Gazeta Nacional Albania

Enver S. Morina: JETËSIM I “AUTORËVE TË VDEKUR”, I ARBËRISË SË LASHTË DHE I KOSOVËS SË TASHME

Shkrim kolazh: Përkitazi për veprën unike e të rrallë të kompozuar nga trioja në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër

JETËSIM I “AUTORËVE TË VDEKUR”, I ARBËRISË SË LASHTË DHE I KOSOVËS SË TASHME

Me ndjenjën e një shikuesi nga larg, përmes ekranit televiziv, e rishikoj trion, flautisten Parashqevi Hallkaj Çipa, aktorin Kudret Alikaj dhe këngëtarin Bujar Sinanaj. Elegji për ata që nuk i kemi. Kosova e Prishtina pjesë e krijimtarisë artistike të trios unike e të rrallë të paraqitur në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës …

Nga Enver S. Morina

Ditë më parë në Gjirokastër është mbajtur edicioni i 11-të i Festivalit Folklorik Kombëtar. Në mesin e dhjetëra e qindra paraqitjeve në zhanret përkatëse, në natyrën e një festivali folklorik mbarëkombëtar, veçoj triptikun artistik “koncertal” për flautë nga Parashqevi Hallkaj Çipa, shoqëruar me recitimin e vargjeve të poetit Petrit Ruka nga aktori Kudret Alikaj dhe polifoninë e këngëtarit Bujar Sinanaj me vargjet krijuese antologjike te Lefter Çipës.
Melodia e flautës si instrument solistik, përcjellëse e interpretimit të vargjeve poetik dhe vokalit të këngëtarit janë komponente dhe gërshetim për një art që do mbahet mend gjatë.
Ndërthurja nuk është e rastësishme. Jugu e kujton Kosovën. Petrit Ruka përmend Prishtinën. Lefter Çipa betohet në Kosovën. Do të ngritët si një Feniks. Dy krijuesit e vargut, poetët Lefter Çipa e Petrit Ruka nuk jetojnë. Është një homazh për poetët, krijuesit e vargut.
Triptiku instrumentalo-këngëtim-interpretativ edhe sot e shoh me admirim dhe mbetët një nga krijimet më të fuqishme të trios, gërshetim i arteve të lashta, e artit të muzikës, interpretimit dhe këngëtimit.
Shkëndijëzat e klasikes dhe modernes shpërfaqnin një dakordim, sipas autorëve në çastin “e fundit”, por që dritësuan për të krijuar art të lartësuar.
Timbri i aktorit shpërthen fuqishëm, melodia e flautes bashkon me aktin e tretë atë të polifonisë së Lefter Çipës. Po kush është e para?! Pafundësia krijuese e kësaj trioje të kompozuar mirë jep një vepër unike të rrallë në skenën e interpretimit.
Gjashtë minuta të paharruar. Nëse “dal” nga atmosfera e një vepre seç më shkon në mendje dramëza “Ecejake” e Samuel Beket. Tre personazhe ndërtojnë dramëzën e konfliktit aq të shkurtër sa që teksti lexohet për rreth gjashtë minuta aq sa zgjatë përformanca e aktorit, flautistes dhe këngëtarit. Njësia e kohës dhe njësia e veprimit bashkojnë një dramë të tërë përmes artit të interpretimit autorial, instrumental e vokal.
Semiologu francez Roland Barthes te “Vdekja e autorit” flet edhe për rrëfimin. Duke e rilexuar fjalinë “… në shoqëritë etnografike rrëfimi kurrë nuk është marrë mbi vete nga një person, po nga një ndërmjetës, shaman a recitues, nga i cili, në pikë të fundit, mund të mrekullohemi me ‘performancën’ (përkatësisht zotërimin e kodit rrëfimor)…” (te “Aventura semiologjike”, botimi i dytë, 2008), rizbulojmë krijimtarinë artistike edhe të autorëve të tjerë. Ringritën të tjerët. Dhe, tashmë nuk është vetëm nostalgji. Është riardhje e vlerave krijuese të dy poetëve Lefter Çipës e Petrit Rukës. Petro Nini Luarasi në fillim të shekullit XX vuri jetën në shërbim të shkronjave e shkollës shqipe. Poeti Lefter Çipa sikur u ngrit në paralajmërimin përmes vargjeve në kod poetik: “Më besoni për Kosovën/ Dhe të vritem prapë do të ngjallëm.”
Është melodia përcjellëse e flautës që prologu recitativ interpretues dhe epilogu vokal polifonik të ringrisin më aq madhështi vargjet e poetëve të njohur. Është muzika e gërshetuar me vargun poetik që përformanca e tre artistëve në zhanre krejtësisht të ndryshme të na rijetësojnë jo vetëm krijimtarinë e “autorëve të vdekur” por edhe Arbërinë e lashtë, atë “arbrin e parë”, deri tek sakrifica për Kosovën e tashme.

Për lexuesit e “Nacional” botojmë vargjet e poetit Lefter Çipa (1942-2021) dhe poezinë “Fustanella shqiptare” të autorit Petrit Ruka (1954-2021):

Vargjet e autorit Lefter Çipa të kënduar nga vokali i Bujar Sinanaj

Njëqind vjet që s’të mban vendi
Oborret nëpër Evropë
E dëgjojnë po s’ju vjen zëri
Kosovë e bukur Kosovë

Kush vërtet si kosovari
I mban sytë te flamuri
Vritet po nuk e n’xë varri
Për liri s’ka vdekje burri

Nëse unë vërtet për Vlorë
Zemër shkoqur shkruaj plakem
Më besoni për Kosovën
Dhe të vritem prapë do të ngjallem

Poezia e Petrit Rukës interpretuar nga aktori Kudret Aliaj

“Fustanella shqiptare”

Kaq afër qiellit, lart në male
të bëhej mendja fluturim.
Ka thënë me vete arbri i parë:
“T’i shtoj ca pendë trupit tim.”

Dhe shto e shto pëlhurë të bardhë,
rreth brezit rrotull kinda.
Kështu ti shpike fustanellën
si krahë shqiponje mbi opinga.

Përplasi krahët, u vërtit
mbi tokë u ngrit aty një metër,
në trup avioni dhe piloti:
“Më duhet dhe ca beze tjetër.”

Dhe shto e shto të tjera palë,
në Shkodër nami, pesëqind kinda!
Kronikë e huaj thjesht pataksej,
“shtatëqind e çoi Prishtina…”

Me dyzet kutë rrotull belit
kaq beze parashutat s’i kanë sot.
Po me të drejtë ju do pyesni:
“Përse nuk fluturuan dot?”

Përgjigja vjen e thjeshtë si buka:
Atyre kurrë s’u shkoi mendja
t’i hiqnin pak të shkretat armë
nga peshë e trupit më të rënda…

Ndaj fustanellën nuk e hoqën
gjersa diku shpikën avionin.
Po s’nisnin valle pa besuar
se kushedi… dhe fluturonin!

Gjashtë minutat e kësaj vepre unike e të kompozuar artistikisht mund ta shikoni përmes këtij linku:

Fotografia:

Autori i shkrimit me flautisten, të bijën e poetit, bardit të polifonisë shqiptare Lefter Çipa në Tiranë në vitin 2022, me veprën monumentale album “Arti popullor në Shqipëri” përgatitur dhe botuar nga Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Sektori i Etnografisë në Tiranë, në vitin 1976

Flautistja Parashqevi Hallkaj Çipa, aktori Kudret Alikaj dhe këngëtari Bujar Sinanaj (marr nga transmetimi i RTSH-së)

Flautistja Parashqevi Hallkaj Çipa, aktori Kudret Alikaj dhe këngëtari Bujar Sinanaj (marr nga transmetimi i RTSH-së)