Gazeta Nacional Albania

Feti ZENELI: Akadamik Valter Memisha një personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare

Të shkruash për Akademik Valter Memishën nuk është e lehtë. Jo se nuk ke material apo të dhëna për të. Ato janë tejet të bollshme, ku vetëm “CV”-ja e përmbledhur e tij shkon në rreth 20 faqe format “A4”. Vështirësia qëndron te koncentrimi i gjithë kësaj veprimtarie për t’i bërë, si me thënë, portretin e duhur këtij shkencëtari të fjalës shqipe e të gjuhës. Je pak a shumë në atë situatë për të cilën Markez thotë: “të shkruash një tregim është shumë më e vështirë se të shkruash një roman”. Në një situatë të tillë më vendos dhe mua ky shkrim modest për një personalitet të shkencës gjuhësore. Kam qysh nga 6 shkurti i këtij viti, kur kryesia e Akademisë së Shkencave e votoi Prof. Dr. Valter Memishën si Akademik për shkencën e gjuhësisë, që jetoj me idenë e një shkrimi dinjitoz për të. Qëllimi është që ta bëjë po aq të njohur për publikun e gjerë shqiptar, sa ç’është edhe në rrethet akademike e katedrat universitare; pra në të gjithë botën shkencore brenda e jashtë vendit. Pastaj, familjarizimi i shqiptarëve dhe njerëzve të thjeshtë në përgjithësi, me termin “shkencëtar gjuhe”, është pak më i vështirë se sa me shkencëtarët e fushave të tjera.
Tani për tani, autoriteti më i spikatur në këtë fushë të shkencës shqiptare është akademik Eqrem Çabej. Pra, ai është i pari i fisit të albanologëve tanë më në zë, të cilët mund t’i quajmë me një emër të përgjigjshëm – të “i Çabeje”. Në atë kuptim që, përgjithësisht, zona e Labërisë e përdor në të folurën e përditshme për të treguar për përkatësinë familjare të dikujt, që emërtohet nga mbiemri i tij. (Fjala vjen, po qe se mbiemrin e ke “Shehu”, të thonë “i Shehe”).
Valteri e njeh shumë mirë këtë gjuhë. Atë, sa mbaroi fakultetin me rezultate të shkëlqyera, e emërojnë mësues në një nga fshatrat labe të Tepelenës. Ai në pak kohë arriti të njoh nga afër jo vetëm gjuhën e njerëzve, por dhe atë “të kafshëve dhe shpendëve” të asaj zone, sepse punoi për të mbledhur pasurinë dialektologjike, por sidomos atë leksikore të zonës ku punoi dhe më gjerë. Madje ka botuar një fjalor me emërtime për kafshë e shpendë në Labëri me 6500 fjalë dhe 1500 njësi frazeologjike, për të cilin ka punuar plot 10 vjet, duke i mbledhur ato si lule manushaqe, drejtpërdrejtë nga terreni. Më vonë do të jetë Akademia e Shkencave të Austrisë, që, në një projekt kërkimi për terminologjinë e jetës baritore në Ballkan, e merr përsipër për ta botuar këtë vepër interesante.
Valteri, me modestinë e tepëruar që e karakterizon, vazhdon ta konsiderojë veten ende “nxënës” të fisit të madh të shkencëtarëve të gjuhës shqipe, ndonëse qysh nga shkurti i këtij viti mban titullin “Akademik”, njëlloj si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jani Thomai, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, etj. Madje të njëjtin vlerësim i bën vetes edhe në raport, për shembull, me prof. dr. Miço Samara, me prof. Hajri Shehu, etj. Nuk kam ndërmend, dhe as zotësinë e mjaftueshme, të bëjë hierarkinë e këtij korpusi shkencëtarësh të fjalës e të gjuhës shqipe, por me këto pak radhë do përpiqem të evidentoj sa të mundem për publikun e gjerë, dimensionet intelektuale dhe ato shkencore të Akademik Valter Memisha, i cili mban një profil të tërhequr mediatik, siç ndodh në përgjithësi, me njerëzit zelltarë e të përkushtuar.
Gjuha është një fushë e gjerë studimesh, që ashtu si çdo aspekt tjetër i jetës dhe veprimtarisë njerëzore, ka hapësira të pafundme për të kërkuar dhe eksploruar. Ndaj profilizimi në sektor të ngushtë kërkimesh është një kusht për të qenë eficient dhe i suksesshëm. Profilizimi arrihet me studime dhe specializime pasuniversitare. Dhe këtë rrugëtim Valteri e nisi qysh në vitin 1984, jo më shumë se 5 vite pasi kish mbaruar universitetin dhe punonte si mësues në shkollat e mesme të rrethit Tepelenë. Tre vite pas këtij specializimi në gjuhësinë shkencore kalon pedagog në Departamentin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Punësimi në këtë institucion të lartë arsimor, përbënte për të, një mundësi më shumë dhe një hap më afër punës shkencore. Ndërkohë kryen dhe dy specializime të shkurtra jashtë shtetit, fillimisht në Universitetin “Aristotelis” të Greqisë dhe më pas në Universitetin e Barit në Itali. Në qershor të vitit 2001, pasi përfundoi këtë specializimin e fundit, vetëm pas 5 muajsh, saktësisht në 16 dhjetor, emërohet punonjës shkencor në Departamentin e Leksikologjisë dhe Terminologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Akademinë e Shkencave. Pas 7 vitesh punë të suksesshme në këtë institucion të lartë shkencor, në mars të 2008-ës, kalon tek Qendra e Studimeve Albanologjike. Ka rreth 15 vjet, që punon e kërkon në këtë fushë. Aktualisht mban edhe detyrën e Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Puna dhe kërkimi shkencor në një anë, mësimdhënia akademike në krahun tjetër, janë dy fusha ku identifikohet profili i këtij gjuhëtari. Janë me fat ata studentë apo specializantë që marrin leksione dhe testojnë përfitimin e njohurive te profesor Valteri. Dhe këtë fat për 15 vjet, duke filluar nga 2001-shi, e kanë pasur pothuajse një numë jo i vogël i studentëve shqiptarë të degës së gjuhësisë, duke filluar nga ata të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë apo të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, të Universitetit të Gjirokastrës, ku Valteri e nisi këtë karrierë. Gjithashtu për shumë vjet jep mësim në Universitetin e Vlorës, të Elbasanit apo në Shkup. Ndërsa nga 2010-a e në vazhdim është pedagog e drejtues i Shkollës së Doktoraturës në Gjuhësi. Ai deri tani ka udhëhequr rreth 20 teza doktoraturash në fushën e Leksikologjisë, të Semantikës dhe të Leksikografisë dhe mbi 50 mastera shkencorë. Këto fusha, si dhe pjesëmarrja në grupet hartuese të fjalorëve shpjegues kombëtarë të shqipes dhe atyre specialë, përbëjnë njëkohësisht dhe profesionalizimin apo specializimin e ngushtë, ku është përqendruar dhe veprimtaria e tij shkencore.
Gjurmën e parë të veprimtarisë së mirëfilltë shkencore, Valteri e ka hedhur 40 e ca vite më parë, në mars të vitit 1982, teksa në sesionin shkencor me rastin e ngritjes së bërthamës gjuhësore në Tepelenë, referon temën: “Rreth shtresës së fjalëve që lidhen me emërtimet e njerëzve sipas tipareve fizike e morale”. Do referojë dhe 4-5 tema të tilla në Tepelenë e Gjirokastër, për të mbërritur tek ajo “më emocionuesja”, siç na tha këto ditë Akademik Valter Memisha. Ishte dhjetor i vitit 1994. Në Gjirokastër zhvillohej sesioni shkencor, kushtuar figurave të shquara të këtij qyteti. Në këtë sesion, Valteri mban kumtesën “Eqrem Çabej – personalitet i jashtëzakonshëm i albanologjisë”. Të njëjtën gjë bën në sesionet shkencore të radhës, mbajtur në qytetin e gurtë, për Ismail Kadarenë, Hasan Sazanin, Jorgo Bulon, Andon Zako Çajupin, etj. Por nëse i marrim me radhë këto kumtesa kombëtare të veprimtarisë shkencore, vëmë re se janë me dhjetëra të tilla, të shpërndara në të gjithë universitet e vendit tonë. Janë gjithashtu edhe me dhjetëra kumtesa ndërkombëtare brenda vendit, apo ato ndërkombëtare jashtë vendit, që u përkasin veprimtarive shkencore të kësaj natyre. E gjithë kjo veprimtari përfshin mbi gjithsej mbi 165 kumtime shkencore
Por aktivitete të tilla, sado të shumta në numër qofshin, përsëri nuk tregojnë shumë për punën e vërtetë shkencore të bërë nga “x” apo “y” studiues, aq më pak për Akademik Valterin. Ndryshe qëndron çështja me artikujt shkencorë, brenda dhe jashtë vendit. Nëpërmjet tyre ballafaqohesh me botën akademike, jo më me të folurit, por me të shkruarit. Jo se përgjegjësia e profesionistëve nuk është njëlloj para publikut dhe kolegëve në të dy rastet. Problemi lidhet me faktin, se s’kemi të bëjmë, thjeshtë, me një ndryshim në aspektin e formës apo formulimit, por në atë të përmbajtjes dhe thellimit. Edhe në këtë aspekt, Valteri, fjala vjen vetëm nga periudha kur u bë profesor doktor e deria sa u bë akademik ka botuar mbi 110 artikuj shkencorë brenda e jashtë vendit, trajtuar të gjithë me profesionalizëm e kompetencë shkencore.
Sidoqoftë, gjithçka përmendëm në këtë drejtim, si dhe organizmi e bashkorganizimi prej tij i 12 konferencave ndërkombëtare kombëtare, janë dëshmi aftësie dhe kompetence në këtë fushë të shkencës, por nuk tregojnë përfundimisht gjithë personalitetin shkencor të Akademik Valterit, apo të çdokujt tjetër që ka bërë vend në këto nivele të larta të shkencës gjuhësore.
Ndryshe qëndron puna me veprat shkencore të punuara e të publikuara. Ato janë shkencë safi, janë jo vetëm sasi faqesh e veprash, por dhe cilësi e tregues e formimit të tij shkencor. Vepra të tilla, po aq sa autorit i përkasin vendit dhe gjithë popullit, sepse, në një farë kuptimi, janë e klasifikohen si pasuri e madhe kombëtare. Janë frytet e një pune disavjeçare në terrenin e kombit shqiptar këtu e në Kosovë, ku Valteri ka marrë pjesë në dhjetëra ekspedita gjuhësore për të mbledhur pasuri leksikore, frazeologjike e semantike, etnolinguistike, dialektologjike, etj. Paralelisht në kohë, dhe me të njëjtin përkushtim, është marrë e vazhdon të merret edhe me vjeljen leksikore nga letërsia artistike, nga publicistika, veprat politiko-shoqërore dhe ato tekniko-shkencore, etj. Janë punë me themel të një njeriu që nuk humbet asnjë sekondë kohë të jetës së tij, duke u endur jashtë fushës së veprimtarisë shkencore. Por janë gjithashtu edhe punë, të cilat nuk përballohen vetëm, qofsh dhe gjeni, sidomos në disa vepra që janë shtylla të gjuhës, për rrjedhojë dhe të kombit. Fjalorët e gjuhës shqipe janë vepra të kësaj natyre. Po edhe këtu, Valteri mban peshë e poste të rëndësishme. Marrim një nga këto vepra, që është “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” me 120 mijë fjalë e njësi frazeologjike (me 8 mijë deri në 9 mijë faqe), hartimi i të cilit përfundon në vitin 2024. Në këtë projekt gjigant mbarëkombëtar, ai është bashkëdrejtues, zëvendëskryeredaktor, redaktor, hartues dhe sekretar shkencor. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Fjalorin e gjuhës shqipe të 2006-ës, me 48 mijë fjalë e 5 mijë njësi frazeologjike, ku përveçse hartues për 12 shkronja të alfabetit, ka qenë redaktor letrar i gjithë veprës, korrektor dhe formatues i saj. Po kështu dhe me “Fjalorin e vogël të gjuhës shqipe” 2020, (me 35 mijë fjalë e 3 njësi frazeologjike), ku së bashku me Akademik Jani Thomai (një nga akademikët më të shquar të ditëve të sotme) dhe pesë punonjës të tjerë shkencorë të nivelit “Profesor Doktor”, Valteri, përveçse hartues fjalësh e njësish frazeologjike për 9 shkronja të alfabetit, është përsëri dhe redaktor letrar, korrektor dhe formatues i veprës. Ndalemi tek një vepër tjetër, po me kaq rëndësi shkencore, siç është Fjalori i madh frazeologjik i shqipes me 35 mijë njësi, ku Akademik Valter Memisha është bashkautor me Akademik Jani Thomain dhe Prof. Dr. Ali Jasharin. Ashtu si Fjalori i madh i Gjuhës shqipe edhe kjo vepër janë drejt përfundimit dhe gjatë vitit 2024 do të jenë gati të përdoren.
Një grup tjetër veprash studimore të fushës së gjuhësisë janë dhe ato, që Valteri i cilëson si “Veprimtari botuese vetjake”. Këto fillojnë me monografinë prej gati 300 faqe të vitit 1999, të titulluar: “Dukuri semantike gjatë formimit të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe”. Në korpusin e veprave të botuar prej tij, që deri tani janë 13 të tilla (përveç punës së hartues në fjalorët kombëtarë të përmendur më lart) përfshihen dhe “Studime për fjalën shqipe” me 8 vëllime, “Leximi leksikografik i veprës ‘Shkolla e partisë’ e Daut Gumenit”, teksti universitar “Ushtrime për leksologji e semantikë leksikore”, vepra “Emërtimet e shkurtuara në gjuhën shqipe” me bashkautor, etj.
Ai gjithashtu, po punon personalisht në një sërë veprash të tilla, si fjala vjen, “Fjalor i veprës së Martin Camajt (i parashikuar me 4 vëllime), “Fjalor i leksikut dituror në veprën e Branko Merxhanit” (diku tek 650 faqe), “Fjalor i frazeologjisë së Gjergj Fishtës” (me gati 700 faqe), etj. Paralelisht me to po përgatit edhe “Fjalor i veprës së Ismail Kadaresë”, që është një vepër sa e rëndësishme, po aq dhe voluminoze.
Mund të vazhdonim të tregonim ende për punë e vepra të tjera shkencore të Akademik Valter Memishës, ndërkohë që ai është në kulmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij; plotë energji dhe me informacion të grumbulluar në mijëra skeda. Dhe siç na pohoi vetë, për ta kthyer në vepra shkencore, informacionin e deritanishëm, do t’i dukeshin, të paktën 10 vite kohë, i paangazhuar me punë e veprimtari të tjera. Duke përjashtuar kohën e punës zyrtare, çdo ditë kësaj veprimtarie i kushton edhe 8 orë të tjera. Sidoqoftë, kurrë nuk jeton me frikën se s’mund t’ja dalë. Sepse gjithçka e planifikon mbi tregues e fuqi reale, dhe punon me merakun për të lënë sa më pak hapësira për vepra të papërfunduara. Hedh themele të forta për çdo vepër gjuhësore që ngre. Mjetet e punës që përdor janë argumente kokëfortë, arsyetimi logjik dhe ekspertiza shteruese. Ka një këmbëngulje dhe durim sizifian në çdo punë të nisur. Dhe mbi të gjithë ka një moshë akademike të re. Ndaj, me siguri, që e ardhmja e Akademik Valter Memishës do të na rezervojë prurje të reja shkencore, të rëndësishme e të vlerësuara në këtë fushë.