Libri dhe fjala, janë dy homonime. Ishte fjala e para- thotë Bibla, pa u shkruar ajo, apo ishte Zoti, që mbushi botën e zbrazur me fjalë. …dhe erdhën librat, që ishin të shenjtë, Hyjnorë, zëri dhe dëshmia e Perëndisë. Librat, pastaj “shkruan” elegji për germat…dhe kur germat bëhen fjalë dhe mblidhen ashtu të zëna përdore; bëhen fjali dhe shkruhen libra, mijëra e miliarda fjalë që marrin kontekste të ndryshme përmes stilistikës gjuhësore, duke formuar Uni e secilit shkrues.
Çdo gjë e shkruar mbetet dokument, dhe formohet nga fjalët, që mbeten aty më magjen, kur gatuhen, shtypen, bymehen, fryhen, shkrydhen, shtrihen, gatuhen, shkërmoqen, miellzohen, rrëzohen, ngrihen, anohen, duke formuar milarda kombinime e forma fjalësh në shumë gjuhë. Por, fjala vret më shumë se plumbi, se fjala të paqton, të gëzon, të frymëzon, të lumturon, të ngroh, të përkëdhel në shpirt dhe thjesh merr frymë….nga pesha e fjalës së mirë, që mund të jetë, poezia, proza, fjala autoriale, kënga dhe kompozimi. Fjala është dashuri! Libri është dituri!
Kështu ndoshta, do të sentohet edhe qasja ndaj romani të ri të Bashkim Hoxhës “Dimri i librave”, ku librat vuajnë nga “kërcënimi” dhe “përdhosja” e tyre e vazhdueshme, sidomos në truallin amë, ku jetojnë dhe shkruhet shqip, ama shqip…sepse librat kanë vlerë, ndoshta jo aq sa Biblioteka e Babilonisë, që u dogj nga një i marrë.
Romai i “zhvillon ngjarjet” tek lokali “Muza”. Personazheve poetshkrues si: Adnani/ Iliri/Fatmiri/Sokrati/Simoni/Laebati/Lazimi/Triumfi/ ku fati i librave por edhe i lexuesit, përrok edhe figurat si Enver Hoxha, Qemal Stafa dhe figura të botës letrare, përmes satirës, e bën romanin që të lexohet dhe të qeshim nën zë sesa shumë poshtërohet arti dhe letërsia në Shqipëri. Autori luan me fjalën, me kohën, me mesazhin në katër dimensione:
– dimensioni i parë, është dimensioni kohor,
– dimensioni dytë, dimensioni i poezisë (romani ka cikle poezie, mbi kohën /atdheu
/dashurinë),
– dimensioni i tretë, dimensioni i dashurisë,
– dimensioni i katërt, dimensioni i atdheut.
Herë më mesazhe të hapura, herë të mbyllura, herë mesazhe elektonike si: wtacapi, facebuku, tik-tok, herë të drejtpërdrejta, ku vetë inteligjenca artificiale, “përfshihet” në lojën e poetëve /shkrimtarëve tek “Muza” e frymëzimeve, e shterpërive, e ndukjeve, e trukimeve, e harresave, e takimeve, e shkrimeve, e robërimeve, e fantazive, e frymëzimeve, e dehjeve, e pijeve, e çmendurive e joshjeve, e dilemave, e pikëpyetejev, por vetëm e librave të mirë jo, se jo! Por mesazhi na çon:
– drejt shterimit të shpirtit përmes frymëzimit,
– drejtpërdrejt përsosjes së kohës dhe hapsirës,
– drejt rrokamës së artit/kulturës/librit/teatrit dhe medias,
– drejt tmerrit të botës moderne dhe shterpësisë së inteligjencës artificiale.
“Në fillim teatri ka qenë thjesht argëtim. Ka lindur nga rituali i Dionisit, apo jo? Më pas, kur e kuptuan se njerëzit, më shumë sesa nga vetja, argëtoheshin nga historitë e të tjerëve, atëherë nisën të shkruheshin tekste me histori ose komike ose tragjike. Njerëzit i argëtojnë ndjesitë ekstreme, apo jo? Histori ekstreme ishin ato të zotave qiellorë, shoqëruar me kore të frikshme, në shumicën e rasteve kobzeza”, ku autori përmes ngatërresës së qëllimshme me Çehovin/Sokratin dhe shumë gjëra të tilla, lidhet drejtpërdrejt me titullin “Dimri i librave”, por edhe me teatrin që tashmë e ka humbur rëndësinë e tij, (madje në Tiranën europiane mungon krejt), duke iu blatuar lavdisë së teatrit dhe komedisë së Greqisë së lashtë, si një argëtim, apo edhe histori tragjiko-komike “made in Albania”. Vetë romani, na ngërthen përmes personazheve, bashkë me problemet e “imta”, të “vogla”, të “brishta”, “intime”dhe personale, nëpërmejt “lavdisë” së shpirtit të zbrazur dhe dashurisë së pashpresë. Aty është edhe atdheu, provinca, libri dashuria.
Cila është më parësore? Cila është me e rëndësishme? Dikush thotë At + dheu, por qenka i mërzitshëm. Dikush dashuria, por qenka tinzare. Dikush thotë librat, por në epokën dixhitale, të vjetruara? Çfarë i duhet njeriut të sotëm modern? Jeta! Por jeta sa vlen vallë?
Edhe figuart e femrave janë gjysmake, Bardha/ Bela/ Nora, por edhe Sidrit djali i personazhit-hero, apo heroi-personazh, apo një sërë personazhesh që bëjnë koloritin e njyrave, duek I dhënë zëshmëri romanit, ku autori është pjesë e kësaj kolane, ku libri hirnoset, pluhuroset, plagoset, harrohet, rrudhoset, griset, ndryshket, zverdhet, vyshket, myket, shkelet, përdhoset, përdhunohet, dreqoset, zymtohet, paqtohet, inatoset, zhgarravitet, zhgërryhet, inatoset, bërte, këlthet, kërcet, shqyhet etj…etj. Ndërthurja e medias radios, TV, (të zhytur në krizë idesh me programe sa më lakuriqe) deri tek media sociale dhe Tik-Toku, është si gjurmët e para të fëmijës që sapo ka filluar të ecë…sërisht rrëzohet dhe rrëzohet… Tallja shkon deri në palcë. Duke e varfëruar akoma më shumë lexuesin shqiptar, ku dhe vetë banaliteti i jetës tonë dhe varfëria kulturo-letrare nuk ka caqe: “grindeshin me zë të lartë, ta zëmë, se cila markë makine elektrike është më e mira apo sa herë ishte martuar një sportist i famshëm. Është martuar apo jo Rita Ora? Po Dua Lipa? Shqiptare është kjo Mira Murati e inteligjencës artificiale? Si nga Vlora duket. Ato bythët e Kim Kardashian a nuk ngjajnë si piramidat e Egjiptit?”. Dhe së fundmi libri, ashtu në gjumë hyri në dimrin e tij të madh. Por: libri është frymë! Libri është ëndërr e treguar! Libri është urtësi!
Tema: Tjetri, përmes njeriut si akt leximi, në esetë e Natasha Lakos.
Natasha Lako, e njohur si “diva e poezisë shqipe” sipas albanologut kanadez, Robert Eslie, ka qenë edhe skenariste e disa filmave artistike, një art që ndërthur figurën, imazhin, zërin dhe tekstin, që shpalojnë po kaq klas, finesë dhe një kulturë të gjerë, jo vetëm në spektrin letrar por dhe atë kinematografik. Ky cikël me ese, të mirëshkruara me një gjuhë aq të thjeshtë dhe të lexueshëm nga çdo lexues, duket se me kohën parakalojnë, ndeshen, ndërkryhen, bërrylizohen, hepohen, anohen por radhiten pranë e pranë, Migjeni, Fishta, De Rada, Fatos Lubonja dhe Jan Myrdal, Kadare, Agim Mato, N. Frashëri dhe Uollt Uitman, Sevasti Qiriazi etj. Një parakalim mespërmes personazheve dhe emrave të mëdhenj të letërsisë, si një epos madhëstor, ku gjuha poetike nuk ka devijuar nga tharmi lëndor i gjetjeve krahasimtare.
Teksa i lexoja të gjitha esetë, vështrimi krahasimtar më çonte shumë larg. Herë në kohën e Shekspirit e herë tek Safoja dhe pastaj shkallshmërisht zbret në tokën kadareane, apo të arave me karrinj gruri ta pakorrur në fushta e Pogradecit dhe Korçës, kur aktorët e filmit “I teti në bronx”, skalitin heroin e batutave gjithëshqiptare, që përrok mendësinë e një kohe më përtej të një providence krijuese, si kumt dhe shenjë letrare. Autoria me befasi, eksploron dhe shpërfaq, portretin e Sevasti Qiriazit, aq Ëngjëllor dhe Qiellnor duke zbulur zhevaret e thellësive të poezisë së Betim Muços dhe Teodor Kekos. Nuk janë vetëm rrafshina të gjithëpërfshirjeve kuptimore optimale deri skutet më të harrura të letërsisë, por edhe tejzat e shpirtit që krasitin degët e thata të pemës së shpirtit poetik.
Përmes poezisë dhe prozës, arti i fjalës vjen estetikisht bukur. Aq bukur, ku gjuha poetike përshkohet vetvetiu me figura të thjeshta të sistemit tërësor dhe mbarëpërfshirës eseistik, ngulmon me unitet dhe larmi, me një “formësim” me tipare aq imtësuese të konkretizuara me emra të letërsisë botërore. Uniteti i formës dhe përmbajtjes, nuk shkoq vëmendjen nga lidhjet brendapërbrenda jo vetëm të marrëdhënies me vetë veprën (veprat e përmendura), por me çdo element të marrë në veçantësi. Analizat dhe shtjellimi, pothuajse i disa emrave të njohur, në një tjetër këndvështrim, përmes një analize bashkëkohore, autoria ka patur parasysh tre aspekte kryesore:
a) analizën horizontale si mënyrë ekzitence të funksionit të esesë krahasimtare,
b) analiza në bazë të sistemit shumështresor dhe organizimi i brendisë lëndore,
c) analiza më përtej problemeve komplekse në lidhje me autorët botëror.
Njëra anë njohëse e vlerave të letërsisë së vjetër dhe të re shqipe, ana tjetër marrëdhënia trepalëshe poezi-autor-kinematografi, në librin me ese “Njeriu si një tjetër”, sendërton një amalagë portretesh “psikologjike”, të ashtëquajtura “tipa dhe karaktere”. E gjithë natyra njeroze, me tërë tipologjinë e saj, të mirë apo të keqe, të dritëtuar apo të errësura, bardhezi apo të ngjyrosur, të diellnuar apo të mugëtuar, të humbjeve dhe fitoreve, të dashurive dhe urretjeve, përçon përmes penës së Natashës, botëpërcetimin e një folozofie të pjekur të jetës. Një e vërtetë objektive. Një filozofi konceptuale e sistemuar. Mishërimi si formë krahasuese, për të përçuar “logjikën artistike” jo vetëm me funskionin primar të vetë letërsisë, por edhe me vetë sistemin differentiae për letërsinë. Theksimi dhe përceptimi ndiesor i të “veçantave” si tematika të panjohura të shkrimtarëve dhe poetëve, të marrë në analizë, shpalojnë një kontinium emocional estetik mahnitës. Përshkrimi dhe analizimi nëpërmjet një simbolizmi të vërtetë, pa iu shmangur formave origjinale të krijimit (të poetëve prozatorëve dhe regjizorëve), ka një lidhje të brendshme, ku vetëm tituj bëknë diferencën.
Nuk është qëëllimi autorial i shkrimti të një eseje me një “gjuhë të lartë” por përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë, jo vetëm si qëllim në vetvete, por edhe për arsyen e thjeshtë shkak-pasojë, sa më objkctive përpos subjetivitetit autorial të autorëve primarë. Përpjekjet për një shtjellim sa më të qartë, sidomos të këngëve të De Radës, së krahsimit të Lubonjës me Jan Myrdal, të romanit të Bashkim Hoxhës, apo krahasimit të romanit shqiptar me atë europian, apo edhe të qasjes si Naimit me Uitman-in është një mahnitje më përtej dashurisë për letërsinë. Është një detyrim pse jo dhe një mungesë në fushën krahasimtare të letërsi moderne dhe postmoderne shqipe.
Sëfundmi: përmes kënaqësisë së leximit dhe materialit të bollshëm, që ofrojnë këto ese, ku shejgohen edhe sekunca biografike të autorëve, dëshmi edhe publike në formë rrëfimi me material të bollshëm, për të kuptuar akoma më mirë veprat artistike të autorëve. Por merita e Natasha Lakos, mbetet tek stili i rrëfimit unik dhe individualist, në një tjetër lloj trajtese të esesë, sidomos asaj krahasimtare.
Tema: Ekspertiza dhe dekodimi i regjimit, përmes kujtesës librore, në romanin e Luftar Pepemarkut.
Edhe pse ka ardhur vjeshta, librin e kam filluar qe në verë. Në takimin që pata me autorin e librit “Kohë për qiri” të Luftar Pepmarku , u ndieva e privilegjuar, sepse kam kohë që hulumtoj në fushën e letërsisë të ish-të përndjekurve dhe të dënuarve, nga regjimi. Pepmarku, është një shkrimtar/memuaristik, i persekutuar, vetëm se iu pushkatua babi, duke humbur shumë të drejta, sidomos atë të shkollimit. Libri rrëfen rrjedhën e jetës të një fëmije, pas pushkatimit të atit, që është personazhi/autori njëkohësisht, i quajtur Mirjan Lisi, duke i vjedhur edhe fëmijërinë, edhe rininë, edhe burrërinë. T’i heqësh të drejtën një fëmije për kulturë dhe dije, që është një ndër pikat kryesore të konventës së OKB-së për fëmijët, që shkruhet shprehimisht : “shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe, me qëllim që të arrihet kjo e drejtë, hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta”, neni 18. Por, autori i ndërgjegjësuar për prejardhjen e tij klasore, mbeti pa shkollë dhe u detyrua të bëjë punë të rëndomta.
Libri ka 32 kapituj. Që në fillim, na jep një pamje të kohës së tashme, ku një çift duan të regjistrojnë fëmijën, në zyrat e Komunës ku punon Mirian Lisi, që përmes mjegullnajës së kujtimeve i kujohet fëmijëria e tij. Autori, libri e quan (roman memoaristik) dhe i tillë është, pasi që në fillim, të tij ka një kushtim tjetër, si përmendore për nënat që kanë rritur fëmijët jetim gjatë diktaturës, sepse u janë pushkatuar burrat, apo kanë vuajtur nëpër kampet e punës. “Këtë libër ua kushtoj atyre nënave, që me mundime e sakrifica të jashtëzakonshme rritën fëmijët e tyre jetim, si dhe etërve të tyre, që ua mori jetën diktatura dhe ua humbi edhe eshtrat”, që përmes personazhit Etman/Mirjan Lisi, autori ndëeton që në fillim metaforën e lisit. Fjala lis në fjalorin GJSH: [botanikë: dru pylli i lartë; etnografi: tërësia e pasardhësve që rrjedhin nga një baba a nga një nënë. Lisi i gjakut njerëzit që rrjedhin nga një baba. Lisi i gjinisë (i tamblit, i qumështit) njerëzit që rrjedhin nga një nënë], pra metafora e lisit është ajo e qëndresës, por edhe etnografia e lidhjes së gjakut.
Mbiemri, lisi është ndërtuar në mënyrë kronologjike, nga autori, duke dhënë edhe rrjedhën e paraardhësve të familjes së tij, se çdo lis që ka rrënjë, edhe Mirjani i ka rrënjët shumë të thella dhe të lashta. Përmes rotrespektivës, për fisin Lisi, autori e lidh me etnitetin e tyre, me tre elemente si : [kulla/çiftelia/pushka]. Kulla, është (siguria, forca, familja, gjaku, fisi, dashuria), kurse çiftelia (është vazhdimësia nga shpërberja, etniteti, kombësia), pushka (qëndresa, forca, mbrojtja nga armiqtë, por edhe lidhet me etnicitetin dhe moralin tonë kombëtar).
Përmes Etmanit, i biri Mirjani, që është dhe autori njëkohësisht, rrëfen sipas Zhenetit: “rrëfen në n-here, për atë që ka ndodhur një herë”, por autori/personazh është edhe personazhi/autor, që na vetëtregon:
a) për heroin/personazh që di dhe rrëfen çdo gjë,
b) për heroin/rrëfimtar, që është i kundondodhur,
c) për rrëfimtarin/autor të gjithëditur dhe herë-herë përmes këmbimit të roleve, heroi bëhet fëmijë, rrëfyes , i rritur, gjykues, paragjykues, veshur me plojën e kujtimeve në formë kronologjie jetësore dhe historike sidomos. Ai ka ndërtuar dy kohët paralele: e shkuara/tashmja.
Rrëfimi, shtresëzon kujtime dhe përjetime, të shumë familjeve shqiptare që jetonin në fshat duke treguar, në shumë kapituj, jetën në bashkësi ku:
– rrëfen për punët e bujqësisë dhe blektorisë (kopshtet/arat/blegtoria etj)
– për traditat dhe zakonet (fejesat, martesat, vdekjet),
– kulturë, histori, art dhe letërsia e kohës (rreth viteve ’30-të),
– për mentalitetin dhe paragjykimet,
– për toponimet/arkitekturën (kulla dhe dominimi saj në jetën e përditshmërisë si qëndresë, por edhe si simbol i pasurisë, apo edhe bejlërllëkut të kohës, ose sipas oxhakut),
– për gastronominë (futja e recetave të reja europiane për kohën),
– për veshjet dhe artizanatin,
– për elementet e folkut (këngët e dasmave),
– për elementet e besimeve fetare.
Romani ka edhe njizje historike me emra dhe figura të politikë së kohës. Por autori, gjatë gjithë romanit tregon, për rrezikun e komunizmit si ide dhe regjim, derisa u pushktua dhe la vetëm gruan e re (Mirësia një grua vërtetë mirësi, sepse nuk e braktisi djalin e saj, edhe pse zakonet e vendit kërkojnë që të kthejnë në gjini). Mënyra e rrëfimit, përmes një gjuhe të thjeshtë, duket sikur një përrallë.
Emrat e oficerëve dhe spiunëve të regjimit, janë me epitete fyese si: Mallkim Terri/Hetim Demoni. Rrëfimi auto/autorial i jep zëshmëri Mirjanit, dëshirës së tij për shkollë, por ai ishte djali i të pushktuarit dhe nuk kishte të drejtë, edhe pse ishte me të gjitha notat 5 (d.m.th: 10 sot), por as në gjimaz nuk e lanë të shkojë, kështu që iu nënshtrua fatit (pa faj), u martua, por “hija e zezë e babës”, vazhdonte ta përndiqte, atë dhe familjen e tij vogël.
Autori shkruan: “Mirjanit për arsye biografike, ngaqë kishte babanë e pushkatuar, nuk i bënin lejen e banimit. Nga mungesa e lejes së banimit apo pasaportizimit, kishte mbetur familjerisht pa punë”. Kjo tregon, se çdo kush që e ka jetuar atë kohë e kupton, se as punë nuk u jepnin “armiqve të pushtetit”, duke orkestruar një sërë burokratësh të tërbuar dhe gjakatarë, vrasës dhe shtypësish, që nuk kishin mëshirë as për një fëmijë.
Por, e gjithë jeta i kalon nëpër persekutime dhe përndjekje nga një ndërmarrje në një tjetër, nga një krahinë në një tjetër, pa dinjitet. Pas, demokracisë, Mirjani kërkon eshtrat e të atit, por nuk i gjen. I vdes edhe e ëma, gruaja që vitet e rinisë së saj i “dogji” duke rritur dhe edukuar të birin, me të gjitha fatkeqësitë e fatit, nëpër mjerime, përbuzje, shtypje, refuzime, ajo kurrë nuk u dorëzua. Edhe pse me fund të lumtur, historia nuk duhet harruar, sepse mund të përsëritet përsëri.
Simbolika e pemës së qershisë, ku janë varrosur të gjithë të pushkatuarit në burgun famëkeq të Burrelit, në analogji me pemën e ndaluar të Biblës (molla e ndalur), ku Adami dhe Eva zbuluan të mirën dhe të keqen, sendërton si imazh dhe simbol të së keqes dhe ligësisë, të dhimbjeve dhe humbjeve të shumë të afërmëve, sekuestrimi dhe rrënimi i mijëra familjeve intelektuale dhe atyre me taban atdhetar dhe kombëtar.
Sëfundi: kjo lloj letërsie në formë kujtimesh memuaristike, autobiografike, apo edhe biografike, apo edhe ajo lloj letërsie, ajo e dosjeve, apo edhe letërsia e burgologjisë (sipas Visar Zhitit), duhet shfletuar dhe njohur nga lexuesit, por kritika as nuk merret “me vogëlsira” të tilla, pasi ajo nuk e njeh si letërsi (por ca kujtime të burgosurish), që për mua kanë brenda historinë dhe traditën tonë të zhdukur nga komunizmi, kulturën dhe zakonet tona, tashmë të harruara dhe të shpërfytyruara në emrin e demokracisë dhe globalizmit modern.