Gazeta Nacional Albania

Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor në Shkup për Planin e BE-së për rritje ekonomike

Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor në Shkup për Planin e BE-së për rritje ekonomike
• Isak Ramadani, VOA
________________________________________

Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Shkup për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike që ka miratuar Komisioni Evropian për këtë rajon. Në takim po marrin pjesë Kryeministrat e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, presidenti i Serbisë, Ministri i Financave të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, James O’Brien. Po ashtu, në takim marrin pjesë edhe ministrat e çështjeve Evropiane apo të Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të organizatave rajonale dhe të institucioneve financiare evropiane.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të realizojnë reformat e nevojshme që i kërkon Bashkimi Evropian në mënyrë që të përfitojnë nga fondi i përbashkët prej 6 miliardë eurosh që parashikon Plani i Rritjes i KE-së.
Deri tani nuk është folur për shuma konkrete për secilin shtet, por kjo do të varet nga madhësia e shtetit, nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe nga kushte të tjera që kanë të bëjnë me reformat.
Zyrtarët evropianë janë shprehur më parë se Plani synon dyfishimin e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për një periudhë dhjetë vjeçare. Kjo do të realizohet duke integruar shtetet e rajonit në tregun e përbashkët evropian, duke ndihmuar integrimin e tregjeve ndërmjet vetë shteteve të Ballkanit dhe me realizimin e reformave dhe të investimeve.

LEXONI EDHE KËTË
Ballkani perëndimor pret nga BE-ja planin e rritjes ekonomike, krahas forcimit të demokracisë

Fondin e paralajmëroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Shkup në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, si shenjë e angazhimit dhe përkushtimit të Bllokut për integrimin e rajonit në BE.
Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama, Albin Kurti, Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarët amerikanë e evropianë, James O’Brien dhe Gert Jan Kopman arritën të dielën në Shkup, ku u pritën nga kryeministri dhe presidentit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe Stevo Pendarovski në një darkë të përbashkët.