Rrugët në veriun e Kosovës që çojnë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak, po zhbllokohen të hënën nga grupe serbësh, të cilët të dielën u hodhën në protesta kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. Kjo kërkesë u bë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës tha se shtyrja e zbatimit të vendimeve hynë në fuqi nga çasti “kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.
LEXONI EDHE KËTË
Qeveria e Kosovës pas kërkesës amerikane shtynë zbatimin e vendimit për reciprocitetin
Sipas vendimeve që qeveria është zotuar t’i shtyjë, të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, nga e hëna më 1 gusht duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.
Në vendkalimet tjera kufitare me Serbinë që nga mesnata ka filluar lëshimi i dokumenteve të përkohshme. Dokumente të tilla qytetarëve të Kosovës u lëshohen gjatë kalimit nëpër Serbi që nga viti 2011.
Policia tha se gjendja në veriun e Kosovës është e qetë, pas një nate të trazuar që ngriti shqetësimet për gjendjen e sigurisë në rajon.
Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja thanë të dielën se po ndjekin situatën nga afër dhe janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.
KFOR-i tha se do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë”. Rreth 3,800 pjesëtarë të KFOR-it kujdesen për sigurinë në Kosovë edhe 23 vjet pas përfundimit të luftës.