Gazeta Nacional Albania

Është vështirë. Poezi nga Fitore Lela

 

 

Të të kërkoj në të pamundurat e jetës,

Në çdo përleshje me harresën,

Në tablonë e një dashurie të vjetër.

Është vështirë.

Kur në çdo mbyllje sysh të gjej më tepër,

Kur kuptoj sa pak zgjat një gënjeshtër për të të mbajtur në jetë ty.

Është vështirë.

Kur pranvera nuk premton rikthimin tënd,

Për shpresë në shpirt s’ka më vend,

Oh, sa vështirë.

Kur më pandehin si një mur,

Kur më shkelin si të isha gur,

Veçse unë s’të harroj dot kurrë.

Është vështirë.

Të të gjej në një yll që bie,

E qiellit t’ia bëj me dije,

Sa rron kjo venë dashurie.

Është vështirë.

Kur duart më s’të prekin,

Kur një jetë shërben vetë ferrin,

Vështirë.

Të pranoj që jemi ndarë,

E një verë gjithçka ka marrë,

Pabesisht.

Është vështirë.

Të të ngjall në trupa fjalësh,

Të harroj se s’mund të dalësh,

Nga një poezi.

Është vështirë.

Të më pyesin për veten,

E t’u flas rreth një tjetre,

Ah, ç’prangosje zemre.

Është vështirë.

30.07.’13

 

***

Eja, më gjej, në një rreze dielli,

E jo në një fikje të qelbur malli,

Më kërko kah një vrime qielli,

Siç shpirti kërkohet tek i gjalli.

 

Mua më gjej në pritjet e vjeshtës,

Që bie për dimrin, si unë për ty,

Oh, të lutem, jo në buzët e tjetrës,

Akoma më keq, në të varfëruarit sy.

 

Mos harro të më kërkosh në një puthje të dhënë keq,

Apo në një tjetër që s’u dha kurrë,

E pranoj, zbukuroj fjalën si të isha dreq,

Kur në vendin tënd, gjej veçse një mur.

 

 

Oh Zot!

 

Buzë që pështyjnë e buzë që puthin,

Duar që ëndrra më dysh ndajnë,

Një shpirt të ngre, qindra të ulin,

Premtime jepen e premtime s’mbajnë.

 

Lëkurë e huaj a lëkurë e njohur,

Trup i pllakosur në zemër t’ngrirë,

Durim i rënë, mëshirë e sosur,

Të mira që ikin, të tjera që s’vijnë.

 

 

Këmbë që të shpien asgjëkund,

Fjalë që dënohen me peshën e një krimi,

Të zjarrtat fillime të lëna pa fund,

Siç lihet dhembja e një jetimi.

 

 

Me cilën fytyrë kërkojmë falje,

Apo me të njëjtën që jetën merr,

Oh Zot, gjej rrugëdalje,

Është ende herët për të jetuar n’ferr.

 

 

***

E kam tepruar me lutjet gjashtë vite më parë,

Besoja se mbrëmja do të të sillte tek unë,

Jam vrarë në çdo lutje, më shumë jam vrarë,

Veçse më pak dot s’të desha unë.

 

 

Duart kah qiellit i kujtoj dhe sot,

Ishin të vogla, drejtimin humbnin,

Kërkoja të gjeja dritë, kërkoja të gjeja Zot,

Nuk kërkova kurrë të gjeja unë fundin.

 

 

 

Në tridhjetën e majit nuk mungon as këtë herë,

Të kam bërë vend në pëllëmbën time,

E kam zemrën plagë që nga ajo verë,

Prej kohësh në duar mbaj shtëpinë time.

 

 

Nëse kujtohesh për të voglën që e treti malli,

Dije se të pres te pragu i portës,

Të më vish dhe njëherë siç vjen i gjalli,

Të më falësh dashurinë që dot s’ia njoha botës.

 

~Mos më kërko në copëza shkrimesh,

As në mendime që enden kuturu,

Mos vallë më pandeh njeri kujtimesh,

Apo ndoshta aspak këtu?

 

Mos më kërko nëpër rrugët e mjera,

Ku dhimbshëm shtrihet një lumturi e vrarë,

Mos më kërko as në ca rrugica të tjera,

Ku u ndeshëm për të mos u parë.

 

Mos më kërko sa për të fikur kureshtjen,

E më pas të ikësh si një qen pa të Zot,

Mos më kërko ashtu, do të urresh veten,

Kur mua s’do të më gjesh dot.~

F.L

 

 

***

I kam parë të gjitha, më beso, i dashur:

Të qarat e shpirtit që s’u dëgjuan kurrë,

Mallin duke zbritur drejt një kujtimi të kalbur,

Murin njeri e njeriun mur.

 

I kam parë të gjitha, në një mëngjes me shi,

Kur era ngatërrohej me lëmshe lotësh,

Apo një ditë tjetër, pikërisht si tani,

Kur luhej me diellin, si midis dy botësh.

 

I kam parë të gjitha, në një hapje sysh:

Dashurinë që rehatohej nëpër varëset e florinjta,

Fjalën, që si zinxhir, këputej më dysh,

Të zezat leshra që i shquanin si të hirta.

 

I kam parë të gjitha, e di që kam parë shumë,

Të kam parë dhe ty tek shqiteshe prej jetës,

Të mori rryma, ah, e mjera unë,

Si nuk të mësova të shihje dhe pak përtej vetes!

 

F.L

***

Ti pret për një shi që të fshijë lëngatat,

Kur dhimbja si dreq ta ndan kraharorin më dysh;

Ti pret në ato netë që duken më të gjatat,

Veçse netë të tilla thurin perde sysh.

 

Ikën dhe vjen pa e ditur se ku,

Jeta bëhet marrëzi e marrëzia helm;

Nuk janë mendime, jo, që enden kuturu,

Por është mendja jote që çdo mendje shemb.

 

Kafenetë si gjarpërinj të përndjekin,

E një kohë e humbur telegram dërgon;

Ca demonë të huaj nxjerrin nga duart ferrin,

Asgjë nuk prek, por nga asgjë s’shpëton.

 

Bien sirenat e një krimi të huaj,

Përrallë pafajësie bëhesh sonte ti;

Një kohë që pranoi të fshinte javë e muaj,

Këtë datë, s’pranoi, kurrsesi!

 

Një gjak që mohon rrjedhën e damarëve të tij,

Si mund ta dojë jetën vallë?!

Ishim të rinj, ah, sa ishim të rinj,

Për të patur për veten aq shumë mall.

F.L