Gazeta Nacional Albania

Fatbardh Amursi: NJË LETËR PA ZARF SHKRIMTARIT SULEJMAN MATO

-Ese-

Nuk është në zakoni tim të shkruaj letra, por, ne të letrave, nëse pretendojmë se kemi një mendje të hapur, edhe letrat duhet t`i kemi të hapura. (Letra të hapura shkruheshin dhe në kohën e “gojës së kyçur”, në dukje se po hapeshin qiejt, por në fakt, po i hapej gropa dikujt. Gropaxhinjtë kujtojnë se janë në muajin e pyllëzimit.) E hoqa zarfin, s`besoj se të kujton ky gjest telebingon, mbyllja e mendimeve në zarf apo doras, nuk i nderojnë njerëzit e letrave. Pasi lexova librin tuaj me kujtime për Kadarenë, sidomos kujtimet e Beratit, ku në një postim të radhës do ndalem tek historia e “letrave erotike”, radha i erdhi librit me poezi i përkthyer dhe në greqisht “Një balenë e largët erdhi nga deti” dhe në fund përmbledhja me tregime “Porta e qiellit”, sikurse më the: ia kishe dhuruar një lushnjari. (I bashkohem mendimit të Skënder Mehmet Buçpapajt, i cili ka bindjen se për poetët dhe shkrimtarët nuk mund të shkruajë tjetër më mirë nga ata vetë për njeri-tjetrin. Duket si qark i mbyllur, por, nëse thuhen “fjalë shpirti”, ustai zbërthen ustain. Me Skënderin më lidh dhe një mirënjohje ndaj jush, kur ishit redaktor në revistën “Nëntori”: botimi i ciklit me poezi, i vetmi aq i plotë, ku u ndjeva i përfaqësuar.) Ta kam shprehur dhe herë tjetër këtë mirënjohje, po e përsëris, këtë radhë dhe duke e shpjeguar arsyen. Ato kohë, kisha çuar për të tretën herë në shtëpinë e vetme botuese dorëshkrimin me poezi, ku mora këtë përgjigje: “Sikur dhe një cikël me poezi të zgjidhnim prej teje, ato qendrojnë më poshtë nga poezia e të rinjëve, që çajnë me talent.” Pa ditur asgjë, thjesht nga dashamirësia juaj, në kohën e duhur, me botimin e ciklit, mora një mbështetje të lartë morale. Një xhaketë e dhuruar në dimër vlen më shumë nga një pallto në verë. (Redaktori i librit e mbylli jetën ne shtëpinë botuese, ndërsa ti s`e pate të gjatë. Një shembull ky për të dalluar konformistin nga ai që guxon. Shqipëria është mësuar të hedhë atë që i duhet.) Natyrën e inkonformistit ti e shfaq dhe tek e përditshmja, sikurse citon një poet dhe në tregimin tuaj: “Unë jam me demin.” Gjithë stadiumi bënte tifo për toreadorin, i strukur midis ulërimave, ndërsa poeti bënte tifo për demin e gjorë.” Kujto shprehjen e zyrtarëve prepotent: “Thirreni atje ku tridhen demat!” (I bashkohem vlerësimit të Moikom Zeqos bërë librit tuaj “Porta e qiellit”. Ai për të gjithë shokët ka shkruar miqësisht. “Si tregimtar, Mato, i ka ngritur kuotat e krijimit vetjak. Ai është ndër tregimtarët më të mirë. Dhe kjo është arritur me punë dhe pasion, me talent dhe përkushtim. Koleksioni i prozave të tij e pasuron letërsinë shqipe, pavarësisht mediatizmit dhe bujës virtuale.” “Ngritja e kuotave” nuk është një ngjitje me ashensor, por, një e përpjetë me gurin e Sizifit. “Jeta e njeriut zgjat sa një ide.”, thotë N. Kazaknzaqis, të cilit ju i referoheni. Por, mbreti ynë, thotë Noli, nuk mund të kuptojë se si mund të luftohet për ide. Ja që kjo botë u bëka kismeti i atyre, që s`e vrasin mendjen, ndaj gjithkush ndodhet para dilemës, që ju e përmblidhni në këtë dialog:
“-Deti është harrim!-thirri dikush.
-Deti është shpëtimi ynë!- tha një tjetër.”
Tek lexon tregimet e tua, të rrënjoset bindja se ato janë të jetuar e të përjetuar, i angazhuar që në rrugën për tek lexuesi, të mos bëjnë firo. Po ai interesim që kanë dhe shkencëtarët për të gjetur jetë në planetin Mars. Madje dhe një nuse, që shkon në atë botë, rikthehet në jetë, sikur të luajë në një skenë antike rolin e Hankos. (Tregimi “Nusja që vdes dhe ngjallet.”) Por, një hoxhë fshati, duke rrëmuar në kodin e shenjave, për t`iu kundërvënë “ringjalljes”, nxit frikë kundër kostandinëve: “Njeri i nxjerrë nga dheu, rrezik i madh.” Po. Po. Një rrezik i madh i kanosej botës. Pas kthimit nga jeta e përtejme, jetonte si e huaj në këtë botë, e huaj dhe e tronditur nga gjithçka kishte parë, ndier dhe dëgjuar. E rëndësishme ishte që nusja e Borajve ruante një sekret. I cili e shtonte edhe më shumë misterin e këtij kthimi të frikshëm. Tashmë ajo ishte njeriu më i ditur në gjithë rruzullin. Kishte parë një gjë që e kishte ëndërruar gjithë njerëzimi.” Pikërisht këtu është fuqia e artit: të shohësh ato që ëndërron njerëzimi.
Një fjalë goje është të thuash se autori ka krijuar një galeri personazhesh. Që të krijosh fytyrën e tjetrit së pari duhet të kesh fytyrë vetë. Që të kenë shpirt personazhët, duhet të jetë autori së pari: shpirtëror. I rikthyer shpesh në vendlindje, me krahët e kujtimeve, përshkrimet marrin një vlerë të shtuar, sikurse në tregimin “Mësimet e para për seks”, jo sikurse mësohet seksi në libat e shkollës. “Ishte gjeli më i parë i fshatit që përshëndeste agimin me ki-ki-ri-kun e tij entuziast, paksa të mallëngjyer. Ai komunikonte i pari me kozmosin, duke lajmëruar atë pak qiell të fshehur midis malesh, se po zbardhte një ditë e re për të gjithë. Fshati kishte shumë gjela. Çdo shtëpi kishte gjelin e vet. Veç jo të gjithë gjelat ngriheshin aq herët dhe e zvargnin zërin drejt yjeve të mëngjesit.” Ka shumë historira me të parin, duke filluar nga dashi që prin kopen deri tek Zogu I. Dukesh si i kapur keq nga nostalgjia, aq sa zë e numëron, por, ajo që thua nuk është për ata që flenë nga zbrastija apo kanë lindur të përgjumur. “Ishte maji i gjelbërimit. Maji i ujërave dhe i manave. Fshati ynë kishte shumë mana. Atyre më të lartëve ua mbaj mend mirë emrat: mani i Hadëre, mani i Lone, mani i Gjonajve, mani i Korkutajve, mani i Eleze, mani i Brahajve, mani i Mehmetajve, mani i Zanajve, mani i Arif Kurupit, mani i Bezhanajve. Nuk kishte familje pa manin e vet. Edhe pse në familjen e gjyshit kishim manin tonë, një man shtatlartë e degëgjerë, nuk e di pse na pëlqente të hipnim në manat e fqinjve.” Dhe gjithë këtij enumeracioni i shtohen fjalët: ndonëse mungonte mielli.
Tregimin “Hallë Memeja” fillmisht ta lexova postuar në faqen tuaj, sikurse ta quajta një nga tregimet më të bukura të prozës sonë të shkurtër. Ua thashë dhe të tjerëve këtë gjë. Më pëlqeu sërisht. “Ne atë e thërrisnim “hallë”, pa e ditur se çfarë e kishim në të vërtetë. Me kokëfortësi të dhembshme, Memeja e mbante hapur portën e Gëdajve. Vetëm ngrysej e vetëm gdhihej. Vetë punonte tokën në arat e Gëdajve, vetë shtynte parmendën duke i qëlluar qetë me thupër si një bujkeshë e vërtetë. Në pranverë vetë mbillte grurë, në verë korrte e shinte me dharte, në lëmin e Gëdes. Në vjeshtë shkundte ullinjtë, netëve po vetë i shtypte në koritën e saj. Por shtëpia e Gëdajve ishte një shtëpi me krisma të mëdha.. Priti e prit rrufe në mote e së fundi u dorëzua dhe ra. Ishte një mëngjes me shi kur gjyshi hyri i shqetësuar në oborr.
-Ra shtëpia e Memesë!” Nuk di ata që marrin pjesë në rrëzimin tënd, a janë të parët që vijnë të ngushullojnë? Por, edhe këtu, personazhi yt, ngrihet mbi ambientin, duke e kthyer dhe vdekjen në një shërbesë njerëzore: “-Mishin ndajeni për ahiret në çdo derë të fshatit. Në kamare kam ca vezë. Jepuani fëmijëve. Janë dhe tri pula që mblidhen nën shegë, therini dhe ato. Më zunë kolonat që kam prurë nga Vënjat.” Thua se qe rrëzuar tempulli i Jasonit. Asgjë për mortin e saj, por, gjithë sa kish për të gëzuar të tjerët. Ja pse hallvaxhinjtë i urrejnë të virtytshmit.
Tregimet e tua ndodh të nisin me ngjarje të rëndomtë, me antihero, sikurse dhe ky me titull “Në lidhje me një mi”: “Njeriu duhet të jetë edhe pak altruist, vjen tjetri e të shet mend: “E vramë miun!” (Mbase është fjala për “miun” që iu shtua të tjerëve në shkuljen e rrepës. F.R) “Po çfarë miu keni vrarë, mor zotni?” “Një miush të vogël? Paksa aventurier, e pranoj. Një mi që guxonte të ngjitej gjer në katin e tretë, i nxitur nga një dëshirë e marrë, për të mësuar si jeton në apartamente raca jonë njerëzore, ndërkohë që raca e tij mijore jeton nën tokë, nëpër ca tunele të errëta dhe plot lagështirë. Nuk të vjen keq, hë? Nuk të vjen keq vërtet për këto qenie fatkeqe? Atëherë duhet të jesh një njeri shpirtkazmë! Njeriu duhet të shqetësohet për fatin e të gjitha qenieve që e popullojnë këtë tokë.” Por, shtazëria nuk merr mësime nga kafshët, të cilat u zbutën, ndërkohë që njeriu egërsohet. Në tregimin ku shkrimtari K. J i shkruan presidentit, i lënë në harrim nga shteti, në funeralin e tij ndesh këtë detaj: “Ata që e kujtonin ishin përzier me ata që e kishin harruar prej kohësh.” Dhe këta, që të harrojnë, thërrasin se po humbet “kujtesa e kombit”?! Një inkonformist, një rrëfimtar, që, të besohet: duhet të jetë i sinqertë. “Kur isha i vogël u mburresha shokëve, gjoja se edhe unë kisha vrarë ndonjë zog. Të them të drejtën nuk kam mundur të vras as edhe një cërmëli. Një çerçele edhe mund ta kisha vrarë, pasi ato nuk e ruanin veten, por e ndieja veten të pazotë dhe më vinte inat pse isha kaq i pafat? Shokët u zunë se kush e kishte vrarë mëllenjën. Në sherr gati u përfshin familjarët. Nuk mund të luaja dy role njëherësh: lojën e dukshme të vrasësit dhe lojën e fshehtë të adhurimit.” Në vendin tonë, që të kesh duk, duhet të lësh përshtypjen e vrasësit, por, ata që vrasin të të tregojnë ty me gisht. Gjithsesi në lojën e fshehtë të adhurimt “vagabondi” alla Esenin e gjen rrugën për të qenë një “princ i kaltër”.
Dikush me letra të falsifikuara, me sa duket ka hyrë në parajsë. I pajisuar mbase dhe me certifikatë nga komisioni i pastërtisë së figurave. “-Ta tregoj unë nderin ty, mor i pafytyrë! Sa pak vjet jetove në botën tonë dhe sa njerëz more në qafë?! Më vonë, pasi kishe vdekur, më thanë se më kishe denoncuar edhe mua, sikur gjoja paskësha thënë se realizmi socialist ishte një thes me gënjeshtra dhe një trastë me të vërteta! Po Viktorin (Qurkun), more i poshtër, nuk ishe ti që e more në qafë? Nuk e pranon? Hë! Jo. Kësaj here nuk të lë. Do të të denoncoj që tani tek autoritetet e parajsës.” Por ai, në vend që të frikësohej u trimërua dhe më tepër. (Këta trimosha i sheh, sa herë që, u del boja.)
-Vërtet nuk kupton gjë, apo shtiresh?-(“Sa më dinak të jetë njeriu, aq më tepër mendon se mund ta hutojnë me ndonjë imtësi të thjeshtë”.)
-Çfarë të kuptoj!-i thashë me mend,- që pasi përdhose botën tonë të ndyrë, vjen të përdhosësh edhe këtë botë të pastër? Çfarë të kuptoj? Më thuaj?
-Naiv ke qenë dhe naiv ke mbetur,-më tha me keqardhje.- Bëj poezi ti, bëj! Po a ke parë ndonjë poet këtu, mor i mjerë?
-Jo. Po pse?- e pyeta unë.
-Në parajsë gjer më sot nuk është pranuar asnjë poet.”
Nëse e lëmë parajsën dhe i kthehemi tokës, për të njohur këtë të paudhë, ju, me atë shpejtësinë e rrufeshme që të jep frymëzimi e portretizoni, thjesht fare, por që ai mbetet në kujtesë: “Babi kishte një mik nga Ndroqi. Na e kishte sjellë dhe në shtëpi disa here. Sa herë që vinte, na sillte mish e raki. Dukej burrë leshko. Njeri i mirë. Babi na e bëri peshqesh .Ti nuk e ke takuar Shelemen? Jo? -Ti vetë nuk e ke parë asnjëherë?”-Ta përshkruaj unë. Ka një vështrim tinzar. Nuk të shikon kurrë në sy. Edhe kur të shikon, të duket sikur të sheh me inat. Si e ka duruar im vëlla. 25 vjet?” Eh, sa të tillë kemi duruar, mor Sulë, për të keqen tonë! Por, ti nuk vonon të ofrosh tregimin “Një vulë e humbur”, pse të mos e them, një dramaturgu si ju i shkon humori: “Atë vit kishin humbur shumë vula. Shumica e tyre ishin vula firmash ndërtimore, vula të shkollave të mesme dhe të disa universiteteve. Për këtë arsye Ministria e Arsimit nxori një qarkore, e cila i udhëzonte drejtorët e shkollave për mënyrën e ruajtjes së vulave shtetërore. Rasti im ishte ndryshe. Unë nuk kisha humbur asnjë vulë, unë kisha gjetur një vulë. Nga sa mund të deshifrohej në pjesën e saj të gomuar, ajo duhet të ishte një vulë partie. Do t’ju duket si shaka po t’ju them që e gjeta në xhepin e jashtëm të xhaketës së blerë në afërsi të tregut të çamëve.” Natyrisht që ti, Sulë, ironizon ata shkrimtarë e artistë, që, me vulë partie i marrin të gjitha. I qëmtova këto pjesëza, quaji dhe gurë mozaiku, duke tentuar të bëj portretin tuaj, ashtu sikurse ke mbetur në kujtesën time. Ndaj dhe e grisa zarfin…