Njí roman intrigues, për njí popull të vogël që vuen andrrën e diktatorit me u ba lider botnor.
Romani “Klasiku V” i shkrimtarit Ndue Dedajt, herë na shfaqet si shaka intelektualësh propërendimorë dhe herë si andërr e vetë diktatorit për me e xanë cepin e pestë të yllit komunist. Dhe do ta kishte xanë vërtetë, nëse ai vlerësim do të jepej bazú mbi krimet e kryeme ndaj popullit të vet; se sa për risi filozofike të implementimit të marlsizëm-leninizmit në kushtet e Shqipnisë, nuk entuziasmonte dot as njì gjimnazist me ambicje letrare. Asht njì personazh aty, atipik në thelb, që shkon tu iu përbetú njerzve se: “Për Qiell e per Dhé, ka luejtë boshti i Tokës”. Dhe boshti i Tokës kishte luejtë vërtet, ishte përmbysë hirearkia e vlerave, njì urdi tē zbritunish nga mali kishte marrē pushtetin e qeveriste veç me dhunë e propagandë; apo siç thotë Poeti Kombëtar: “… duel padija n’krye t’vendit/ mbeten t’ urtit jashtë kuvendit”. Dhe meqë boshti i Tokës ka luejtë, edhe Prokop Vrana lëviz kundra rrymës; ndërkohë që të gjithë lakmojnë kryeqytetin, ai len Tiranën për me u kthý nē Malci, mbasi inskenon fillimisht vdekjen e vet.
Bib’dod Oroshi njì neologjizëm interesant i autorit Dedaj, përfaqëson lavdinë e dikurshme apo klasat e përmbysuna; të cilit, i duhet me e durú diktaturën edhe mrenda shpîsë së vet; ku i biri, Nika, mohon axhën e arratisun, debaton ashpër me të atin, mbasi aspiron me ba karrierë. Nika mendon se njeriu njì jetë ka dhe atê duhet me jetú sa ma mirë; nuk âsht faji i tij pse në pushtet janë komunistat, po për me ecë përpara, duhet me bashkpunú me ta. Ndue Dedaj krijon disa linja dyshe, nga njana anë njerëz me personalitet e integritet që e përballojnë të keqen me pervujtni, kurse nga ana tjetër shërbëtorët e regjimit, makutër dhe abuzues in ekstremis. Arsen Petrela nuk âsht se thjeshtë refuzon me kenë pjesë e së keqes, por ai e thotë hapun mendimin e vet, tu i detyrú gjyqtarët e prokurorët me ia ba gjyqin me dyer të mbylluna. Ai dashuron, krijon familje dhe e respekton gruen e tij. Po ashtu edhe Dritoni me Holtēn, ushqejnë dashni të pastër pēr njani-tjetrin. Nga ana tjetër, oficeri i sigurimit asht makut, gjahtar fustanesh, i pakarakter, hipokrit dhe manipulator. I tillë asht edhe shoku Sefer e shoku Lukë, vllazën të pabesisë së atit të tyne, shoku Mexhit, shoku Priftul, Hetem Borani apo çdo partiak pasionant apo spiuno-patronazhist që paraqitet në roman. Histori të reja ngërthehen në roman me ato më të vjetra, apo edhe me mite e legjenda; herë tu dashtë me evokú kohë të lavdishme e herë tuj tentú me zbulú se ku i kishte rrâjët kjo zezonë që i ra tokës shqiptare. Toponime të tilla si Pirust apo Ndërfandorë, krijú me dashamirësi prej autorit, janë në shërbim të këtij kohezioni historik të kërkuem, ashtu si edhe toponime që duken si reale, siç asht Guri i Gjodhiveve apo Laku i Qyqes. Koha e qoftëlargut, prodhon edhe emna të tillë si Lenin e Stalin, Proletar e Kongres, por nuk lejon me u përhapë emni i Musine Kokalarit.
Fryma e reportazhit letrar shfaqet sidomos në përshkrimin e Revoltës së Flamurit, por edhe në histori të tjera që ndërkallen në subjektin asht të romanit. Edhe ditari i Arsenit i ngjan njì kronike gazete, por e njì kohe joreale, njì kohe krejt të kithët me epokën e Diktaturës së Proletariatit, por që lidhet nyje me të vertetën tokësore, diku në vjeshtën e 1944-ës, para se të hynte partia… Ndërkohë, ditari i Ndihmësit të Parë të diktatorit, i përgianë shënimeve të njì të çmenduni në agoninë e tij flegmatike. Femna dhe përdhunimi, pastërtia dhe arroganca e pushtetit të fituem me grykën e pushkës, si dhe histori të tjera tē ndërkalluna (jo detyrimisht të cilësueme prej autorit si të tilla), të krijojnë përshtypjen se ajo që po dhunohet, asht vetë Nana Shqipni. Ndërsa Prokop Vrana niset qetësisht për në vorr, Dritoni dhe Holta përjetojnë çastet e fundit të bukura të dashnisë s’tyne, para arrestimit; Arseni shtyn ditët e burgut në trishtim, kurse Justina apo Jutbina ndjen peshën e burgut tē madh që përfshinë tanë Shqipninë, herë në tentativë vetvrasëse e herë drejt çmendinës; Bib’dod Oroshi nuk don me u dorzú pà e pa fundin e ktij regjimi tragjikomik, por nuk mundet dhe fundi i tij shërben për diçka, e kthen të birin në rrugën e duhun, duke ia shkatërrú njìkohsisht, përspektivën e prosperimit në krah të diktaturës. Pikërisht, paralel me ktò histori njerëzore, kemi edhe dramën e madhe të kandidatit për me u ba Klasiku V; askush, as organet famëkeqe të diktaturës s’e ndihmojnë dot; mirë që po shkon drejt vdekjes fizike, por nuk po realizon dot as andrrën e tij të madhe; askund nē horizont nuk shfaqet ndonjë armik i denjë, askërkush nuk don me e vrá, askush nuk e merr seriozisht…
Epilogu i romanit, me shtatoren e bronxtë të Klasikut V që merret zvarrë në bulevard; me disa të mbijetuem të diktaturës, ku shkëlqen historia e Shpend Gjakovës; por edhe dhimbja e përzier me adhurim për Andon Moravën e Bid’dod Oroshin, si ndër viktimat ma dinjitare të së keqes. Epilogu i epilogut të len ndjesinë e nji fitoreje të paplotë, apo e së keqes që kthehet në kameleon. Ky roman i Ndue Dedajt, âsht njì vepër himn për lirinë dhe dinjitetin njerzor, për triumfin e së mirës mbi të keqen, e dashnisë mbi urrejtjen; ndonëse kjo asht njì luftë e gjatë dhe aspak e lehtë.

