Bota Arbëreshe në “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, 1985, “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, 2008-2009 dhe “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, 2018
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Më 29 qershor 2026 u mbajtën punimet e konferencës së parë shkencore ndërkombëtare “Enciklopedizmi dhe bota shqiptare”, një veprimtari e organizuar nga Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të punës për hartimin e “Enciklopedisë Shqiptare”, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kumtesën e mbajtur me këtë rast “Bota Arbëreshe në veprat enciklopedike shqiptare. Gjendja dhe vështrime të reja”, e nisa me pwrmendjen e sw parws vepër enciklopedike me autor Sami Frashërin: “Kamus-ul Âlâm”, botuar më 1900 në turqisht prej 6 vëllimesh, me disa qindra zëra për Shqipërinë. Ndërsa në vitet 1933–1944 do të qarkullonte “Kalendari enciklopedik (Almanach)”- botim i përvitshëm i ilustruar me lëndë kulturore, shkencore, enciklopedike etj.
Ideja për hartimin e një enciklopedie kombëtare shqiptare lindi në fund të viteve 1960 dhe mori formë konkrete më 1967 me nisjen e punës për një fjalor enciklopedik, që përmes natyrës shkencore të informacionit nga njëra anë dhe funksionit divulgativ, nga ana tjetër e shndërruan këtë lëndë enciklopedike në një burim të rëndësishëm informacioni për studiuesit dhe për publikun e gjerë. Pas themelimit të Akademisë së Shkencave më 1972, ky projekt u zhvillua më tej, duke u mbështetur në përvojën e fjalorëve enciklopedikë të fushave të veçanta dhe në një metodologji të njësuar, të përcaktuar në “Udhëzuesin për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (1983).
Shtyllat e enciklopedizmit shqiptar përfaqësohen nga dy personalitete të ndritura të albanologjisë shqiptare, punëtorë të heshtur dhe dijetarë të thellë, gjurmëlënës të palodhur në fushën e kulturës dhe të shkencës shqiptare, profesorët Emil Lafe dhe Xhevat Lloshi, të cilët gjithë jetën e tyre ja kanë kushtuar me përkushtim të rrallë gjuhës shqipe dhe trashëgimisë sonë kulturore, dhe vijojnë ende këtë mision me të njëjtën devotshmëri. I përshëndesim me nderim të veçantë, duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin e asaj që me të drejtë mund të quhet “autostrada” e Enciklopedisë Shqiptare. Jam e nderuar që si pjesë e stafit të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare (QESH) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në cilësisë e Sekretares Shkencore të QESH prej vitit 1998 deri më 2020, kam pas fatin të bashkëpunoj e të mësoj shumë prej profesorëve të nderuar Emil Lafe, Xhevat Lloshi e Aurel Plasari.
Në vitin 1985 u botua Fjalori Enciklopedik Shqiptar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) – vepra e parë e plotë enciklopedike në gjuhën shqipe, si një dëshmi e pasurisë së vlerave historike e kulturore të shqiptarëve (më tej FESH 1)[1]. Me rreth 5000 zëra, nga të cilët 675 zëra persona (përpjesëtimi rreth 1:7) me një vëllim prej XVI+1294 faqesh dhe me një fond të pasur ilustrimesh, hartash e fotografish, vepra paraqiti në mënyrë të përmbledhur dhe shkencore historinë, kulturën, gjuhën, shkencën dhe trashëgiminë shqiptare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë identitetit kombëtar dhe shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, pavarësisht barrierave ideologjike të krijuara nga ideologjia dhe politika e kohës kur u hartua[2]. Mjaft njohuri për Diasporën shqiptare u sistemuan për herë të parë në trajtë enciklopedike. Me përfundimin e veprës nisi puna për një version në gjuhën angleze, që do të përmbante afërsisht gjysmën e zërave të versionit shqip, por ky projekt nuk arriti të përfundohej.
Në vitet 2008–2009 u botua Fjalor Enciklopedik Shqiptar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) në tri vëllime (më tej FESH 2), që vijoi rrugën e çelur nga Fjalori i vitit 1985[3]. Me rreth 7500 zëra, nga të cilët 2400 zëra persona (përpjesëtimi rreth 1:3), me një vëllim prej 3061 faqesh, FESH 2 përfaqësoi një zhvillim cilësor të rëndësishëm krahasuar me botimin e vitit 1985, duke e tejkaluar në gjerësi e gjithashtu në thellësi dhe objektivitet shkencor. I hartuar me pjesëmarrjen e studiuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe Diaspora, kjo vepër u mbështetet në një konceptim mbarëkombëtar dhe në parimin e objektivitetit shkencor, duke kapërcyer kufizimet ideologjike të periudhës së mëparshme dhe pasqyroi nivelin më të lartë të kërkimit e të informacionit shkencor për çështjet që u trajtuan dhe veprimtarinë e personave të përfshirë në të[4]. FESH 2 përfshiu në mënyrë më të gjerë Diasporën Shqiptare, të vjetrën dhe të renë, veprimtarinë e institucioneve dhe të figurave të njohura të saj, Arbëreshët e Italisë, të Zarës e të Greqisë dhe një varg personalitetesh arbëreshe nga bota e kulturës, artit etj., të cilët ndonëse në vend të huaj, jo vetëm që nuk u asimiluan, por kontribuuan në të gjitha format në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare dhe në përputhje me rrethanat e reja historiko-politike të brendshme dhe të jashtme.
Ndërsa, botimi i parë enciklopedik në gjuhën shqipe, me fokus kryesor Kosovën dhe hapësirën shqiptare të lidhur historikisht me të, është Fjalori Enciklopedik i Kosovës i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), në dy vëllime, i botuar në vitin 2018 (më tej FEK). Me rreth 6000 zëra, nga të cilët 3450 janë zëra persona (përpjesëtimi rreth 1:1.8) dhe me 1818 faqe vepra ofron një informacion të sistemuar e të kodifikuar të dijeve mbi Kosovën në aspektet politike, gjeografike, historike, ekonomike, arsimore dhe kulturore dhe përfshin në mënyrë të veçantë Luginën e Preshevës, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi janë trajtuar kryesisht në dimensionin historik e kulturor; hapësira shqiptare brenda kufijve të Shqipërisë nuk është pasqyruar për arsye metodologjike dhe praktike siç lihet të nënkuptohet edhe në fq. V të Parathënies[5].
- Arbëreshët dhe Bota Arbëreshe në këto tri vepra enciklopedike na shpërfaqet me një numër zërash kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme dhe figurave më përfaqësuese të saj që kanë luajtur rol kyç në formimin dhe konsolidimin e kulturës materiale, shpirtërore dhe komunitare të kolonive arbëreshe në Kalabri e Sicili, si edhe te arbneshët e Zarës në Kroaci dhe te arvanitasit e Greqisë. Në tri pasqyrat e mëposhtme jepen zërat persona arbëreshë dhe zërat ngjarje në të tri Fjalorët.
PASQYRA 1
Zëra persona arbëreshë në FESH 1
- Bilota Bernard (Bernardo Bilotta, 1843–1918)
- Brankati Nikollë (1675–1741)
- Dara Gavril (I Ri, 1826–1889)
- De Martino Leonardo (1830–1923)
- De Rada Jeronim (1814–1903)
- Deshpali Shime (1897–1981)
- Dorsa Vincenc (1823–1885)
- Engjëlli Pal Pjetër (1498–1568)
- Filja Nikollë (1682–1769)
- Furiqi Petro (1875–1936)
- Kamarda Dhimitër (Demetrio Camarda, 1821–1882)
- Kandreva Karmel (1931–1982)
- Katalano Nilo (Nilo Catalano, 1637–1694)
- Keta Nikollë (1742–1803)
- Kullurioti Anastas (1820–1887)
- Kupitori Panajot (1821–1881)
- La Piana Marko (1883–1958)
- Lorekjo Anselmo (Anselmo Lorecchio, 1843–1924)
- Markiano Mikel (Michele Marchianò, 1860–1921)
- Mashi Engjëll (Angelo Masci, 1758–1821)
- Matrënga Lekë (rreth v. 1560–1619)
- Petrota Gaetano (1882–1952)
- Rela Josif (1895–1966)
- Santori Francesk Anton (1819–1894)
- Serembe Zef (Giuseppe Serembe, 1843–1901)
- Skiroi Zef (1865–1927)
- Stratigo Vinçenc (1822–1886)
- Stratiko Albert (1863–1927)
- Tomeu Leonik (1456–1531)
- Variboba Jul (shek.XVIII).
Zëra ngjarje në FESH 1
- “Albania” (1929)
- ARBËNESHI
- ARBËRESHËT E GREQISË
- ARBËRESHËT E ITALISË
- ARBËRISHTJA
- “Arbri i ri” (1887)
- “Bleta shqiptare”
- DIASPORA SHQIPTARE
- DORËSHKRIMI I KIEUTIT (1737)
- “Fiamuri i Arbërit” (1883)
- KOLEGJI ARBËRESH I SH. ADRIANIT.
- KONGRESET ARBËRESHE PËR GJUHËN
- “L’Albanese d’Italia” (“Shqiptari i Italisë”, 1848)
- “La nazione albanese” (“Kombi shqiptar”, 1897)
- LETËRSIA E ARBËRESHËVE TË ITALISË
- “Rapsodi të një poeme shqiptare” (“Rapsodie d’un poema albanese”, Firence, 1866).
- “Rassegna italo-albanese” (“Pasqyra italo-shqiptare”, 1919).
- SEMINARI ARBËRESH I PALERMOS
- TË FOLMET ARBËRESHE
PASQYRA 2
Zëra persona arbëreshë në FESH 2
- Abate Karmine (Carmine) (1954–)
- Albani Aleksandër (1692–1779)
- Altimari Françesko (Francesco) (1955–)
- Andruco Odhise (1799–1825)
- Basta Gjergj Dhimitër (1550–1607)
- Bazaiti Mark (Marco Basaiti, 1460–1525)
- Belushi Ndon (Antonio Bellusci, 1934–)
- Bilota Bernard (Bernardo Bilotta, 1843–1918)
- Borxha (Borgia) Nilo (1870–1942)
- Brankati Nikollë (Nicolò Brancati, 1675–1741)
- Bua Merkur (?–1588)
- Bukola Gabriel (Gabriele Buccola) (1854–1885)
- Dara Gavril (I Riu, 1826–1889)
- De Martino Leonardo (1830–1923)
- De Rada Jeronim (Girolamo, 1814–1903)
- Deshpali Shime (1897–1981)
- Dorsa Vinçenc (Vincenzo Dorsa, 1823–1885)
- Engjëlli Pal Pjetër (Shek. XV–XVI).
- Ferrari Xhuzepe (Giuseppe, 1913–1990)
- Filja Nikollë (Nicolò Figlia, 1682–1769)
- Fortino Kostante (Costante) Italo (1947–)
- Furiqi Petro (1875–1936)
- Gradilone Xhuzepe (Giuseppe, 1925–2020)
- Guxeta (Guzzetta) Antonio (1922–)
- Iriani Oracio (Orazio Irianni) (1861–1917)
- Jochalas Tito (Jochalas, 1942–)
- Kamarda Dhimitër (Demetrio Camarda, 1821–1882)
- Kandreva Karmel (1931–1982)
- Karpaçi Viktor (Vittore Carpacio, 1465–1525)
- Katalano (Catalano) Nilo (1637–1694)
- Keta Nikollë (Nicolò Chetta, 1741–1803)
- Klementi XI (Giovani Francesco Albani, 1649–1721)
- Kola Aristidh (1944–2000)
- Krispi Françesko (Francesco Crispi, 1818–1901)
- Krispi Zef (Giuseppe Crispi, 1781–1859)
- Kullurioti Anastas (1820–1887)
- Kupitori Panajot (1821–1881)
- La Piana Marko (1883–1958)
- Lapis Vangjel (1914–2008)
- Lorekio Anselmo (Anselmo Lorecchio, 1843–1924)
- Mandalà Mateo (Matteo Mandalà, 1958–)
- Markiano Mikel (Michele Marchianò, 1860–1921)
- Maruli Mikel (Michele) (1453–1599)
- Mashi Engjëll (Angelo Masci, 1758–1821)
- Matranga Lekë (1569–1619)
- Pangallos Teodor (1878–1952)
- Perrone Lluka (Luca) (1920–1984)
- Petrota (Petrotta) Gaetano (1882–1952)
- Rela Josif (Josip, 1895–1966)
- Santori Françesk Anton (1819–1894)
- Serembe Zef (Giuseppe, 1843–1901)
- Skaljone (Scaglione) Pietro Saravuli (1890-1956)
- Skiro Maji Zef (Giuseppe Schirò Di Maggio, 1944-)
- Skiro Pal (Paolo Schirò, 1866-1941)
- Skiro Zef (Giuseppe Schirò, 1865-1927)
- Skiro Zef (I Riu) (Giuseppe Schirò Junior, 1905-1984)
- Solano Françesko (Francesco) (1914-1999)
- Stipçeviç Aleksandër (Aleksandar Stipčević, 1930-)
- Stratigo Vinçenc (Vincenzo) (1822-1886)
- Stratiko Albert (Alberto) (1863-1927)
- Shambra Mateo (Matteo Sciambra,1914-1967)
- Toçi Terenc (1880–1945).
- Tomeu Leonik (Nicholas Leonicus Thomaeus Ose Niccolò Leonico Tomeo, 1456-1531)
- Ujko Vorea (Belizzi Domeniko, 1918-1989)
- Variboba Jul (Giulio) (?1724-1788)
Zëra ngjarje në FESH 2
- “Albania” (1929–1932, 1933–1940)
- ARBËNESHI
- ARBËRESHËT E GREQISË
- ARBËRESHËT E ITALISË
- ARBËRISHTJA
- “Arbri i rii” (1887)
- “Bleta shqiptare”.
- DIASPORA SHQIPTARE
- DORËSHKRIMI I KIEUTIT (1737)
- ENGJËLLORET (shek. XIV–XVI).
- “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”, 1879–1880)
- “Ili i Arbëreshvet” (“La Stella degli Albanesi”, 1896–1897).
- “Fiamuri Arbërit” (1883–1887)
- KOLEGJI ARBËRESH I SHËN ADRIANIT (1732–1919).
- KONGRESET ARBËRESHE PËR GJUHËN.
- “L’Albanese d’Italia” (“Shqiptari i Italisë”, 1848)
- “La nazione albanese” (“Kombi shqiptar”, 1897)
- “La nuova Albania” (“Shqipenia e re”, 1898–1899, 1904)
- LETËRSIA E ARBËRESHËVE TË ITALISË
- MATRANGËT (Shek. XIII–XIV)
- “Rapsodi të një poeme shqiptare” (“Rapsodie d’un poema albanese”, Firence, 1866).
- “Rassegna italo-albanese” (“Pasqyrë italo-shqiptare”, 1919, 1920, 1927).
- SEMINARI ARBËRESH I PALERMOS (1730).
- “Shêjzat” (“Le Pleiadi”, l956–l975).
- TË FOLMET ARBËRESHE
PASQYRA 3
Zëra persona arbëreshë në FEK
-
- Altimari Françesko (Francesco) (1955–)
- Belici Domenico (Domenico Bellizi) (1918–1989)
- Belusho Xhovani (Giovani Maria Giacomo Belluscio, 1961–)[6]
- Borxha (Borgia) Nilo (1870–1942)
- Dara Gavril-i Riu (Gabriele Dara Juniuor) (1826–1889)
- Deshpali Pal (1934–)
- Deshpali Shime (1897–1968)
- Deshpali Valter (Dešpalj) (1947–)
- Deshpali-Bevoviq Maja (1942–)
- Fortino Italo Kostante (Costante) (1947–)
- Furiqi Petro (1875–1936)
- Guxeta Antonino (Guzzeta) (1922–2017)
- Jochalas Tito (Titos Jochalas) (1942–)
- Jordani Emanuil (Emanuele Giordano) (1920–2015)
- Kërstiq Kruno (Krstić) (1905–1987)
- La Piana Marko (Marco) (1883–1958)
- Mandalà Mateo (Matteo Mandalà, 1958–)
- Markiano Mikele (Marchianò Michele (1860–1921)
- Matrënga Lekë (Luka, rreth 1567–1619)
- Peroviq Budimir (Perović) (1904–1987)
- Petrota (Petrotta) Gaetano (1882–1952)
- Rela V. Josif (Josip, 1895–1966)
- Santori Françesk Anton (1819–1894)
- Serembe Zef (1844–1901)
- Skiroi Zef (Giuseppe Schirò) (1865–1927)
- Stipçeviç Aleksandër (Stipčević Aleksandar) (1930–2015)
- Shambra Mateo (Sciambra) (1914–1967)
- Variboba Jul (1724 ose 1725–1788)
Zëra ngjarje në FEK
- ARBËRISHTJA E GREQISË
- ARBNESHËVE TË ZARËS (E FOLMJA E).
- Vështrim statistikor, tematik dhe kronologjik
Në FESH 1 – 49 zëra i kushtohen botës arbëreshe, prej të cilëve 30 janë personalitete, e ndër ta mbizotëron letërsia arbëreshe dhe figurat e Rilindjes Kombëtare. Vepra, si pasqyrë e dijes shkencore të disponueshme, por e kufizuar nga disa caqe ideologjike dhe nga numri i përcaktuar (5000 zëra), i ka kushtëzuar hartuesit e saj që të bënin përzgjedhje shumë të rrepta, e në këto kushte, prioritet iu dha figurave të kanonizuara të Rilindjes Kombëtare Arbëreshe, ndërsa autorët me veprimtari fetare ose me qëndrime politike të papajtueshme me ideologjinë e kohës u përfshinë pjesërisht ose në mënyrë kritike, ose nuk u përfshinë, bashkë me një numër studiuesish dhe shkrimtarësh bashkëkohorë, edhe pse dokumentet arkivore dëshmojnë se institucionet shqiptare e njihnin mirë veprimtarinë e përfaqësuesve të brezit të parë të letërsisë së sotme arbëreshe.
Referuar një artikulli të titulluar “Një vështrim mbi botën arbëreshe në të dy fjalorët enciklopedikë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”[7], botuar në numrin e parë të revistës për studime arbëreshe “Continuum”, organ shkencor i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në të cilën punoj prej mëse 6 vjetësh, po t’i vështrojmë zërat persona sipas fushave tematike, numrin më të madh e përbën Letërsia – dega më e zhvilluar e kulturës arbëreshe me 17 zëra (shkrimtarë, studiues të letërsisë, si B. Bilota, N. Brankati, G. Dara (I Riu), L. De Martino, J. De Rada, Sh. Deshpali, P. Engjëlli, K. Kandreva, L. Matranga, G. Petrota, J. Rela, A. Santori, Z. Serembe, Z. Skiro, V. Stratigo, A. Stratiko, J. Variboba); e vijon Gjuhësia – 5 zëra: P. Furiqi, Dh. Kamarda, N. Keta, P. Kupitori dhe M. La Piana; Historia e Mesjetës dhe e Kohës së Re – 4 zëra: A. Kullurioti, A. Lorekio, E. Mashi dhe A. Stipçeviç; Kultura Popullore – 3 zëra: V. Dorsa, N. Filja dhe M. Markiano, dhe Arti e Kultura vetëm me 1 zë: L. Tomeu.
- Në FESH 2 – nga 90 zëra që i kushtohen botës arbëreshe, 65 janë personalitete (kryesisht studiues, klerikë, misionarë dhe albanologë). Kjo e dhënë dëshmon një vlerësim më të plotë dhe më të balancuar të kontributit historik, kulturor e shkencor të arbëreshëve në identitetin kombëtar shqiptar dhe e afron veprën me fjalorë enciklopedikë të vendeve të tjera. Vihet re se janë shtuar një numër zërash persona: nga Letërsia – 10 zëra: K. Abate, Xh. Ferrari, Xh. Gradilone, Z. Krispi, M. Mandalà, M. Maruli, Z. Skiro Maji, Z. Skiro (I Riu), M. Shambra dhe V. Ujko, e cila përbën edhe numrin më të madh; Gjuhësia – 8 zëra: F. Altimari, N. Borxha, I. Fortino, A. Guxeta, P. Skiroi, F. Solano, T. Jochalas; Historia e Mesjetës dhe Kohës së Re – 3 zëra: O. Andruco, Klementi XI dhe F. Krispi; nga Historia Bashkëkohore – 2 zëra: A. Stipçeviç dhe T. Pangallos dhe M. Bua e Gj. Basta nga fusha e Mbrojtjes, Rendit dhe Historisë Ushtarake. Nga Kultura Popullore – 2 zëra: N. Belushi dhe Ll. Perrone; Arti e Kultura – 3 zëra: G. Albani, M. Bazaiti dhe V. Karpaçi, si dhe tri personaliteteve të shtypit arbëresh: O. Iriani, P. Skaljone, T. Toçi, dhe G. Bukola nga fusha e Shëndetësisë. Detaje për zëra të ndryshëm i kemi përmendur në artikullin që cituam më sipër.
- 3. Në FEK – 30 zëra i kushtohen botës arbëreshe, prej të cilëve 28 janë personalitete, dhe vetëm 2 zëra ngjarje. Arbëreshët paraqiten kryesisht nëpërmjet figurave me ndikim në albanologji, gjuhësi, kulturë dhe histori, me disa personalitete që mungojnë në FESH 1 dhe pjesërisht edhe në FESH 2. Një arritje dhe pasurim në FEK janë figurat e shquara të Arbëneshëve të Zarës që kanë kontribuar në zhvillimin e kulturës shqiptare si muzikantët e familjes Deshpali, K. Kërstiq e B. Peroviq si dhe arbëreshët e Kalabrisë E. Xhordani (Giordani) e Xh. Belusho (Belluscio). Zëri Zef Skiroi jepet si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë romantike dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe konsiderohet nga shumë studiues si vijues i veprimtarisë politiko-letrare të De Radës. Zëri A. Santori është pasuruar me zbulimet e reja të dorëshkrimeve të tij që e paraqesin si shkrimtar nismëtar të disa gjinive dhe llojeve si edhe shumë pjellor trajtimi, referuar edhe dokumenteve e dorëshkrimeve të zbuluara në këto vitet e fundit. Po ashtu, përmendim pajisjen me mjaft informacione shkencore dhe bibliografike të zërave të persponaliteteve të shquar të Albanologjisë: Altimari, Mandalà, Guxeta, Fortino, Stipçeviç, Kërstiq etj,, për shkak se FEK doli nga shtypi 10 vite pas FESH 2, e të tjerë shembuj.
Nga këndvështrimi i përgjithshëm në të tria këto vepra, Bota Arbëreshe pasqyrohet veçanërisht nga zërat persona me tiparet kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tyre, duke i vendosur ato në kontekstin e tyre historik dhe kulturor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kontributit të tyre në ruajtjen e identitetit e të traditës përmes kultivimit të gjuhës dhe zhvillimit të kulturës e të letërsisë, përmes veprave, studimeve, dorëshkrimeve dhe botimeve e artikujve të ndryshëm në revista e periodikë të kohës. Shumica e figurave të shquara arbëreshe i përkisnin klerit, që përmes përfaqësuesve të tij në institucione dhe praktika fetare, i çeli rrugën krijimit të letërsinë së vjetër didaktiko-fetare arbëreshe, e më pas asaj të lëvizjes romantike, si një degë e letërsisë shqipe të Rilindjes Kombëtare që u zhvillua në diasporë, e që vijoi veprimtarinë në letërsinë bashkëkohore arbëreshe, duke ja dalë të ruajë ndër breza, jo vetëm doktrinën fetare, por edhe gjuhën e origjinës. Ndërkohë, shkrimtarët dhe studiuesit arbëreshë e shndërruan këtë trashëgimi në objekt reflektimi estetik dhe shkencor, duke krijuar një traditë të qëndrueshme angazhimi kulturor që ndikoi ndjeshëm edhe në zhvillimin e albanologjisë në Itali. Prandaj, letërsia përbën fushën më të zhvilluar të kulturës arbëreshe, e përfaqësohet nga figura të spikatura shkrimtarësh, kryesisht poetë; disa prej tyre arritën nivele të krahasueshme me letërsinë bashkëkohore europiane, si: J. De Rada, F. A. Santori, Z. Serembe, G. Petrotta, M. Marchianò, L. Matranga, G. Dara etj., dhe u zhvillua paralelisht me letërsinë shqiptare në atdhe, duke ruajtur tiparet e veta të veçanta, por edhe duke krijuar pika të shumta takimi me të.
Gjatë shekullit XIX, kjo elitë intelektuale, e frymëzuar edhe nga idealet e Risorgimento-s italiane, u përpoq të rriste ndërgjegjësimin europian për çështjen shqiptare përmes një veprimtarie të gjallë botuese në fushat e historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe. Në këtë proces, kolegjet arbëreshe, si qendrat kryesore të formimit kulturor dhe shkencor të arbëreshëve, u konsideruan djep i studimeve albanologjike në Itali dhe ndër vatrat më të rëndësishme të tyre në botën shqiptare. Drejtuesit dhe nxënësit e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të kësaj elite, përfshinë disa nga emrat më të rëndësishëm të kulturës dhe letërsisë shqiptare, e, padyshim, kjo u reflektua në të tri fjalorët, por sidomos të FESH 2.
Një rol specifik në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar patën organet e shtypit arbëresh, në mënyrë kronologjike që nga botimi i gazetës së parë “L’Albanese d’Italia” në vitin 1848 nga De Rada e deri te botimet më të reja. Po ashtu, Kolegji Arbëresh i Shën Adrianit (1732) dhe Seminari Arbëresh i Palermos (1734) u shndërruan në qendrat kryesore të formimit kulturor dhe shkencor të arbëreshëve.
- Vështrim krahasues i të tri fjalorëve
Në një kumtesë të përgatitur në bashkëpunim me kryeredaktorin e fjalorit, Profesor Emeritus Emil Lafe, të titulluar “Vështrim i përgjithshëm tematik, kronologjik e statistikor i zërave persona në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (FESH) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (3 vëllime, Tiranë, 2008-2009)”[8], mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Javën e Albanologjisë më 2016, ndërmorëm një hulumtim të përgjithshëm mbi personalitetet e përfshirë në FESH 2, duke kryer një “anatomi” të tyre për një vlerësim gjithëpërfshirës të kësaj pjese të fjalorit, në mënyrë që në botimet e ardhshme të bëhen shtesat dhe përmirësimet e nevojshme.
Nga një shqyrtim paraprak që u kemi bërë këtyre tri veprave mund themi se secili nga fjalorët solli risitë e veta:
– FESH 1 krijoi bazën e parë enciklopedike për Botën Arbëreshe dhe kanonizoi figurat klasike të letërsisë arbëreshe;
– FESH 2 zgjeroi ndjeshëm korpusin arbëresh, duke përfshirë edhe studiues të letërsisë bashkëkohore, albanologë, gjuhëtarë, folkloristë e publicistë, dhe e trajtoi Botën Arbëreshe si pjesë të pandashme e kulturës shqiptare;
– FEK evidentoi personalitete që lidhen me albanologjinë, historinë dhe marrëdhëniet kulturore të Kosovës me Diasporën Arbëreshe dhe përfshiu disa personalitete të rinj nga Arbneshët e Zarës që mungonin në të dy fjalorët e parë.
Edhe pse këto vepra dëshmojnë një rritje progresive të përfshirjes së zërave persona e më pak zërave ngjarje nga Bota Arbëreshe, jemi të mendimit se ka vend për përfshirjen e figurave, institucioneve dhe dukurive të tjera.
Mund të shtrojmë tri pyetje:
- Pse nuk u përfshinë më shumë arbëreshë në FESH 1?
- Për cilin shkak, me ndryshimin e kushteve historiko-politike nuk u arrit një përfshirje më e madhe e arbëreshëve në FESH 2?
- Pse FEK përmban 50 % më pak zëra nga areali arbëresh krahasuar me FESH2 ?
- Përsa i përket pyetjes së parë, shkaqet e mospërfshirjes më të gjerë të Arbëreshëve në FESH 1 (1985) janë trajtuar në disa shkrime e artikuj. Përmendim, p.sh., trajtimin e kufizuar të Matrangës dhe Varibobës, apo vlerësimet shpesh të njëanshme për Zef Skiroin, veprimtaria e të cilit interpretohej kryesisht përmes raportit të tij me politikën italiane të kohës[9]. Por, duam të veçojmë edhe disa rrethana:
– njihej mirë veprimtaria e përfaqësuesve të brezit të parë të letërsisë së sotme arbëreshe, si: F. Solano, Ll. Perrone, V. Ujko (pseudonimi i D. Belicit), K. Kandreva, Enza Skutari (1926) e Xhuzepe del Gaudio (1921), poeteshës së parë – Maria Antonia Braile, e po ashtu dhe veprimtaria e përfaqësuesve të brezit të dytë të letërsisë së sotme arbëreshe, përfaqësuar nga Pietro Napolitano (1931), Matilda Ferraro (1947) etj., apo edhe personaliteteve të njohur të gjuhës, kulturës e të folklorit si E. Giordano, A. Bellusci, A. Guxeta, G. Schirò i Riu, Carmine De Padova (1930) etj.;
– një numër organesh të shtypit arbëresh, si “Zjarri”, “Katundi Ynë”, “Mondo Albanese”, “Zëri i Arbëreshëve” dhe botime të tjera, kishin qenë të njohura në Shqipëri edhe gjatë dekadave të fundit të regjimit komunist;
– që nga fundi i viteve 1950 dhe sidomos gjatë viteve 1960–1980 marrëdhëniet kulturore dhe shkencore ndërmjet Shqipërisë dhe Botës Arbëreshe kishin filluar të institucionalizoheshin;
– zhvilloheshin kurset e shqipes për të rinjtë arbëreshë; dhe,
– qenë forcuar bashkëpunimet universitare dhe shkëmbimet shkencore.
Por, e gjithë kjo bazë e gjerë njohjeje nuk u reflektua në mënyrë të plotë në FESH 1.
- Në përgjigje të pyetjes së dytë, FESH 2 u hartua në kushte krejtësisht të ndryshme politike dhe shkencore. Autorët kishin në dispozicion një literaturë më të pasur, botime e studime të reja, revista shkencore e divulagative, një bibliografi të pasuruar nga mbrojtjet e temave të diplomave me tematikë arbëreshe në katedrat albanologjike në Itali, dhe një njohje më më të gjerë të realitetit arbëresh, siç informohemi edhe nga “Shĕjzat” e Koliqit.
Por, FESH 2 u hartua në një moment historik kur vëmendja e institucioneve shqiptare ishte përqendruar fuqishëm te Kosova dhe te proceset e mëdha kombëtare që lidhen me luftën, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të ri kosovar. Një arsye tjetër mendojmë se ishte mungesa e një baze të sistemuar të të dhënave për Botën Arbëreshe. Edhe pse, ekzistonte informacion i shpërndarë në monografi, revista, arkiva dhe botime universitare e lokale, për personalitete të tillë si, E. Giordano, Ignazio Parrino, Mario Massaro, Italo Sarro, Zef Chiaramonte, Carmine Stamille, Costantino Marco, Lule Russo etj., nuk kishte një repertor të plotë biobibliografik që të mundësonte përfshirjen e këtyre autorëve bashkëkohorë, studiuesve, gazetarëve, aktivistëve kulturorë etj.
Një tjetër arsye ka të bëjë me atë se në vitet e tranzicionit nuk u ndoq një politikë kulturore që të nxiste kërkimin në minierat ende të pashfrytëzuara të arkivave shtetërore dhe private të Arbëreshëve të Italisë, ku gjenden ende mjaft dorëshkrime të pazbuluara, apo edhe një numër dorëshkrimesh e studimesh të zbuluara por që presin të transliterohen, përshtaten, të përkthehen nga latinishtja e të botohen. Paradoksalisht, ndërsa u fitua liria akademike, nuk u mundësua gjithashtu formimi i studentëve si studiues të ardhshëm të letërsisë arbëreshe. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në pamundësinë për të identifikuar dhe propozuar figura të reja për Fjalorin në fjalë.
- Në përgjigje të pyetjes së tretë, mund të themi se një nga shkaqet e kësaj mospërfshirjeje lidhet me çka përmendëm më parë mbi konceptin themelor të hartimit të FEK-ut. Megjithatë, edhe duke pranuar këtë logjikë, në kohën kur u botua FEK, FESH 2 ishte tashmë një vepër e konsoliduar dhe përbënte burimin më të rëndësishëm enciklopedik në gjuhën shqipe. Edhe pse, në mjaft raste shihet qartë se FEK ka ndjekur FESH 2 si model metodologjik, si strukturë të zërit enciklopedik, e madje, edhe në formulime të caktuara, për mendimin tonë vështirë të shpjegohet mungesa e disa personaliteteve të rëndësishme të letërsisë arbëreshe të përfshira në FESH 2, si N. Brankati, N. Filja, F. Solano, Z. Di Maxho etj., apo arvanitasit A. Kullurioti, P. Kupitori, A. Kola etj. Po kështu, s’kuptohet pse mungojnë disa figura politike arbëreshe që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Italisë, por edhe në afirmimin e identitetit shqiptar, pjesë e FESH 2. E pashpjegueshme është edhe mungesa e zërave ngjarje për kolegjet arbëreshe dhe organet e shtypit arbëresh.
Sipas mendimit tonë një shpjegim mund të jetë se procesi i përzgjedhjes nga redaksitë nuk është bërë mbi bazën e një ekspertize të specializuar e të gjerë, që do të kishte mundësuar identifikimin e një spektri më të madh zërash e personalitetesh. Pra, mund të themi se, kufizimet e FEK-ut nuk burojnë nga pengesa ideologjike, si në rastin e FESH 1, dhe as nga mungesa e informacionit, siç mund të argumentohet pjesërisht për FESH 2, por më tepër nga vetë konceptimi i veprës dhe nga kriteret redaktoriale të përzgjedhjes së zërave. Edhe pse, përfshirja e një numri zëra persona nga Arbneshi (Zara) si Pal Deshpali, Valter Deshpali (Dešpalj) dhe Maja Deshpali-Bevoviq është një hap pozitiv, vërejmë një paraqitje jo të njëtrajtshme në mjaft prej tyre: p.sh. nuk janë unifikuar mbiemrat, siç përmendëm në shembujt më sipër, por edhe në zëra të tjerë që mund të vërehen lehtësisht duke lexuar Tabelën 3.
Te zëri Shime Deshpali në FEK viti i vdekjes është 1965, ndërkaq që në FESH 1 dhe FESH 2 është 1981. Mesa duket, ose autori hartues i zërit nuk ka konsultuar të dy fjalorët e sipërcituar, ose do të jetë ndonjë lapsus i tij, apo i redaktorit, pasi dihet se krijimtaria letrare e Sh. Deshpalit kulmon me librin me poezi “Agimet dhe parambarmjet e Arbneshit”, botuar më 1968 dhe me vëllimin poetik “E vërteta”, 1972, të dyja botime të Shtëpisë botuese “Rilindja” në Prishtinë, e në të gjallë të autorit.
Megjithatë, duke cituar prof. E. Lafen, sipas të cilit, “Hartuesit e fjalorëve në përgjithësi, duke përfshirë edhe fjalorët enciklopedikë e po ashtu edhe veprat enciklopedike – shën. i imi, V.P.), janë të vetëdijshëm se në këto vepra, ku paraqitet gjithë gjuha, gjithë bota, gjithë jeta e renditur sipas alfabetit, pra në vepra të tilla komplekse mund të jenë përvjedhur gabime, pasaktësi e të meta të tjera…”[10], këto gabime mund të përmirësohen në botimet e ardhshme.
Ndërkaq, që ka filluar realizimi i projektit “Enciklopedia Shqiptare” në 10 vëllime, projekt i përbashkët i dy akademive në Shqipëri e Kosovë, sjellim në kujtesë se në vitin 1987 Akademia e Shkencave kish filluar përgatitjen e projektit ambicioz: “Enciklopedia Shqiptare në disa vëllime”, ku u krijuan strukturat organizative, u hartuan programet e bashkëpunimit dhe u përgatit nga prof. Xhevat Lloshi, e bashkëpunëtorë një platformë metodologjike me titull “Enciklopedia Shqiptare”, prej 62 faqesh, shtypur më 1989 në shumë kopje[11], por ky projekt nuk u realizua për shkak të rrethanave asokohe.
Po ashtu, një përpjekje e dytë u ndërmor nga Qendra e Studimeve Albanologjike në vitet 2010-2013, me një projekt 3-vjeçar të financuar nga AKSHI, që u mbyll me hartimin e listës së zërave nga redaksitë e përbashkëta të krijuara mes dy akademive, pasi krahas pengesave të ndryshme nuk u dha fond për vijimin më tej (mesa jam në dijeni si koordinatore e këtij projekti).
E themi me bindje se të tria veprat enciklopedike që shqyrtuam përbëjnë një bazë të dhënash (data base) për gjithçka që ka të bëjë me Botën shqiptare në përgjithësi e atë arbëreshe në veçanti, me morinë e studimeve për Arbëreshët (të botuara ose dorëshkrime) dhe me arealin e pasur të studiuesve të gjuhës, letërsisë, historisë, kulturës popullore, traditave, folklorit etj.
Nëpërmjet një bashkërendimi të të gjitha forcave shkencore dhe institucionale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, katedrave albanologjike në Itali e gjetkë, bashkëpunimit efikas edhe me studiues arbëreshë e të huaj, kultorë e veprimtarë të çështjes arbëreshe kudo në Diaporë, si edhe, e theksoj, përmes koordinimit me Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, e cila tok me bashkëpunëtorët e saj, me lidhjet që ka ndërtuar me Botën Arbëreshe në këta 6 vjet të veprimtarisë së saj, mund të sjellë një ndihmesë të cilësuar për një pasqyrim të denjë, më të plotë e më bashkëkohor të Botës Arbëreshe në Enciklopedinë shqiptare: në aspektin historik, gjeografik, demografik, kishtar, ekonomik, arsimor, kulturor (letërsi, folklor, arte, etnografi) etj., mendojmë se ky projekt madhor do të kurorëzonte një fazë të rëndësishme në historinë e Albanologjisë dhe të botimeve enciklopedike shqiptare dhe do të përbënte një gur themeli për gjallërimin e studimeve rreth thesareve kulturore të Arbëreshëve për hartimin në të ardhmen të një Fjalori Enciklopedik të Arbëreshëve, i cili do të mund të përfshinte gjerësisht personalitetet, institucionet, periodikun, lëvizjet kulturore dhe trashëgiminë shumëdimensionale të Arbëreshëve të Italisë, Arbëneshëve të Zarës në Kroaci, Arvanitasve të Greqisë, e më gjerë, Arbëreshët e Mandricës (Bullgari), të Ukrahinës, e deri te ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Argjentinës.
[1] Kryeredaktor i veprës ishte prof. Aleks Buda. Redaksia e Përgjithshme (RP) kish në përbërjen e saj 34 anëtarë, ndër të cilët, Xhevat Lloshi, përgjegjës i Sektorit të Enciklopedisë Shqiptare. Po ashtu u ngritën 20 redaksi për 38 fusha të shkencave të ndryshme, të cilat përcaktuan fjalësin fillestar, sipas një platforme të përpunuar nga Redaksia e Përgjithshme.
[2] Një nga risitë ishte pasqyrimi i Kosovës në zërin respektiv (pa autorë), duke përfshirë hartën e parë të saj me emërtimet në shqip, në një kohë kur informacioni mbi Kosovën ishte shumë i kufizuar në botimet shqiptare. Shih për detaje Xh. Lloshi, Dy fjalorë shqip, kapitulli “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, “Konica”, Shkup 2024, f. 161-242.
[3] Këshilli Botues (KB) i FESH 2 kish në përbërjen e tij 7 anëtarë dhe kryesohej nga prof. Ylli Popa, i cili ishte dhe Kryetar i Redaksisë së Përgjithshme (RP), të përbërë prej 47 anëtarësh. Një ndër anëtarët e KB dhe të RP ishte Emil Lafe (Drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare të ASHSH), drejtues i projektit dhe redaktor i përgjithshëm i veprës. 21 redaksitë e fushave të shkencave të ndryshme përcaktuan fjalësin fillestar, sipas një platforme të përpunuar nga RP e të miratuar nga KB.
[4] Shih për më tej E. Lafe, Fjalori Enciklopedik Shqiptar (2008-2009) si fryt dhe pasqyrues i shkencës shqiptare – në: “AKTET Revistë shkencore e Institutit, Alb-Shkenca, Journal of Institute Alb-Shkenca”, Instituti Alb-Shkenca, Takimet Vjetore Ndërkombëtare; Alb-Shkenca Institute, International Annual Meetings, vëll. V, Nr. 4, Prishtinë 2012, f. 776-779.
[5] “Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare në këtë rast është bërë për arsye praktike dhe, duke anashkaluar çdo interpretim me prapavijë, synon të konsolidojë dijet për botën shqiptare dhe të plotësojë informacionin për të, kudo që ai mund të përfshihet dhe të përdoret”, Fjalori Enciklopedik i Kosovës, ASHAK, Parathënie, fq. V, 2018.
[6] Ka ndrruar jetë më 2020.
[7] V. Proko, “Një vështrim mbi botën arbëreshe në të dy fjalorët enciklopedikë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, “Continuum”- Revistë e studimeve arbëreshe, QSPA, nr. 1, 2020–2021, f. 131-144.
[8] E. Lafe, V. Proko-Jazexhiu, “Vështrim i përgjithshëm tematik, kronologjik e statistikor i zërave persona në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (3 Vëll., Tiranë, 2008-2009, 3061 f.)”, në: Albanologji 7. Vëllimi I. Punimet nga aktiviteti shkencor Java e Albanologjisë, 23-27 maj 2016. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2017, f. 205-217.
[9] Shih, V. Proko-Jazexhiu, “Një vështrim mbi botën arbëreshe në të dy fjalorët enciklopedikë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, “Continuum”- Revistë e studimeve arbëreshe, QSPA, nr. 1, 2020–2021, f. 140.
[10] E. Lafe, Akademik Emil Lafe: Për etikën e kritikës shkencore, në Gazeta “Telegraf”, 22 dhjetor 2020. https://telegraf.al/speciale/akademik-emil-lafe-per-etiken-e-kritikes-shkencore/
[11] Shih Xh. Lloshi, Dy fjalorë shqip, kapitulli “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, “Konica”, Shkup 2024, f. 231.

