VJOSA OSMANI NË FJALIMIN E PARË SI PRESIDENTE FTON PARTITË PËR UNITET E TOLERANCË
MË: 4 PRILL 2021 NË ORA: 20:03
Marre nga Bota sot
Betohet Vjosa Osmani: Tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial!
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se është nder i madh për të që me vullnetin e qytetarëve të drejtohet në cilësinë e presidentes.
Ajo ka thënë se ky post i veshë me shumë përgjegjësi.
Osmani ka thënë se dashuria për Kosovën është motivimi më i madh.
“Sot është dita e Kosovës, dita juaj, ditë në te cilën vullneti juaj qytetarë po plotësohen dhe institucionet po konstatohen plotësisht. Po e vulosin njëri ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë. Sot është dita kur dëshmojmë se me urti dimë t’i përballojmë sfidat e t’iu japim kuptim. Sot Kosova e zgjodhi edhe një presidente grua, vajzat e kane vendin vetëm ku ato vet dëshirojnë. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë. Çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se institucionet po e reflektojnë historinë e larmishme por ka edhe shumë punë përpara.
Ajo ka thënë se nuk ka nevojë të shihet as pas kësaj salle për t’i kuptuar sakrificat e popullit,
Presidentja Osmani ka përmendur deputeten Vasfije Krasniqin duke thënë se ajo është forca e dhimbja e përbashkët.
“Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengen se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Ajo ka thënë se historia jonë është histori e përkushtimit.
Osmani ka shtuar se duhet kujtuar trimëria e jashtëzakonshme dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe secilit ushtar, dëshmorë e hero që sakrifikuan për vendin.
Ajo tutje ka përmendur edhe ushtarët që janë nisur në misionin e parë jashtë vendit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ushtria me besimin më të madh qytetar. Historia jonë krahas dhimbjes është histori i ngadhënjimit mbi të keqen, ne do t’u jemi mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës. Ata duhet të qëndrojnë pranë nesh në mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në mesin e aleatëve të shumtë janë tri shtylla, SHBA, BE-ja dhe Republika e Shqipërisë. Si presidente e Kosovës, shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë politikanët të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit e tolerancës”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se ajo udhëhiqet nga vullneti i qytetarëve.
Ajo ka thënë se drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të vihen para drejtësisë.
Ajo ka thënë se dialogu është rruga përpara porse ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.
Osmani ka thënë se sfida me pandeminë është ajo që duhet pasur prioritet.
“Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk është vetëm e njërës palë. Kemi humbur shumë jetë njerëzish e të tjera mund t’i humbim”, ka thënë ajo.
Vjosa Osmani edhe zyrtarisht ka marrë besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për presidente të vendit.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtojë ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial Kosovës.
Sigurimit të lirive e njerëzore të qytetarëve, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe Ligjeve.
Ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve e me ndërgjegje e përgjegjësi do ti kryejë të gjitha detyrimet e mia. Betohem”, deklaroi Osmani.