Gazeta Nacional Albania

Enver Kushi; MOIKOM ZEQO – DEMONI I FJALËVE TË TRISHTA

Ishte 5 shkurti i vitit 2017, kur shfletova shpejt gati – gati me ngutje, faqet e para të përditshmes “Gazeta Shqiptare”. Pastaj ndala tek “Milosao”, ku portreti i Dritëro Agollit zinte tërë hapësirën e faqes shoqëruar me poezinë ” Sikur s’jetoj në vendin tim” dhe poshtë me shkrimin e ndjerë post mortum të Ben Andonit “Lamtumirë Dritëro Agolli”. Në ato vite gazetari I mirënjohur, Ben Andoni, përgatiste suplementin letrar të “Gazetës Shqiptare”, me emrin kuptimplotë MILOSAO, që botohej çdo ditë të diel.
Mbaj mend se ishte vonë, një kohë përtej muzgut të kryeqytetit shqiptar dhe nata dukej më e vetmuar, më e trishtë se asnjëherë tjetër, nga largimi nga kjo jetë e Dritëro Agollit, një prej shkrimtarëve që bëri epokë në letrat shqipe. Dhe katër faqe më pas të “Milosaos”, nën titullin “Poeti i kunguar nga gjaku i rrufesë”, 21 krijimeve të botuara do t’u paraprinte një foto bust i Moikom Zeqos, ku më bëri përshtypje portreti i tij me sy të mbyllur dhe dora e majtë, ku mes gishtave të vënë mbi ballin e gjerë, dallova qartë cigaren e ndezur. E vështrova gjatë këtë portret dhe thashë me zë të lartë fjalët e Gëtes për kohën;”Ndalu! Je kaq e bukur”. Jo, mendova. Këtij portreti të poetit i shkojnë fjalë të tjera: “Ndalu përjetim. Meditim, frymëzim. Ndalu çast krijues. Dhuimbje. Ankthe. Ndalu kohë. Je kaq e trishtë”.
Lexova ngadalë krijimet e Moikom Zeqos, duke nënvizuar vargje të tëra (nëse ato mund të quhen të tilla). Pastaj i lashë të hapura të dy faqet, për t’iu rikthyer leximit aty afër mesnatës. E ndërsa mesnata kishte kaluar gjumi nuk po më zinte dhe dhoma ime e ftohtë mu duk më e vogël dhe vetmia përtej asaj që quhet vetmi. Edhe qielli mu duk pa qiell në kryeqyteti shqiptar. Krijimet e Moikom Zeqos më kishin futur në ca botëra dhe labirinthe të çuditëshme. Ato duket sikur janë të shkruara në jerm, në një gjendje haluçinante, kur befas zgjohen dhe vihen në lëvizje ca vatra të veçanta të trurit. Jo të një truri të zakonshëm, por vullkanik, ku llava shpërthen në mënyrë kaotike dhe ulëritëse. Duket sikur Moikom Zeqo qëndron në boshllëk dhe krijon në boshllëk, do të shkruante ndoshta Stefan Cvajg, nëse do t’i lexonte këto krijime. Në këto krijime ka diçka meteorike, diçka prej yjesh, kozmosit, apo botë që vërtiten të shqetësuara dhe befas rrokullisen dhe bien me zhurmë tronditëse. “Këtu kemi gulç, spazmatik të shpirtit, kundërshti e shpërthime të fuqishme, dehje e dalldi, “mani grekësh të lashtë…”, më vjen ndërmend një thënie tjetër e Stefan Cvajgut, teksa i lexoj prapë këto krijime.
Në to Moikom Zeqo sendërton “Anën e prapme të kohës”, ku “erërat vërtiten – si ventrilokët!..Dhe varka biblike – bëhet inkadishente – në anën e prapme të kujtesës”. Dhe në këtë “Anën e prapme të kohës”, “fytyra ime – plasaritet në qelq”. Dhe prap në këtë “Anën e prapme të kohës” : “mjellma Shekspir – nuk vdes -, dhe poetit Zeqo i vjen befas “mosha e tretë – si dreka e përmortshme – e vetvetes”. Pastaj ai fluturon “mbi brigjet jonike! – Gunën qimedhirtë – të shirave – e kthej mbrapsht !” Në “Anën e prapme të kohës”, shkruan Zeqo “tingujt – bulëzojnë – si zambakë qiellorë! – Vetmia ime – është po aq e gjallë – sa entuziazmi”, apo “Shoh si jam i rrethuar – nga peshq, – delfinë, – balena, – që nuk notojnë në ujëra, por në iluzione!” Në “Anën e prapme të kohës”, ai sheh “ëngjëj – që janë dënuar – të thyejnë gurë në gurore…” dhe atje “Vjeshta – klithi, – si grua – e kapur – nga leshrat!”. Atje ” Asnjë nga shpirtrat – e vjeshtës – s’ka mbetur më tek gjethet”.
Në këto krijime të Moikom Zeqos koha është pa kohë, qiejt pa qiej, ditët pa ditë, hapësirat pa hapësirë dhe zëri njerëzor vjen përtej asaj, që quhet fillesë. Kur lexon këto krijime ndjen diçka përtej të zakonshmes, ankthe marramendje, zëra të çuditshëm, muzgje, klithma, vetëtima, varre dhe hije poetësh e filozofësh, që lëvizin në hapësira pa kohë, kuaj që qajnë mbi pllaja, shira që rrëzohen nga qiej të parrëzueshëm, avujt e qyteteve antike, vjeshtrat e verdha dhe mollë që skuq ajo. Është një botë e krijuar nga një forcë krijuese përtej çdo force krijuese dhe përfytyrimi njerëzor, siç është Moikom Zeqo dhe vetëm Moikom Zeqo.
Dhe ndërsa iu riktheva disa herë leximit të këtyre krijimeve, nuk e di përse m’u kujtua viti 1971. Mbaj mend fundverën, vjeshtën e plotë dhe funddimrin po të atij viti, ku pas mbarimit të shkollës së lartë na çuan në periferi të qytetit të Shkodrës në një repart ushtarak, ku qëndruam 5 muaj. Në këtë qytet me histori, kulturë dhe letërsi të madhe, ne 22 vjecarët përjetuam ditë të paharruara, duke shijuar të tria stinët e papërsëritshme të Shkodrës. Moikom Zeqo kishte botuar dy libra atëhere, por në Shkodër ai pati çuditërisht një krijimtari poetike të bollshme. Thuajse çdo ditë, në ca blloqe të vegjël, me një kaligrafi që dukej si e dalë nga librat e vjetër, ai do të hidhte vargje të tëra me një figuracion dhe metafora nga më befasueset. Isha me fat që i lexoja menjëherë këto poezi, që ishin ndryshe, shumë ndyshe nga ato të brezit të tij, por edhe të brezit të poetëve me emër të kohës. Ndoshta ishte Shkodra, ndoshta stnët e këtij qyteti, ose ndoshta diçka tjetër që nuk e spjegoj dot dhe që lidhet me enigmat e krijimit, poezia e çudtshme, që Moikomi shkroi atëhere. Tashmë ka kaluar mbi gjysëm shekulli nga ai vit e megjithatë, kur lexova krijimet e botuara në “Milosao” e datës 5 shkurt 2017, ndjeva dhe preka aromat dhe hijet e largëta të figuracionit dhe metaforave marramendëse të poezive që Moikom Zeqo ka shkruar në Shkodër, kur ishte vetëm 22 vjeç.
Bota që krijon Moikom Zeqo në poezinë e tij më kujton thënien e një prej mëndjeve gjeniale të shekullit të njëzetë, Borhesit, se ajo është “më e ndezur, më e jetërshme, më e gjallë se kjo”. Pasi lexon këto krijime, kjo botë “është si hije dhe duket sikur ne jetojmë në hije”.