Gazeta Nacional Albania

Fjalimi i poetit të famshëm, po aq aktual edhe pas 28 vjetësh. Dritëro Agolli: Partia e Punës nuk rinovohet kurrë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, i mbledhur në atmosferën e pluralizmit politik partiak, është quajtur kongresi i rinovimit. Me këtë ai merr përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë. Është një gjë optimiste se në gjirin e Partisë së Punës ka një potencial të madh forcash, duke përfshirë dhe potencialin e shëndetshëm intelektual. Por rinovimi serioz bëhet atëherë kur njihen rrënjësisht gabimet dhe kur lind një botëkuptim dhe mentalitet i ri, krejtësisht i ndryshëm nga ai i deritanishmi, kur flaken të gjitha dogmat dhe parimet e ngrira të së kaluarës dhe mbyllet fleta e tërë kapitullit.

Unë do të përpiqem të ndalem edhe në këto gabime, pa mbyllur ende kapitullin, nga dëshira e mirë e rinovimit.

Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas, përveç atij që vazhdon të ecë me rrugën e djeshme dhe nuk ka dëshirë të rinovohet, por preferon të qëndrojë shtrirë në shtrat si fanatik, duke mos ia zbuluar mjekut pjesët e sëmura më delikate të trupit të tij.

Çdo intelektual duhet të ketë një tribunë, ku t’i thotë lirshëm, me sinqeritet dhe pa drojtje mendimet e tij, në mënyrë që t’i sjellë shërbim idealit të vet dhe shoqërisë ku jeton.

Shumë herë mendojmë se cilat janë ato gabime që e sollën në rënie Partinë e Punës, që e varfëruan atë bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët, që e zhvlerësuan këtë kala të pamposhtur, siç shpreheshim dikur plot patetizëm, që ia nxorën rrënjët mbi tokë këtij lisi dhe e bënë të lëkundet dhe mezi të qëndrojë në këmbë; cilat janë ato gabime që e sëmurën këtë trup që dukej aq i shëndetshëm, që e bënë të zerë shtratin dhe me zor të marrë frymë dhe ne të përpiqemi ta shërojmë, duke kërkuar ilaçe kokulur..

Me sa duket gabimet janë aq të rënda, sa disa mendojnë se ky trup nuk mund të shërohet, kurse disa të tjerë nuk i kanë humbur shpresat dhe kërkojnë ilaçe për ta shpëtuar.

Pra, cilat janë ato gabime që e sëmurën?

I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë të partisë, në byronë politike dhe në komitetin qendror; është diktatura që vendosi Enver Hoxha për ta nënshtruar këtë repart pararojë të klasës punëtore, për të mos lejuar asnjë mendim të lirë të kundërt me atë që kishte ai vetë. Në kushtet e kësaj diktature në byronë politike dhe në komitetin qendror u zhduk demokracia dhe u shua çdo shkëndijë e saj. Ai që guxonte të shprehte një mendim të kundërt jo vetëm nxirrej jashtë byrosë, komitetit qendror dhe partisë, por edhe vritej apo burgosej si tradhëtar, agjent i imperializmit e revizionizmit, kapitullues apo devijator. Po të guxonte, fjala vjen, të thoshte në KQ të partisë në vitet ’60: pse të izolohemi nga bota; ikëm nga kampi socialist, të lidhemi me Europën, ky heretik lidhej me zinxhir. Po të guxonte, fjala vjen, në fillim të viteve ’80, e të thoshte: ç’është kjo marrëzi e tufëzimit, pse ia marrim fshatarit të shkretë lopën, delen, derrin, gjelin e detit dhe ia lemë gomarin, ky rebel ose dënohej me vdekje ose zinte qelinë e errët e plot lagështirë. Në këtë diktaturë brenda udhëheqjes së lartë, në byronë politike dhe në KQ të partisë, bëhej sikur diskutohej dhe merreshin me vendime të marrëzishme si ato për shkatërrimin e institucioneve fetare, për tufëzimin, për bashkimin e kooperativave bujqësore, për ndalimin e letërsisë së huaj, për hapjen e puseve dhe nxjerrjen e naftës dhe burgosjen e deri vrasjen e inxhinierëve dhe pedagogëve të saj e kështu me radhë. Me këtë diktaturë në kohën e partisë u zhdukën valë-valë që nga kongresi i parë dhe deri pranë kongresit të nëntë të partisë, gati të gjithë anëtarët e byrosë politike dhe të komitetit qendror. Ata që mbetën dhe ata të rinj që u vunë në të, u servilosën, u majmën, u bënë hamës të mëdhenj dhe lakmues vilash dhe qyrku. Diktatura në udhëheqjen e lartë të partisë solli lulëzimin e servilizmit dhe nënshtrimit, karrierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret e privilegjet. Bashkë me këtë lulëzim kjo diktaturë vendosi luftën e klasave brenda partisë, luftë që mbolli farën e frikës dhe të terrorit në gjithë komunistët dhe në gjithë shqiptarët. Lufta e klasave si instrument i diktaturës së udhëheqjes së lartë krijoi tri kulte të padëgjuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë: kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe kultin e sigurimit. Çdo gjë e zgjidhnin

këta tri kulte dhe nuk kishte nevojë të vrisje mendjen. Këta tri kulte krijuan modele kultesh: kulti i sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit, kulti i sekretarit të organizatës -bazë, kulti i operativit të sigurimit e kështu me radhë. Nga frika e këtyre tri kulteve filloi të prishej e të gërryhej morali i njerëzve dhe humanizmi i shoqërisë:mbinë në arat e diktaturës antihumanizmi, hipokrizia, servilizmi, gënjeshtra, korrupsioni, abuzimi, rryshfeti, hatëri, vjedhja, thashethemnaja dhe mbi të gjitha u shkatërrua personaliteti i njeriut dhe ndodhi varfërimi i tij shpirtëror. Njeriu u bë kolektiv, me personalitet turme, pa individualitet dhe pa identitet. U shemb tradita e burrërisë shqiptare dhe e fisnikërisë kombëtare, e bujarisë dhe e besnikërisë, e mikpritjes dhe e shpirtgjerësisë, e urtësisë dhe e punëdashjes. Lindi mosbesimi, dinakëria, dembelizmi.

Kuadrit drejtues dhe nëpunësit filloi t’i hipë zilia dhe lakmia, duke parë privilegjet e zyrtarëve të lartë të partisë, privilegjet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, që jetonin në klane të veçuara, në një botë sekrete dhe misterioze, që hanin e visheshin ndryshe të tjerëve, që hipnin e zbrisnin nëpër avione të nisur e të kthyer nga Europa, kur populli i tërë jetonte në izolim të plotë nga bota e qytetëruar. Këta zyrtarë të lartë partiakë, anëtarë të byrosë politike, që u ndriste cipa e lëkurës nga ushqimet e zgjedhura dhe të kontrolluara nga specialistët e sigurimit, që kishin edhe një fermë speciale në Kamëz të mbjellë me bar të veçantë për t’i ardhur erë e mirë mishit dhe qumështit që përtypnin e gëlltitnin; këta zyrtarë të lartë partiakë, kurnacë deri në kulm dhe grykës deri në fund, të trashë dhe trumpirë, indiferentë ndaj varfërisë mbarëkombëtare, e prishnin lekun e djersës së njerëzve atje në vilat sekrete e misterioze pa iu dredhur dora, ndërkohë që populli i gjorë kujtonte se ata mendonin e punonin për të dhe të mirën e Shqipërisë. Në kohën kur Shqipërisë nuk i mjafton streha për të futur kokën, nuk i mjafton banesa më modeste, këta zyrtarë të lartë partiakë shtonin plot pangopësi dhomat, banjot dhe nevojtoret e vilave të tyre, me qira simbolike, si sheikët e Kuvajtit: dikush me 12 dhoma e 4 banjo, dikush me 16 dhoma e 6 banjo, dhe si bënin këto shtesa rrihnin gjoksin: “për lumturinë e kllasës punëtore”. Me këtë rrahje gjoksi rreth 20 familjet e bllokut të famshëm vetëm gjatë vitit 1989-90 kanë shpenzuar 20 milionë lekë të vjetra për meremetimet e vilave dhe për mbajtjen e personelit shërbyes, dmth, një milion për familje! Po ta marrim rrogën mesatare mujore të punëtorit 4000 lekë të vjetra, i bie që për këto familje të një patriotizmi të veçantë,të punonin 400 punëtorë, një uzinë më vete! Ja, kjo është pjella e vijës së diktaturës në udhëheqjen e lartë të partisë, vijë që krijon një tip udhëheqësi, një tip që rri urtë dhe nuk shpreh mendime kundërshtare në byronë politike, pasi i pari i kësaj byroje, Enver Hoxha, e merrte për zverku nga vila me 16 dhoma dhe 6 banja dhe i jepte dy metra gjatësi trualli pa çati, ose truall me çati biruce apo qelie!…

I dyti gabim është vija e shtrembër politike në ekonomi.

Pasqyrë e kësaj vije është gjendja katastrofike e ekonomisë së vendit, është varfërimi deri në palcë i Shqipërisë, djemtë e vajzat e së cilës kanë marrë dhe po marrin arratinë nëpër botë për t’i shpëtuar mjerimit, që nuk e kishin ëndërruar kurrë. Vendosja me diktaturë e centralizmit të ekonomisë në qytet e në fshat, imitimi i vendeve të mëdha për të pasur në radhë të parë një industri të rëndë, që të na siguronte ndërtimin e socializmit me forcat e veta, mitizimi i pronës shtetërore e kolektive, ngjallja e urrejtjes ndaj pronës private, moskomunikimi ekonomik me botën nën dritën e marksizëm-leninizmit fitimtar, bënë që Shqipëria, vendi më i pasur në Ballkan, të çapitet me opinga të grisura dhe me torbë të shpuar në kurrizin me kocka të dala. Ndërtuam kovaçana gjigande si kombinati metalurgjik në Elbasan; groposëm paren në puset shterpë të naftës; bëmë kooperativa bujqësore, kombinate, si qeveri të vogla; kryem tufëzimin famëkeq të bagëtisë; ia premë krahun çdo iniciative private; krijuam dogma në teorinë e ekonomisë politike dhe në bazë të këtyre dogmave nisëm me zell të eksperimentojmë, duke mos marrë parasysh se shoqëria nuk është lepur që ta vësh në laborator dhe të provosh se ç’efekt bën ky apo ai ilaç. A nuk ishte eksperimet tufëzimi i bagëtisë, që për një dekadë të tërë shkatërroi si me plan të caktuar blegtorinë kombëtare?!

Ekonomia jonë, industria dhe bujqësia, duke ecur sipas dogmave marksiste, një herë me lëndë të parë, një herë pa lëndë të parë, një herë me një instrument e një herë pa të, e tëra kolektive, e të gjithëve dhe e askujt, i çmësoi njerëzit të punojnë dhe ia hoqi dëshirën për punë. Perënduan mjeshtrat e mëdhenj të punës, artizanët e famshëm të Shkodrës e të Korçës, të Tiranës e të Elbasanit, të Vlorës e të Gjirokastrës. Punëtorët e fshatarët u bënë të varfër të barabartë, u krijua barazia në varfëri. Interesi për punën në fabrikat e arat tona humbi, pasi humbi interesi dhe fitimi personal, humbi leku. I pari i burgosur politik në Shqipërinë socialiste ishte i mjeri lek dhe të parin që duhet ta lironim nga burgu ishte ai, leku! I liruar nga burgu duhet t’i shkonte njeriut të zot, njeriut që derdh djersën e ndershme, njeriut të lirisë së pronës. Prona e lirë dhe ekonomia e tregut i jep pashaportë lekut për të dalë në Europë dhe në botë. I pari që u izolua jo vetëm nga bota, por edhe nga prodhuesit dhe gatuesit e tij ishte leku. Ai u urrye nga propaganda marksiste, ai u quajt i poshtër dhe i fëlliqur dhe u zëvendësua me fletëlavdërimin, të ashtuquajtur “stimul moral”. Punëtori me aftësi të rralla, ai që tejkalonte çdo normë, në vend të lekut merrte medaljen, pasi leku ishte dënuar nga që kishte biografi të dyshimtë dhe të keqe. Bashkë me lekun, u dënua edhe e bukura, pasi quhej si ndikim i huaj. Me dënimin e të bukurës në industri, në kulturë e në letërsi, lindi kulti i të shëmtuarës: rroba të shëmtuara, etiketa të shëmtuara, prodhime të shëmtuara, ndërtime të shëmtuara, piktura me figura të shëmtuara, drama me heronj të shëmtuar. U urrye kozmetika për gratë e shkreta. Iu thur lavdi erës së djersës dhe u shtua inati për erën e livandos si borgjeze. U varfërua xhepi dhe shpirti i prodhuesit dhe i krijuesit në industri, bujqësi e kulturë. Varfëri të ekonomisë dhe varfëri të shpirtit: – ja se ç’solli vija politike e gabuar në ekonomi, vijë e përpunuar nga Enver Hoxha dhe nga Partia e Punës. Kjo vijë së bashku me vijën e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë, në byronë politike dhe në komitetin qendror, janë dy nga gabimet më të rënda në historinë e Partisë së Punës dhe në historinë e mësimeve të Enver Hoxhës dhe po nuk u ndërgjegjësuam për këto, po nuk u bindëm se janë gabime, reparti pararojë i klasës punëtore nuk ka për t’u rinovuar kurrë, ndryshe ai duhet shpërndarë si i tillë përpara se ta shpërndajë koha.

I treti gabim është vija politike e pamëshirshme në të drejtat e liritë e njeriut dhe në lirinë e ndërgjegjes.

Në këtë fushë ka mbizotëruar lirshëm parimi themelor i luftës së klasave, nxitja e kësaj lufte nga makineria gjigande e propagandës së partisë, e fushatave politike dhe ideologjike, nxitja e kësaj lufte nga provokimet e agjentëve të sigurimit, të aktivistëve dhe agjitatorëve vullnetarë, të këshilltarëve dhe veprimtarëve të frontit demokratik. Motoja e këtij parimi ishte parulla e paturpshme: Të zhvillojmë pa ndërprerje luftën e kllasave, që nuk harrohej të vihej e pandryshueshme në çdo raport kongresi çdo pesë vjet dhe të përsëritej në çdo zbërthim që i bëhej materialeve të këtyre kongreseve në bazë. Si në përralla të llahtarshme shefat e kuadrit, sekretarët e partisë, kryetarët e këshillave popullore dhe të frontit demokratik gërmonin me syze e pa syze biografitë e njerëzve për t’i privuar nga të drejtat e studimit në shkollat e larta dhe të mesme profesionale nëse gjenin ndonjë gjysh a stërgjysh ballist, të dënuar apo të përjashtuar nga partia, të arratisur jashtë shtetit etj. Këta fatkeqë nuk mund të ngriheshin në përgjegjësi kurrë, nuk mund të futeshin në parti, nuk mund të punonin në dikastere, nuk mund të dilnin jashtë shtetit. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopësht që duartrokiste “Parti-Enver”, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave në fakt ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar. Shpërthimi i kësaj lufte, veçanërisht në kriza politike, si më 1948, kur u prishëm me Jugosllavinë, më 1956 pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të BRSS, më 1960 kur po largoheshim nga kampi socialist, më 1966, kur nisi revolucioni kulturor kinez, më 1973, pas plenumit të katërt dhe më 1981, pas dënimit të Mehmet Shehut, merrte me vete mijëra njerëz me përjashtim nga partia, me internim, me burgosje, me pushkatim. Kjo luftë klasash instrumentalizonte kryesitë e lagjeve për të dënuar dhe internuar familje të tëra. Mblidhej dhe bëhej sa grushti burri dy metra nëpër mbledhjet demaskuese, e hidhte lotin sa një lajthi gruaja dhe nëna.

Në atmosferën e luftës së klasave, ku temperatura arrinte gradën më të lartë, njerëzit filluan t’i trembeshin njeri-tjetrit. Prapa çdo njeriu shihnin një spiun. Frika e spiunimit hyri në çdo shpirt, në çdo tryezë, në çdo radhë ushqimesh, në çdo familje. Madje kjo frikë u fut dhe në shtratin e burrit dhe të gruas. Të dy burrë e grua flisnin vesh më vesh, që të mos i dëgjonin fëmijët dhe të mos i përhapnin fjalët e tyre nëpër mëhallë. Kjo ishte frika e luftës së klasave. Njeriu ndaj çdo gjëje mund të mbrohej: ndaj tërmeteve, ndaj përmbytjeve, ndaj sëmundjeve e ndaj luftërave botërore, vetëm ndaj luftës së klasave ishte i pafuqishëm dhe i pambrojtur. Këtij njeriu mjaftonte që t’i shpëtonte një fjalë në radhën e gjatë të ushqimit, si “edhe presh nuk ka në dyqane”, dhe ai fillonte të ndiqej ose të burgosej sipas nenit të agjitacionit dhe propagandës, nen nga më cinikët dhe më sadistët, që ka shkaktuar tragjedi të panumërta dhe ka ndrydhur të drejtat dhe liritë e njeriut. Fatkeqi i dënuar nga ky nen nuk humbte vetëm të drejtat dhe liritë, por shpesh humbte edhe familjen, edhe gruan, edhe fëmijën, edhe shokët e miqtë. Gruaja detyrohej të ndahej prej tij me gjyq, pasi me këtë shpresonte të mos internohej dhe ëndërronte që fëmijët e saj të shkonin në shkollë.

Çdo gjë vështrohej me syrin e luftës së klasave: historia, arsimi, kultura, letërsia, madje edhe vdekja dhe varrezat. Kur vdiste i ati i një të burgosuri njerëzit kishin frikë të shkonin për ngushëllim, pasi paditeshin për zbutje të luftës së klasave. Dhe ndërkohë propaganda partiake bërtiste për humanizmin socialist. Në çmendurinë e luftës së klasave humbën fjalët “mëshirë”, “pajtim”, “paqe” e “zot”. Por kulmin çmenduria e luftës së klasave e arriti kur filloi prishja e institucioneve fetare. Turma të mëdha njerëzish, të organizuara nga “rrypat transmetuese të partisë”, nga organizata e rinisë e nga revolucionarë të organizatave të tjera, shkatërronin dhe digjnin kisha, xhami, teqe, tyrbe e vende të tjera të shenjta. Asnjë kult të mos mbetej, të mbetej vetëm kulti i partisë dhe i Enver Hoxhës.

Por çdo popull ka nevojë t’i besojë një shenjti dhe kështu u krijua shenjti Enver Hoxha. Ai hyri në çdo shtëpi me fotografi, me buste, me kalendare, që viheshin në vendet më të dukshme, duke përzënë fotografitë e prindërve dhe të fëmijëve. Bile, në çdo festë kombëtare a intime, siç janë dasmat, shëndeti i parë ngrihej për Partinë dhe Enver Hoxhën. Por shenjti Enver kishte anë pozitive dhe anë negative, ishte i lidhur me kuadro të aftë e të paaftë, që zbatonin vendimet e tij të marra në byronë politike; shenjti Enver ishte i lidhur me ngjarje reale, me probleme të përditshme, me jetesën e njerëzve, kështu që figura e tij në vend që të rritej dhe të shenjtërohej, shpesh herë ngjallte dyshime, sidomos në inteligjencien e lartë, që lexonte në gjuhë të huaj apo i binte rasti të dilte jashtë shtetit ndër konferenca apo simpoziume ndërkombëtare dhe ballafaqohej me rritjen e mirëqënies së atjeshme. Ndërsa populli i thjeshtë besonte në shenjtërinë e Enver Hoxhës dhe gabimet që bëheshin i ngjiteshin kuadrove të paaftë apo armiqve që zbuloheshin herë pas here në radhët e larta partiake. “Enveri nuk i di këto gjëra” – thoshin njerëzit e thjeshtë dhe prandaj u thurën një mal me këngë, që këndoheshin në festivale, në festa të ndryshme e deri në dasma.

Enver Hoxha nuk arriti të bëhej shenjt, se pas vitit 1985, udhëheqja e lartë partiake dhe shtetërore, duke mos pasur autoritetin e tij, i thelloi gabimet e vijës ekonomike dhe politike. Populli filloi të dyshojë, filloi të lëkundet në besimin ndaj tij. Në fillim dyshimet prekën pjesën më vitale të popullsisë – studentët e më vonë u përhap valë-valë në masën e gjerë të popullit. Kështu shenjti filloi të largohej nga kryet e vendit nëpër familje me fotografitë e bustet deri sa ky largim kaloi në rrugë me monumentet, me kërkesat për heqjen e emrit të tij, me kërkesat për ta lënë fakultative në shkollë mësimin e lëndëve marksiste-leniniste dhe të veprave të tij, e me radhë.

Gabimi i Partisë së Punës, e cila kishte në dispozicion të saj si shtet monist, institute e shtypshkronja, ishte se nuk diti t’i studiojë dhe t’i shohë me gjakftohtësi të metat e Enver Hoxhës, në mënyrë që ai të ruhej nga dhunimi që iu bë, por vazhdoi vijën e gabimeve të tij duke harxhuar paren e popullit, duke e varfëruar edhe më shumë atë me ndërtime muzerash, monumentesh, me botimin e shtrenjtë të serisë së pafund të veprave të tij e me radhë.

Kështu njeriu u muar nëpër këmbë. U fikën liritë dhe të drejtat e tij, pasi Enver Hoxhës i duhej një masë amorfe, një masë pa personalitete dhe individë. Veçanërisht u shkatërruan individualitetet e fshatit shqiptar, baza e patriotizmës shekullore. Në bazë të politikës arsimore të orientuar nga udhëheqja e Partisë u bë që fshatarët, në përgjithësi, të ndiqnin vetëm shkollat bujqësore, duke i privuar ata nga gjimnazet dhe universiteti dhe duke iu thënë: ju duhet të bëhi vetëm agronomë dhe zooveterinerë! Me përjashtime të rralla një djalë apo një vajzë e re mund të ndiqte studimet për mjekësi, për gjuhë e letërsi, për inxhinieri apo për filozofi. Dhe ne për dekada të tëra humbëm talente të vërteta që do të delnin nga pjesa më vitale e popullit tonë, nga ajo pjesë që ka nxjerrë shumicën e intelektualëve tanë, nga ajo pjesë që quhet fshatarësi dhe që përbën 60 për qind të popullsisë shqiptare. Ndërkohë anëtarët e byrosë politike, të KQ, sekretarët e komiteteve të partisë në rrethe e në Tiranë, ministrat etj., etj. ose i dërgonin ose kishin dëshirë t’i dërgonin fëmijët e tyre të studionin për gjuhë të huaja, filozofi, elektronikë, drejtësi, arkitekturë e letërsi. Ja, ky është rrjedhimi i vijës së diktaturës në të drejtat dhe liritë e njeriut në kohën kur bërtisnim se formojmë njeriun e ri!

I katërti gabim është vija e mbrapshtë në politikën e jashtme.

Sipas kësaj vije Shqipëria duhej të ishte e mbyllur ndaj botës, që të mos ndikohej nga shthurjet borgjezo-revizioniste, që të ishte e pastër me socializmin e saj. Në të vërtetë kjo ishte vija e izolimit nga mirëqenia dhe kultura evropiane, nga liria dhe demokracia e saj, për ta mbajtur popullin në errësirë dhe në varfëri, pasi vetëm në këtë gjendje ai mund të nënshtrohej, komandohej dhe të drejtohej më lehtë. Izolimi nga bota shprehte psikologjinë e sovranëve feudalë të principatave të trajtuara si prona të tyre larg komunikimit me domenet e tjera.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e tjera socialiste Enver Hoxha e lidhi partinë dhe vendin e vet me Kinën nën pretekstin e ruajtjes së pastërtisë së marksizëm-leninizmit. Partisë sonë nuk i pëlqente hedhja poshtë e kultit të Stalinit, pasi ajo e kishte në themel metodën staliniste të drejtimit dhe nuk mund të pajtohej me destalinizmin që filloi në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Lindjes në mes të viteve ‘50-të. Në qoftë se nuk do të ishim stalinistë, pas prishjes me këto vende, mund të lidheshim menjëherë me Europën, që në vitin 1960, dhe sot të kishim një nivel të lartë ekonomik e kulturor, të lidheshim jo me një shtet, por me të gjithë sipas interesave më të mira. Por edhe këtu vepronte psikologjia e kultit, e “Njësë”. Dhe këtë kult, këtë “Një” e gjetëm – kjo ishte Kina e Mao Ce Dunit.

Filluam të imitojmë Kinën, veçanërisht revolucionin e saj kulturor. Menjëherë ndërmorëm një luftë të madhe dhe të egër kundër ndikimeve të huaja në jetë, në kulturë, në art e letërsi. Filluam të shajmë të gjitha vendet, superfuqitë dhe fuqitë, dhe mbetëm pa asnjë mik në Evropë dhe në Amerikë, mbetëm vetëm me Mao Ce Dunin, të cilin më 1976 përgatiteshim ta braktisnim. E braktisëm, pasi Kina filloi të hapej dhe të vështronte nga Evropa dhe bota. Ishte psikologjia e udhëheqjes së partisë, psikologjia e mjerimit: shteti mik nuk duhej të vështronte nga Evropa e begatë, pasi na infektonte. Me mikun që vështronte nga Evropa udhëheqja jonë prishej.

Tani izolimi ynë do të ishte më i tmerrshëm dhe popullin e priste katastrofa ekonomike. Me kushtetutë ndaluam ndihmat dhe kreditë, ndërsa sot lutemi dhe zgjatim dorën dhe askush nuk na jep. Edhe më 1986-1987, nja dy vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, ne patëm një shans të madh për t’u hapur me botën, për të marrë kredi e ndihma, siç ishte shansi me Gjermaninë Perëndimore pas vizitës së Shtrausit. Edhe këtë shans e shkelmuam nga që duhej t’i mbeteshim besnikë parimit me “forcat e veta”, parim shkatërrues për ekonominë e kulturën tonë. I refuzuam kreditë dhe ndihmat për t’i qëndruar besnikë testamentit dhe vijës së Enver Hoxhës, vijës së varfërisë dhe mjerimit.

Kjo vijë nën pseudoteorinë e stisur dhe qesharake të ashtuquajtur “vazhdimësi”, vazhdimësi e marrëzive si e Abaz Aliut në Qerbela pas vdekjes së hazretit Muhamet, ishte gabimi i fundit i udhëheqjes së partisë pa Enver Hoxhën dhe nën frikën e hijes së tij, frikën që akoma nuk e lë këtë parti të rinovohet. Dhe e them me bindje të plotë se ne, anëtarët e Partisë së Punës, po nuk e hoqëm këtë frikë, këtë maçok të zi në bark, nuk rinovohemi. Këtu qëndron gabimi i parë dhe më i rëndë i Ramiz Alisë, si krijues i idesë së “vazhdimësisë”, sipas së cilës vazhdoi të mbajë gjatë statuskuonë me një byro politike të ngathët, me tru të dhjamosur, byro që merrte guximin dhe paturpësinë ta quante veten udhëheqje e lartë e Shqipërisë dhe të mburrej para se të ngrihej furtuna e studentëve që lindi pluralizmi, dhe pastaj të tulatej nëpër vrimat e “bllokut” dhe të mërmëriste fjalë pa kuptim si një budalla mëhalle.Për këtë byro – udhëheqja që u bë objekt i shumë anekdotave dhe që solli vetëm një gjë të mirë se pasuroi folklorin, njerëzit e mençëm thoshin se ishte udhëheqja më e pakulturuar dhe më trashamania e gjithë historisë së Shqipërizës sonë të dashur që ka nxjerrë aq burra mendjendritur. Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin “pularizëm”.

Izolimi nga Evropa dhe nga bota i solli dëm të pallogaritshëm mbarë popullit dhe mbarë kombit shqiptar, duke përfshirë edhe Kosovën. Kosova e martirizuar, Kosova e rraskapitur nga serbët kërkonte një nënë të përparuar, një nënë me vizion evropian, një nënë të vërtetë demokratike. Me mentalitetin tonë të vjetër, me dogmatizmin e ngrirë në ideologji dhe në politikë, ne nuk mund ta ndihmonim atë me shkathtësi, me logjikë, me filozofi. Autoriteti ynë në botë kishte rënë. Pa autoritetin e nënës Kosova nuk mund të ndihmohej. Bota dhe Ballkani i thoshte Kosovës: “E ç’e do atë Shqipëri dogmatike dhe të izoluar?”. Ndihmën ndaj Kosovës dhe luftën për fitoren e saj dhe fitoren tonë të përbashkët e kemi pasur, fatkeqësisht, shumë të kursyer, me zik-zake e tepër konjukturale. Por, nejse, ky problem i rëndësishëm do një trajtim të veçantë e historia dhe e ardhmja do ta thonë më mirë fjalën e tyre. Por dua të theksoj këtu se Kosova për mbarë kombin tonë është pjesë e trupit të bukur të Shqipërisë. Vetëm një Shqipëri demokratike, që do ta zbukurojë trupin e saj, do ta këputë rrypin e hekurt dhe të ndryshkur, që e ndan këtë trup më dysh. Këputja e këtij rrypi të ndryshkur në kushtet e Evropës së bashkuar, do ta bashkojë edhe nënën me të bijën, edhe gjakun me gjakun. Detyra e Shqipërisë demokratike është që të luftojë për këputjen e këtij rrypi ndarës, rrypi gati njëqindvjeçar, që na ka sjellë aq mjerime neve këtej dhe atyre andej.

Duke përfunduar, mund të them se mua më vjen keq për këto gabime, pasi kam 40 vjet që aderoj në këtë parti, ku kam lënë rininë time të pakthyer, kam lënë vitet më me ëndrra dhe shpresa. Si gjithë poetët më të shquar shqiptarë, që nga Ismail Kadareja e me radhë, unë i kam kënduar idealeve dhe ëndrrave të kësaj partie, ideale dhe ëndrra që pak u bënë realitet, i kam kënduar Enver Hoxhës, siç e kam ëndërruar, i kam kënduar socializmit, që mendoja se vërtetë do ta transformonte botën dhe do ta pasuronte shpirtërisht e materialisht njeriun, por ka kohë që e kam kuptuar edhe gabimin tim në këtë besim dhe veçanërisht sot e pohoj i zhgënjyer, se duhet hequr dorë krejtësisht nga rruga e gabuar, rrugë që e shpuri shqiptarin në mjerim, duke ia ulur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.

Rrënjët e gabimeve të kësaj rruge janë në teorinë e Marksit dhe Leninit për diktaturën dhe luftën e klasave. Enver Hoxha, si gjithë udhëheqësit e tjerë të vendeve të Lindjes, ishte një zbatues i kësaj teorie. Pa mohuar meritat e tij të luftës dhe të ndërtimit të Shqipërisë, gabimi i tij themelor ishte që kur iu dhanë shanset në kthesat historike si më 1948, 1960 dhe 1978, nuk e kuptoi që kjo teori të çonte në mjerim, në varfëri dhe në antihumanizëm. Këtu qëndron dhe tragjedia e këtij personaliteti që njihte aq mirë edhe kulturën e Evropës.

Por si njerëz le të ngushullohemi pakëz se ky gabim nuk i përket vetëm shqiptarëve, ai i përket gjysmës së Evropës, plus Bashkimit Sovjetik, domethënë rreth 400 milionë vetave që sot të zhgënjyer vështrojnë me 400 milionë duar përpara ballit rrugën që do t’i shpjerë drejt demokracisë së vërtetë… Po gati tre milionë e gjysëm duart tona mbi ballë si e shikojnë këtë rrugë dhe si do ta shpërndajnë mjegullën e anarkisë, vrasjeve të fshehta e çrregullsisë? Si do t’i rikthejnë njerëzit në punë? Pse partitë, të gjitha, duke përfshirë dhe partinë tonë nuk po bëjnë analiza për gjendjen dhe perspektivën e shoqërisë, por mendojnë vetëm të zgjatin dorën ndaj Evropës dhe Amerikës?

 

12 qershor 1991

 

P.S.

Kur auditori i kongresit gjëmoi nga zemërimi, duke iu drejtuar oratorit me fjalë fyese dhe plot agresivitet, ai e mbylli diskutimin, heshti për një çast me vështrim nga salla, pastaj tha: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që ju polli ju po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët, unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit.”