Gazeta Nacional Albania

FATMIR   MUSAI, Elbasan: Ç’MUND TË BËJ KËTË VIT?!… E KUSH E DI?!…

 

Ky vit që po lemë pas të kujton Vitin e mbrapshtë shqiptar 2013… po dhe atë 1997! Veçse, përmasat e tij ishin globale! Qëkur nisi zyrtarisht karantina, më 13 mars, unë qëllova të jem dyfish fillikat, pasi gruaja më iku për 3 muaj te vajza në Gjermani, pa e ditur se do të binim në karantinë…! Kështu që m’u desh të isha vetë burrë e vetë grua… mësova më mirë të gatuaja për vete, pasi bëja pazaret; po edhe të laja enët një herë në javë, pasi bëheshin kapicë në lavaman; po edhe të fshija shtëpinë një herë në muaj me fshesën me korent që s’arrita ta mësoja plotësisht; ashtu siç e mësova kollaj lavatriçen që kisha qejf ta përdorja edhe kur rrobat s’ishin të ndotura… Mbi të gjitha, në fund të muajit të parë të kursit 3-mujor të nikoqires, i mësova të gjitha brimat e gardhit të shtëpisë dhe i thashë vetes: – I paskemi lavdëruar më tepër se ç’duhet gratë për atë çka bëjnë plus… se ja që unë i mësova për një muaj, në fillim nga halli e në fund edhe nga malli! Do thoni ju se ishin kushtet të tilla dhe eglendiseshe me punët lloj-lloj, se nuk rrihet parazit e i atrofizuar për 40 ditët e karantinës brenda në shtëpi!… Jo, mor, jo! Gjatë atyre ditëve të vetëizolimit e vetëburgosjes globale, m’u krijua një kohë e tepërt se s’e kam patur kurrë. Truri dhe ngacmimi instiktiv i krijimit më mbërthenin duke shkruar ditë për ditë nga një ese për këtë hatà të padëgjuar që na kish mbërthyer. Dhe u krijua e u realizua vetvetiu ideja e librit “Njeriu guaskë”, i cili (e them me bindje) ishte i pari me këtë tematikë e problematikë që u botua që në fund të prillit 2020, në një shtypshkronjë modeste që qëlloi të porsahapej në rrugën ku unë banoj, me siglën ql në faqe të parë: “Botim i autorit”! (Dhe mirë që ndodhi kështu, se kush shkonte e vinte në Tiranë në shtëpitë e mëdha botuese prestigjioze që, përveç megallomanive, edhe ta krypin mirë kokën!)… isha i kënaqur, se isha vetë Ali e vetë Kadi: Vetë autor e redaktor, e korrektor, e faqosës, e piktor, përveç konsulentit shkencor, prof. Sazan Gurit! (Ani se ndodhi e pritshmja që thuajse s’pati publicitet… se duhet të jesh në Tiranë non stop prej vitesh e të krijosh lidhje organike e interesash me klanet që të japin benefice në masmedia!) … Nejse, varja!… po Pandemia vazhdonte, ndonëse kufizimet u liberalizuan dorë pas dore. Po krimbi tashmë kishte hyrë brenda meje dhe, aq më tepër pas kthimit të gruas nga Gjermania, s’kisha si ta mbushja kohën e tepërt që m’u krijua në mungesë të detyrimeve e dëshirave të nikoqires së shtëpisë! Ndaj dhe iu riktheva huqit të vjetër të dashurisë me viranen Poezi!… u kapëm e u kacafytëm, u qeshëm e u ngjeshëm e, më së fundi, “E gjeta, Vangjel!”… thuajse përfundoi dhe libri i dytë, tashmë poetik , brenda këtij viti pandemik, çka s’ka ndodhur kurrë më parë me mua dembelin! E, që thoni ju, ja që kështu më ngjau… bëra dy libra këtë vit… jo vetëm, po me bashëautorësi Koronën! Se ja që dhe një lubi paska dhe ndonjë të mirë për ne që zografisim: Na krijon problematikën unikale dhe kohën e tepërt që të vëmë në punë atë ç’ka dimë të bëjmë më mirë në këtë jetë, të shkruajmë për hobì më së pari, dmth për qejfin tonë! … Ç’mund të bëj këtë vit?!… e kush e di?!… se mos e di dhe Korona që s’po na ndahet!… thonë se po pëson mutacion andej nga Ingliterra!… do zoti s’i kap mutacioni dhe ata që zografisin, si puna ime… se ata të klaneve në Tiranë (afër detit, afër mbretit) s’kanë kurrë qeder!… edhe një p…. dinë ta shesin si frëngu pulën!…