Gazeta Nacional Albania

Dr. Mujë Buçpapaj: Gentjan Mustafaj një poet me të ardhme në poezinë shqipe. Shënim për librin “Ata nuk puthen më”

Gentjan Mustafaj është një poet i ri shqiptar që me librin e tij të parë “Ata nuk puthen më”, e pasuron poezinë shqipe me vargjet e tij lirike, plot risi dhe frymëzime melankolike.
Libri është i ndërtuar kryesisht mbi kujtimet e dashurisë së humbur, e cila edhe pse ka mbetur si një vegim trishtimi, e bën përsëri atë të përjetojë çastet e bukura të saj, sido në një tjetër vend dhe në tjetër hapsirë.
Poeti i ri në mënyrë të përsëritur përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes se pse nuk mbijetoi kjo dashuri dhe pse ajo i shfaqet stinë pas stine, kohë pas kohe si një ritual në një botë të largët që ka hyrë në mes me borën e ftohtë, akullin dhe vetminë. Këtë çast meditimi dhe reflektimi e përcjell edhe poezia “Të pashë prapë”:

Kafeja e nxehtë lëshon avull
Gjithçka ka rënë si gjethe e kalbur
Ne kërkuam për të mbajtur
Atë që nuk e patëm.

Gentjan Mustafaj, në librin e tij me titull “Ata nuk puthen më” , botim i “Nacional”, Tiranë 2023, shfaq dukshëm talentin i tij të shprehur përmes një figuracioni të pasur, përdorimit të imazheve të gjalla të natyrës, jetës, mendimeve dhe eksplorimit të temave ekzistenciale. Aftësia e tij për të kapur disa momente të jetës dhe për të ngjallur emocione përmes gjuhës së tij poetike, i shton thellësi dhe shpirt poezisë së tij.
Libri “Ata nuk puthen më”, është një formë e lartë poetike, e hamendjes, dyshimit, e dilemës së njeriut dhe pikëpamjes së tij për shoqërinë moderne që i mungon çdo marrëdhënie e vërtetë kuptimplote midis njerëzve dhe besimit reciprok.
Poeti ka një një dëshirë për t’u mos shkëputur nga mënyra tradicionale e të shkruarit duke përdorur kryesisht strofen e rregullt dhe rimën, por e gjitha kjo e ndërtuar me një frymë moderne çfarë e bën poezinë e tij frymëzuese për të gjithë ata që duan të ringjallin format e pozisë klasike të ripërtirë me mjete moderne të të shprehurit dhe frymezim.
Poeti i ri nga Skrapari Gentjan Mustafaj është një përfaqësues i rëndësishëm i brezit të tij poetik, sido që përdor një stil neoklasik që të kujton shpesh Kadarenë në rininë e tij, por pa e kopjuar atë, natyrisht ai sjell një model të shkelqyer të poezisë së rimuar, si tek poema “Ata nuk puthen më”:

Perëndojnë yjet një nga një
Netët veç, gjumë me dalldi.
Ata të dy nuk puthen më
Për ta ka kohë që s’ flet njeri.

Poeti duke kuptuar rëndësinë e aliterimit, asonancës dhe bashkëtingëllimit dhe çfarë mund të sjellin në poezinë e tij, i ka përdorur ato me sukses, duke i bërë mjete të dobishme dhe efketive metrike duke i dhënë kështu poezisë së tij frymëmarrje dhe larmishmeri stili.
Poeti shmang shpesh rimën e përsosur, pasi nuk ka dashur të shkruaj poezi që tingëllojnë të ngrira apo edhe klishe, por fakti që Gentjani zotëron lloje të ndryshme të rimes, përtej ABAB i ka përmirësuar atij teknikat e poezisë dhe krijuar një stil më të sofistikuar dhe të lirë poetik. Si tek poezia “Çdo borë tjetër”:

Unë nuk jam më i yti
E vështirë është ta besoj.
Aq afër më vjen netëve,
Ndërsa nuk mundem të reagoj.

Si në këtë poezi, por edhe në shumë të tjera, verëhet se Gentjani nuk përdor thjesht vargje të rimuara deri në përputhshmeri metrike, apo fjalët që thjesht “tingëllojnë njësoj”, por diçka më tepër, shpirtin e tij poetik dhe lirshmërinë metrike.
Poezitë e tij kanë një përzierje të veçantë të lirizmit të thellë, sinqeritetit, melankolisë dhe nostalgjisë për dashurinë e shkruar, por edhe jetën që rrjedh pamëshirë.
Poezia e tij ka një freski dhe bukuri natyrore.
2.
Në poezinë me temë filozofike duket qartë zhgënjimi i tij me dashurinë dhe shpesh edhe me jetën.Të gjitha këto ndjenja universale pasqyrohen me emocione të thella dhe në një gjendje e perzier shpirtërore, të shpresës dhe trishtimit të pasosur, që përshkon poezinë e tij.
Mund të përmendim këtu poezitë: Rrugët, Nuk ka, Besoj vetvetën, Ju kërkoj falje”, Kilometrat, Për ty, E tillë është bota, Me të zeza, Pushtetar, Ofshamë, Se si ndihem etj.
Tek poezitë me temë filozofike lexuesi përjeton emocione të forta dhe të papritura. Në këto poezi poeti shfaq pikëpamjet e tij për jetën dhe shoqërinë si dhe zhgënjimet e tij në ndërveprimin me botën.
Fryma e ndividualizmit ndjehet në këto poezi, por edhe zhgënijmet të cilat edhe pse të forta nuk e kanë dekurajuar poetin të ecë përpara në jetë dhe në letërsi.
Këto poezi, dukshëm kanë shpirtin e revoltës kundër deformimeve që ka pësuar shoqëria dhe karakteri njerëzor, si tek poezia “Rrugët”:

Gjithçka mbetet e përjetshme,
Ditët, stinët, pështyma, fshesari.
Në një kryq çudirash ku pleksen,
Shekuj të trishtë me fundin prej varri.

Apo tek poezia “Ju kërkoj falje”:

Ju kërkoj falje kur qesh
Kur puth dhe kur shoh.
Qielli ka vend për të gjithë ne
Dhe ferri, thonë se po.

3.
Lirikat e dashurisë në libër sjellin një botë të pasur shpirtërore të poetit, përmes vargjesh klasike, por të gdhendura me mjeshtri dhe liri frymëzimi, duke sjellë lirizmin poetik shqiptar në një fromë të re, të ndryshme nga më parë. Ndërsa poetët e rinj i janë futur një rruge eksperimentimesh kryesisht estetike, formale, Gentjan Mustafaj i beson frymëzimit të tij për të sjellë poezi plot ndjenjë përmes një metrike ku trajtat klasike gershetohen bukur dhe me sukses me ato moderne.
Nga poezitë e dashurisë mund të përmendim: Këtej lamtumirës, Mëri të pakuptimta, Kishin rënë premtimet, Netët, U bë kohë, Pikërisht atëherë, Krishti dhe ne, Çdo borë tjetër, Ata nuk puthen më, Humba, Të pashë prapë, Nuk e shaj, Mos prit, etj.
Poema prej së cilës ka marrë edhe titullin libri “Ata nuk puthen më” është një reflektim plot dhimbje të përmbajtura për dashurinë e humbur dhe ndarjen në vijim, si një ankth që e ndjek autorin kudo ku gjendet në botë. Poeti ndërsa ndjehet i vetmuar, është edhe i përkëdhelur nga fati që i ka dhënë rastin të njohë një vajzë, që siç thotë poeti nuk ka të sharë, që i ka dhuruar atij çaste të bukura plot dashuri. Ja një strofë nga poema në fjalë:

Ata sigurisht nuk puthen më
Nuk ndajnë më as dhurata
Për ta hëna s’ thotë asgjë
Katërsohet si me syze “Prada.”

Poeti e quan të pakuptimtë këtë ndarje dhe shpesh ka ndjenja kontraditore për të, ndërsa kujton që prania e kësaj dashurie është e fortë aq sa e ndjek pas poetin kudo në jetë dhe në ëndrra, apo se kjo dashuri e dhuruar prej saj, ka mbetur si një hipotekë në shpirtin e tij, e ftohtë dhe e paprekshme deri në përjetësi. Poezia “Ke harruar të ikësh”:

Ke harruar të ikësh nga premtimet
Siç harrohen ata që i përkasin vetmisë.
Gjithmonë diçka rri e pavdekshme
Mes zhbërjes dhe përjetësisë.
…………………………………
Se nuk i more dot të tëra
Në një të pakuptim mërish.
Ti more ç’ munde dhe u zhduke
Dhe ç’ mbet këtu e jotja ish.

Në një tjetër poezi, poeti shkruan për fatet e ndara me ish të dashurën dhe jetën e pavarur që bën secili pas ndarjes së madhe dhe plot trishtim. Ndërsa tjetra ka jetën e saj të provokimit të dashurisë dhe përjetimeve të të papritura, poeti akoma ka fatin të shkruaj për këtë ndarje që i shafet si një imazh ankthi, si tek poezia “U bë kohë”:

U bë kohë që gjërat kanë ndërruar.
Ti, e bukur si qiell pa re.
Tek unë lëndinat po thajnë lulet,
Dhe zogjtë kanë zbrazur çdo fole
Ti ke fatin të lësh kohë të trishta
Unë të shkruaj balada der’ në varr
Ndonjëherë kam dashur fatin tënd të kisha
Për të dhënë, prapë për të marrë.

Në një poezi tjetër poeti e pranon fatin e ndarjes dhe mundësinë e moskthimit, ndërsa pohon qartë se “Unë nuk jam më i yti”, duke i dhënë një zhvillim tjetër lirizmit të ndjenjave të forta që e bëjnë atë plot brenga dhe makthe ndjenjash. Gjithë ky meditim i poetit nxitet edhe nga vetmia e një ditë me borë diku larg Atdheut të tij, ku vjen edhe tundimi i lamtumirës. Ja poezia “Çdo borë tjetër”:

Kam qënë duke humbur mendjen,
Kur ti s’ deshe ta shpëtoje
Rikthimin e viteve të tëra,
Që mbante gjysmën tënde.

Unë nuk jam më i yti
E vështirë është ta besoj.
Aq afër më vjen netëve,
Ndërsa nuk mundem të reagoj.

Mungon zëri yt dhe puthjet,
Ditët që lutëm për mirë.
Dhe s’ di prej lutjesh a prej trillesh
Ne po themi lamtumirë.

4.
Poeti ka një varg poezishë interesante nga jeta e përditshme, ku ai shpreh pikëpamjet e tij ndaj botës reale, si dhe zhgënjimin e tij për gjendjen aktuale të vendit tonë dhe të botës. Përmes një vargu të rastësishëm dhe figuracioni të pasur, autori bëhet zëri poetik i shoqërisë tonë, duke shprehur të vërteta të forta.
Gentjani është një novator në kërkimin e shpirtit human të të rinjve tanë që kërkojnë identitetin e tyre në një botë të trazuar dhe shpesh kërcënuese për të ardhmen. Por ai ja ka dalë në jetë dhe në letërsi.
Kjo frymë shprehet tek poezitë: Të rinj, Pragu i çarë, Pragu i humbësisë, Ke harruar të ikësh, Në parqet e verdhë, Kamarjeri, Qytete etj.
Ja poiezia “Të rinj”:

Unë s’ mund ta fsheh dëshirën për ballkonin fqinj,
As ecejaket nëpër lagje, as vjedhuritë.
Në lagjen time ka vend dhe për minj,
Për zëra e klithma, për natë, për ditë.

Këtu njerëzit harrojnë të përmendin Perëndinë,
Dhe zemrën e kanë të zorshme të ta japin.
Ëndërrat i njëjtësojnë me marrëzitë
Dhe sërish presin të marrin…

Unë s’ mund ta fsheh, se shirat dhe erërat këtu vijnë,
Si dashuria për ballkonin fqinj.
Ato dashuri që vijnë në botë,
Dhe ne që jemi të rinj.

5.
Gentjan Mustafaj shkruan një poezi inteligjente, me frymë universale, me referenca shumë intensive për jetën, dashurinë, vdekjen dhe ripërtritjen, me një kulturë dhe erudicion të lartë, çfarë e bën atë një njëri të kompletuar dhe poet të spikatur.
Mustafaj është një poet me të ardhme në poezinë shqipe. Ai shkruan me një stil të thjeshtë dhe përsosmeri gjuhe, duke u dhënë fjalëve kuptime më të thella dhe të ndjeshme, shpesh duke pasur aftësinë për t’i çuar lexuesit në vendin dhe situatën e emocioneve të tij. Poeti ka një mënyrë ekonomike të përdorimit të fjalëve në poezi çfarë e dallon atë prej shumë poetëve e tjerë të brezit të tij.
Libri i tij, “Ata nuk puthen më”, flet për një dashuri të humbur por që ka lënë gumë të thella në jetën e poetit të ri, biles që ka ndikimin më të madh në jetën e tij dhe mënyrën e përceptimit të botës.
Ai ka stilin e tij të veçantë dhe kjo mund të vërehet lehtas edhe nga lexuesi i thjeshtë. Ai dëshmon përmes poezisë së tij, aftësi të forta dhe talent të padiskutueshëm për të krijuar një kuptim më të thellë për jetën dhe të ardhmen përmes një figuracioni të pasur dhe plot frymëzim.
Dashuria e humbur vazhdon të motivojë poetin për të shkruar poezi të reja, shpesh përmes dhimbjes dhe melankolisë së ndarjes.
Ai shkruan duke shprehur ndjenjat dhe përvojat e tij me temat e guximit jetësor, emigracionit, braktisjes së Atdheut, humbjes së dashurisë, luftës, vdekjes, nderit dhe përjetësisë, tema këto të përhapura thuajse në të gjitha poezitë e tij me një frymë universale, të përbotshme. Këta elementë dhe të tjerë që i rendita në këtë parathenie të thjeshtë, e bëjnë Gentjan Mustafajn një poet me të ardhme në poezinë e re shqipe. I urojmë atij vetëm suksese!

Tiranë, 2023