Gazeta Nacional Albania

Dr. Mujë Buçpapaj: Si e përgatitëm dhe botuam në “Nacional” librin “52 vjet Shkolla e Mesme e Tropojës”

Përpjekja për të ndertuar një libër me kujtime dhe aq më pak për kujtimet e një shkolle mbi 50 vjeçare ngjan shpesh si të bashkosh copat e një mozaiku për të krijuar imazhin e dikurshëm, të paktën për t’iu afruar sadopak atij. Pak a shumë si të shikosh fundin e një humnere me dritë feneri në mës të errësirës, frikës dhe pasigurisë për të dalë në bregun tjetër.
E konsideroj vetën me fat që shumica e ish-mësuesve të mij dhe po ashtu të ish-nxënësve ma banë më të lehtë këtë ngulmim timin për të shfaqur shkollën tonë ashtu siç jemi përpjekur ta kujtojmë vit pas viti edhe kur kemi hapur dyer universitetesh të rëndësishme në botë, edhe kur jemi ulur në debat me akademikë dhe profesorë të shquar, edhe kur kemi diskutuar se çfarë është për një njeri shkolla e mesme? Ndërsa po përgatisnim këtë libër me kujtime, pyetja që kemi bërë më shumë me njëri tjetrin ka qënë se pse nuk e harrojmë atë kurrë sado përpiqemi, ndërsa stepim përpara hijes së saj bashkë me dëshpërimet e pashlyera romantike, sikletet kronike të një nxënësi me detyrat dhe angazhimet tjera burokratike, luftimet e dëshpëruara për popullaritet dhe dominim, për parapelqim nga vajzat e bukura, deri tek presioni i prindërve dhe, mbi të gjitha, konkurenca sociale, shkencore e sportive.
Kam lexuar shumë psikologë të famshëm, pedagogë të njohur disa prej të cilëve edhe i kam përkthyer për gazetën letrare “Nacional” për të marrë përgjigjen se pse jemi kaq shumë të lidhur me kujtimet për kohën e shkollës së mesme!?
Çfarë është kjo periudhë e jetës sonë, që e bën shkollën e mesme të duket më kuptimplote dhe e paharrueshme, më e pashmangshme se çdo shkollim tjetër në vijim?
Çfarë faktorësh ndërveprojnë për t’i bërë kujtimet tona të adoleshencës dhe të rinisë kaq të gjalla, tunduese dhe tërheqëse me gjithë orët e zymta të matematikës apo të kimisë, me gjithë orët e vetmuara letrare ku Sheksipiri dhe Marin Barleti ngjanin edhe më të largët dhe kur emrat në latinisht të pemëve frutore, perimeve, semundjeve dhe bimëve tjera të botës tonë ishte si një duel mes botës së gjallë dhe asaj të vdekur, biles të mbyllur në tekste dhe kabinete.
Vetëm vështrimet e ndonjë vajze simpatike dhe letrat e fshehta të dashurive platonike na kujtonin se ishim në një realitet ku për një palë detyrash të harruara apo një pyetje të gabuar mund të ndëshkoheshe.
Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje në këtë libër me bashkëautorë, që shënon edhe vëllimin e parë të këtij botimi serial.
Shpreh keqardhje që për arsye kohore disa prej mësuesve të shquar të kësaj shkolle dhe po kështu edhe të nxënësve të saj ndër vite, nuk arritën të sjellin në kohë shkrimet e tyre, të cilat do të përfshihen në vëllimin e dytë. Nisma jonë filloi vetëm dy muaj më parë dhe krijoi vështirësitë e veta.
Në këto 5 dekada ka patur shumë zhvillime, janë ndërruar sisteme dhe kanë rënë perandori ideologjike, ka ndryshuar pikëpamja jonë për jetën, arsimin, shkencën, biles edhe për dashurinë, por në thelb shkolla përseritë ritualin e saj; mësuesit pyesin dhe shpjegojnë, ndërsa nxënësit përpiqen të gjejnë një arsye të justifikojnë mungesat, harresat, hutimin, papërgjegjshmerinë dhe aventurat e moshës.
Përspektiva jetësore na ka bërë të meditojmë për fillimet e kësaj shkolle, për ata që e ngritën nga themelet si shkollë, por edhe për ata që në vitet 1980 e bënë atë një ndër shkollat më të mira të Shqipërisë, me shumë dije, punë dhe idealizëm të pashoq. Ky libër është një mirënjohje, një homazh për ta, për punën e tyre në kohë të vështira dhe plot sfida profesionale, shkencore dhe ideologjike.
Kam vënë re, se as mësuesit dhe as nxënësit që janë autorë të këtij libri, nuk i kanë dhënë një pamje rozë të së kaluarës.
Në libër do të gjeni të përshkruara me besnikëri ditë të mira, ditë mërzitshme dhe të vjetra si një ferr. Konviktin e zymtë e të lagësht dhe shpesh gjatë dimrit me ngrica, sa i ftohti të gjënte edhe poshtë shtatë batanijesh. Me konviktorë plot fantazi dhe inteligjencë të lindur, të gatshëm për të shpikur edhe aventurën më të çuditshme, por edhe ditë të lumtra që sfidonin ideologjitë dhe diktaturën moniste, slloganet qesharake, burokracitë dhe kohën në vijim, që prej fillimit deri në ditët e sotshme ku nxënësit e kësaj shkolle fitojnë edhe në konkurse ndërkombëtare.

Para se të lexoja kujtimet e miqve të mij mësues dhe nxënës, kam patur ndjesinë se do të gjeja një prozë të thatë, por kam parë që të gjithë mësues dhe nxënës kanë shkruar me një stil të rrjedhshëm dhe plot detaje aq sa si një shkrimtar, studiues dhe kritik arti më kanë impersionuar.
Porosia e këtij libri për nxënësit aktualë por edhe për ata që do të vijnë është se shkolla e mesme është koha më e mirë e jetës dhe përjetojeni atë si diçka që jepet vetëm njëherë.

Autorët e këtij libri kanë patur prirjen jo vetëm për të shkruar disa kujtime, si një farë pëndese që jemi kujtuar kaq vonë për shkollën tonë, por edhe për të rikthyer vemendjen e shoqërisë tek kjo shkollë gjithnjë e suksesshme, por dhe për të gjitha shkollat që po braktisen në krahinë biles njësoj si në të gjithë vendin. Ku mund të shkojë kjo shoqëri me shkolla të mbyllura apo të kërcënuara për t’u mbyllur për shkak të shpopullimit masiv që na ka vënë përpara si një mallkim!

Qëllimi ynë modest është që t’i lëmë bibliotekës së kësaj shkolle një pjesë të përjetimeve të ish-nxënësve dhe ish-profesorëve të saj, përvoja që mund të shërbejnë për të motivuar brezat e ardhshëm në përpjekjet e tyre për kuturë, arsim dhe liri, si dhe evidentuar rolin e kësaj shkolle dhe të vetë trevës së Tropojës në arsimin tonë kombëtar, kulturën dhe historinë, ku treva jonë ka vendin e saj të pacenueshëm dhe sfidues.

Ju uroj lexim të mbarë!