Sa i drejtë paska qenë skepticizmi dhe zhgënjimi i Presidentit Trump ndaj Zelenskyt.
Duhet pranuar se kritikat e ashpra të Presidentit amerikan Donald Trump, të bëra në Truth Social më 19 shkurt 2025 ndaj Volodymyr Zelenskyt, i kemi parë me njëfarë dyshimi.
Etiketimet e tij të ashpra ndaj presidentit ukrainas, përfshirë cilësimin “diktator” dhe akuzat se Zelensky ka bërë një “punë të tmerrshme” dhe se “Ukraina është shkatërruar pa nevojë”, kanë qenë deklarata të rënda politike, të cilat kërkojnë të gjykohen me kujdes dhe jo thjesht të pranohen si të vërteta. Por zhvillimet e djeshme, në gusht 2026, në Beograd, na detyrojnë të rishikojmë një pjesë të këtij skepticizmi.
Sepse, kur një lider që kërkon solidaritetin e botës për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij, në të njëjtën kohë mohon një realitet historik, politik e juridik të konsoliduar në nivel ndërkombëtar si Kosova dhe e bën këtë pikërisht në Beograd, lind natyrshëm dyshimi se parimet mund të jenë duke iu nënshtruar interesave korruptive të momentit.
Ne nuk duam të besojmë se politika e Zelenskyt udhëhiqet vetëm nga interesa pragmatike apo interesa biznesi; por diplomacia e sotme e Kievit, të paktën në rastin e Kosovës, krijon pikërisht këtë përshtypje.
Dhe ky është një paradoks veçanërisht i dhimbshëm: një president që i kërkon botës të mos bëjë pazare me sovranitetin e Ukrainës, nuk duhet ta trajtojë sovranitetin dhe fatin e Kosovës si një çështje të negociueshme në funksion të marrëdhënieve të biznesit me Beogradin. Kjo është e turpshme.
Deklarata e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dje në Beograd, se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk është thjesht një qëndrim diplomatik i përsëritur. Është një deklaratë që ngre një pyetje të madhe mbi koherencën e politikës së jashtme të Kievit dhe mbi kuptimin që i jep Ukraina sot parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe së drejtës ndërkombëtare.
Zelensky deklaroi në krah të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç se Ukraina “respekton integritetin territorial” të partnerëve të saj dhe se, sa i përket Kosovës, “qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”. Në të njëjtën kohë, ai shprehu mirënjohjen ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.
Por pikërisht këtu lind paradoksi. A mund të mbrohet integriteti territorial i Ukrainës duke mos pranuar realitetin historik, juridik dhe politik të Kosovës?
Kjo nuk është një pyetje retorike. Është një pyetje themelore e rendit evropian dhe e vetë parimeve mbi të cilat Ukraina kërkon sot solidaritetin e botës demokratike.
Kosova nuk është një çështje që mund të vendoset në një tryezë diplomatike si pjesë e një shkëmbimi interesash të Kievit me Beogradin.Kjo do te ishte vertete komike. Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008 dhe është njohur nga një numër shumë i madh shtetesh të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën dërrmuese të vendeve të Bashkimit Evropian. Për më tepër, realiteti shtetëror i Kosovës është konsoliduar në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Por argumenti më i rëndësishëm është juridik. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, pas një kërkese të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së,
dha Opinionin e saj Këshillimor mbi Kosovën dhe konstatoi se deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Gjykata arriti në përfundimin se miratimi i deklaratës nuk kishte shkelur as rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, sipas çështjes që iu parashtrua.
“Komediani modest i suksesshëm”, siç e ka vlerësuar presidenti amerikan Trump presidentin ukrainas, duhet të kishte mësuar kaq gjë për Kosovën, në mos vetë, të paktën nga këshilltarët e tij, përpara se të bënte këtë deklaratë të ligë.
Zelensky e di se Serbia është një vend i vogël, me ndikim periferik ndërkombëtar, me potencial të vogël ushtarak krahasuar me aleatin e saj strategjik, Rusinë, me të cilën Ukraina është në luftë. Ndërsa Kosova është aleate strategjike me SHBA-në, e cila ka sponsorizuar qëndresën e Ukrainës ndaj Rusisë.
Po t’i referohemi Presidentit amerikan Trump, për çudi ka ndodhur që “Komediani modest i suksesshëm” ka nxitur Amerikën të shpenzonte 350 miliardë dollarë për të “shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej”.
Ky është një fakt që nuk mund të anashkalohet sa herë që diskutohet çështja e Kosovës nga Zelensky.
Prandaj, kur një shtet që kërkon nga bota respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës refuzon të njohë Kosovën, krijohet një kontradiktë që nuk mund të fshihet pas formulave diplomatike.
Solidariteti nuk mund të jetë një rrugë me një drejtim.
Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës kanë qenë ndër popujt evropianë që e kanë kuptuar më qartë tragjedinë e Ukrainës.
Shqipëria e dënoi pa ekuivok agresionin rus, u bashkua me sanksionet ndërkombëtare dhe mbështeti Ukrainën në forumet ndërkombëtare, por edhe me armë dhe ndihmë humanitare. Vetë Ministria e Jashtme shqiptare e ka cilësuar agresionin rus si shkelje të rendit ndërkombëtar dhe ka dokumentuar zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Edhe Kosova, ndonëse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk është anëtare e OKB-së, është rreshtuar me sanksionet evropiane kundër Rusisë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës i vitit 2022 përfshiu masat kufizuese të BE-së ndaj veprimeve destabilizuese të Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë.
Kosova ka ofruar gjithashtu mbështetje humanitare dhe politike për Ukrainën dhe ka pritur njerëzit e saj të larguar nga lufta.
Pra, pyetja që u drejtohet sot autoriteteve ukrainase është e thjeshtë:
Kur Kosova, Shqipëria dhe 10 milionë shqiptarët etnikë në Ballkan, qëndrojnë me Ukrainën në momentin e saj më të vështirë, pse Ukraina zgjedh aleatin e ngushtë të Rusisë, Beogradin( një qendër armike e shqiptareve), për të rikonfirmuar mosnjohjen e Kosovës?
Nuk është fjala për të kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga interesat e veta kombëtare. Çdo shtet ka të drejtë të mbrojë interesat e veta. Por diplomacia nuk mund të kërkojë solidaritet vetëm kur i nevojitet.
Nëse parimi është sovraniteti, ai duhet të jetë parim.
Nëse parimi është integriteti territorial, ai duhet të argumentohet në mënyrë koherente. Nëse parimi është e drejta ndërkombëtare, ajo nuk mund të interpretohet ndryshe për Ukrainën dhe ndryshe për Kosovën.
Ka një dallim thelbësor që nuk mund të relativizohet.
Kosova nuk është Krimea. Kosova nuk është Donetsk. Kosova nuk është një territor ukrainas i pushtuar nga një fuqi e huaj dhe i aneksuar nëpërmjet forcës ushtarake.
Kosova është pjesë e Shqipërisë prej shekujsh dhe mijëvjeçarësh. Kosova iu shkëput shtetit shqiptar pas vendimit të padrejtë të Fuqive të Mëdha më 1913, duke e ndarë në dysh kombin më të vjetër evropian, siç janë shqiptarët autoktonë. Serbia e përvetësoi Kosovën dhe gjysmën e territoreve shqiptare si plaçkë tregu, dhuruar nga Fuqitë e Mëdha. Ata u sollën si pushtues të egër, duke vrarë, zhdukur dhe spastruar etnikisht miliona shqiptarë për rreth 86 vjet të pushtimit të egër serb.
Pra, rasti i Kosovës është unik në botën tonë dhe nuk mund të krahasohet me asnjë shtet tjetër. Mund të ketë ngjashmëri me ndarjen e Gjermanisë në dy shtete në fund të Luftës së Dytë Botërore, të cilat u bashkuan në vjeshtën e vitit 1989. Kosova u çlirua nga pushtuesit serbë pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, nën drejtimin e SHBA-së dhe Presidentit Bill Clinton, duke ndrequr një padrejtësi historike ndaj shqiptarëve, dhe është shteti më pro-perëndimor në Evropë.
Ne e njohim historinë, por, pavarësisht kësaj, ne kemi mbrojtur tezën se “Rusia ka pushtuar Krimenë për të çliruar rajonet e saj etnike ruse që dikur kishin qenë pjesë e shtetit rus”.
Për shembull, për t’u bërë jehonë këtyre tezave ruse, mund të përmendnim faktin se, më 1954, Presidiumi i Sovjetit Suprem të BRSS-së e transferoi administrativisht Krimenë nga Republika Socialiste Federative Sovjetike Ruse te Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës. Pas shpërbërjes së BRSS-së më 1991, kufijtë administrativë të republikave sovjetike u bënë kufijtë ndërkombëtarë të shteteve të reja; kështu, Krimea i mbeti Ukrainës, sido që kishte qenë pjesë e Rusisë.
Mediat shqiptare, por edhe qëndrimet zyrtare, e kanë konsideruar të pushtuar Donbasin (Donetsk dhe Luhansk). Edhe këtu historia e pranisë ruse dihet. Rajoni i Donbasit u industrializua fuqishëm gjatë periudhës së Perandorisë Ruse dhe më pas u bë një nga qendrat kryesore industriale të Ukrainës sovjetike. Popullsia u bë veçanërisht e përzier dhe rusishtja u përhap gjerësisht, sidomos në qendrat urbane. Disa zona të Donbasit u administruan dhe u riorganizuan brenda strukturave sovjetike gjatë viteve 1920. Pas shpërbërjes së BRSS-së më 1991, kufijtë administrativë të republikave sovjetike u bënë kufijtë ndërkombëtarë të shteteve të reja.
Po kështu, jugu i Ukrainës – Zaporizhzhia dhe Kherson, ka gjithashtu një prani të rëndësishme historike të popullsisë etnike ruse, veçanërisht pas zgjerimit të Perandorisë Ruse në jug në shekullin XVIII. Gjatë periudhës sovjetike, ato u administruan si pjesë e Ukrainës sovjetike dhe, në vitin 1991, hynë në shtetin e pavarur ukrainas brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Rasti i Kosovës ka një histori, një kontekst juridik dhe politik të veçantë. Vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e trajtoi në mënyrë specifike pyetjen mbi përputhshmërinë e deklaratës së pavarësisë me të drejtën ndërkombëtare dhe arriti në përfundimin se ajo deklaratë nuk e kishte shkelur këtë të drejtë.
Prandaj, çdo përpjekje për ta përdorur Kosovën si argument automatik kundër Ukrainës ose Ukrainën si argument automatik kundër Kosovës është juridikisht dhe politikisht e papërshtatshme.
Kosova nuk duhet të shndërrohet në viktimë të ekuacioneve të reja diplomatike në Ballkan.
Por a është Beogradi arsyeja e kësaj deklarate?
Koha dhe vendi i deklaratës së Zelenskyt janë domethënëse.
Presidenti ukrainas u ndodh në Beograd, në vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, ndërsa Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe nuk është bashkuar me sanksionet perëndimore ndaj Moskës. Në të njëjtën kohë, Beogradi kërkon të ruajë lidhjet me Moskën, ndërsa synon edhe afrimin me Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, deklarata për Kosovën mund të lexohet si pjesë e një diplomacie korruptive të Kievit ndaj Beogradit, siç thuhet, për shkak të marrëveshjes së dronëve.
Por pikërisht këtu qëndron problemi.
Kosova nuk mund të jetë çmimi i një afrimi diplomatik me Serbinë.
Një shtet që lufton për ekzistencën e vet territoriale duhet ta kuptojë më mirë se shumë të tjerë se çfarë do të thotë që një popull të kërkojë siguri, liri dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e vet.
Një pyetje për Presidentin Zelensky
Presidenti Zelensky ka kërkuar vazhdimisht që bota demokratike të mos relativizojë të drejtën e Ukrainës për sovranitet dhe integritet territorial. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë kërkesë. E kuptojnë, sepse Kosova ka kaluar vetë nëpër një histori të dhimbshme të pushtimit të egër serb, periudhë represioni, spastrimi etnik, ndërhyrjeje ndërkombëtare me 1999 dhe ndërtimi institucional në vitete në vazhdim.
Pikërisht për këtë arsye, ne presim që edhe Ukraina ta kuptojë Kosovën jo përmes filtrit të marrëdhënieve me Beogradin, por përmes realitetit të saj historik dhe juridik.
Miqësia shqiptaro-ukrainase nuk duhet të vihet në dyshim nga një deklaratë presidenciale.
Por miqësia e vërtetë kërkon edhe sinqeritet. Dhe sinqeriteti kërkon të thuhet hapur:
Shqipëria dhe Kosova kanë qenë me Ukrainën. Ukraina duhet të ketë të paktën mirëkuptimin për Kosovën.
Nuk po kërkohet një favor diplomatik. Po kërkohet koherencë, ndershmëri dhe parimësi. Nuk po kërkohet që Ukraina të braktisë interesat e saj. Po kërkohet që parimi i së drejtës ndërkombëtare të mos aplikohet me dy standarde
Sepse në politikën ndërkombëtare ekziston një kufi që asnjë interes i çastit nuk duhet ta kalojë kufirin midis pragmatizmit diplomatik dhe relativizimit të parimeve.
Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet harruar se Kosova nuk është monedhë për pazare diplomatike.
Ajo është një realitet politik, historik dhe institucional evropian, që nuk mund të zhduket nga një fjali e thënë në Beograd. Historia e Kosovës nuk shkruhet në Beograd. Dhe as e ardhmja e saj nuk mund të negociohet atje.
Deklaratat e 8 gushtit të Volodymyr Zelenskyt në Beograd për Kosovën na bënë të besojmë se kritikat e ashpra të Presidentit amerikan Donald Trump, të bëra në Truth Social më 19 shkurt 2025 ndaj presidentit ukrainas, kanë qenë të drejta.
KOSOVA NUK ËSHTË MONEDHË PËR PAZARE DIPLOMATIKE
Sa i drejtë paska qenë skepticizmi dhe zhgënjimi i Presidentit Trump ndaj Zelenskyt
Nga Dr. Mujë Buçpapaj
Duhet pranuar se kritikat e ashpra të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, veçanërisht ato të shprehura më 19 shkurt 2025, i kemi parë me një dozë të konsiderueshme skepticizmi. Etiketimi i Zelenskyt si “diktator”, së bashku me akuzat e tjera të rënda politike të bëra atëherë nga Presidenti amerikan, ishin deklarata të një natyre të pazakontë për marrëdhëniet ndërmjet dy krerëve të një aleance politike të Perëndimit dhe duhej të shqyrtoheshin me kujdes, në dritën e rrethanave të luftës dhe të përplasjes së fortë politike amerikano-ukrainase.
Por deklarata e sotme e Presidentit Zelensky në Beograd na detyron të rikthehemi me një vështrim më kritik te disa prej pyetjeve që atëherë i konsideronim të nxituara ose të padrejta.
Sepse politika ndërkombëtare, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për fatin e shteteve dhe kombeve, nuk mund të gjykohet vetëm nga fjalët, por nga koherenca midis parimeve të shpallura dhe sjelljes konkrete të një shteti.
Kur një lider i kërkon botës demokratike solidaritet të pakushtëzuar për sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtën e kombit të tij për të vendosur mbi fatin e vet, ndërkohë që në një kryeqytet tjetër evropian rikonfirmon mosnjohjen e një realiteti shtetëror të konsoliduar si Kosova, lind në mënyrë të pashmangshme pyetja nëse parimet po i nënshtrohen pragmatizmit diplomatik të çastit.
Nuk dëshirojmë të besojmë se politika e Kievit udhëhiqet nga interesa të ngushta pragmatike apo ekonomike. Por diplomacia e sotme ukrainase, të paktën në rastin e Kosovës, krijon pikërisht një perceptim të tillë.
Dhe ky është paradoksi.
Një president që i kërkon botës të mos bëjë pazare me sovranitetin e Ukrainës nuk mund ta trajtojë sovranitetin dhe fatin e Kosovës si një çështje të përshtatshme për t’u përdorur në arkitekturën e marrëdhënieve me Beogradin.
Kjo nuk është vetëm një çështje mirësjelljeje diplomatike. Është çështje parimi.
Deklarata e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot në Beograd, se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund të konsiderohet thjesht si përsëritje e një formule të vjetër diplomatike. Ajo merr një domethënie të veçantë pikërisht për shkak të vendit ku u bë: në Beograd, në krah të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në një kohë kur Ukraina po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj politike dhe ekonomike me Serbinë.
Zelensky deklaroi se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe se, për Kosovën, qëndrimi i Kievit mbetet i pandryshuar. Në të njëjtën kohë, ai shprehu mirënjohjen ndaj Serbisë për qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.
Por pikërisht këtu fillon pyetja që nuk mund të anashkalohet:
A mund të mbrohet në mënyrë absolute integriteti territorial i Ukrainës, ndërsa mohohet një realitet politik dhe juridik që ka kaluar tashmë nëpër institucionet kryesore të sistemit ndërkombëtar?
Kjo nuk është një pyetje retorike.
Është një nga pyetjet themelore të koherencës së rendit juridik ndërkombëtar.
Kosova dhe prova e së drejtës ndërkombëtare
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Që atëherë ajo është njohur nga një numër i madh shtetesh të komunitetit ndërkombëtar, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
Por përtej numrit të njohjeve, ekziston një element juridik që nuk mund të anashkalohet.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, dha Opinionin e saj Këshillimor mbi Kosovën. Gjykata, me dhjetë vota kundër katër, arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ajo konstatoi gjithashtu se deklarata nuk kishte shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit apo Kornizën Kushtetuese të zbatueshme në Kosovë.
Ky fakt kërkon të theksohet me saktësi.
Gjykata nuk “e njohu Kosovën” si shtet — kjo nuk ishte pyetja që iu parashtrua — por dha një konstatim juridik me peshë të jashtëzakonshme: vetë akti i shpalljes së pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Prandaj, kur një shtet që kërkon nga komuniteti ndërkombëtar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës refuzon të njohë Kosovën, kontradikta nuk mund të fshihet pas formulave të zakonshme diplomatike.
Sepse nëse e drejta ndërkombëtare është themeli, ajo duhet të interpretohet me koherencë.
Nëse sovraniteti është parim, ai nuk mund të jetë parim vetëm kur na shërben.
Nëse integriteti territorial është vlerë universale, ai nuk mund të shndërrohet në një instrument selektiv të politikës së jashtme.
Solidariteti nuk mund të jetë rrugë me një drejtim
Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës e kanë kuptuar tragjedinë ukrainase jo vetëm si një krizë gjeopolitike, por si një dramë njerëzore dhe si një sfidë ndaj rendit evropian të sigurisë.
Shqipëria e ka dënuar agresionin rus, është rreshtuar me sanksionet ndërkombëtare dhe ka mbështetur Ukrainën në forumet euroatlantike. Edhe Kosova është rreshtuar me masat ndërkombëtare kundër Rusisë dhe ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme solidaritet politik e humanitar me Ukrainën.
Kosova, ndonëse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk ka ulëse në Kombet e Bashkuara, është përpjekur të sillet si pjesë e komunitetit politik euroatlantik që e konsideron agresionin rus një kërcënim ndaj rendit evropian.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:
Kur Kosova dhe Shqipëria kanë qëndruar me Ukrainën në orët më të vështira të saj, pse Ukraina zgjedh Beogradin për të rikonfirmuar pikërisht mosnjohjen e Kosovës?
Nuk po kërkohet që Ukraina të braktisë interesat e saj kombëtare.
Asnjë shtet serioz nuk mund të kërkojë një gjë të tillë nga një shtet tjetër.
Por diplomacia nuk mund të kërkojë solidaritet vetëm kur ka nevojë për të.
Marrëdhëniet ndërkombëtare kanë interesa, por ato kanë edhe kujtesë.
Kanë aleanca, por kanë edhe moral.
Kanë kalkulime strategjike, por kanë edhe parime.
Dhe kur parimi sakrifikohet vazhdimisht në emër të kalkulimit, vetë kuptimi i politikës ndërkombëtare rrezikon të reduktohet në një treg ku gjithçka ka çmim.
Kosova nuk është Krimea
Krahasimi i Kosovës me territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia është historikisht, politikisht dhe juridikisht i papërshtatshëm.
Kosova nuk është Krimea.
Kosova nuk është Donetsk.
Kosova nuk është një territor ukrainas i pushtuar nga një fuqi e huaj dhe i aneksuar përmes forcës ushtarake.
Historia e Kosovës ka një trajektore tjetër.
Kosova dhe hapësirat shqiptare të Ballkanit kanë një histori të gjatë të pranisë, vazhdimësisë dhe autoktonisë shqiptare. Në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, çështja shqiptare u bë një nga nyjet më të mëdha të krizës së Perandorisë Osmane dhe të rikonfigurimit territorial të Ballkanit.
Vendimet e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës të vitit 1913 lanë jashtë shtetit shqiptar një pjesë të konsiderueshme të territoreve të banuara nga shqiptarë. Kjo krijoi një realitet të ri gjeopolitik, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndihen edhe sot.
Për shqiptarët, Kosova nuk është një emërtim abstrakt në një hartë diplomatike.
Është pjesë qendrore e historisë së tyre kombëtare, e kujtesës kolektive dhe e identitetit politik e kulturor.
Shekulli XX e shndërroi Kosovën në një nga çështjet më të dhimbshme të Evropës Juglindore. Politikat represive, konfliktet ndëretnike, shpërnguljet dhe veçanërisht represioni i viteve 1990 krijuan një krizë që përfundimisht u shndërrua në një problem të madh të sigurisë evropiane.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e udhëhequr politikisht dhe ushtarakisht nga fuqitë perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, i dha fund fushatës së dhunës dhe spastrimit etnik dhe hapi rrugën për një rend të ri politik në Kosovë.
Më pas erdhi procesi ndërkombëtar i administrimit dhe ndërtimit institucional, deri te shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Prandaj rasti i Kosovës ka një kontekst historik, politik dhe juridik sui generis. Ai nuk mund të futet mekanikisht në të njëjtën kategori me aneksimin territorial të Krimesë apo me pushtimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
Edhe vetë GJND-ja, kur shqyrtoi pyetjen e Kosovës, e trajtoi atë si një çështje specifike, me kontekstin e vet juridik dhe faktik.
Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për ta përdorur Kosovën si argument automatik kundër Ukrainës, ose Ukrainën si argument automatik kundër Kosovës, është një thjeshtim i papranueshëm i historisë dhe i së drejtës ndërkombëtare.
A është Beogradi arsyeja e kësaj deklarate?
Koha dhe vendi i deklaratës së Zelenskyt kanë rëndësi politike.
Vizita e tij në Beograd është vizita e parë zyrtare e një presidenti ukrainas në Serbi që nga marrja e detyrës prej tij. Gjatë vizitës, të dyja palët diskutuan forcimin e marrëdhënieve ekonomike, perspektivën evropiane dhe çështje të tjera strategjike. Serbia vazhdon ndërkohë të ruajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk është bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Në këtë kontekst, deklarata e Zelenskyt për Kosovën mund të interpretohet si pjesë e një diplomacie pragmatike të Kievit ndaj Beogradit.
Por pikërisht këtu ndodhet problemi.
Kosova nuk mund të jetë çmimi i një afrimi diplomatik me Serbinë.
Nëse kjo do të ishte logjika e marrëdhënieve ndërkombëtare, atëherë çdo parim do të ishte i përkohshëm dhe çdo kauzë do të kishte një çmim.
Dhe kjo do të ishte veçanërisht paradoksale për një shtet si Ukraina, i cili i ka kërkuar botës të mos pranojë qëndrimin se kufijtë mund të ndryshohen me forcë dhe se sovraniteti mund të relativizohet nga interesat e fuqive më të mëdha.
Sa i drejtë paska qenë skepticizmi i Trumpit?
Këtu rikthehemi te deklaratat e Donald Trumpit.
Në shkurt 2025, Trump e cilësoi Zelenskyn si “diktator” dhe e akuzoi për një sërë dështimesh politike lidhur me drejtimin e luftës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Këto deklarata u kundërshtuan gjerësisht në atë kohë dhe shumë prej tyre u konsideruan të pasakta ose të ekzagjeruara.
Ne nuk i pranuam atëherë si të mirëqena.
Madje, skepticizmi ndaj një pjese të kritikave të Trumpit ishte i kuptueshëm, sepse Ukraina ishte dhe mbetet viktimë e agresionit rus dhe Zelensky ka drejtuar vendin e tij në kushtet e një lufte të jashtëzakonshme.
Por sot, përballë deklaratës së Beogradit, disa prej atyre kritikave marrin një dimension tjetër.
Jo domosdoshmërisht sepse çdo akuzë e Trumpit ndaj Zelenskyt duhet të pranohet.
Por sepse sjellja politike duhet gjykuar nga përputhja midis fjalës dhe veprimit.
Nëse Zelensky kërkon që bota të mos bëjë kompromis me sovranitetin e Ukrainës, është legjitime të pyetet pse Ukraina është e gatshme të bëjë një kompromis politik me realitetin e Kosovës.
Nëse Ukraina kërkon që e drejta ndërkombëtare të mbrojë kufijtë e saj, është legjitime të pyetet pse opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën e Kosovës nuk përbën për të një element të rëndësishëm të analizës juridike.
Dhe nëse diplomacia e Kievit synon të zgjerojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, atëherë duhet të kuptojë se respekti ndërkombëtar nuk ndërtohet vetëm mbi interesin, por edhe mbi besueshmërinë e parimeve.
Ne nuk kemi të drejtë të themi, pa prova, se Zelensky udhëhiqet nga interesa biznesi.
Por kemi të drejtë të themi se një diplomaci që duket se i përshtat parimet e saj sipas nevojave të marrëdhënieve të ditës krijon një perceptim të rrezikshëm: atë të një politike ku interesi pragmatik mund të fitojë mbi koherencën morale dhe juridike.
Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të shqetësojë.
Sepse një shtet mund të fitojë një marrëveshje të përkohshme duke sakrifikuar një parim, por mund të humbasë diçka shumë më të rëndësishme: besueshmërinë e tij.
Një pyetje për Presidentin Zelensky
Presidenti Zelensky ka kërkuar vazhdimisht nga bota demokratike që të mos relativizojë të drejtën e Ukrainës për sovranitet dhe integritet territorial.
Shqiptarët e kuptojnë këtë kërkesë.
E kuptojnë sepse Kosova e ka përjetuar vetë represionin, konfliktin, dëbimin e popullsisë, spastrimin etnik, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe ndërtimin e një rendi të ri politik.
Pikërisht për këtë arsye, ne do të dëshironim që Ukraina ta shihte Kosovën jo përmes filtrit të Beogradit, por përmes historisë së saj dhe përmes realitetit juridik e politik që është krijuar në Evropë gjatë dekadave të fundit.
Miqësia shqiptaro-ukrainase nuk duhet të vihet në dyshim nga një deklaratë presidenciale.
Por miqësia e vërtetë kërkon edhe sinqeritet.
Dhe sinqeriteti kërkon të thuhet hapur:
Shqipëria dhe Kosova kanë qenë me Ukrainën. Ukraina duhet të ketë të paktën mirëkuptimin për Kosovën.
Nuk po kërkohet një favor diplomatik.
Po kërkohet koherencë.
Nuk po kërkohet që Ukraina të braktisë interesat e saj.
Po kërkohet që parimet e së drejtës ndërkombëtare të mos përdoren me dy standarde.
Sepse në politikën ndërkombëtare ekziston një kufi që asnjë interes i çastit nuk duhet ta kalojë: kufiri midis pragmatizmit diplomatik dhe relativizimit të parimeve.
Dhe mbi të gjitha, nuk duhet harruar:
Ajo është një realitet historik, politik, juridik dhe institucional evropian. Mund të mos njihet nga të gjithë. Mund të kontestohet politikisht nga disa shtete.Por nuk mund të fshihet nga historia dhe as të zhduket nga harta politike e Evropës me një fjali të thënë në Beograd. Historia e Kosovës nuk shkruhet në Beograd.Dhe e ardhmja e saj nuk mund të negociohet atje

