Gazeta Nacional Albania

Enver Kushi: MOIKOM ZEQO NË RROGOZHINË, PAS DËNIMIT NGA PLENIUMI IV PARTISË KOMUNISTE

Poetin e larguan nga gazeta “Drita” dhe e dërguan mësues në shkollën e mesme të qytetit

“Më 3 Qershor të vitit 2019, kur Moikom Zeqo, miku im i shtrenjtë, mbushi 70 vjeç shkrova në formë kujtimesh, për ardhjen e tij në qytetin e vogël të Rrogozhines. Ishte një kartolinë urimi për mikun Moikom Zeqo, duke risjellë në kujtesë vitet kur atë e dënuan nga Pleniumi IV. Moikomin e larguan nga gazeta “Drita” dhe e sollën mësues në shkollën e mesme të qytetit. Sot, jo vetëm në 73 vjetorin e lindjes, por dhe në 2 vjetorin e largimit nga kjo jetë le të jetë ky shkrim edhe homazh për një nga personalitetet e mëdha të letërsisë dhe kulturës shqiptare.”

Nga Nga ENVER KUSHI

KUAJT E HAZDISUR TË METAFORAVE
Për Moikom Zeqon, një nga personalitetet e veçanta të lëtërsisë dhe kulturës shqiptare, është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet edhe në të ardhmen. Ai ka mbi pesëdhjetë vite, që hipur mbi kuajt e hazdisur të metaforave, rrugëton në ca hapësira të çuditëshme, sa reale aq edhe ireale, duke na dhënë jo vetëm një produkt poetik nga më befasuesit, por dhe vepra në prozë, esseistikë, studime e të tjera zhanre, që kritika skolastike letrare, e ka të vështirë t’i klasifikojë. Ai është krijues përtej të zakonshmes, ku gërshetohen dhe shkrihen natyrshëm në një të vetme, dituraku i madh me talentin e nga kjo shkrirje apo kontakt, shpërthen një energji krijuese e jashtëzakonshme, siç ndodh me shpërthimet vullkanike apo kozmike.
Poezia e Moikom Zeqos dhe jo vetëm ajo, duke notuar në thellësira detrash e oqeanesh, apo hapësira dhe kohëra përtej kohës, ngërthen në vetvete ngulçet, spazmat, makthet, që kanë shoqëruar njerëzimin që nga lindja e deri në ditët tona, duke hedhur mbi to herë-herë mantelet e përgjakura të miteve e baladave shqiptare e ballkanike. Me këtë dimension, sa universal, aq edhe rajonal, krijimtaria e tij dhe veçmas poezia, ka fituar të drejtën të qëndrojë denjësisht krah mjeshtrave të letërsisë botërore.
Në shkrimin që ai publikoi në gazetën “Dita”, të datës 26 maj 2019, “Kavafi-Apokalipsi intelektual i ironisë”, mes të tjerash shkruan:”Poezia e çuditëshme e Kavafit është dilema sfilitëse e mijëvjeçarit të dytë, një testament estetik i një bible të dytë apokrife për ardhmërinë mosbesuese, është dlirësimi i vështirë dhe i fshehtë… Sepse Kavafi duhet zbuluar papushim- ai është i thellë si Atlantida, që gati e çmendi Platonin hyjnor”. Unë po guxoj që në tekstin e shkëlqyer shkruar nga Moikomi për një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë dhe poezisë botërore, emrin Kavafi ta zëvëndësoj me emrin Moikom. Ose bëjeni ju lexues admirues, apo studjues të veprës së Moikomit. Dhe nuk gaboj apo blasfemoj, por them një të vërtetë, tashmë të pranuar nga ata që e njohin dhe i kuptojnë kumtet e poezisë dhe krijimtarisë së tij, në Shqipëri e në botë, ku ajo është përkthyer. Do t’i shkonte për shtat Moikom Zeqos, që teksti i mësipërm për Kavafin, shkruar nga ai, siç shkrova më lart, të zëvendësohej me emrin Moikom. Vepra e Moikom Zeqos, është dilemë sfilitëse dhe tronditëse, e fundit të mijëvjeçarit të dytë dhe atij të tretë, ku bota shqiptare e ballkanike dhe ajo botërore, duket se lëvizin, ashtu si planetet, rreth maktheve ulërritëse, apo udhëkryqeve të ekzistencës e ku njeriu global ulërin, vë kujen, në kërkim të vlerave të bjerrura gjatë mijëvjeçarëve të ekzistencës. Mjafton të ndjekësh veçanërisht dy dhjetëvjeçarët e fundit, pas rënies së kullave binjake në Neë Jork, lëvizjet tektonike të njerëzimit, do arrish të dëgjosh apo prekësh këtë makth. Dhe në vazhdim, nëse do të merrja një dyfjalësh nga Borhesi, një tjetër gjeni i letërsisë botërore, pra dyfjalëshin “Shija e makthit”, do të thoja se poezia e Moikomit është zëri dhe makthi ulërritës sa shqiptar e ballkanas, aq edhe botëror dhe atje ndjen “shijen e makthit”, siç shkruan Borhesi. Si e tillë poezia e Moikom Zeqos përtej dimensioneve rajonale, shqiptare, ku është ngjizur e ngjizet, bëhet universale dhe për këtë ai është me fat dhe u ngjan mistikëve të mëdhenj të Lindjes, ose Princëve të Mistikës, nëse do të sillja ndër mënd titullin e një libri të tij të shkëlqyer, për mistikën bektashiane. Mistikët e Lindjes, pas shekullit të dhjetë, ashtu si dervishët e përkorë e të përvuajtur, që u shfaqën bashkë me fiset turkmene, të dehur nga dalldia e Misticizmës, rrugëtonin e rrugëtonin në ca hapësira qytetërimesh të panjohura, në kërkim të shpirtit të pastër njerëzor. Ata kur nuk e gjenin këtë shpirt të dlirë, të pastër, si vesa e mëngjesit, binin në letargji të gjatë e kur zgjoheshin kujtonin ëndrra e makthe të çuditëshme, që i kishin parë gjatë letargjisë. Këtë dehje mistike e gjejmë në letërsinë e Moikom Zeqos në një formë tjetër. Atje kuajt e metaforave turfullojnë të pakënaqur në këtë botë makthesh. Këta kuaj hingëllijnë e ulërrijnë në hapësira përtej kohës dhe kalorësi i tyre e ka të vështirë t’ua mbyllë gojën.

PËR RROGOZHINËN DHE ARDHJEN E MOIKOMIT NË KËTË QYTET
Rrogozhina është qytet i vogël, ndërtuar në kryqëzimin e rrugëve automobilistike, që e lidhin atë me të gjithë vendin. Me ndërtimin e hekurudhës Durrës-Elbasan, katër vite pas çlirimit të vendit dhe të hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në fund të viteve gjashtëdhjetë, qyteti u bë një nga nyjet e rëndësishme hekurudhore të vendit. Këto ditë rilexova librin e Moikom Zeqos “Dialog në lëvizje”, një përmbledhje me skica, përshkrime reportazhe, botuar në vitin 1981, ku mes të tjerash, në reportazhin për Rrogozhinën, ai shkruan :”Stacioni hekurudhor i Rrogozhinës është një nga stacionet më të rëndësishme dhe i vetmi, ku kryqëzohen të gjitha linjat e mëdha të Atdheut: të Durrësit, Prrenjasit dhe Fierit… Brenda 24 orëve këtu kalojnë mbi 32 trena udhëtarësh dhe mallrash, mijëra e mijëra njerëz dhe mijëra e mijëra ton mineral. Kjo lëvizje kaq e madhe sikur zgjeron dhe vetë qytetin, e bën më të madh”.
Para se të shkruaj për ardhjen e Moikomit në këtë qytet, pasi ai u dënua nga Pleiumi IV, dua të jap disa kujtimet e mia për Rrogozhinën. Atje unë kam përfunduar shkollën 7 vjeçare, në një godinë të vjetër një katëshe, si dhe shkollën e mesme, që u ndërtua pranë 7 vjeçares e që më vonë u nda më vehte, duke u ndërtuar jo shumë larg saj. Mbaj mend dyqanet e vegjël në qendër dhe një si kioskë, ku Aqif Ademi, një burrë i mënçur e i qetë, nga Filati i Çamërisë, shiste kinkalerira dhe gazeta e revista të kohës. Kur ishim studentë Moikomi më dhuroi, një fotografi të Heminguejit, shkrimtarit të madh që e adhuroja dhe e adhuroj, Aqif Ademi, çuditërisht i ngjante atij. Po në qendër, në këndin që formon rruga që shkon në Peqin dhe ajo për në Lushnje, ngrihej fabrika e sapunit, ndërtuar në vitin 1943 e që pas viti 1950 u zgjerua shumë me reparte te reja të prodhimit të vajit të lulediellit, sherebelës. Po në qendër ishte Postë-telegrafa e vogël dhe mbi të një hotel me pak dhoma. Fabrika e zhveshjes së pambukut, ndërtuar me ndihmën e sovjetikëve ishte në hyrje të qytetit, në krahun e djathtë të rrugës kur vije nga Kavaja. Jo shumë larg fabrikës sovjetikët kishin ndërtuar edhe një klub të vogël kulture me një sallë kinemaje, sallë biblioteke dhe për lojëra. Popullsia autoktone e Rrogozhinës ishte mbi hekurrudhë, në ca shtëpi me kopshte, të ndërtuara në kodër dhe që andej dukej lumi Shkumbin e në horizont një pjesë e fushëës së Myzeqesë dhe akoma më tutje bregdeti i Divjakës.
Banorët e këtij qyteti ishin të ardhur nga gjithë Shqipëria dhe banonin në qëndër, në ca shtëpi njëkatëshe të ndërtuara kur përfundoi fabrika e zhveshjes së pambukut. Kur u ngrit traseja e hekurudhës nga stacioni i qytetit e deri te ura e lumit Shkumbin dhe që ishte shumë e lartë dhe Rrogozhina gati u rrethua me këtë mur traseje, nuk e di se kush qytetin e quajti Trojë, ndoshta një emër i vënë nga ky mur rrethues hekurudhe, por mendoj më shumë ndikim nga filmat, që shfaqeshin në kinemanë e vogël, me motive nga Lufta e Trojës. Matanë Trojës, në krahun e rrugës, që të çonte për në Peqin, ishte një lagje e madhe, që kishte një emër kuptimplotë “Miqësia”, e banuar terësisht me të ardhur nga krahina e Çamërisë, pas vitit 1945 e të shpërngulur me dhunë nga bandat e Napoleon Zervës. Në skajin tjetër, nga tuneli hekurudhor e deri te kodra, ku dikur ishin depozitat që furnizonin me ujë lokomotivat me avull, ishte një lagje tjetër, që ashtu si dhe ajo “Miqësia”, dukej si e shkëputur nga qendra e qytetit. Edhe këtu banorët ishin të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe kishte pak familje çame, ndërsa ngjitur me kodrën e tunelit banonin vllehët. Nuk e di se kur ishin vendosur vllehët atje, por para tyre në atë vënd, ishin vendosur partizanët e EAM-it bashkë me familjet e tyre, kur shteti fqinjë u përfshi nga Lufta Civile. Mbaj mend, ndoshta mund të ketë qenë viti 1959, kur pas amnistisë së qeverisë greke, ata u riatdhesuan. Ka qenë shtator dhe binte shi i qetë, kur partizanët grekë, me gratë e fëmijët, por edhe bagëtitë, hipur në makina të hapura ushtarake, kaluan përmes qendërs së qytetit. Nuk do t’i harroj kurrë, megjithëse isha fëmi, fytyrat e tyre të trishtuara, velenxat e hedhur krahëve dhe duart që i ngrinin lart, për t’u thënë lamtumirën dhe përshëndetur banorët, që i kishin mirëpritur në qytetin e tyre të vogël. Në Rrogozhinë, e vetmja familje që mbeti dhe nuk u largua atë ditë me shi, ishte ajo Strugari, nga Filati i Çamërisë. Do të shkruaj herë tjetër për familjen Strugari, për Poliksenin, gruan e mirë dhe Dhimitrin, djalin e saj të vetëm, që e kam patur nxënës në shkollën e mesme të Rrogozhinës. Polikseni i rriti me sakrifica djalin dhe vajzën, pasi i shoqi ish partizan i EAM-it, vdiq në qytetin tonë të vogël. Babai im, i cili asnjëherë kur unë isha mësues nuk ka ndërhyrë për këtë apo atë nxënës, sepse ai nuk e bënte kurrë këtë, të vetmen ndërhyrje që mbaj mend ishte për Dhimitrin, djalin e Poliksenit. Mbaje afër dhe ndihmoje atë. U thuaj dhe mësuesve të tjerë që ti i ke shokë, që ta ndihmojnë Dhimitrin, më tha babai dhe pastaj shtoi: “Familja jonë ka patur miqësi me Panajot Strugarin, që ka qenë partizan me EAM-in. Në marsin e vitit 1945 Panajoti na mori në mbrojtje të gjithëve, pas vrasjes së Selmanit në Spatar. Ishte ai, që mes bandave zerviste që dilnin rrugës, na përcolli deri në kufirin me Shqipërinë. Dhimitri është nga gjaku i tij. Panajotin nuk kemi ku ta gjejmë, sepse është në Filat. Dua që mirënjohjen t’ja shpërblejmë me ndihmën që do t’i japësh Dhimitrit si nxënës… “.
Kjo ishte Rrogozhina e viteve të rinisë time dhe e viteve kur në të erdhi Moikomi. Siç dihet, viti 1973 ishte traumë e madhe, veçanërisht për letërsinë, artin dhe kulturën shqiptare. Pleniumi IV i dha një goditje të rëndë rrjedhës normale dhe shumë arritjeve në këto fusha, duke dënuar figura të njohura, si shkrimtarë, dramaturgë, aktorë, piktorë, kompozitorë, këngëtarë dhe mes tyre ishin dy të rinj: Moikom Zeqo e Thanas Dino, gazetarë te “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Moikomi akuzohej si poet hermetik, ndikuar nga ideologjia borgjezo-revizioniste dhe letërsia dekadente, ndërsa Thanas Dino për poezinë”Unë jam fik deti” dhe një cikël poezish të botuara tek “Drita”. Të dy i larguan nga Tirana: Moikomin e emëruan në shkollën e mesme të bashkuar “Haxhi Qehaj” të Rrogozhinës, ndërsa Thanasin në fshatrat e Gjirokastrës. Kjo ishte një goditje e rëndë për këta dy të rinj, që i kishin hyrë me pasion e dashuri rrugës së letërsisë.
Unë kisha gati dy vjet, që isha mësues i letërsisë në këtë shkollë dhe ardhjen e Moikomit e prita me gëzim. Me të kisha qënë katër vite në një dhomë, kur studionim për letërsi, bashkë me Shefki Karadakun, të ndjerin Tomorr Domi dhe Niko Kacalidhën, që vinte nga minoriteti grek i Jugut. Me Moikomin gjithashtu, pasi përfunduam studimet, ishim bashkë në Shkodër në shërbimin pesë mujor ushtarak. Në Shkodër u njoha dhe takova për herë të parë Frederik Rreshpjen, mik i Moikomit. Mbaj mend, që në Shkodër, gjatë muajve të shërbimit ushtarak, në ca blloqe të vegjël, Tovi shkroi vargje dhe poezi me metafora nga më befasueset. Nga ana tjetër kisha shkuar disa herë në shtëpinë e tij, që ndodhej në një nga rrugët më të bukura të Durrësit, pranë shtëpisë muze të Aleksandër Moisiut dhe mureve të vjetër të qytetit. Atje kisha njohur nënën e Moikomit, Pandorën, një grua fjalëpakë e me një heshtje prej zonje të vërtetë. Ajo me dinjitet pas vdekjes së të shoqit, nga plagët e marra si partizan, Zihniut, kishte rritur dhe edukuar tre djem: Moikomin, Manushin dhe Fredin.
Tani le të rikthehemi me Moikomin, kur erdhi në shkollën e mesme si mësues i letërsisë. Energjik, komunikues dhe me kulturë të gjerë, në fushën e letërsisë, si dhe me disa libra poetikëe të botuar, ai që në fillimet e veta si mësues gjeneroi ide. Mbaj mënd që menjëherë ndryshuam gazetën e murit “Letrari i Ri”, ku Moikomi pati një koncept tjetër, duke “botuar” në të cikle me poezi të të njëjtit nxënës. Ato diskutoheshin më pas në rrethin letrar dhe mendimet, në formë shkrimesh kritike, zinin vënd më pas te “Gazeta e Murit”. Ishte idea prapë e Moikomit, që poezitë e nxënësve të talentuar, të përmblidheshin më vehte, si libra. Ato lidheshin me karton, ku në kopertinë vihej titulli i vëllimit dhe emri i nxënësit. Nuk e di se ç’është bërë më pas me to, janë ruajtur apo jo në arkivin e shkollës, sepse Xhelal Tosku, sot poet lirik, botimet e para i ka në këtë periudhë. Mesa di unë, Ylli Xhaferi, tani prozator dhe poet i talentuar, që u rikthye pas shumë vitesh mësues i lëtërsisë dhe drejtor i shkollës së mesme të Rrogozhinës, e vazhdoi këtë traditë. Dua të ndalem edhe në një inisiativë, që prapë ishte e Moikomit, për mbledhjen e folklorit të zonës. Mbaj mënd që nxënësve u vumë detyrë, që në një fletore të veçantë të shkruanin të mbledhura nga gjyshërit a prindërit e tyre, këngë ta vjetra, legjenda, toponime, emra të florës mjekësore popullore, të dhëna për mbeturina arkeologjike, si dhe për etnografinë. U grumbullua një pasuri e madhe e trashëgimisë kulturore, jo vetëm nga banorë autoktonë, por edhe të krahinave të tjera, veçanërisht nga Çamëria, Labëria, Përmeti etj. Me Moikomin shkuam edhe në lagjen e vllehëve, ku zbuluam një talent të rrallë të gdhendjes së drurit, që ishte Vangjel Kanaçi. Me punimet e tij hapëm një ekspozitë të vogël, në kabinetin e letërsisë.
Nga ana tjetër, falë njohjeve që kishte Moikomi, për herë të parë erdhën në Rrogozhinë, shkrimtarë, si Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Vath Koreshi, Anastas Kondo etj,etj. Nuk dua të lë pa përmendur edhe ekskursionet që bënim, veçanërisht me maturantët në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku Moikomi gjatë udhëtimeve, në rolin e guidës, shpaloste njohuritë e gjera për trashëgiminë kulturore, vendet historike etj. Në Krujë mbaj mend që në një nga këto ekskursione u ngjitëm në këmbë në malin e saj të lartë, ku në një nga shpellat morëm një stalagmit, që e vendosëm në kabinetin e letërsisë.
Së fundi, dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër të lidhjeve të tij dhe njohjes nga afër me prindërit dhe familjen time. Sa herë që Moikomi vinte në shtëpinë time, që e kisha afër shkollës, babai im e priste krahëhapur, siç dinte ai t’i priste e t’i donte miqtë dhe fjala e parë që thoshte ishte: “Bukë, shtroini bukë Moikomit”. Nënë ime që ishte mjeshtre e bërjes së byrekëve karakteristikë të Çamërisë, nuk harronte që të ndante një copë për Moikomin. I jam mirënjohës Moikomit që emrin dhe punën e babait tim e ka përjetësuar në një nga reportazhet, kushtuar Rrogozhinës.
NË VEND TË MBYLLJES
Kanë kaluar gati 50 vite nga koha kur Moikomi u dënua nga Pleniumi IV dhe u emërua mësues letërsie në shkollën e mesme të Rrogozhinës. Shumë nga banorët e dikurshëm janë larguar jashtë vendit, ose në Tiranë e Durrës. Edhe këngëtari i madh i Çelo Mezanit, Refat Sulejmani, prej vitesh ka ikur nga lagjia “Miqësia”, që siç shkruam më lart ishte ndërtuar përtej “Trojës”. Shkolla është aty ku ka qenë, por atje nuk japin më mësim brezi i mësuesve të mi dhe mësuesit e brezit tim. Tani, pas vdekjes së babait, shumë vite më parë e të nënës para dy vitesh, shkoj më rrallë në Rrogozhinë dhe bashkë më tim vëlla Bashkimin, ngjitem në kodrën e bukur mbi qytet, ku prehen të vdekurit. Që andej qyteti duket në pëllëmbë të dorës dhe vazhdon të jetë aty ka qënë, në kryqëzimin e rrugëve, ku vitet e fundit janë bërë edhe ndryshime për mirë. Aty ku ka qënë është dhe lumi Shkumbin, që vazhdon rrjedhën e tij drejt detit Adriatik. Hapësira në perëndim dhe muzgjet vijnë e ikin si në fillesat e botës. Fabrika e dikurshme e vaj-sapunit, e zhveshjes së pambukut, e prodhimit të rakisë së dëllinjës, e tharjes së fruta-perimeve, janë kthyer në rrënoja, ose më saktë kanë “vdekur”. Edhe stacioni i dikurshëm i trenit edhe hekurudha, për të cilat ka shkruar Moikomi dikur, kanë vdekur. Tani qyteti ka një burg të madh ngritur vite më parë, pranë gërmadhave fantazmë të fabrikës së zhveshjes së pambukut. Pasi nderoj prindërit e mi, në kodrën me varre, zbres dhe kaloj shinat e vdekura të hekurudhës dhe kur kthej kokën pas, duken varrezat që janë zgjeruar dhe ku prehet një pjesë e kujtesës së qytetit. Jam krejt i përhumbur dhe përpiqem të kthej kohën pas dhe vehtja më duket si personazhi i një prej rrëfimeve të prozatorit kinez Lu Sin, që të shkuarën e qytetit të tij dhe shokët e miqtë e dikurshëm i gjente në varreza.
Kanë fryrë shumë erëra, kanë ardhur dhe ikur stinë ose “Lis jeta kish ndërruar”, them me vehte vargun brilant të De Radës. Miku im Moikom Zeqo, ka lënë një pjesë të jetës së tij në këtë qytet dhe jeton rininë e dikurshme, në krijimtari e kudo. Më duket që mbi qiejt e Rrogozhinës dhe jo vetëm mbi to, kalërojnë kuajt e hazdisur të metaforave të Moikom Zeqos. Ky shkrimtar, poet, studiues, esseist, gazetar, piktor, qytetar i këtij vëndi, që ende nuk po gjen qetësi, shkruan e shkruan pa pushim. Krijimtaria e veçmas poezia, siç ka thënë ai dikur, i është shfaqur në moshë të re, ashtu si zbulesat, duke e tërhequr në humnerat e ideve dhe tronditur me pafundësinë e shtrëngatave e dufeve, të formave nga më të habitshmet të metaforave, ku shpesh ato “më është dukur se më lëviznin përpara bebëzave kaleidoskopë të vërtitur nga duar ëngjëjsh, apo nga rrufetë e shpirtërave të poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj…”