpërputhje endin dhe shpalosin një melodi, që e përthekon ca më shumë ritmikën e gjumit të thellë dhe paqëtues të trupit dhe shpirtit, megjithatë të trazuar prej makthit dhe jetës së vështirë, jetës së nderë në perin ekzistencial, të mbijetesës dhe shuarjes.

– Përsëritje e harmonisë joharmonike, pra më tepër si mungesë e saj, si një tingullim përplot ngjyresa dhe shkapërderdhje, plot përthyerje dhe stilema poetike autoriale, edhe në strofën e fundit, ku si fjalë bazë për të formuar rimën, gjithnjë e alternuar (e këmbyer), midis vargut të parë dhe vargut të tretë, janë fjalët krandeve dhe zaneve, të cilat i japin krahë dhe forcë edhe ca më fortë melodisë së përgjumjes, mbase edhe të shpërgjumjes, trup-e-shpirt ledhatues.

– Harmonia e kryqëzuar midis strofave të poezisë, ku dy vargjet ndërrohen si llojeshmëri, pra si numër rrokjesh, e dy vargje rishtas mbeten të njëjtë, me të njëjtat fjalë, madje me të njëjtën radhitje në secilën strofë, duke përforcuar dhe tonifikuar kështu ndjesinë e gjumit, tashmë si shenjë dhe përkorje e fatit të njeriut të lumtur, e fatit të shkruar në qiell dhe në shuplakën e secilit. Nëse vargu:

“e pikat e shiut po bien mbi lum”

zbulon në mënyrë të përsëritur, por edhe të shkallëzuar pamjen e natyrës piktoreske dhe plotëroshe, e cila përmbyset dhe veton bukuri, që vjen pas numër rrokjesh të caktuara, çka sendërton ritmikën e pikave të shiut, një melodi e prekshme, si dhe pamjen e natyrës në dinamikë dhe lëvizje të hatashme, madje më tepër natyrën në magjinë e rrebeshit të shiut, e shiut që e lanë dhe zbukuron mjedisin përqark me bukuri të frikshme dhe mahnitëse. Nga ana tjetër përsëritja e vargut:

“shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”,

i cili sjell pranë portretin e heroit lirik, natyrisht heroin lirik të zatetun prej ankthit të përgjumjes, teksa lyp qetësi dhe gjumin përtërimës, që shërben edhe si ura lidhëse e jetës me matanëjetën, e qenies me mosqenien, e mbijetesës me përshtatjen. Prania e këtyre formave të ritmikës dhe harmonisë së vargjeve, të cilat realisht krijojnë një linjë të papritur letrare, natyrisht brenda një poezie, të një niveli tejet të ngritur letrar, herë-herë edhe në një varg të vetëm, çka zbulon dhe shenjon mjeshtëri të fuqishme artistike, tregon qartë se autori e ka kërkuar dhe shenjëzuar poetikën në situata të larmisë letrare, të kërkimit dhe qëmtimit të shenjave dhe shenjëzimeve të fundme artistike, madje shpesh edhe duke rrokur tablo që të rrënqethin dhe të zgjojnë më mijëra imazhe tronditëse dhe plot më vrundullima shpirtërore, që i ndeshim rrallë jo vetëm në letrat shqipe, por edhe më gjerë se sa kaq.

PËRPUSHJE STILISTIKE AUTORIALE

Vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”, padyshim nga tektet më të fuqishëm poetikisht, të autorit dhe të letrave shqipe, përveç harmonisë ritmike, tronditëse dhe plot ngjyra, formave të saj të larmishme, si dhe tonalitetin muzikal, dëshmojnë praninë e mjeteve stilistike unike:

– Metaforika e vendlindjes, si shenjë dhe frymë, konkrete dhe simbolike, si një tregues dhe atribut identifikues dhe shenjues, shpirtëror dhe dëshmi e tipareve që bart secili individ dhe komunitet, me të gjitha shenjat e domosdoshme, si mal dhe lumë, breg dhe pyll, mjedis dhe qenie, ku i pari, pra mali shenjon forcën dhe qëndrueshmërinë e pandërperë për asnjë rrethanë, ndërsa lumi shenjtëron më tepër lëvizjen e pandërprerë, madje edhe si dinamikë, si ftohmë dhe shi, si bashkëshoqërues të dy tipareve të mëparshme.

– Metaforika e lumit, e lumit me ujë të njelmët, e lumit jodosido, por të mbytur nën rrebeshin e shiut dhe trokëllimave melodike, që lëshon pa pra e me vërtik, e lumit si rrjedhë dhe shpirt i ashpërsuar, madje ca më shumë e lumit si një pasqyrë dhe hapësirë, ku mund të kundrohet natyra me bukurinë e ashpër, e bashkë me të vendlindja e dashur, të mbështjellur më vellonë e bukur të pikërrave të shiut që ka mbërthyer botën anekandes dhe e ngjyen dhe përthyen me gjurmë ekzistence jetën e gjithshkafit, të natyrës dhe qenies njerëzore.

– Metaforika e shpirtit, natyrisht e shpirtit të dashurur gjer në marrëzi në atë vend të perëndishëm, mbase ca më fortë e shpirtit të mërguar padrejtësisht në dhe të huaj, e shpirtit që vuan, lëngon dhe krenohet për burkuritë rrezëllitëse të lumit, e shiut të rrëmbyeshëm dhe malit të lartë, që rretheqarkon me rrezëllima fundin e secilës nga strofat e poezisë, duke shpërfaqur kështu botën e madhe dhe të larmishme të heroit lirik, të malluar për vendlindjen dhe shiun brumbullak. Sidoqë të jetë shpirti, i vrarë apo lumturak, buron ngjyrime dritash të arta.

– Metaforika e shiut që bie pa pra dhe me vërtik, mbase edhe i vetmi rast në letrat shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, i shpërfaqur në dimensione të plota letrare, ku gdhendet e skalitur simfonia madhështore e pikërrave të lazhda, që trokasin pambarim mbi lum, e trokëllimat e tij jehojnë anekand botës, jehojnë ca më tepër në shpirtin e poetit, e mandej jehon ca më tepër në lebetima të natyrës së mbështjellur në krahët e shiut, e cila shpërhapet anë e përreth gjithë planetit, tashmë edhe me fytyrën e praruar të rrebeshit të shiut.

– Metaforika e mjegullës, natyrisht me atë ngjyrimin e vet gri, tashmë mbase e mjegullës së tejdukshme dhe të larë me pikërrat e shiut, e cila bart me vete shansin dhe mundësinë e pikave të shiut, e mjegullës bukuroshe që përngjyros dhe shpëlan qiellin dhe tokën me bukuri praruese dhe shpërndëritëse, megjithëse me bukuri të frikshme dhe gëzimplote, pikërisht në strofën e parë të poezisë mbi lumin në një ditë me shi që lëshohet me turravrap dhe rrebesh, zbukuron me tisin e vet të hirtë malet dhe lumin duke i dhënë mjedisit një pamje përrallore dhe fantastike.

– Metaforika e gjethit, e gjethit si pemë e goditur dhe përkëdhelur nga shiu dhe bora, era dhe ftohma, e gjethit të rrëzuar nga vjeshta dhe vrullimi i shiut, por edhe flladit të lagur dhe përtritës, jo fort larg prej atij momenti, ku flen dhe fashitet fara përlindëse, gjethi vjeshtak nga i palagshëm, sepse qëndron rastësisht ende në majë të pemës, tashmë është lagur e bërë qull, por edhe ka dalë ca më tepër në pah me atë bukurinë vetmitare, mbase edhe duke pritur, me bindjen e thellë, këputjen (rënien), e pashmangshme.

– Metaforika e votrës, patjetër e votrës si djep dhe anije fluturimi, e votrës si shenjë dhe gjurmë ekzistence, e votrës si jetë dhe amshim, e votrës si prag dhe mbijetesë, dhe mbase më së shumti si epiqendër e universit të vendlindjes. Vatra, në mbamendjen shqiptare, natyrisht edhe me gjerë se sa kaq, por edhe në vetëdijen e poetit, në shumicën e përjetimeve poetike apo në prozë, shpërfaqet si ngrehina e përjetësisë, madje edhe si caku i vetëm i qëndresës së njeriut, pavarësisht se ku gjellin, si liqeni paqëtues i mikut dhe vetë Zotit, si fryma nga ku merr udhë ekzistenca dhe vetë mbijetesa e njeriut, më përtej rrathëve kohorë dhe hapësinorë.

Sfumatura metaforike, padyshim një tufëz e rrallë në letrat shqipe, kaq e pasur dhe e ngjeshur në praninë e kësaj poezie, madje me naucime të përmbysjes dhe riformulimit të semantikës dhe shprehësisë, i jep përmasa të tjera tekstit poetik, e sidomos figurshmëria e ngritur mbi këtë bazament të poetikës moderne, të poetikës së thyer dhe përhtyer, që fsheh dhe zbulon njëherit unin poetik, të poetikës e cila zëshmon edhe vrullin e ndjesive më të holla të unit poetik, si dhe rrebeshin e shiut, por edhe me mjete të tjera stilistikore të fuqishme, ka mundësuar figurimin dhe lartimin e poezisë së lumit gjer në përpushje stilistike të pagjasa në ligjërimin poetik të letrave shqipe bashkëkohore. Në këtë poezi, si agjëkundi tjetër në poezinë shqipe bashkëkohore, metafora me thelbin dhe shpërfaqjen e vetë, madje më tepër si një tërsi (ruzare), metaforash, të cilat krijojnë një situatë mirëfilli figurative dhe tejet të ngjeshur të poezisë, e cila mëton që të përcjellë ndjesi të holla, padyshim në të gjithë hapësirën rrezatuese, si dhe veçanërisht me larminë e formave të shpërfaqura, shpërndërrohet kështu natyrshëm në esencë thadruese të artit të Camajt, madje fare mirë në sentencë poetike e sendërtimit të artit poetik, pra në magji letrare, ku shkrihet thënia dhe artthënia letrare.

KONTRASTI I KLITHMËS POETIKE

Materia e poezisë “Shiu mbi Lum”, tekst ritmik dhe melodik, një krijim i papërsëdytshëm në këngëtimin për vendlindjen dhe mallin e përvëlimit për të, së paku në letrat shqipe, në hapësirën e vet tekstologjike sendërton krejt natyrshëm një klithmë poetike të papritur, një klithmë që buron prej zhurmërimës dhe melodisë së shiut, mbase pipëlimave ndjellëse të zhurmës, formave të shpërfaqura të lagështimës dhe vezullimit të pikërrave të shiut, e po kaq e ngjeshur prej farfullitjes dhe shprazimit të shpirtit të poetit që megjithatë gjendet në zgrip të ekzitimit dhe frymimit. Kjo klithmë, shpirtërore dhe poetike, lartohet duke patur si themel kontrastin ndërmjet dy gjendjesh:

A – Nga njëra anë shiu dhe lumi, të cilët koloviten dhe kalamenden në zemëratën e habitshme, të endur dhe thurur poetikisht, që i shpërndërrojnë vendet natyrshëm dhe vetiu, por edhe transformojnë natyrën, e bashkë me të edhe qenien njerëzore, madje gjer në cakun e shpërfytyrimit zbukurimor. Bota, e unit të poetit dhe gjithë realiteti qarkues, sikur përmbyset dhe përtrihet nga e para, përmbyset dhe rilindet në pamje tjetër, më bukuroshe sesa e para. Padyshim që për një çast të vetëm, një çast më tepër imagjinar ky, përmbyset bota natyrore dhe njerëzore. Ashpërsia e rrebeshit të shiut, dihet se prehet dhe mbytet në lum, mbytet në lumin e aty pranshëm, mbytet kështu si përheri, se ka qenë jeta. Ky i fundit, pra lumi pak më parë i qetë dhe në përgjumje të thellë heshturake, tashmë fryhet dhe bymehet frikshëm dhe merr udhën e shkatërrimit të gjithçkaje, që edhe mund t’i dalë përpara. Kjo pamje, e frikshme dhe madhështore, ndjenjore dhe e gdhendur poetikisht, skicon qartësisht peizazhin e natyrës, madje me të gjithë elementët e vet përbërës; me qiellin gri dhe të lagur, ku retë zbrazin barkun e ngishëm dhe pikat e shiut rrëzohen me litar dhe me mëni; me tokën, tanimë të çngjyrosur, ku edhe gjethet e pemëve lagen e trajstohen për së keqi, madje edhe rrëzohen prej droje dhe frike; me lumin që megjithatë rreket dhe shuan natyrshëm zemërimin e shtrëngatës dhe suferinës, por edhe me njerëzinë e qetuar në vatrat e tyre, që mbyllë arkapiet dhe dritoret, e mandej pushtohet nga gjumi i thellë dhe përkëdhelës, i cili ka hedhur vellonë mbi gjithë botën. Peshë specifike dhe letrare në realizimin e tablosë së plotë të natyrës, vetëmse të natyrës së transformuar nën vellonë e rrebeshit të shiu, sidomos fiton në vargu:

“e pikat e shiut po bijnë mbi lum”,

që madje krijon edhe koloritin melodik dhe zhurmues, ku sërish harmonia pilikundet nën ethet e mungesës së harmonisë, teksa tonifikon çdo strofë të poezisë, nga më të thekurat në krijimtarinë e poetit.

B – Në anën tjetër ndjenjat dhe mendimet e heroit lirik, natyrish aso nmdjeinash dhe menidimesh të thella, të poetit të shkrirë më tepër me unin e këtij heroi, të pranishëm me ankthin dhe krenarinë për natyrën e vendlindjes, të cilat përndjekin dhe qarkojnë fatin e natyrës përreth, gjithsesi edhe fatin e qenies njerëzore. Poeti, zaten si çdo poet i mirëfilltë, e adhuron vendlindjen, si asgjë tjetër në botë, dhe madje me të drejtë, adhuron natyrën e mrekullueshme të vendlindjes, edhe nëse ajo rastis që shpalos ashpërsinë dhe tmerrin e pakufi, e adhuron qiellin, malin, shiun dhe lumin, që i pau për herë të parë në jetë. Me një fjalë, poeti i lumit, ashtu siç na e dëshmon poezia kulmore me temë natyrën dhe vendlindjen, në të gjithë krijimtarinë poetike të Camajt, adhuron natyrën e vatrës së lindjes, me gjithçka që ajo përfaqëson. Ngarkesën e subjektivitetit, mbase e përndezjes lirike të heroit lirik, e bart vargu:

“shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”,

i cili rretheqarkon fundin e secilës strofë të kësaj poezie, madje më një ritëm të thekur trompete, i cili të fton ta prekësh dhe shijosh melodikën dhe tingujt e praruar të pikërrave të shiut, melodikën e afshit dhe brengës vetimitare, njëherit edhe një temporitmikë të brendshme të shpirtit të heroit lirik. Këtu, pra në këtë situatë poetike të ngjeshur dhe të mëvetësishme, të shiut dhe njeriut apo të lumit dhe gjumit, kësaj dyshje të çiftëzuara, të cilat lëkunden dhe përkunden nën ethet e amshimit dhe të lumturisë së pa anë e cak, pra aty ku kontrasti i pranishëm në të gjithë poezinë dyfishohet, madje shumëfishohet, sepse poeti papritur realizon dhe plason edhe botën e unitetit dhe të harmonisë personale, madje ku shpirti s’pranon dhimbjen dhe dëshpërim, sepse ato, dhimbja dhe dëshpërimi e prishin dhe zhvoshkin njeriun nga vlerat, madje si pa u ndjerë, sikur moloja teshat, padyshim njeriun si frymë dhe prani, qenie dhe amshim, siç ka treguar koha dhe filozofia e jetës. Pranë saj, në çdo rast dhe anë, duhet prehja fizike, gjumi, ky malcim i lodhjes dhe strapacimit, si përtëritës i energjive dhe forcës njerëzore. Poezia “Shiu mbi Lum”, një tekst antologjik, hynë në ato vlera si me rrallë krijime të shkrimtarit, por edhe të letërsisë shqipe bashkëkohore, formaton nivelin më të lartë poezishkrimor për

adhurimin e natyrës, natyrës së vendlindjes, natyrës së kapërthyer nën ethet e shiut, e prekshme kjo në shprehësinë e artikuluar dhe ritmikën poetike të endjes së poetikës së lumit.

 

Exit mobile version