Gazeta Nacional Albania

 “FJALA VRASTARE”. Tregim nga Kozma Gjini-

 

 

Drini nuk vuri gjumë në sy atë natë.Vërtitej në krevat sa majtas-djathtas dhe ndiente tëmbthat t’i rrihnin si me çekiç. Mendja i rrinte te ngjarja e një dite më parë.Dielli zbriti ngadalë pullazeve të shtëpisë.Rrezet e ngrohta po ia ledhatonin faqet që përtej xhamit, por ai nuk po lëvizte që nga krevati.Dëgjonte derën që hapej e mbyllej, këngën e zgjimit të këndezit, trokthet e kuajve në rrugë, të lehurat e bubit të vogël dhe më në fund, ndjeu dorën e butë të gjyshe Norës që i fërkonte ballin.

-Ngreu, të keqen gjyshja, se u bë vonë për në shkollë!

Drini, vetiu, hapi gojën nga pagjumësia, u kthye në anën tjetër, shtriu këmbët sa i dolën përtej jorganit, rregulloi çarçafin që i ishte mbledhur shuk te brinjët dhe sytë i vajtën te fotografia në mur, ku kishte dalë me shokët e klasës dhe iu mbërthyen te fytyra e Shkëlzenit.

“Pse më the ashtu…dje?” dukej sikur i kërkonte llogari Shkëlzenit. -Nuk paske qënë shok i mirë. Pse të ma thoshje para klasës atë fjalë!? Ku e di ti, se unë nuk  e kam mama prej vërt…”dhe biseda iu pre në mes”.

-O Driniiii!-dëgjoi zërin e Shkëlzenit që po i thërriste. Një çast, e thirrura iu duk se i shpoi timpanin  e veshit. Gjyshja erdhi prap te krevati dhe i foli me përkëdheli:

-Ja, po thërrasin shokët! Hopa, ngreu qengji i gjyshes! Dhe ajo, me dorën e saj të butë i fërkonte shpatullat Drinit.

-U thuaj që jam sëmurë. Nuk vete në shkollë sot,-i tha prerë Drini dhe u kthye në anën tjetër. Më kot u mundua gjyshja me të puthura e të lutura, por ai ishte i vendosur në mendimin e tij.Gjyshes s’i mbetej veçse t’u thoshte shokëve, se Drinit i dhimbte koka… Shokët vazhduan rrugën për në shkollë. Gjyshes i erdhi shumë zor që i gënjeu, po s’kishte rrugëzgjidhje tjetër.

Adelina, mamaja e Drinit, kur u kthye nga puna, u shqetësua shumë.

-Mirëdita, Drini!- e përshëndeti ajo dhe diç ndjeu në zemër që Drini nuk e ngriti kokën, por i ktheu një përgjigje paksa të ftohtë, pa e vështruar në sy, pa buzëqeshjen e përditshme, pa e përqafuar si zakonisht. Teta Adelinës diçka iu drodh në zemër. Diç ndjeu thellë një tronditje të brendshme, por e mblodhi veten. U hoq sikur nuk dinte gjë për mosvajtjen e tij në shkollë dhe e pyeti:

-Çfarë note more sot në shkollë?

Drini ngriti pak kokën dhe pyetjes iu përgjigj me pyetje:

– Nuk të tha gjë gjyshja?

– Më tha se je me temperaturë. Dhe ajo i vuri dorën në ballë.

-Mami, u…u..në,…nisi të zbërthehej ai, por e la në mes fjalën. Adelina e kuptoi se djalin një brengë e mundonte përbrenda.la mori duart me të sajat, ia puthi si përherë, ia mori kokën e ia mbështeti në gjoksin e saj dhe nisi t’i fërkonte krahët.Drini ndiente tik-takun e zemrës së mamit dhe nuk priti:

-Mami, ç’ do të thotë fjala “adoptoj”?

Adelinës i kaluan mornica në trup.Sado që e bëri zemrën gurë, gjaku i zbriti në faqe e diçka, si një lëmsh iu mblodh në gjoks. E habiti kjo pyetje që i bëhej, kur

Drini tashmë ishte në klasën e shtatë. Aq mirë e mbante ajo Drinin! Aq ngrohtë e trajtote ajo Drinin! “Oh”! ofshshau ajo. Diçka i theri në zemër dhe i vajti mendja në të kaluarën. Sa gëzohej ajo që djali, nga një kërthi i vockël, po rritej e po bëhej goxha djalë, me shtat të hedhur që ua kalonte moshatarëve të tij. U gëzohej syve të tij, që nuk rrinte dot pa ia puthur, sa herë që e vinte në gjumë e i dukej sikur i lëshonin xixa, kur e vështronte me aq ëmbëlsi. U gëzohej flokëve të tij kaçurrela, buzëve me formë, ballit të bukur, hundës së drejtë. Por, mbi të gjitha, ajo kënaqej e lumturohej, se Drini ishte një djalë i mbarë, i qetë, i urtë, i dëgjueshëm e aspak kureshtar. Edhe atëhere, kur e pa në “Shtëpinë e fëmijës”, tek rrinte mbi shtrat si një tollumbac i vogël, ajo i lutej zotit, që t’i qëllonte fëmijë i mbarë. (Fati e solli që ajo vetë, të mos lindte fëmijë). Tani, Drini ishte rritur dhe ishte i saji ligjërisht. Adelina gëzohej shumë, kur dëgjonte fjalë të mira nga të tjerët për sjelljen e Drinit. Ajo ia kishte prishur qoftë dhe një herë qejfin djalit, por e mbante, si i thonë fjalës, “në pëllëmbë të dorës”. Kurse tani, Drini po e trondiste vetëm me një fjalë: “adoptoj”.

Sapo dëgjoi këtë fjalë, ajo u çua vetëtimthi në këmbë dhe, për t’i shpëtuar vështrimit të syve të tij, mori nxitimthi gotën në bufe dhe po e mbushte me ujë. Donte të ndërronte bisedë, por, me vështrimin përtej dritares, te godina e repartit ushtarak, të cilin ustallarët po e përshtatnin për ta kthyer në shkollë, iu duk sikur gjeti një fije shpëtimi:

-Përshtat,-tha ajo me gjysmë zëri.

Ajo ishte shumë e emocionuar dhe  po i mbahej goja,  kur fliste.Drini e kapi shqiptimin e fjalës.Vetëm nga një shkronjë ndryshonin njëra nga tjetra, por kishin kuptime të ndryshme.

-Nuk thashë “adaptoj”, por “adoptoj”, foli ai duke e ndarë fjalën në rrokje.Dhe ia nguli sytë mamit, sikur do të zbulonte diçka të panjohur në fytyrën e saj.

Teta Adelina mbeti e shtangur në vend, me sytë mbërthyer te Drini. I ngeci fjala në grykë. E dinte fare mirë se “adoptoj” në gjuhën shqipe do të thoshte “birësoj” (adoptoj=birësoj), por nuk ia zinte goja ta shprehte. Pas pak, Drini i bëri befasinë tjetër:

-Më thuaj pak, cilën kam mama prej vërteti unë?

Adelina vdekjen e priste, por që t’i bënte një pyetje të tillë, kurrë jo.U zbeh krejt në fytyrë. Kjo pyetje i ra si bombë dhe nuk dinte se si ta mbulonte gjendjen tronditëse shpirtërore.E shtrëngoi Drinin në gjoksin e saj,  e puthi me buzët që i dridheshin: te sytë, te balli, te flokët, te faqet… Ndërsa lotët i rrokulliseshin faqeve, ajo heshtte dhe veç qante me ngashërim e shpirt të copëtuar. Por, pas pak, u kujtua se duhej ta përmbante veten:

-Ç’është kjo pyetje, xhani i mamit?

Drini ndjeu se loti i ngrohtë i saj, ra në faqen e tij dhe nisi të rrëfehej:

“Po, ja…-filloi ai.- Ne ishim në orën e mësimit të gjuhës shqipe.Mësuesja e re, na dha si detyrë klase që të punonim ushtrimin numër 3, faqja 19, te “Fjalët e huazuara”.Kërkesa ishte që pranë fjalëve të huaja, të vinim fjalën shqipe.Aty ishte edhe fjala “adoptoj”. Ne nuk dinim ta shpjegonim këtë fjalë dhe pyetëm mësuesen. “Adoptoj, baraz, birësoj” , tha mësuesja.

-Si Drini, mësuese,-foli pa leje Shkëlzeni.-Ai nuk e ka mama prej vërteti teta Adelinën!”

Kaq tha Drini dhe uli sytë në dysheme, gjoja të mbërthente kopsën e këmishës. Adelinës iu duk sikur e zuri shtëpia poshtë nga një tërmet i fuqishëm. Iu duk vetja e braktisur, e lënë pas dore.Tani e mori vesh se ku “flinte” lepuri. Zemra po i dridhej dhe mendja e çoi disa vite më parë…

“Ishte koha e luftës së Kosovës për liri.Drini, atëhere ishte fare i vogël. Të dy prindërit e tij i mori lufta, ia vrau shkjau. Drini mbeti jetim, prandaj e çuan në “Shtëpinë e fëmijës”. Adelina, në bazë të të gjitha rregullave e ligjeve, e birësoi Drinin dhe e rriti me dashuri dhe ngrohtësi si një nënë e vërtetë. Ajo kishte menduar që historinë e birësimit t’ia tregonte Drinit, pasi ai të mbaronte tetëvjeçaren, se atëhere ai do të ishte pak më i madh, më i pjekur dhe do ta kuptonte më lehtë ngjarjen. Por, ah! I plasi qelqi në dorë e u zu ngushtë, e papërgatitur”.

Këtë copëz historie të dhimbshme nga jeta e tij, ai nuk e dinte. Tregimi i saj e preku djalin.Teta Adelina nxirrte një fjalë nga goja dhe ngashërente.Përtypte lotët dhe e shtrëngonte djalin në gji, me frikë se mos ia rrëmbente ndokush.Drinit i erdhi shumë keq.

Nuk e kishte parë asnjëherë duke qarë nënën dhe nxori shaminë t’i fshinte lotët. Mori frymë thellë dhe tha:

-Mjaft, mami, mjaft! Unë e kuptova gjithçka që më tregove.Ti më ke ushqyer e më ke rritur.

Ti më ke qëndruar tek koka, kur kam qënë sëmurë dhe kurrë nuk ma ke prishur dëshirën.Unë ty të njoh për mama.Ti je mami më e mirë në botë.Ai, tani, ia hodhi duart në qafë, e puthi fort dhe asaj i erdhi mirë që Drini e kishte mirëkuptuar….-Por,…u…unë…do…doja …!Dhe atij fjalët i dilnin të shkëputura…-Doja që të çoja një tufë me lule të freskëta te varri i mamit dhe i babit tim. Kurse lotët iu derdhën në faqe.Qante e vetëm qante me ngashërim.Adelina i premtoi se do ta çonte, sapo të mbaronte mësimet dhe vërtet e mbajti fjalën.Drini ishte prekur thellë në shpirt.Ai mbështeti duart në faqe e po mendohej:  “Adoptoj, baraz, birësoj, tha me vete ai.U desh kjo fjalë, si shkak, që unë të merrja vesh të kaluarën e jetës sime”.  Mësueses së re nuk i vë faj, se ajo fundja shpjegoi diçka nga mësimi, pa ditur se si kishte rrjedhur jeta ime.Kurse, Shkëlzeni, s’kishte pse të ma thoshte atë fjalë…përpara klasës.Gjuha, nuk ka kocka, por thyen kocka, thotë gjyshja ime…”

Nga ky zemërim, Drini mbeti tri ditë pa vajtur në shkollë.Mësuesja, sapo e mori vesh të vërtetën e mungesës së tij, i shkoi për vizitë në shtëpi bashkë me disa nxënës. “Ah! takti im! Takti im!”qortonte veten ajo.

-Të kërkoj ndjesë që të shkaktova këtë dhimbje,- i tha ajo Drinit.Më besoni, e mallkova disa herë veten për këtë gjë.Duhej ta njihja gjendjen e nxënësve të klasës që ditën e parë dhe jo sot që ndodhi ky shqetësim.

-Faji është imi, mësuese,-u hodh Shkëlzeni.Unë nuk duhej të flisja pa lejen tuaj. U nxitova, prandaj fola pa u menduar.

– Eh!-ofshau gjithë ngashërim mësuesja dhe i kaloi gishtat ndër flokët e Drinit. -Ti, Drini, e ke mamanë.Teta Adelina është më shumë se mamaja jote.Siç më kanë thënë, ajo të ka mbajtur në pëllëmbë të dorës. Ti mund të vendosësh edhe një tufë me lule te varri i prindërve të tu, kurse unë, jo.Edhe prindërit e mi i mori lufta, por unë nuk e di se në ç’gropë masive i varrosi shkjau.Qoftë e mallkuar lufta!

Mesuesja fliste e shtrëngonte dorën e Drinit mes të sajave.Të gjithë sa ishin aty mbetën pa frymë.Jo vetëm Drini, por të gjithë shokët e klasës, tani po e merrnin vesh se edhe mësuesja e tyre e re, ishte jetime.Mësuesja nxori shaminë nga çanta dhe fshiu lotët.U bë një heshtje e gjatë…Si të ishte një heshtje për të rënët për liri të UÇK-së.

Shkëlzeni, i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tij (ai e kuptoi se kishte folur pa u menduar atë ditë në orën e mësimit), natyrshëm, zgjati krahun drejt supit të Drinit.

-Do të më falësh, Drini?

Për Shkëlzenin, ky ishte një pendesë e thellë.Por edhe një mësim, që, para se ta nxirrte fjalën nga goja, ta mendonte mirë, se edhe fjala “vret”. Drini e ndjeu veten ngrohtë mes shokëve të sinqertë. Shokët dhe mësuesja e përqafuan.Djemtë dolën në dhomën tjetër që t’i tregonin detyrat Drinit,kurse mësuesja vijonte bisedën me teta Adelinën.E nesërmja do të ishte një ditë e re, një ditë e bukur.Ditë të tjera më të mira do të vinin.Drini mori frymë thellë…thellë… Sikur ishte çliruar nga një brengosje e madhe që e kishte stërmunduar…

Tani, vërtet, ishte shumë herë më i qetë…

-0-0-0-