“Dita kur autoritet amerikane e ndaluan romanin, ato njëkohësisht i dhanë mundësi përhapjes së tij të paimagjinueshme. Uliksi, vepër mjaft e vështirë (aty mund të hyjnë vetëm admiruesit e Z. Xhojs), është bërë libri që të gjithë studentët e komentojnë në universitetet amerikane. Ky libër i ndaluar është si shkollë. Z. Xhojs u përket, pra, atij grupi shkrimtarësh që përbëjnë skandal dhe shndërrohen si Bajroni ose Wilde në të mërguar. Ata bartin me vete vuajtjen”.
L’Écho de Paris, 1926
Botimi origjinal i romanit monumental Ulysses (Uliksi) i James Joyce-it, u mor përsipër të botohej më 1922 nga Sylvia Beach që kishte librarinë Shakespeare & Company në Paris; përkthimi frëngjisht (Ulysse) doli shtatë vjet më vonë nga botuesja Adrienne Monnier, mikeshë e S. Beach. Monnier ua besoi punën e hollë e të vështirë të përkthimit dy figurave të njohura si përkthyes të anglishtes e që u rishikua i tërë nga shkrimtari Valery Larbaud dhe nga vetë autori.
I cilësuar nga Borges-i si “katedrale e prozës” (Parathënie, Pléiade), ai është çmuar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë moderne duke zënë vendin e parë në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX që hartoi The Modern Library më 1998.
Përkthimi në shqip i romanit Uliksi të Joyce-it nga Idlir Azizi dhe botimi i tij nga Shtëpia Botuese Zenit, duhet të quhet një ngjarje kulturore.
Historiku i veprës
Romani Ulysses doli për herë të parë në formën e një rubrike të përjavshme në The Little Review , në Nju Jork, gjatë muajve mars 1918 dhe nëntor 1920, para se të botohej i plotë në Paris, në shkurt 1922. Romani nxiti diskutime, sidomos një ankesë nga New York Society që e cilësoi librin të pabotueshëm. Romani u ndalua në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1933 dhe në Britaninë e madhe deri më 1934. Pas kësaj ai u komentua pareshtur dhe do të bëhej objekt i studimeve të panumërta.
Uliksi, vepër klasike e shekullit XX
Duke qenë një roman total, Uliksi i shumëfishon nivelet e leximit me një program enciklopedik.. Joyce-i i ka lëvizur nga vendi praktikat e tjera të shkrimit. Valéry Larbaud që u bë bashkëpërkthyes i botimit dhe që shkroi hyrjen, e rrallë për epokën, pyet: “Atëherë ku është çelësi” që arrihet të shkohet përtej klisheve. Në vend të lexuesit që i hutuar nga orteku i fakteve nuk di të orientohet, ai përgjigjet : “Eh, pra, ai është, si të thuash te titulli Uliks”.
Dy fjalë për përmbajtjen
Ngjarja fillon në mëngjesin e 16 qershorit 1904. Arsyeja përse Joyce-i zgjodhi këtë datë lidhet me një simbol vetjak, data kur pati takimin e parë të dashurisë me Nora Barnacle e që u bë bashkëshortja e tij.
Me tetëmbëdhjetë episodet, ashtu si i ka quajtur vetë ai, me mënyrat e reja të shprehjes si dhe me temat që trajtojnë jetën, dashurinë dhe vdekjen romani sjell në faqet e tij jetën në lëvizje të vazhdueshme. Episodet e romanit janë një konceptim i ri të shkruari në fillimet e shekullit XX. Uniteti i veprës sigurohet nga përdorimi i shenjave dalluese, hapësirë-kohë dhe nga teknika e monologut. Romani është gjithashtu shumësi simbolesh dhe nënkuptimesh për historinë e mendimit perëndimor. Uliksi vetë është një titull simbolik, ashtu si edhe personazhi kryesor, Leopold Blumi, i cili shndërrohet në simbol. Ai është hebre, përfaqësues i një populli me fat dramatik . Në parathënien e botimit të parë, vendosjen e Blumit në qendër të romanit, përkthyesi I. Azizi e quan “akt themelor politik”.
Disa mendime të kritikës
I ndaluar prej skenave të papranueshme nga censura dhe i gjykuar si gjenial nga të tjerët, si i palexueshëm nga disa dhe si shkollë leximi nga disa të tjerë, Uliksi u përkthye ne frëngjisht më 1929 duke e lënë kritikën të habitur. Ky roman “mostër”, njihet sot si një nga monumentet letrare të shekullit XX. I cilësuar si kryevepër e një moderniteti absolut nga disa kritikë, ndërsa nga të tjerë si mjaft i mërzitshëm, ai u vlerësua dhe u kundërshtua qysh në fillim. Ecuria e monologut të brendshëm të quajtur përroi i ndërgjegjes (stream of consciousness), ashtu si edhe e stilit, me radhë, lirik, parodik, epik, gazetaresk, shkencor dhe erotik si edhe përdorimi i fjalëve të reja, të panjohura, ishte tërheqës për lexuesit e parë, por edhe zhgënjyes për ata që hynin me vështirësi te romani i tij.
Romani i James Joyce-it me gjuhën dhe politikën e tij shkrimore përmbysi idenë e një letërsie të futur brenda disa rregullave të pandryshueshme. Dy ndër autorët e njohur francezë, njëri Alain Robbe-Grillet në një letër të tij ka shkruar se leximi i Uliksit ka qenë një shtysë e fortë për të shkruar, ndërsa Claude Simon-i, në një intervistë në radio ka deklaruar, se ka mësuar shumë duke lexuar te vepra e Joyce-it dhe e Faulkner-it.
Veprimet pa ndonjë rëndësi të jetës së përditshme, përftojnë vlera narrative në roman. Perspektiva aristoteliane gjendet kështu e përmbysur; ajo që më parë ishte e dorës së dytë, bëhet kryesore. Aty nuk janë më gjërat e mëdha që ndodhin, por gjërat e vogla që shumohen përbëjnë ngjarjen. Herë-herë në roman ka biseda serioze, herë-herë dëgjohen thirrma vulgare ose shprehje formale, pa kuptim, herë-herë stili kalon në Yiddish ose në një gjuhë të pakuptueshme. Vështrimi i rastësishëm, mendimet dhe gjestet e atypëratyshme janë lënda e parë për shkrimtarin. Sepse “arti është mënyra njerëzore për t’i dhënë lëndës së dukshme apo të padukshme një qëllim estetik” (Joyce, Fletoret e Parisit, 1905).
Dykuptimësia e gjuhës si themelore te Joyce-i, lejon të mendosh pavarësinë e një letërsie që të dhuron një vepër në lëvizje të përhershme, një vepër që rilidhet me format paramoderne të konceptimeve letrare. Romani duket si një vepër kolektive, ngaqë te ai veprojnë shumë regjistra autoritativë: lexuesit, botuesit, përkthyesit, shkrimtarë të tjerë, institucione. Kjo gjë nisi që në gjallje të autorit qysh me botimin e parë anglisht në Paris.
“Cilat janë arsyet e një suksesi botëror të Uliksit?”- pyet Typhaine Samoyault, kritike dhe profesore e letërsisë në universitetin Paris 8, e cila ka marrë pjesë në grupin e tetë përkthyesve të romanit për botimin e ri më 2004 . “Duke u bërë botëror, Uliksi është shkëputur nga kufizimet kombëtare, por gjithashtu edhe nga pozicioni i tij jashtëqendror duke e transformuar thellësisht idenë e autoritetit letrar. Joyce-i ka emancipuar gjuhën dhe kombin”,- përgjigjet vetë ajo. Kurse Philippe Forest , edhe ky profesor letërsie dhe studiues i veprës xhoisjane në ditë tona, mendon se “Uliksi” nuk është një libër i palexueshëm”, ashtu si thuhet rëndom, “por një libër i lexueshëm; ai flet për jetën e atij që lexon dhe të atij që shkruan”.
Ndalimi i romanit u bë kur Joyce-i ishte në paragrafët e fundit të romanit. Kemi pasoja të ndryshme deri në realizimin nga Joyce-i të një projekti estetik, por edhe të një perspektive të zbrazët për librin, sepse libri mbeti pa u lexuar duke përjashtuar rastet klandestine. Pra, libri njihet si titull pa u lexuar dhe në këtë pikëpamje është romani i parë në historinë letrare që u bë i njohur ende pa u lexuar.
Joyce – Jetëshkrim kronologjik
James Joyce-i lindi më 1882 në Dublin të Irlandës. Njihet si një nga shkrimtarët më të fuqishëm të shekullit XX, poet dhe prozator që u bë i famshëm sidomos me veprat Dublinasit (1914) dhe Uliksi (1922).
Edhe pse e kaloi pjesën më të madhe të jetës jashtë vendlindjes, përvoja irlandeze është themelore në veprën e tij. Universi i tij krijues i ka rrënjët në Dublin. Për nga sasia e faqeve, Dublini zë vendin kryesor te vepra e Joyce-it duke përfshirë edhe gjithçka të botuar postume. Kështu, ai u bë “më kozmopoliti dhe më lokali i shkrimtarëve të mëdhenj irlandezë” .
*
Joyce-i ishte i pari ndër dhjetë fëmijët e familjes Joyce (dy vdiqën herët nga ethet e tifos). I ati i tregonte se ata i përkisnin një trungu të lashtë irlandez. Më 1887 familja u zhvendos në Bray. Në Bray ata ishin fqinj me një familje protestante dhe vajza e tyre Eileen është romanca e parë e James-it. (Shkrimtari e përmend me emër te një skicë autobiografike). Kjo karakteristikë e shkrimit, në të cilin momentet e jetës ushqejnë drejtpërdrejt historinë e personazheve, shihet në shumë vepra të tij.
Më 1888 u fut në një kolegj jezuit. Sipas biografit Herbert Gorman , Joyce-i ishte fëmijë shumë i ndjeshëm me një « temperament vetëvëzhgues ». Shumë shpejt ai u shqua si nxënës i talentuar. Më 1891 shkruan poemën e parë për vdekjen e një nacionalisti Irlandez. Më 1892 i ati mbeti pa punë dhe djali largohet nga kolegji, sepse nuk mund të paguante. Ai futet në një shkollë të lirë, por më 1893 i japin bursë në një kolegj tjetër në kuadrin e ardhmërisë së urdhrit jezuit. Në moshë moshën 16 vjeçe Joyce-i e hodhi poshtë katolicizmin duke ruajtur prej tij ndikimin e pashlyeshëm të filozofisë së Thomas d’Aquin-it. Në këto vite ai shkruan shumë poezi. Leximet e kësaj kohe janë të shumta e të rëndësishme, si : Dickens, Walter Scott, Jonathan Swift, Laurence Sterne… Ndër poetët që i pëlqejnë janë : Byron, Arthur Rimbaud, William Butler, Yeats, William Blake dhe Thomas Hardy.
Më 1898 hyn në Universitetin e Dublinit, në fakultetin e gjuhëve latine moderne (frëngjisht dhe italisht) dhe përfshihet në rrethet teatrore dhe letrare të qytetit.
Më 1900, si bashkëpunëtor i Forthnightly Review, boton një ese, të parën të njohur për një dramë të Ibsen-it, një nga autorët e tij të pëlqyer dhe merr falënderime nga autori norvegjez.
Gjatë kësaj kohe shkruan disa artikuj dhe dy drama sot të humbura. Bëhet anëtar aktiv i Literary and Historical Society të Dublinit. Aty ai paraqet një studim Teatri dhe jeta.
Pas diplomës universitare më 1903 shkon në Paris për të studiuar mjekësi, por vetëm sa prish paratë që i ka siguruar me vështirësi familja e vet. Kthehet në Irlandë pas disa muajsh. Ndërkohë e ëma vdes nga kanceri. Ai zhytet në alkoolizëm dhe gjallon duke shkruar recensione librash për gazetat dhe jep mësim.
Në janar 1904 Joyce-i shkruan brenda një dite një skicë autobiografike të titulluar fillimisht Heroi Stiven, e që nuk u pranua nga një revistë e kohës. Ai vendosi atëherë që në përvjetorin e ditëlindjes së 22-të, ta zhvillojë atë histori në romanin Portreti i artistit në rini (A Portrait of the Artist as a Young Man). Aty bien në sy edhe kërkimet estetike për të bukurën së bashku me ankthin që shoqëron jetën e artistit në udhën e së vërtetës.
Po më 1904, ai njihet me Nora Barnacle dhe pas pak kohësh niset për në kontinent me të në një syrgjyn vullnetar, të përkohshëm, por që zgjati deri në fund të jetës. Ata shkojnë fillimisht në Cyrih, ku Joyce-i fitoi një vend pune si mësues i anglishtes, por punëdhënësi kishte qenë mashtrues dhe drejtori e nis për në Trieste, që bënte pjesë atëherë në perandorinë Austro-Hungareze. Edhe atje has vështirësi, por një mik i gjen një vend pune si mësues në Pola (sot ndodhet në Kroaci). Në Pola banon nga tetori 1904 deri në mars 1905. Në mars 1905 Austriakët zbulojnë një rrjet spiunazhi dhe i dëbojnë gjithë të huajt. Përsëri me ndihmën e mikut të tij ai kthehet në Trieste si mësues i anglishtes për gati dhjetë vjetët në vazhdim. Gjuha që flisnin në shtëpi ishte italishtja.
Më 1905 familja Joyce bëhet me djalë, Giorgio. Përgjegjësia e tij edhe si baba rritet. Në Trieste punon edhe Ettore Schmitz (i njohur në veprën letrare me pseudonimin Italo Svevo); ata bëhen miq dhe shkëmbejnë mendime të ndërsjella për letërsinë dhe jetën. Schmitz ishte hebre. Ai është një lloj modeli që, ndër të tjera, do t’i shërbejë Joyce-it për personazhin Leopold Blum.
Problemet me shikimin nisin që në Trieste dhe ai shkon herë pas here në Cyrih për vizita. Nostalgjik për endjet e lumtura në fillimet e jetës së tij në Dublin, Joyce-i është i zhgënjyer nga jeta në Trieste. Në fund të vitit 1906, pasi sigurohet për vendin e punës në një bankë si korrespodent i huaj, ai shkon në Romë. Mirëpo as jeta atje nuk i pëlqen dhe pas disa muajsh kthehet sërish në Trieste.
Në pranverën e vitit 1907 vjen në jetë vajza, Lucia. Po atë vit botohet libri me poezi Muzikë dhome (Chamber Music), me kujdesin e vëllait të tij Stanislaus. Sëmundja e syve vazhdon. Joyce-i në këtë kohë ka filluar të japë ligjërata në Universitetin Popullor dhe vazhdon të botojë shkrime nëpër gazeta. Edhe pse familja e tij nuk ra ndonjëherë në mjerim, ajo nuk i plotësonte dot kërkesat ekonomike.
Në pranverë 1909 shkon në Dublin me të birin, takon të atin, boton Dubliners (Dublinasit)dhe merr me vete në Trieste një nga motrat e tij që t’u ndihmojë për dy fëmijët.
Joyce-i shkon edhe njëherë në Dublin më 1912, sepse ka një mospajtim me botuesin e tij lidhur me librin Dublinasit dhe nuk kthehet më kurrë në Irlandë, me gjithë lutjet e të atit dhe ftesat e bashkëkombësit të tij, poetit William Butler Yeats.
Më 1915 e lë Triesten si të gjithë britanikët nga shkaku i Luftës dhe shkon në Zvicër si vend neutral. Më 1915 H. G. Wells e shpalli veten “admirues i veprës së Joyce-it”. Fama e tij ka ardhur në rritje si shkrimtar, por familja mbijeton në sajë të mësimdhënies së tij, por edhe të ndihmave që i japin Pound-i, Yeats-i dhe Wells-i. Ai takon atë që do të mbetet miku i tij gjer në vdekje, Frank Budgen, të cilit i drejtohej sa herë edhe gjatë punës me romanet Uliksi dhe Finnegans Wake. Vendimtar ishte gjesti i Ezra Pound-it që i foli botueses Harriet Shau Weaver , e cila u bë mecene e Joyce-it. Në dhjetor 1916 u botuan në ShBA, Dubliners dhe A Portrait of the Artist as a Young Man, në sajë të përpjekjeve të botuesit Njujorkez Huebsch. Botimi në ShBA e bëri të njohur Joyce-in me një publik shumë më të gjerë.
Më 1918 themelon një shoqëri teatrale në të cilën shfaqen dramat që pëlqen publiku irlandez. Po më 1918, botohet Exiles (Të mërguarit) njëherësh në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Poeti T.S. Eliot shkruan në revistën Athenaeum (1919) : « Për të arritur përsosurinë, James Joyce-i në veprën e fundit, shfrytëzon karakterin e rëndomtë dhe egoizmin» .
Puna me romanin Uliksi është një ndërmarrje e madhe krijuese që dëshmon edhe kulturën e tij të gjerë e të thellë si autor. Ai i shkruan, ndër të tjera, mecenes së tij: “Çdo episod që vazhdon dhe trajton një fushë të kulturës artistike (retorikë, muzikë, ose dialektikë) lë pas vetes një fushë të zbrazët. Qyshkur kam shkruar Sirenat, e kam të pamundur të dëgjoj çfarëdolloj muzike” .
Në këtë kohë ka nisur edhe botimi i romanit Uliksi me fragmente në faqet e revistës The Little Review.
Joyce-i kthehet për pak kohë në Trieste, sepse ka mbaruar Lufta I botërore, por qyteti i duket mjaft i ndryshuar.
Ai vjen sërish në Cyrih. Problemi i syve është bërë urgjent; ai është prekur nga dy sëmundje syri të pashërueshme.
Më 1920 shkon sërish në Paris tashmë në moshë të pjekur duke pasur edhe një ftesë nga Ezra Pound për një javë, por ai do të rrijë aty për gati njëzet vjet me gjithë lëvizjet e herëpashershme në Cyrih për problemet e syrit.
Viti 1921 do të jetë një vit pune i pandërprerë për të përfunduar romanin.
Në tetor 1921 Joyce-i i dha fund romanit Uliksi, që u bë romani i shekullit. Për tre muajt në vijim ai e rilexoi dhe e korrigjoi duke e bërë gati për datën 2 shkurt 1922, që ishte përvjetori i dyzetë i ditëlindjes së tij.
Ndërkohë në Paris ai është takuar edhe me shkrimtarët Ernest Heminguej dhe Valéry Larbaud ; ky i fundit e njeh me Parisin letrar, si dhe me Sylvia Beach që e boton romanin në variantin origjinal Ulysses anglisht në shkurt 1922, siç e kemi thënë, dhe me Adrienne Monier që boton përkthimin frëngjisht më 1929. Botimi në Francë, sidoqoftë i shkakton mjaft probleme Joyce-it për shkak të censorëve anglofonë.
Më 1923 fillon romanin tjetër Finnegans Wake, një vepër e madhe që do t’i kërkojë vite të tëra pune.
Më 1930 detyrohet të bëjë martesë zyrtare me Norën; i kërkohet djalit në një dokument zyrtar. Por gazetat merren me këtë problem gjerë e gjatë dhe Joyce- i pakënaqur thotë se i është prishur qetësia dhe i është cunguar liria. Madje një gazetë i bën propozimin e shëmtuar që t’ia shesë këtë ngjarje si lajm kundrejt një shpërblimi, por ai nuk pranon dhe zhgënjehet akoma më tepër nga shtypi.
Më 1932 e shpie vajzën që ka filluar të paraqesë turbullime të rënda të personalitetit te mjeku psikiatër Carl Gustav Jung në Cyrih, por ikën i pakënaqur me përfundimet e tij. Jungu madje ka dështuar me një analizë që ka bërë për romanin Uliksi.
Zvicra do të mbetet një vend ku ai përpiqet të gjejë shërim për vajzën dhe për sytë, por kjo i kushton ekonomikisht.
Më 1933, 1934 dhe 1935 rëndohen shqetësimet mendore të vajzës dhe ai vetë operohet nga sytë disa herë.
Ndërkohë vazhdon puna me Finnegans Wake (Work in Progress e quan Joyce-i). Ishte ndihma financiare e Maria dhe Eugène Jolas në Francë që i jepte zemër. Pa ndihmën e tyre dhe të Harriet Shau Weaver, “mbase disa nga librat e tij nuk do të kishin përfunduar” . Me kujdesin e e Samuel Beckett -it ata edhe i botuan në revistën e tyre disa fragmente të romanit.
Më 1939 romani Finnegans Wake u përfundua dhe ai e botoi njëherësh në Londër dhe në New York po atë vit. Kjo vepër nuk u prit mirë nga kritika konservatore edhe pse u mbrojt nga kritikë të shquar si Horold Bloom,, i cili e cilësoi atë një vepër monumentale.
Por Joyce -i tani është bërë gati i verbër.
Më 1940 « Irlandezi » (kështu e mbiquajtën Joyce-in kur erdhi në Francë) pret që të marrë vizën e qarkullimit dhe në ditët e para të janarit 1941 lë Francën e pushtuar nga nazistët dhe udhëton sërish për në Cyrih të vizitojë edhe njëherë sytë, por më 11 janar shtrohet urgjentisht në spital, operohet nga një ulcerë e rëndë në duoden dhe bie në koma. Pas dy ditësh zgjohet dhe kërkon të telefonojnë gruan dhe djalin. Ai humbet sërish vetëdijen dhe vdes pesëmbëdhjetë minuta përpara se të mbërrijnë ata. Ishte data 13 janar 1941.
Varroset në varrezën e Fluntenit në Cyrih. Nora jetoi edhe dhjetë vjet pas tij. Ajo prehet pranë trupit të tij. Po ashtu në varrin e përbashkët prehet edhe djali i tyre Giorgio, vdekur në Konstancë më 1976. Vajza, Lucia, vdiq më 1982 në një spital psikiatrik në Northampton dhe u varros atje.
*
Vepra e Joyce-it është bërë objekt studimesh të shumta në libra, seminare, sesione shkencore dhe ligjërata universitare. Janë botuar edhe libra postume, të gjetura në dorëshkrimet që ruante vëllai i tij Stanislaus.
Filozofi Jacques Derrida ka shkruar një libër për përdorimin e ligjërimit në Romanin Uliksi; filozofi amerikan Davidson e krahason Finnegans Wake me tekstet e Lewis Carrol-it; psikanalisti Jacques Lacan- i kushtoi seminaret e viteve 1975 dhe 1976; Nabokov-i e vlerësonte shumë romanin Uliksi, të cilin e zhvilloi në kurset universitare midis veprave madhore të shekullit XX, si Metamorfoza e Franz Kafka-s apo edhe ndonjë tjetër.
Shumë filma janë xhiruar për jetën e Joyce-it dhe Norës, si dhe për vepra të ndryshme të Joyce-it. Midis tyre regjisori amerikan Joseph Strick, më 1983 përshtati për ekranin e madh romanet Ulysses dhe A Portrait of the Artist as a Young Man.
Është orkestruar edhe një pjesë muzikore për fëmijë, me titull Një lule për vajzën time.
Herbert Gorman më 1941 botoi biografinë e parë për Joyce-in.
Richard Ellmann më 1959 botoi një biografi dhe e pasuroi atë më 1982.
Në Dublin, Joyce-i kujtohet duke festuar çdo vit 16 qershorin “Bloomsday”.
Që nga 2011 në Monreal mbahet një festival i quajtur Joyce.
Në Dedham (Massachusetts) të ShBA-së në Shëtitoren Joyce, zhvillohen çdo vit veprimtari sportive dhe lexime të veprave të autorit.
Një kopsht në Paris quhet Kopshti James Joyce.
Për të ruajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e shkrimtarit irlandez, në Cyrih ku ai kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, më 1983 është themeluar nga Fritz Senn Fondacioni James Joyce. Ai ka shkruar edhe parathënien e përkthimit të parë shqip të romanit Uliksi.
Sot është përkthyer në shqip një pjesë e madhe e veprës së Joyce-it.
Përfundim
Duke shkruar Uliksin, James Joyce-i kreu një udhëtim gjuhësor që zgjati tetë vjet e që u kurorëzua me një kryevepër botërore. Prandaj krijesat e Joyce-it ia behin nga hapësira e rrëfimit me gjithë plotërinë e tyre duke fituar lëndën prej mishi dhe kocke, jo të një demiurgu, por të një njeriu që është i mbërthyer thellë në “jetën e vërtetë”.
Vladimir Nabokov-i në kursin për romanin, më 1980 shkruante: “Uliksi është një vepër e shquar e gjithëkohshme arti, por kritikët janë të interesuar më tepër për konsiderata të përgjithshme dhe ide sesa për veprën në vetvete… Unë duhet t’ju sqaroj se në zhvendosjet e Leopold Blumit atë ditë vere në Dublin, nuk duhet të shihni një parodi të ngushtë të poemës Odiseja, ku punonjësi i reklamave luajtka rolin e Odiseut, ku gruaja kurorëshkelëse e Blumit do të ishte e dëlira Penelopë, ndërsa Stiveni do ta shihte veten si Telemaku. Që ka një jehonë të vagullt të përgjithshme homerike në rastin e Blumit është e dukshme, ashtu si e thotë titulli dhe gjithashtu shohim një sërë nënkuptimesh klasike në libër, por do të ishte fare një humbje kohe, po të kërkoje paralele të ngushta me çdo personazh dhe çdo skenë… Prandaj, pas këtyre interpretimeve në shtyp, Joyce-i u detyrua t’i hiqte titujt pseudo homerikë nga kapitujt, sepse e mendoi se çfarë përfundimesh do të nxirrnin gjithë të mërzitshmit, të ditur dhe të paditur.”
Të lexosh Uliksin është një përvojë e papërsëritshme, sepse ai është edhe një udhëtim i brendshëm që na përball me një pjesë të unit tonë të panjohur. Joyce-i e vendos subjektin para një pasqyre në të cilën mund të humbasësh ekuilibrin nga e vërteta e zbuluar, por që është edhe e vërteta jonë. Thuhet se Joyce-i e mbrojti njëherë të vetme romanin me thënien e papërsëritshme dhe magjiplote: “Atëherë, po të mos lexohet Uliksi, duket thënë se nuk duhet të jetohet jeta”.
Është për t’u theksuar, se botues me emër kanë luftuar ta heqin censurën mbi librin duke marrë pjesë me guxim në një proces të madh gjyqësor në mbrojtje të romanit për vite të tëra. Prandaj kritika shënon se romani mbarti një fuqi transformuese: “Uliksi ka karakter transformues, ai nuk ka ndryshuar vetëm rrjedhën e letërsisë, por edhe përkufizimin e letërsisë në sytë e ligjit” .
Vepra e Joyce-it karakterizohet kryesisht nga një zotërim mahnitës i gjuhës dhe nga përdorimi i formave letrare të reja, të shoqëruara me krijimin e personazheve si Stiven Dedalus, Leopold Blum dhe Molli Blum që janë individualitete të një humanizmi të thellë.
Burimet: Veprat kryesore të Joyce-it, botimet Pléiade dhe arkiva Universalis.