FLAMURI
Porsi fleta e Ejllit t’Zotit
Po rrehë flamuri i Shqypnisë.
Fishta
Çajnë plagët
shekujt e Prometeut,
kohët,
mëndafshin e gjakut.
Në rrethinat e vdekjes
kulari i zgjedhës
mbi çdo lëkurë të mbetur,
në troje.
Rrjedhin ditë e natë
sytë e lirisë,
ferrin e dimrit
që s’ka të mbaruar.
Hapin krahët e qiellit
fletët e Shqiponjës,
majën e shtizave
nga majat në majë.
Bretkun e dritës kuq e zi,
fshehin hekur e plumba,
brezat shlodhin fletët e engjëjve
petkut të temperuar në gjak.
Tiranë, 28 nëntor 2010
KOMBI
Kombi, mjalti që rrjedh në gjuhën e nënës,
kombi, trëndafili i gjakut midis shpatës e plumbit,
kombi, mishi i gurit në shpirtin e qiellit,
kombi, besa e lidhur në rrjedhat e ditës.
Kombi, gjahu i pëlqyer nga thikat e kohës,
kombi, kafshatë e ngjyer në njelmin e lotit,
kombi, durim i shtyer tej cakut të ferrit,
kombi, brilant i këputur në lotët e mërgimit.
Kombi, bardhësi e rrëmbyer në majat e kreshtës,
kombi, bukuri e grabitur në qiellin e vajzave,
kombi, kërthndezje e rimtë n’durimin e Prometheut.
Kombi, tjetër gur peshe mbi shpinën e Anteut,
kombi, gjithë kohrat kërkoi ku gjindej liria,
kombi, i rrallti metal që s`e bren përjetësia.
Tiranë, 12.09. 2004
LIRI
Liri, trëndafila gjaku nëpër deje,
liri, shtrat ku prehen kockat e hapsirës,
liri, fli e gjetur n’kosën e një preje,
liri, vetëm emër n’rërën e shkretëtirës.
Liri, gjah i shqyer n’lic të dashurisë,
liri, kokërr ligji brilant i lëmuar,
liri, ëndërr jete n’qelinë e selvisë,
liri, n’shpella t’vdekjes hyrje e ndaluar.
Liri, shtyje dritën deri në humnerë,
liri, merrma shpirtin burgosma në erë,
liri, shtoji rrezet nëpër sytë e bjerrë.
Liri, prekim qiellin gjasme gjëra mrekujsh,
liri, shtrydhin jetën në ëndërra dishepujsh,
liri, që s’të kapim nëpër britma shekujsh.
Tiranë, 31 gusht 2007
NATË ILIRE
Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,
në terr përzihen të butat rreze hane,
e mbi liqe veç nji lundricë ardiane
heshtjen ia përkëdhel natës ilire.
Qyteti fle i ndem në myshqe e fire,
lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,
malet të ulen shesh mbi zaje rane
presin si në andërr agimin e endire.
Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,
lëpin me vravashka valët e prarueme,
valët që çohen shpejt si maja shpate[1].
Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,
të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,
që t’ia thëthijnë me et pinjojt e fisit.
1954
Ushtari i panjohun
Kryq duert mbi cyrylat e jetës
të priti nana ditë e natë varun në ankth,
heshtja kishte përpi grykat e hekurta,
mejdanet vetëm ty s’tu gjet emni.
Ata vazhdojnë të presin nanat e gjithë kombeve,
të kthehesh nga luftënat që s’kanë të mbarue,
futun në të gjithë kohnat,
gjaku të rrjedh pa pushim
duke njomun monumente e sheshe,
që ngrijnë trupin tand ushtar i panjohun.
Tiranë, 08. 08.2005
MALLI ARBRESH
Amza e krypës
lëmuar në tehun e buzëve,
trojet e atdheut këputen,
në rruzujt bezhë.
Larg
shumë larg,
mjegullat e Arbërisë
tisi i purpurit të kaltër mbi,
për të mos t’i parë më kurrë
as në pasqyrën e sferës së lotve.
Nata pa yjet e vendlindjes
fshehur pas gishtave të diellit,
tjera fusha e monopate shtrirë
bujaria e dherave të huaja.
Nëna gjuhën në shekujt e djepit
shpirtin kohrave të reja,
flaka e Prometheut Arbresh mbetur,
tkurrjeve të historisë.
Amanetin e gjyshit biri
nipat me fytyrë kah trojet e atdheut,
aty ku ngre gishtat dielli
mbi tastierën e qiellit,
harkun e notave të dritës
në zemrat tona.
Tiranë, 10 maj 2012
NATË ILIRE
Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,
në terr përzihen të butat rreze hane,
e mbi liqe veç nji lundricë ardiane
heshtjen ia përkëdhel natës ilire.
Qyteti fle i ndem në myshqe e fire,
lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,
malet të ulen shesh mbi zaje rane
presin si në andërr agimin e endire.
Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,
lëpin me vravashka valët e prarueme,
valët që çohen leht si maja shpate.
Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,
të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,
që t’ia thëthijnë me et pinjojt e fisit.
Shkodër, maj 1954
NANË TEREZA
Skeletet dergjen hijeve të agonisë,
plagët kullojnë tej kapërcyllit të mugët,
tamthat godisin fort kohën e rrugët,
shthurun çdo shteg djerrit të vorfënisë.
Në pellg të syve s’endet pikë loti,
çerja që zverdh përkulet nën kumë,
hijet zatetin zgavrat valë e shkumë,
e oqeanit s’kam çajnë zaje koti.
Klithma e mbytun leht’ e kip të zezën,
drita është larg diku pas shpinës së qiellit,
dhe zani në përçart thërret Nanë Terezën:
“Më jep forc o Zot, ta shtyj tutje mandatën,
plagët t’i thajmë me mrekullinë e këndellit,
të dritës sate hedhur përmbi natën.”
Tiranë, shtator 2001
Kombi
Kombi, mjalti që rrjedh në gjuhën e nanës,
kombi, trandafili i gjakut midis shpatës e plumbit,
kombi, mishi i gurit në shpirtin e qiellit,
kombi, besa e lidhun në rrjedhat e ditës.
Kombi, gjahu i pëlqye nga thikat e kohës,
kombi, kafshatë e ngjye në njelmin e lotit,
kombi, durim i shtye tej cakut të ferrit,
kombi, brilant i këputun në lotët e mërgimit.
Kombi, bardhësi e rrëmbyer në majat e kreshtës,
kombi, bukuri e grabitun në qiellin e vajzave,
kombi, kërthndezje e rimtë n’durimin e Prometheut.
Kombi, tjetër gur peshe mbi shpinën e Anteut,
kombi, gjithë kohnat kërkoi ku gjindej liria,
kombi, i rrallti metal që se bren përjetësia.
Tiranë, 12.09. 2004
GENTIANA[2]
Majës së Veleçikut
shtrinë hënën mbi borë rrezja e floririt,
shtëllunga nate nëpër këmbët e malit,
mbetur mbi rrafsh gjuhë të vogla flake
në buzët e djajve
që përqeshin vorrin e grabitjes,
duke lodhur klithmat
në shkretëtirën e hapësirës ilire.
Nata ngjiret pellgjeve të buta
me dhimbjen e ujit
e sytë e kthyer prapa
për të ndjekur vijën e gjakut,
që vazhdon të rrjedhë plagëve
të palidhura me myshkun e lules,
tash mbetur atje larg
në malet e fushat ilire
për kohrat që do të bijnë
brezat t’ardhmes ,
në rrjedhën e gushës së përjetësisë,
trëndafilin e gjakut
plagëve të pafundme t’Ilirisë.
Tiranë, 25 shkurt 2007
LAHUTA
Flakët përcjellin në fyt t’vravashkës natën
mbi balkua të avujve tingujt ngrijnë me dritë,
lëkurë e hark prej gojës s’pellazgut zëri.
Lëndinave t‘Jutbinës bredh Muji me Agët,
t’banë e përjetshme prej qafës diellit ardhur,
n’genin ilir mbin rrënja e gurit jetën.
Ajkuna gërryen me tehun e rrezeve të hënës,
në kupë t’lahutës varrin e Omerit,
të gjallë me e qitë për me e çetue me zana.
Prej gurrave t’argjentit vjen Tanusha,
yje e ylberë veshë kurmi i dashurisë,
e hije lisat shtrijnë deri n’Krajli.
Nuk ndalet gjoku i Gjergj Elez Alisë,
me thundrat zhytë në gjakun e Balozit,
mejdanët nëpër kohëra i stolisë.
Mbushur kupa e lahutës me qumësht t’Rozafës,
vocrrakët thithin knellin e ardhmërisë,
pas vijnë stuhitë themele e mure ngjitë.
Njat Kapitolit mbrrin Pirro i Epirit,
legjionet fikin dritën e lavdisë,
i idhët triumfi nëpër shekuj ngjitë.
Në diell e hënë po ngrin frotë e Azisë,
shpirti merr arratinë udhëve të qiellit,
kur ndesh në Skënderbeun e lavdinë.
Mbledhur kupë e lahutës për teli e harku,
gjaku kullon mbi velin që hedh nata,
coptuar trojet, mjergull po i bjen drita.
Tiranë, janar 2002
Ushtari i panjohun
Kryq duert mbi cyrylat e jetës
të priti nana ditë e natë varun në ankth,
heshtja kishte përpi grykat e hekurta,
mejdanet vetëm ty s’tu gjet emni.
Ata vazhdojnë të presin nanat e gjithë kombeve,
të kthehesh nga luftënat që s’kanë të mbarue,
futun në të gjithë kohnat,
gjaku të rrjedh pa pushim
duke njomun monumente e sheshe,
që ngrijnë trupin tand ushtar i panjohun.
Tiranë, 08. 08.2005
ULQINI
Kurrize kodrash
kate të bardha ulen deri në det,
ullij e pisha mbi valë
gërshetë valësh rreth gurëve të kështjellit,
që shtyjnë kohën pas shpinës së mureve.
Qielli i ulur mbi fron të maleve,
malet ilire mbuluar me vello të pafund nusesh,
ku fshihet Jutbina
e krushqit e ngrirë në Lugjet e Verdha.
Trokut të bjeshkëve Muji
rroket të shkrijë argjendin e nuses
në ngrohtësinë e tbanës.
Në horizont dielli i ftohur ikën,
një barkë peshon qiellin
me ujin e detit.
Ulqin, 5 shkurt 2006
DIALOG NË LUGJET E VERDHA
Nëm ashtin hanë, afromi rrezet sysh
që kobin ta gërmoj me duert e mia,
zambaku shpirt tash njom kopshtin e natës
për mue s’ka ag se diellin ma kanë çjerrë,
e vajin e nanës qyqet e kanë ngjirrë.
Ashtin ,o hanë afromi orë e zana,
t’i çojmë pahirë rrgallet në curra e maja,
i dalë Omeri t’çetoj n’krajli e lugje,
lotët t’i fshehin nëpër degë e hala,
le të treten bulat përmbi vllaj t’blerimit,
hyjzit mbi petka t’ia mbërthejnë këtij trimi.
O ashti i hanës, oh, zgjeroje vorrin
se s’dahem djalit për pa mu shkim drita,
rrahen Omeri e nana rijnë nën pisha.
Mos gjetshi paqë, o ju Lugjet e Verdha.
kur troku i Mujit e i Agve të bjerë mbi male
do të çohen ahat me i përshkue e pyjet
nën kambë patkoj me u vu hanën e yjet.
Çohu Ajkunë se s’luan hana prej vendit,
zambakun tonë e shtriftë dielli ndër rreze,
sa nana kanë qa djemt lulishten kosa
e vdekjes nata me mantelin hedhun,
ka për të mbulu mbi gropa t’atdhmënisë.
Sa nana do të qajnë djemt, o rreze e bukur,
sa trëndafilë çajnë dhëmbët e lukunisë
e amanetin tonë të përjetshëm le t’ia varim
gjerdan mbi gushë e qafë rrezes s’lirisë.
Tiranë, 14 prill 2003
NATA PA AGIM
Vdesin mejdanet në trëndafila t’plagëve,
argjendi ngrinë në gurrë rrjedhën e gushës,
në burg të myllit ndryhet pushi i diellit,
agimin nata vret me ardhje t’fundit.
Qiellin e syve të vashave t’Jutbinës,
nuk do ta lidhin n’varg inxhitë e lotve
e mbi mëndafshin e kurbave të bardha
duart e t’ardhmes do të vjelin bukurinë.
Balozit n’sy ia thamë rrezet e dritës,
pishat e malit në vravashka ndezun
terrin e shpirtit netëve do t’ia djegin
e mbi këto kulla që po i le, o motër,
nip stërnipat n’lahutat e malësisë,
do t’ia thonë kangës së Gjergj Elez Alisë.
Tiranë, 28 nëntor 2006
YJET E JUTBINËS
Un’ Tanushën vetë e kam pa…
Në ç’qiell me vajza e rrëmbeve yllin
n’kto sy t’qëndisun me varguer brilantësh,
dallgët e arit t’flokve deri n’bel,
mëndafshi i borës përmbi shpat t’lëkurës,
pellgu me perla nën push kajrafili,
ballin si hana kur veton mbi male
cilës krahinë në botë ia pake dritën?
Kjo vajzë që rrezja e dritës e ka zili
e lulet ia çojnë ernat me puhiza
i bajnë hije lisat e zogjt se ndalin
dridhjen e gushës pash me melodi
shtratin e ngjeshun futun në selvi,
Tanusha asht qe nuse i zbardh Jutbinës.
Bir’ duert e mija do ta kthejn n’perri
kto formë që ngrihen në liri t’pengueme
e ai tërmet i leht natën mbi kullë,
djepat me nipa do t’mi mbushë ndër mote,
sonte me kangë e valle le t’i shkyj tupanat,
në jetë të jetve gjith kët’ bukuri,
lahutat do ta këndojn në kulla e tbana,
e do ta shtyjn deri larg në përjetsi.
Tiranë, dhjetor 2006
NINA NANA
Nina nana djepin t’përkundë hana
rrezja e dritës mbi pallate e tbana,
jepi o mal hua petkun e borës,
jepi o gji ngadalë prekjen e dorës,
jepi o diell buzqeshjen tande n’maja,
jepni o lule ngjyrë e erë ndër vllaja,
jepi o zanë çurkimin e bylbylit,
jepi o qiell në sy bishtin e yllit,
jepi o pyll të plotë shtatin e lisit,
jepi o tamel në shpirt trimninë e fisit,
jepi mendjen t’kthjelltë si ujë burimi,
jepi nusen t’veshun n’petk florini,
jepi zemrën t’bardhë si shkuma e valës.
Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës.
Tiranë, 28 shkurt 2009
Brilanti i dhimbjes
Kush e solli Dorutinën
Mbi kryqin e duarve
lotët këpusin brilantin e dhimbjes
mjegullës së syve,
ku feks petku i gjumit të përjetshëm
që fsheh gjëmën e helmit.
Tërmetin e besës,
dënesat e nënës
e shkundin në thundrat e kalit,
ngarkuar me mykun e vdekjes
e kurmin e bijës.
Kristalet e shpirtit
thërrmohen duarve të ëndrrës,
ku çastet e kaltërta
lulen e dritës së syve
e grabisin në kopshtin e amanetit,
për ta sjellë në pragun e lotve.
Lotët që s’u thanë kurrë
hapësirave të kohës.
Tiranë, 29 tetor 2006
LEGJENDA E VERIUT
Me ruba mjegullash
lidhën shtegun e ballit
kreshtat e maleve
që shtyjnë kufijtë e qiellit
në pambarim të territ.
Përkundin curra e drunj
me duer t’thellimit,
akullin e dritës
veshë me petk të natës.
Kulla e tbana mbrenda vathës së gjakut
n’shpirtin e diellit ku vravashkat djegin
natën epike me gishta t’lahutarit.
Legjendat enden luginave t’Jutbinës,
lugjeve t’verdha,
n’pikllimin e Ajkunës kah vajton Omerin,
e hanës që bredh mbi bula t’verdha loti.
Trokama e Agëve
nuse bjen Tanushën prej krajlisë,
çetinë me yje n’krahë t’lisit Halil
e nuk ka fund jo nata e krahaqafës.
Revanin msyjnë n’kalin e kohës shekujt,
dhe qiellin bosh e mbushim me fushqeta
duert tona, duert e njeriut.
Veriu mbetë
n’legjendat e veriut…
Tiranë, 17 qershor 2006
DHIMBJA E LIRISË
Për gjashtëqind vjetorin e lindjes.
Krahët kullojnë liri (e maja e shpatës)
mbas kryqit, vringëllimet coptojnë diellin,
rrëke mejdanesh, engjëjt ngushtojnë qiellin,
kopsitur yjet mërtisur hieja e natës.
Copëra rrezesh nëpër buzë t’krajatës,
përcjellin brezat dhimbjen e lirisë,
vdekjen përkundin djepat e Arbnisë,
kurmet e heshtave mbijnë fushës e Krastës.[3]
Krahë hapur presin në ankth Kancelaritë,
në dhambët e kohës përzihen gjaku e dheu,
malet përballë i kthyen mbrapsht stuhitë.
Trokun e shekujve ndëgjon Skënderbeu,
rrugën biblike ku dhembin liritë,
që përjetsia e kthen në forcë Anteu.
Tiranë, 15.09.2005
GENTIANA[2]
Majës së Veleçikut
shtrinë hënën mbi borë rrezja e floririt,
shtëllunga nate nëpër këmbët e malit,
mbetur mbi rrafsh gjuhë të vogla flake
në buzët e djajve
që përqeshin vorrin e grabitjes,
duke lodhur klithmat
në shkretëtirën e hapësirës ilire.
Nata ngjiret pellgjeve të buta
me dhimbjen e ujit
e sytë e kthyer prapa
për të ndjekur vijën e gjakut,
që vazhdon të rrjedhë plagëve
të palidhura me myshkun e lules,
tash mbetur atje larg
në malet e fushat ilire
për kohrat që do të bijnë
brezat t’ardhmes ,
në rrjedhën e gushës së përjetësisë,
trëndafilin e gjakut
plagëve të pafundme t’Ilirisë.
Tiranë, 25 shkurt 2007
LAHUTA
Flakët përcjellin në fyt t’vravashkës natën
mbi balkua të avujve tingujt ngrijnë me dritë,
lëkurë e hark prej gojës s’pellazgut zëri.
Lëndinave t‘Jutbinës bredh Muji me Agët,
t’banë e përjetshme prej qafës diellit ardhur,
n’genin ilir mbin rrënja e gurit jetën.
Ajkuna gërryen me tehun e rrezeve të hënës,
në kupë t’lahutës varrin e Omerit,
të gjallë me e qitë për me e çetue me zana.
Prej gurrave t’argjentit vjen Tanusha,
yje e ylberë veshë kurmi i dashurisë,
e hije lisat shtrijnë deri n’Krajli.
Nuk ndalet gjoku i Gjergj Elez Alisë,
me thundrat zhytë në gjakun e Balozit,
mejdanët nëpër kohëra i stolisë.
Mbushur kupa e lahutës me qumësht t’Rozafës,
vocrrakët thithin knellin e ardhmërisë,
pas vijnë stuhitë themele e mure ngjitë.
Njat Kapitolit mbrrin Pirro i Epirit,
legjionet fikin dritën e lavdisë,
i idhët triumfi nëpër shekuj ngjitë.
Në diell e hënë po ngrin frotë e Azisë,
shpirti merr arratinë udhëve të qiellit,
kur ndesh në Skënderbeun e lavdinë.
Mbledhur kupë e lahutës për teli e harku,
gjaku kullon mbi velin që hedh nata,
coptuar trojet, mjergull po i bjen drita.
Tiranë, janar 2002
SHPATAT*)
Shpatat
qiellin në majë,
kokën e gjedhit përkrenarja,
shekujt kan humbur të zotin
e e kan futur heshtjen
në kutinë e qelqit.
Bredhin vrullin tehët
rreth qafës së huaj,
kush futi duart
në çerdhen e lirisë.
Lëmuar
nën vështrimin e syve shkëlqimi
nuk e len kohën
të flerë asnjë çast.
Kristale drite pa fund
nuk ka vend për terrin e vdekjes,
brenda gjashtë faqeve me xhama
historia e lavdia bashkë
shplodhin përjesinë.
Vienë, 30 dhetor 2009
*) Armët e Skënderbeut nisin hyerjen në muzeun e armëve në Vienë.
SHKAMI I VAJËS *)
Nëntëdhjetë yje
hedhin qiellin e bukurisë
nga shkëmbijt e hapsirës
në lirinë e vdekjes.
Droja **) ujëzon trëndafil
purpurin e gjakut drejt detit,
të vajzave,
të nuseve,
të nënave,
robina munguar
në duart e erosit të huaj.
Prekin gurët e shkëmbinjve
gjamën e maleve të Skënderbeut,
ernat sjellin mote
e qielli kullon
në Shkamin e Vajës,
lotët e dhimbjes
që asnjëherë në shekuj
nuk i shterri koha.
Tiranë, 18 mars 2010
*)Shkami i Vajës (Shkami i Vajit) në rrugën Krujë –Burrel, ku u flijuan vajza e gra për të mos rënë në duart e armikut pas rënies së Krujës në duart e turqve.
**) Droja: lum i vogël nën Shkëmbij të vajit
PËRTEJ URËS
Mbeçë more shokë mbeçë…
Ishuj të vegjël gjaku
shekuj grimcash në akullin e gishtave,
shtat i dërrmuar
në copëra brinjësh
e avuj trëndafili.
Ashkla zjarri
nga shkëmbi i kuq i qiellit
mbi limonin e kokave të ngrira.
Sipër harqeve të Urës së Qabesë
orlat kryqëzojnë rrathët e kaltër,
duke i ndjerë sqepët
futur në gostinë e fundit.
Çojani nënës
rruzujt e mi të hapësirës,
se njelmi i lotve
ia ka shuar dritën e syve.
Zemrën nisjani të dashurës
e shihni se do të rrahë përsëri
ashtu siç rrihte,
kur s’kishte gjumë nata
e hëna perëndonte
midis dallgëve të trazuara të dashuris sonë.
Duart çojani djalit,
se përsëri gishtat e mi do të shkrijnë
për të ndjerë prekjen e gishtave të tij,
midis kaçurrelave e buzëqeshjes së vogël,
që s’ka dorë veç hyjnores
ta qëndisë.
Armët nisjani Atdheut,
se i duhen për lirinë e munguar-
një ditë ajo do të zbresë
siç po ulet sot
mbi këto shkretëtira pafund të Arabisë,
këtu ku po shuhem unë,
larg, shumë larg
përtej Urës së Qabesë.
Tiranë, 10 nëntor 2006
ÇAMIKO*)
Zambakun e qefinit
çelur në hapësirat e dritës
pret të lëkundë
me përdredhjen e vdekjes
krahu i rrapit të Janinës.
Ngrirë bisqe e degë gjethet
diellin kan fshehur,
petkun e hijes mbledhur grusht
n’zgurdullimin e pupilave të dritës
që pret festën e vdekjes.
Para syve të komitit laku
me nyjen e frymës së fundit
ku era pret në puhinë e mortit
dëshirën e fundit.
Ai ngre sytë drejt qiellit
për të hedhur mbi blunë e kupës
palat e fustanellës e hapat e Çamikosë,
për të mos shkelur mbi yjet
që s’dihet se ku jan futur.
Lart,
shpirtrat e Pirros e t’Aleksandrit
në shtrethet e qiellit soditin:
“Piriken” para gjakut të luftës
vdekjes o ngadhnjimit,
që shekujt e përcollën
deri në dëshirën e fundit të komitit.
Fale , o zot bukurinë e trimit,
vajza atit i lutet
komandantit të mortit,
vdekja nuk i rrodhi mbi qerpikë,
po me trup e shpirt,
ai u nis drejt qiellit
me dëshirën e fundit të ngadhënjimit
fale!
Tiranë 22 tetor 2009
*) Çamiko: Vallja çame e Osman Takës.
MUJO ULQINAKU
Valët përplasin anijet e huaja në breg,
urdhna jeshil e tyta të gjata në ag,
djersë në faqe e kondak.
Motorrët bubullojnë në qiell e bombat mbi tokë,
kuadratet renditen shpejt mbi platform,
gishtat mblidhen kruspull në çark.
Rreshtat ngjeshin platformën me duar e me kokë,
valët zmbrapsen të lyera me gjak,
Mujo detin përzien me kondak.
Urdhrat klithin fort mbi uniform,
coptojnë bombat e tytat mbi platform:
atdheu hesht, atdheu truppakë.
Mujoja kohnat ndan mbi kondak,
kohnat që digjen e shkrijnë nën duvak,
kohnat që lindin e rrjedhin në çark.
Tiranë, prill 1976
ORA E LIRISË
Lëndina gjaku
kullojnë rrjedhat ujë, lot e trëndafil,
fyti në lakun e katërmbëdhjetë qindvjetave,
sytë veshur me vdekjen e lirisë,
këputur drita hapsirave ilire,
qefinët varur në gozhdën e drejtësisë,
në veshin e shpirtit të nënave
këngën e qyqes,
hija e petkut të mortit
mbi pajën e nuseve e t’çikave.
Mbrumur me përjetësi eshtrat e Dardanisë,
katërmbëdhjetë qindvjeta,
e pakthyeshme rruga
deri në ditën e orën e lirisë.
Tiranë, 16 shkurt 2008
URA ME TRE HARQE
Dhomën e Shën Mërisë
lënë hapat e shejtit,
duke shkelur qiellin
mbi shpinën e pellgut,
ku rrjedhin amën e përjetësisë
gjijt e Enkelanës.
Lëmojnë gjumin gurët
urës me tre harqe,
vaun e ngushtuar
në qindra gushë bilbilash
vonuar në rrjedhë.
Larë në kulloshtrën e hënës
fërkuar shtatin me copa yjesh,
Drini ngjesh nën urë
brezin e diellit.
Petkun e qindvjetave
argjentin në bel
shtërnguar deri në gjak
deri në këputje.
Dallgë trishtimesh
agimit perëndimit
rrjedhat Ilire.
Shën Naum, 10 gusht 2010